19 Prill 2024

Politika tatimore në Kosovë, objektivat dhe rezultatet e saj

Shkruar nga Arber Berisha
 
Politika tatimore apo zbatimi i mirë i sistemit tatimor nuk matet me vetëm nëse administrata përgjegjëse mbledh më pak apo më shumë më shumë të ardhura nga tatimpaguesit, por matet me lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit dhe veçanërisht për investitorët vendor dhe sidomos ata të huaj në mënyrë që atyre t’iu bëhet sa më atraktiv dhe jo burokratik tregu në Kosovë.
 
Masat tatimore të ndërmarra viteve të fundit pjesërisht kanë dhënë rezultatet e tyre të mira në mbledhjen e tatimeve tek ndërmarrjet dhe individi, por objektivi tjetër madhor i tërheqjes së investimeve të jashtme nuk pati ndonjë rezultat për lëvdatë, meqë ambienti kosovar i biznesit ende mbetet larg për të qenë i kënaqshëm për kapitalin e huaj.
 
Përvoja e viteve të fundit në Kosovë sinjalizon qartë se politikat tatimore nuk janë të vetmet kushte të nevojshme dhe të mjaftueshme për tërheqjen e investimeve të jashtme por për këtë kërkohet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe sidomos në krijimin e një ambienti më të favorshëm biznesi; përmirësim në infrastrukturë dhe zhbërjen e imazhit në raport me korrupsionin që e ka Kosova së fundi.
 
Rëndësia e politikave tatimore
 
Ndërtimi i politikave tatimore dhe zbatimi i tyre përmes mbushjes së buxhetit të vendit në Kosovë kanë një rrol të rëndësishëm ekonomik si dhe për mbajtjen dhe zhvillimin e një seri sektoresh të shoqërisë kosovare.
 
Politika Tatimore e një shteti është pjesë e politikës fiskale që lidhet me përcaktimin e llojeve të tatimeve të zbatuara në një vend, nivelet dhe llojet e përqindjeve tatimore për burimet e ndryshme të të ardhurave dhe raportin optimal ndërmjet tatimeve të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta si dhe llojet e masat e lehtësimeve te ndryshme tatimore.
 
Përveç funksionit të sigurimit të të ardhurave buxhetore, politika dhe sistemi tatimor i çdo vendi luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë pastaj në zhvillimin e arsimit; kulturës; shëndetësisë; punësimit dhe veçanërisht në rishpërndarjen e të ardhurave në favor të shtresave shoqërore me të ardhura më të ulta të cilat në vendin tonë janë në një numër të konsiderueshëm.
 
Politika tatimore e një shteti  arsyetohet me organizimin e asaj politike tatimore që ndikon në drejtim të mënjanimit të dukurive që bëhen pengesë për ruajtjen e mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë. Këto dukuri lidhen me veprimin jo të përkryer të tregut në: mbrojtjen e shtresave të varfra të shoqërisë, krijimin e vendeve të punës, evitimin e monopoleve dhe rritjen e konkurrencës së mirëfilltë, barabarësinë në mes tatimpaguesve e tjera.
 
Sipas koncepteve të ekonomisë së tregut, që varet nga oferta dhe e cila thekson neutralitetin më të madh tatimor të tatimeve në konsum (harxhim) në krahasim me ato në të ardhura, politika  tatimore në Kosovë u zhvendos dhe u përqendrua prej tatimeve të drejtpërdrejta në të ardhura, në tatimet jo të drejtpërdrejta në konsum (harxhim). Para së gjithash jo përmes rritjes së normës tatimore të këtyre tatimeve, por përmes zgjerimit të përfshirjes apo bazës tatimore.
 
Sistemi dhe infrastruktura ligjore tatimore është kusht i domosdoshëm për arritjen e qëllimeve fiskale që do të thotë se ligjet e të gjitha llojeve të tatimeve duhet që të jenë të kuptueshme dhe lehtë të interpretueshme si për tatimpaguesit po ashtu edhe për zyrtarët tatimorë që merren me zbatimin e ligjeve tatimore në praktikë.
 
Rëndësia e një politike të mirëfilltë  tatimore ka qenë prej shumë kohësh sfidë e qartë për ata që janë të angazhuar me politikat tatimore në vendin tonë. Në praktikë ky shqetësim nuk ka pasur të njëjtën qartësi.
 
Reformat tatimore në Kosovën e pasluftës dhe ‘rezultatet’ e tyre
 
Në vitet e para të pasluftës Kosova është ndeshur me një ndërhyrje tatimore të çakorduar dhe të vrullshme të bazuar kryesisht në përvojat e vendeve të tjera dhe jo në përputhshmëri me gjendjen dhe nevojat reale të Kosovës së pasluftës e cila është dashur që në shumë sektorë të fillojë nga zeroja.
 
Kosovës i janë dashur më shumë se pesë vite për të pritur fillimin e ndërtimit të një politike tatimore për t’ia përshtatur atë gjendjes dhe nevojave vetanake për të mundur gradualisht marrë frymë më lehtë drejt një politike stabile tatimore.
 
Sfidë e menjëhershme e kësaj faze ishte (dhe ende mbetet) niveli i zbatueshmërisë së tatimeve dhe sidomos futja e kësaj politike në interes dhe përputhje me nevojat e ekonomisë dhe sektorëve të ndryshëm të shoqërisë së vendit tonë.
 
Përvoja nga bota na sugjeron që nuk është ide e mirë të injorohen dimensionet administrative të reformës tatimore. Tatimpaguesit individual po ashtu edhe bizneset që ndeshen me ligjet tatimore domosdoshmërisht ndjejnë se nuk  mjafton vetëm ligji i shkruar tatimor, por fakti se si aktualisht zbatohet ai në praktikë.
 
Politika  tatimore e pasluftës  në Kosovë ka filluar me sistemin tatimor dhe rregulloret e ligjet e UNMIK-ut, pothuajse që të gjitha të kopjuara nga vendet e tjera si nga vendet në tranzicion po ashtu edhe nga vendet e BE-së, dhe mospërshtatja e këtyre rregulloreve  me gjendjen aktuale në Kosovë.
 
Duke marrë parasysh se pas viti 1999 ekonomia në Kosovë ka qenë pothuaj se tërësisht e shkatërruar, pas kësaj, që nga Janari/2005  politika tatimore fillon me ndryshimet e  para tatimore apo me zbatimin e tatimeve të reja siç janë Tatimit në të Ardhura të Korporatave (TAK) dhe Tatimi në të Ardhura Individuale (TAI) dhe kjo gjendje vazhdon deri më 01/2009.

 
Ulja e tatimeve për ndërmarrjet nuk solli investitorët e huaj
 
Që nga janari i vitit ta kaluar në Kosovë është bërë ndryshimi, përkatësisht ulja e normës tatimore tek TAK nga 20% në 10% dhe ngritja e normës  (përqindjes) së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 15% në 16%.
 
Synimi i këtyre ndryshimeve të normave tatimore (asaj kohe) ka qenë që t’iu lehtësohen masa tatimore investitorëve të huaj në mënyrë që ata të vijnë dhe të investojnë në vendin tonë.
 
Përkundër këtyre masave (uljes së TAK në 10%)  deri më sot nuk kemi pasur një ndryshim pozitiv. Investitorët e huaj nuk erdhën përkundër prognozave dhe pritjeve.
 
Sipas mendimit tim, shkaktar kryesor i kësaj ka qenë dhe mbetet burokracia e shumtë e cila hetohet lehtë tek ligjet tona aktuale për investime nga jashtë si dhe korrupsioni i nivelit tejet të lartë.
 
Ky i dyti është një element qe kudo në botë reflekton negativisht në këtë aspekt investiv e sidomos tek ne në Kosovë. Imazhi korruptiv i Kosovës në botën perëndimore është tej mase negativ dhe ardhja e investitorëve të huaj edhe për shumë kohë do të varet edhe nga përmirësimet që autoritetet tona duhet bërë urgjentisht në këtë fushë.
 
Masat e lehtësimeve tatimore për ndërmarrjet përkundër faktit se ato vlerësohen si pozitive, ato të vetme nuk sollën e as që pritet që në një të ardhme të afërt të sjellin valë të vërtetë investitorësh nga jashtë.
 
Kosova vazhdon që të jetë vendi me shumat më të vogla për vit por edhe për kokë banori të investimeve direkte nga jashtë. Lehtësimet tatimore nuk janë aktor i vetëm në tërheqjen e investitorëve të vërtetë të jashtëm. Imazhi rreth korrupsionit, infrastruktura energjetike e ajo rrugore janë faktorë të tjerë në të cilët vendi i ynë duhet që ende të bëjë dukshëm më shumë për të garantuar një ambient të mirë dhe të qëndrueshëm tërheqës biznesi për investitorët e jashtëm.
 
TVSH-ja ngriti çmimet
 
Përkundër faktit se ulja e tatimit TAK në 10% edhe pse e mirë ishte e pafajshme në dhënien e ndonjë rezultati konkret investitiv, ngritja e TVSH-së, mendoj unë se nuk pati ndonjë ndryshim për të mirë pozitiv në të kundërtën ajo shkaktoi goditje të lehtë në çmimet e mallrave për tregun kosovar. Ajo vetëm se ka shkaktuar ngritjen e çmimeve në tregun e Kosovës.
 
Politika tatimore apo zbatimi i mirë i sistemit tatimor nuk matet me vetëm nëse administrata përgjegjëse mbledh apo jo më shumë të ardhura, por matet me lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit dhe veçanërisht për investitorët e huaj në mënyrë që t’iu bëhet sa më atraktiv dhe jo burokratik tregu në Kosovë.

 
E gjithë kjo e bënë politikën tatimore apo administratën tatimore  një çështje komplekse. Rezultati i arkëtimit të të hyrave gjatë një viti kalendarik mund të mos jetë gjithnjë baza më e përshtatshme për vlerësimin e punës së administratës tatimore.

Por, mënyra se si është bërë qasja për rritjen e të ardhurave; efekti i përpjekjeve për gjenerimin e të ardhurave; krijimi i një klime tatimore për barazinë në mes të tatimpaguesve; rritja e "pasurisë" politike të qeverisë dhe niveli i mirëqenies ekonomike mund të jenë të barabarta me faktin se sa janë rritur më tepër të ardhurat.
 
 Shpenzimet  publike të krijuara nga institucionet  dhe të hyrat nga  administrata tatimore dhe doganat si institucione që  merren me zbatimin e politikës tatimore, duhet të merren në konsideratë dhe vëmendje e nevojshme duhet t‘i kushtohet faktit se cila e ardhur apo lloj i tatimeve duhet të jetë objekt i masave shtrënguese.
 
Tatime të thjeshta apo lehtë të zbatueshme në praktikë si përvojë që vjen nga vende të ndryshme me përvojë në politikën tatimore është domosdoshmëri e një  sistemi tatimor të thjeshtë, në mënyrë që të sigurojë se do të ketë kuptueshmëri për tatimpaguesit,  dhe rritjen e një numri sa më të madh prej tyre që ofrojnë t‘i paguajnë detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare , pa pasur nevojë të ketë sanksionime apo dënime shtesë siç parashihen me ligj.
 
 Në procesin e formulimit të politikës tatimore dhe reformave tatimore , politikbërësit përcaktojnë objektivat të cilat synojnë t’i realizojnë dhe instrumentet me të cilat ato objektiva bëhen të realizueshme, duke iu përmbajtur detyrimisht principeve të menaxhimit fiskal siç janë:transparenca lidhur me objektivat, implementimin e politikës tatimore dhe publikimin e llogarive publike, stabiliteti i procesit të bërjes së politikës tatimore,efikasiteti
i ndikimit të politikës tatimore në ekonomi, përgjegjësia në menaxhimin e financave
publike, efikasiteti i modelimit dhe implementimit të politikës tatimore etj.
 
Për realizimin e këtyre objektivave vitin e fundit në politikën tatimore të Kosovës në vazhdimësi ka pasur reforma , pas  pajisjes së tatimpaguesve me numrat fiskal , hyrjen në fuqi të pakos  ligjore për TVSH dhe TAK dhe pajisja e bizneseve me arka fiskale.
 

(Autori është master i Shkencave Juridiko-Financiare)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)