28 Tetor 2021

Privatizimi në Kosovë: Projekti ndërkombëtar 1999-2008

Nga Rita Augestad Knudsen

Raporti ka të bëjë me përfshirjen ndërkombëtare në privatizimin në Kosovë. Ai fokusohet në periudhën e privatizmit zyrtar dhe faktik të drejtuar nga ndërkombëtarët, nga viti 1999 deri më 2008, kur UNMIK-u, dhe Shtylla IV e BE-së ishin përgjegjës për përgatitjen dhe zbatimin e procesit. Raporti përshkruan historikun e privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët dhe jep një kronologji të çasteve të rëndësishme të procesit - duke përfshirë fazën e planifikimit, formulimin e kuadrit të veçantë të tij ligjor dhe operacional, pjesë të realizimit të tij faktik, dhe ndërprerjen e procesit për një vit e gjysmë. Në fund, raporti nxjerr në pah disa pasoja të rëndësishme për Kosovën nga privatizimi i drejtuar nga ndërkombëtarët.

Tani do t’i përshkruaj shkurtimisht dy çështjet e rëndësishme që i diskutoj në këtë raport: si është zgjedhur privatizimi si strategji kryesore ekonomike për Kosovën dhe çka i ka dhënë formën procesit gjatë zhvillimit të tij - para se të shpjegoj mendimin tim për domethënien e gjithë kësaj.

Çështja e parë i përket mënyrës si ishte zgjedhur privatizimi për Kosovën. Si kishte filluar? Raporti tregon se zyrtarët ndërkombëtarë, në mënyrë paradoksale, zgjodhën privatizimin si strategji kryesore ekonomike për Kosovën, pa shumë konsiderata ekonomike dhe pa shumë debat ekonomik. Në vitin 1999 ekonomia e Kosovës ishte e rrënuar pas dekadash krize, keqmenaxhimi, shkatërrimi, dhe lufte. Rindërtimi ekonomik dhe zhvillim ishte qartazi një detyrë me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Kosovës. Kur u themelua UNMIK-u ai mori përgjegjesinë zyrtare dhe të plotë për ekonominë: Shtylla IV e UNMIK-ut, e udhëhequr nga BE-ja, ishte zyrtarisht dhe plotësisht përgjegjëse për rindërtim dhe zhvillim.

Megjithatë, zyrtarët ndërkombëtarë nuk bënë asnjë studim të thellë specifik për konteksin ose ndonjë studim krahasues ekonomik për mënyrën më të mirë për arritjen e rindërtimit dhe zhvillimit. Me sa duket, nuk është bërë asnjë vlerësim i plotë i opsioneve të ndryshme të strategjive për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik në kontekstin ekonomik specifik të Kosovës. Nuk duket se ka ekzistuar ndonjë përpjekje për t’i dhënë dikujt nga Kosova rol të vërtetë në procesin e vendimit mbi një strategji ekonomike. Në vend të kësaj, zyrtarët ndërkombëtarë në UNMIK dhe BE në vitin 1999 menjëherë u deklaruan se privatizimi duhet të jetë aktiviteti kryesor i Shtyllës IV dhe se privatizimi duhet të jetë strategjia kyç ekonomike e Kosovës. Shtylla IV gjatë nëntë vjetve sa ishte e ngarkuar zyrtarisht me rindërtimin dhe zhvillimin, privatizimin e kishte preokupim kryesor të sajën. Nga viti 1999 deri më 2008 privatizimi në Kosovë ishte planifikuar, ishte rregulluar dhe ishte kryer nga zyrtarë ndërkombëtarë, me përfshirje minimale të vendësve, pa u ndalur asnjëherë  për të vlerësuar ndikimin ekonomik të strategjisë, dhe pa shikuar prapa për të pyetur nëse zgjedhja ka qenë e drejtë që në fillim.

Pra, pika e parë është se privatizimi është zgjedhur si strategji kryesore ekonomike për Kosovën pa shumë konsiderata ekonomike, pa shumë debate ekonomike, dhe pa ndonjë përfshirje të madhe lokale.

Kjo është me interes edhe për shkak se privatizimi është një çështje thelbësisht politike. Ai është një çështje që në shumicën e vendeve demokratike u nënshtohet debateve të fuqishme, është një çështje për të cilën partitë politike luftojnë për të fituar vota dhe mbështetje. Shkalla e përfshirjes së shtetit në ekonomi është një temë thellësisht politike, ku mendimet e njerëzve janë të përcaktuara nga aderimet e tyre politike dhe botëkuptimet e tyre ideologjike. Por në Kosovë zyrtarët ndërkombëtarë kurrë nuk e kanë paraqitur privatizimin në këtë mënyrë. Privatizimi gjithmonë ishte prezantuar dhe ishte diskutuar si një çështje teknike, me një gjuhë të depolitizuar, funksionalistike, e mënjanuar nga fusha e kontestimit dhe debatit demokratik.

Pika e dytë ka të bëjë me çështjen se çka i ka dhënë formën privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët në Kosovë gjatë këtyre nëntë vjetve - cilat qëllime dhe interesa kanë dominuar tek zyrtarët ndërkombëtarë në krye të privatizimit, ku e kanë harxhuar energjinë e tyre, çfarë ishte ajo që ka përcaktuar mënyrën e zhvillimit të procesit. Raporti tregon se, më shumë se çdo gjë tjetër, privatizimin ndërkombëtar e kishte modeluar frika e zyrtarëve ndërkombëtarë për t’u mbajtur përgjegjës për procesin. Ata kurrë nuk e vënë në dyshim zgjedhjen e privatizimit si strategji kryesore ekonomike për Kosovën, por ishin të pasigurt për mënyrën si ta realizojnë atë pa rrezikuar që të mbaheshin ligjërisht përgjegjës. Kështu, ndërsa implikimeve ekonomike të zgjedhjes së privatizimit për Kosovën nuk u ishte kushtuar ndonjë vëmendje e madhe, implikimet e mundshme ligjore (d.m.th implikimet ligjore për zyrtarët ndërkombëtarë në krye) u kishin shkaktuar UNMIK-ut dhe Shtyllës së BE-së shqetësime të mëdha.

Më konkretisht, periudha e privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët në Kosovë u përqëndrua në shitjen e ndërmarrjeve të klasifikuara si ndërmarrje në pronësi shoqërore, ose NSH. Çfarë i bëri zyrtarët ndërkombëtarë të shqetësuar ishte fakti se nuk ishte krejtësisht e qartë se kush është pronari i këtyre ndërmarrjeve. Ndërsa ka arsye për të vënë në pikëpyetje në tërësi zgjedhjen e zyrtarëve ndërkombëtarë për të privatizuar në Kosovë, ata ishin gjithsesi të shqetësuar për kryerjen e privatizmit pa e përcaktuar së pari faktin se pronat e kujt do të shiten gjatë privatizimit të këtyre ndërmarrjeve shoqërore. Kjo çështje u konsiderua e komplikuar, sepse, para së gjithash, ideja e pronësisë shoqërore ishte unike për ish-Jugosllavinë, duke e bërë të pamundur lidhjen e pronësisë me një personalitet të qartë ligjor: NSH-të duhet t'i përkisnin "të gjithëve dhe askujt në veçanti ". Në të njëjtën kohë, disa individë dhe biznese pretendonin se i kishin blerë disa NSH në Kosovë. Edhe pse këto pretendime e kishin origjinën nga shitjet e dyshimta që kishin ndodhur gjatë periudhës së Millosheviçit, të kryera në mënyrë diskriminuese dhe ligjërisht të diskutueshme, zyrtarët ndërkombëtarë ishin shumë të shqetësuar për kundërshtimet në lidhje me këto shitje. Përveç kësaj, zyrtarët ndërkombëtarë ishin nervoz edhe nga fakti se Serbia pretendonte se është pronare e tërë Kosovës, duke përfshirë NSH-të e Kosovës dhe NP-të. Meqë çështja e pronësisë së NSH-ve, për të gjitha këto arsye, ishte e paqartë për zyrtarët ndërkombëtarë, ata ishin shumë të shqetësuar në mos e ekspozonin veten ndaj rrezikut të përgjegjësisë ligjore kur po bënin privatizimin, ndaj rrezikut për t'u hedhë në gjyq dhe për t'u përballur me ankesat se po shesin pronat që i përkasin dikujt tjetër.

Ishte frika e përgjegjësisë për pretendimet në lidhje me privatizimin ajo që i bëri zyrtarët ndërkombëtarë në UNMIK, UNHQ dhe BE të vendosur për të krijuar dhe për të mirëmbajtur një kornizë "të sigurt" ligjore para fillimit të privatizimit - një kornizë që do ta bënte të pamundur që ata vetë të paditeshin ndonjëherë për procesin. Raporti tregon se si kjo çështje u diskutua dhe iu nënshtrua eksperimenteve gjatë nëntë viteve të privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët në Kosovë. Ai tregon se ishte ky shqetësim - si të kryhej privatizimi pa u mbajtur përgjegjës – ajo që kishte dominuar procesin e privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët, dhe ishte manifestuar në kornizën operacionale dhe ligjore të privatizimit në Kosovë, në themelimin e AKM-së dhe në krijimin e metodës spin-off të privatizimit.

Mendoj se është interesante që as shqetësimet serioze të zyrtarëve ndërkombëtarë rreth përgjegjësisë dhe gjithë këtyre problemeve që ata i panë me përcaktimin e pronësisë ligjore të ndërmarrjeve shoqërore, as rreziku i madh që ata besonin se kjo paraqet saqë do të mund të paditeshin kur të bënin privatizimin në Kosovë, nuk duket se i kanë bërë ata dyshues për zgjedhjen e tyre për të privatizuar: se kjo duhet të ishte strategjia ekonomike kryesore e Kosovës. As fakti që sot strategjia nuk duket se ka funksionuar nuk ka ngritur pyetjen fundamentale se pse privatizimi ishte dhe ende është strategji kryesore ekonomike e Kosovës. Pas nëntë vjetësh të privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët si strategji ekonomike kyç në Kosovë ekonomia nuk duket të jetë përmirësuar: rreth gjysma e popullsisë së vendit është ende pa punë, gjysma jeton në varfëri, infrastruktura, bujqësia dhe prodhimi vendas janë në gjendje të shkatërruar, dhe sistemet e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale janë shumë shumë të dobëta. Prandaj as qëllimi zyrtar i vetë Shtyllës IV për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit nuk është arritur nëpërmjet privatizimit.

Pra, çfarë atëherë do të thotë e gjithë kjo? Si mund të shpjegohet procesi i privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët? Në raport privatizimin ndërkombëtar në Kosovë e shoh si një shembull të shtetndërtimit ndërkombëtar. Këtu nuk do të jap një analizë të gjatë të konceptit të shtetndërtimit ndërkombëtar – këtë e bëj në raport - më lejoni vetëm të them se UNMIK-un e shoh si një operacion shtetndërtimi. Dhe shtetndërtimi ndërkombëtar gjithmonë funksionon brenda kuadrit të tezës së paqes liberale – sipas së cilës demokracitë nuk luftojnë me njëra-tjetrën dhe se liberalizimi politik dhe ekonomik çon në paqe. Në vijë me këtë argument, shtetndërtimi ka një format, një model të gatshëm të paracaktuar, që mund të përmblidhet si stabilizim dhe liberalizim. Nga ana ekonomike ky format përfshin reformat liberale si privatizimin dhe tregun e lirë. Edhe pse ky lloj i reformës është politikisht i fuqishëm, shtetndërtimi gjithmonë i heq këto reforma nga fusha politike dhe i paraqet ato si çështje teknike, të padiskutueshme, të rindërtimit dhe zhvillimit të drejtpërdrejtë.

Për rrjedhojë, zgjedhja për të privatizuar në Kosovë kurrë nuk ishte rezultat i një analize ekonomike specifike për Kosovën, por ishte një pjesë e paracaktuar e formatit të shtetndërtimit për reformën e liberale. UNMIK-u ishte një operacion shtetndërtimi, dhe të gjitha operacionet shtetndërtuese e bazojnë stabilizimin dhe liberalizimin në të njëjtin model ekonomik. Nga ana e zyrtarëve ndërkombëtarë diskutimi demokratik i privatizimit ose shqyrtimi i pavarur i tij nga ana e ekspertëve kurrë nuk kishte qenë në plan. Kjo ishte një zgjedhje e bërë paraprakisht. Nga ana e Kosovës, megjithatë, mendoj se ka shumë arsye të mira për të vënë në dyshim zgjedhjen e privatizimit - dhe për të problematizuar faktin që procesi ende është duke vazhduar me hov të shpejtë.


Instituti Norvegjez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare (NUPI) është qendra kryesore norvegjeze për hulumtime dhe informim për çështjet politike dhe ekonomike ndërkombëtare.

(Rita Augestad Knudsen është autore e The Comprehensive UN Sanctions against the Federal Republic of Yugoslavia: Aims, Impact and Legacy (NUPI/Kolofon 2008), si dhe aktualisht është duke e bërë doktoraturën në Historinë Ndërkombëtare në London School of Economics and Political Science (LSE))

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2021

- Fillon administrimi i vaksinës kundër gripit sezonal. (Salla 1 Tetori nga ora 08:00 deri në ora 19:00)

- Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mbajnë konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive - dhe masës 2.4 - Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. (Ndërtesa e Qeverisë (Salla P38), ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava do ta pres një delegacioni të lartë nga Mbretëria e Arabisë Saudite, i kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, Dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Shejkh, Ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite. (Selia e Kryesisë së BIK-ut, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. (Ndërtesa e KQZ-së, Kati 4, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon mbledhjen Komemorative me rastin e kalimit në amshim të Burbuqe Berisha. (Teatri AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ora 10:00)

- Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës inauguro Qendren e re e të Moshuarve në lagjen Ulpianë. (Rr. Imzot Nikë Prelaj, E30, Ulpianë mbrapa pompës Exfis, ora 11:00)

- Punëtorët e Ferronikelit protestojnë para Qeverisë së Kosovës. (Objekti i Qeverisë, ora 11:30)

- Mbahen homazhet për të ndjerën Burbuqe Berisha. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 12:00)

- Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati vizitojnë Administratën Tatimore të Kosovës. (ATK, kati I, ora 13:30)

- Hapet edicioni i 12 i Festivalit të Filmit të Shkurtër "Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata)

 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, njëherësh kandidat për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje!, prof. dr. Mytaher Haskuka, do të mbajë konferencë për media. (Zyret e Lëvizjes në Prizren, ora 16:00)