25 Prill 2024

Pesë vjet pa Rugovën

Shkruar nga Sabri Hamiti


Para pesë vitesh, kur Ibrahim Rugova mbylli sytë në rezidencën e vet, në Velani të Prishtinës, në Kosovë ra gjëma e mpirja. Pak kush e kuptoi, përnjëherë, sa e madhe ishte prania e tij e sa tronditëse do të jetë mungesa e tij në Kosovë.

Tëfillimi  u bë në ditët në vijim.\\

 Rreth një milion qytetarë të Kosovës me orë e me ditë, në dimër e acar, pritën për t’i dhënë lamtumirën prijësit të tyre politik e shpirtëror, krijuesit të Pavarësisë se Kosovës.

Mbi gjashtëdhjetë delegacione shtetërore të kontinenteve e vendeve erdhën për t’i bërë nderimet e fundit bashkëpunëtorit, i cili me kulturë e durim kishte krijuar rrjetin e miqësisë për popullin e vendin e vet, duke u bërë vetë ikona e imazhi i këtij vendi e kësaj miqësie.

Bashkëpunëtorët e tij në Prishtinë, që ishin rritur politikisht pranë tij apo në hijen e tij, gati në belbëzim, thanë frazat e tyre për prijësin e humbur dhe zinë e madhe.

Po, sentimenti i përgjithshëm e arsyeja shtetërore tha që Rugova, edhe një herë, duke shkuar, lëshoi thirrjen e madhe për Kosovën e bashkuar evropiane, duke e lënë këtë trashëgimi në trajtën e testamentit: Kosova e pavarur, e integruar në NATO e në Bashkimin Evropian, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çka pesë vjet pa Rugovën?

Populli i Kosovës e ruajti dashurinë e adhurimin për prijësin e vet të parë, edhe kur shumë u ngritën ta vënë në hije veprën e tij. Populli e ruajti kujtimin e tij si një ikonë të lirisë, duke e pjesëtuar besimin e vet te trashëgimtarët e tij politikë apo shtetërorë, që morën diçka nga taktikat e tij, pa e kuptuar strategjinë e tij, që kapën ndonjë ide, pa e kuptuar vizionin, duke kapur nga një pjesë, pa e kapur tërësinë e kësaj trashëgimie.

Burrështetasit e huaj, ende të bindur në programin rugovian, kërkuan bashkëpunëtorët e rinj në Kosovë, të cilët, sa nga mosdija e sa nga egoizmi, nuk mbërritën të bëhen bashkëpunëtorë e aleatë të denjë, po, të shpeshtën, vartës përtacë e përsëritës. Në këtë mënyrë Kosova e treti ngadalë imixhin rugovian, për t’u bërë vend që shikohet me dyshime.

 Bashkimi i tij politik, i mbështetur në qëndrueshmëri e në tolerancë,  në kohët më dramatike, nisi të humbë tolerancën e qëndrueshmërinë, në agun e lirisë, atëherë kur provohet me vepër fuqia e karakterit e tundimi i pushtetit. Po ndahemi të bashkohemi sërish, tingëlloi shprehja paradoksale.

Pesë vjet më pas, Kosovës i duhet tepër trashëgimia politike rugoviane, botëkuptimi i tij kulturor e burrështetasit që predikoi e punoi për:

Udhëheqje që del nga vota e lirë, Përgjegjës i lartë dhe etikë politike, Ruajtje  të vlerave autentike në sprovimet aktuale, Liri të individit e të kolektivitetit, Përjashtim të dhunës në zgjidhjet sociale e politike, Diskutim alternativash pa humbur interesin kombëtar, Raporte besimi e bashkëpunimi me aleatë të Kosovës.

Një Kosovë në paqe me veten dhe e nderuar nga të tjerët, mbetet vizioni i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës. Ky është vizion për Kosovën, për shqiptarët e për raportet e tyre me të tjerët, në fqinjësi e më gjerë.

Lavdi atij që jeton gjithmonë!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)