24 Shtator 2021

Perspektiva e koridorit jugor të energjisë dhe ndikimi në Ballkan

Shkruar nga Ilir Iliri

Kompleksiteti i tregjeve europiane të energjisë si rrjedhojë e liberalizimit dhe kushteve dinamike të tregut si dhe shumëllojshmëria e nevojave dhe dëshirave të klijentëve kërkon zgjidhje pragmatike dhe fleksibile të furnizimit me energji. Projektet e energjisë janë si pjesë të vetëme të një enigme në pritje për t'u vendosur së bashku për të formuar një tërësi, që është tregu i qëndrueshëm energjetik.

Bashkësia Europiane (BE), si treg me destinacion përfundimtar i të gjithë gazsjellësve të koridorit jugor të energjisë (KJE), aktualisht konsumon rreth 500 mmk/vit (miliard metra kub në vit) gaz natyror. Prodhimi vendas arrin shifrën 36%, ndërsa pjesa tjetër furnizohet nga jashtë (22% nga Rusia, 19% nga Norvegjia, 10% nga Algjeria dhe 13% në formë të gazit natyror të lëngshëm GNL nga tregu botëror).

Rezervat e gazit vendas të BE dhe si pasojë prodhimi vendas pritet që të zvoglohet gjatë viteve të ardhshme. Trendi i shterjes së rezervave të gazit vendas mund të rikthehet pjesërisht në qoftë se rezervat e llogaritura të gazit shist argjilor (alternativë e gazit natyror), sidomos ato në Poloni, Gjermani, Hungari, Bullgari do të mund të prodhoheshin në mënyrë ekonomike në të ardhmen e afërt.
   
Pas krizës së fundit ekonomike botërore e cila është pasuar në vijim nga një performancë më e mirë e ekonomisë europiane, pritet që konsumi i gazit në BE të rritet për 1-2% në vit, edhe në qoftë se gazi shist argjilor vendas prodhohet në mënyrë ekonomike dhe vëhët në dispozicion sa më shpejtë.

Përkundër përpjekjevet intenzive të vendeve anëtare të BE për të rritur pjesën e burimeve të energjive ripërtrirëse në bilancin e tyre të furnizimit me energji si dhe për të përmirësuar dukshëm efiçiencën energjetike të infrastrukturës ekzistuese, kërkesat për gaz prapëseprapë do të mbeten të larta.

Kjo është kryesisht për shkak të faktit se BE është duke u përpjekur për të eliminuar teknologjitë e vjetëruara për prodhimi central të energjisë të cilat përdorin lëndët djegëse që lirojnë shumë pluhur dhe gazra të dëmshme (siç janë thëngjilli dhe nafta) dhe t'i zëvendësojë me teknologji kogjenerative moderne, të vogla dhe të decentralizuara (për prodhimin e përbashkët dhe të njëkohësishëm të energjisë elektrike dhe nxehtësisë), të cilat i përdorin lëndë djegëse (siç është gazi natyror) që lirojnë më pak gazra të dëmshme.

Në mënyrë që të mënjanohet varësia energjetike gjithnjë e më e madhe nga një numër shumë i kufizuar i furnizuesve të jashtëm, në këtë rast kryesisht nga Rusia, BE është duke u përpjekur për të shpërndarë dhe shumëfishuar rrugët e saj të furnizimit dhe burimeve. Në këtë mënyrë BE tenton të rrisë sigurinë e saj energjetike dhe konkurrencën në treg.

Ndërsa BE bënë përpjekje në këtë drejtim koridori jugor i energjisë fiton rëndësi të veçantë dhe në fakt ky koridor është duke u bërë njëri nga projektet më të mëdha energjetike të BE për të ardhmen, ku rezervat e mëdha të gazit natyror nga pellgu i detit kaspik transportohet drejtpërdrejt në tregun e BE duke anashkaluar Rusinë.

1.    Vendet furnizuese tё KJE


a.    Azerbajxhani

Azerbajxhani vlerësohet të posedoj rreth 0.85 tmk (trilion metra kub) rezerva të gazit dhe momentalish eksporton rreth 6 mmk/vit, nga fushat e gazit Guneshli dhe Shah Deniz faza 1 të cilat shtrihen në detin kaspik. Nga kjo sasi rreth 2 mmk/vit i shiten Rusisë, një sasi e vogël (0.4 mmk/vit) Iranit në bazë të marrëveshjes ndërshtetrore për shkëmbimin e gazit dhe sasia e mbetur i shitet Turqisë përmes gazsjellësit South Caucasus Pipeline. Azerbajxhani aktualisht është duke e zhvilluar fazën e dytë të Shah Deniz e cila pritet të filloj furnizimin në vitin 2017 dhe do të prodhoj rreth 20 mmk/vit shtesë.

Azerbajxhani thot që ai nuk dëshiron të varet nga një furnizues i vetëm (në këtë rast nga Gazprom, Rusi) për të transportuar pjesën më të madhe të gazit të tij në tregjet europiane, sepse qeveria e din se kur tre pjesëmarrësit tjerë të KJE (TAP, Nabucco, ITGI) heqin dorë nga realizimi i projekteve e tyre të gazsjellësve, Gazprom nuk do të paguaj më vonë çmimin e lartë për gazin e tij siç është i gatshëm për të paguar për momentin. Azerbajxhani është shumë i interesuar në qasje të drejtpërdrejtë në tregjet me çmim të lartë në Europë dhe TAP, Nabucco, ITGI do t'i mundësonte atij një qasje alternative.

Për rastin që gazsjellësit e KJE nuk ndërtohen qeveria është në kërkim të rrugëve alternative për të hyrë në tregjet europiane dhe ka inicuar projektin për transportin e gazit kaspik përmes Gjeorgjisë deri në breg të detit të zi, ta shëndrroj në GNL, ta transportoj me çisterna deri në Rumani, ta rigazifikoj dhe pastaj ta transportoj atë më tej në Europë (projekti AGRI).

b.    Turkmenistani

Turkmenistani vlerësohet të posedoj rreth 7.5 tmk rezerva të gazit. Nëse vlerësimet fillestare nga fushat e gazit South Yoloten vërtetohen atëherë rezervat e gazit të Turkmenistanit mund të arrijnë shifrën 24 tmk. Deri në vitin 2007 Rusia ishte blerësi i vetëm i gazit të Turkmenistanit me rreth 45 mmk/vit.

Pas eksplodimit të gazsjellësit në drejtim të Rusisë në 04.2009 (Turkmenistani fajësoi Gazprom për atë eksplozion duke e akuzuar atë për sabotim të qëllimët të gazsjellësit, në mënyrë që Gazprom të mos marrë sasinë e kontraktuar të gazit dhe mos paguaj nivelin e kontraktuar të çmimit.

Në të vërtetë disa muaj më vonë Gazprom rinegocioi me Turkmenistanin sasi shumë më të vogël, 11 mmk/vit, për blerje të gazit me çmim shumë më të ulët) Turkmenistan u alarmua nga sjellja ruse dhe filloi të kërkoj blerës alternativë të gazit dhe të bëj kështu shpërndarjen e rrugëve për transportin e gazit të tij.

Në vitin 2009 Turkmenistan ndërtoi një gazsjellës me kapacitet prej 30 mmk/vit në drejtim të Kinës. Ky gazsjellës pritet të arrijë kapacitetin e plotë pas 2-3 vitesh. Një tjetër gazsjellës me kapacitet prej 20 mmk/vit në drejtim të Iranit u përfundua në vitin 2010 duke i mundësuar Turkmenistanit një rrjetë më të gjerë të blerësve të tij të gazit. Kapaciteti final i këtij gazsjellësi pritet të arrijë në 45 mmk/vit në dy vitet e ardhshme.

Në 2010 Turkmenistani mori vendim për të filluar ndërtimin e një gazsjellësi me kapacitet prej 31 mmk/vit nga krahina e tij perëndimore e pasur me gaz, Mary, në drejtim të bregut kaspik me qëllim të transportoj atë gaz për në Europë përmes një gazsjellësi nëndetar nëpër detin kaspik ose përmes çisternave në formë të GNL deri në Azerbajxhan e pastaj më tej në Europë.

Vendosja e tubacioneve të gazsjellësit në fund të detit kaspik mund të përballet me disa pengesa politike kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kufirit detar midis pesë vendeve të kaspikut (Rusia, Kazakistani, Turkmenistani, Irani dhe Azerbajxhani). Kazakistani, Turkmenistani dhe Azerbajxhani janë në favour të ndërtimit por Rusia dhe Irani janë duke bërë çmos për të bllokuar ndërtimin të ndërtimit të këtij gazsjellësi nëndetar sepse ata duan ti shesin KJE gazin e tyre.

c.    Iraku

Pas një periudhe të gjatë të bllokadës politike të shoqëruar me akuza të ashpra për mashtrime në zgjedhje parlamenti irakian miratoi qeverinë e re vetëm para disa javësh. Qeveria e re është duke u përpjekur për të konsoliduar financat publike përmes joshjes së investimeve të huaja për zhvillimin e industrisë së naftës dhe gazit i cila është shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit. Krahina autonome kurde e pasur me gaz që shtrihet në Irakun verior është e gatshme për t’i shitur 10 mmk/vit secilit gazsjellës që do të transportonte gazin kaspik për në Europë.

Por pasiguria politike në vend ju zvoglon shpresat dhe ulë disponimin e pronarëve të gazsjellësve që të llogarisin me furnizim të sigurt dhe afatgjatë me gaz nga Iraku. Për shkak të alternativave të kufizuara për furnizim me gaz, Iraku ende mund të jetë një burim real i furnizimit me gaz, por tejkalimi i kësaj sfide dhe në këtë mënyrë garantimi i pronarëve të gazsjellësve për një furnizim të pandërprerë me gaz kërkon përpjekje të sinkronizuara të të gjitha partive politike dhe grupeve etnike në vend.

d.    Irani

Edhe pse Irani është vendi i dytë në botë për rezervat e gazit (posedon rreth 29.5 tmk) dhe shtrihet afër gazsjellësve që do të transportonin gazin kaspik për në Europë, Irani nuk konsiderohet si furnizues i mundshëm i gazit për KJE për shkak të pasigurisë politike që mbretron në atë vend. Këshilli i sigurimit të kombeve të bashkuara ka vendosur sanksione të shumta ekonomike ndaj Iranit për programin e tij për zhvillimin e armëve bërthamore. Në lidhje me programin e tij bërthamor SHBA dhe BE kanë miratuar kufizime shtesë financiare dhe energjetike, të cilat paraqesin edhe pengesat kryesore për çdo kontratë afatgjate për furnizim me gaz iranian për Europë.

2. Rrugёt e furnizimit tё KJE

Ka gjithsejt katër pjesëmarrës serioz me prapavija të ndryshme politike dhe ekonomike që janë duke konkurruar në garën për të transportuar gazin kaspik për në tregun e BE.

a.    Gazsjellёsi Trans Adriatik (Trans Adriatic Pipeline - TAP)

Gjatësia = 520 km         Kapaciteti = 20 mmk/vit        Investimi = € 1.5 miliardë           
Duke parashikuar një rritje të vazhdueshme të kërkesës për gaz në Europë, duke u përpjekur për të mbyllur hendekun në mes të kërkesës dhe ofertës dhe me qëllim të krijimit të lidhjes fizike me gazsjellësit e KJE kompanitë Statoil dhe EGL themeluan sipërmarrjen e përbashkët TAP në vitin 2008.

TAP nuk ka mbështetjen e fuqishme politike të fuqive të mëdha (BE ose Rusi) si gazsjellësit tjerë të cekur më poshtë, por prapëseprapë ai ka përparësinë e madh sepse ai tashmë posedon një pjesë të aksioneve në fushat e gazit Shah Deniz në Azerbajxhan (fusha të cilat konsiderohen të jenë burimi kryesor i gazit për KJE) përmes aksionarit të saj Statoil.

TAP është thjesht një projekt i motivuar ekonomikisht dhe se komponenta ekonomike luan një rol vendimtar për zbatimin e projekteve të tilla gjigante siç janë gazsjellësit në tregut e ekonomisë së lirë. TAP aktualisht është duke përgatitur marrëveshjet me vendet nikoqire për zbatimin e projektit dhe është duke zhvilluar inxhinjeringun e detajuar si dhe duke bërë optimizimin e rrugës së propozuar për gazsjellësin.

a.    South Stream

Gjatësia = ??? km         Kapaciteti = 63 mmk/vit        Investimi = € 15.5 miliardë        

South Stream është një projekt i mbështetur nga Rusia, ndërsa rruga e kalimit dhe gjatësia e gazsjellësit mbeten ende për t'u përcaktuar. Duke parashikuar një rritje të vazhdueshme të kërkesës për gaz në Europë Gazprom me përkrahje të fortë të qeverisë ruse është duke bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar realizimin e këtij projekti me rëndësi gjeo-strategjike për Rusinë.

Gazprom dhe ENI (aksionerët kryesorë të South Stream), tashmë kanë nënshkruar marrëveshjet për realizimit e projektit me të gjitha vendet nikoqire: Turqinë (për pjesën nëndetare), si dhe Bullgarinë, Greqinë, Serbinë, Kroacinë, Hungarinë, Slloveninë dhe Austrinë (për pjesën toksore). Rusia është duke u përpjekur të bindë Azerbajxhanin që t’i shes të gjithë gazin e tij për ta transportuar për në Europë përmes gazsjellësve ekzistues nga koha sovjetike (dhe më vonë ta furnizoj gazsjellësin i cili eventualisht mund të ndërtohet South Stream).

Në vitin 2009 Rusia dhe Azerbajxhani lidhen një kontratë për shitblerjen e gazit kaspik (pa kufizim të sasisë së gazit) për të blerë fillimisht 1 mmk/vit (disa muaj më vonë sasia e gazit është rritur në 2 mmk/vit) për vitin 2010 (lexo poashtu edhe pikën 2.a). Sfida kryesore e South Stream është kostoja e lartë e investimeve.

Në fakt kjo mund të jetë edhe një nga arsyet kryesore që projekti të mos realizohet fare. Pjesa detare e gazsjellësit me një gjatësi 900 km në detin e zi do ta gëlltisë pjesën më të madhe të investimeve. Thellësitë detare deri në 2000m, paraqesin një sfidë të madhe logjistike me të cilën Gazprom do të përballet gjatë vendosjes së gypave në det të hapur.

a.    Nabucco

Gjatësia = 3.300 km         Kapaciteti = 31 mmk/vit        Investimi = € 7.9 miliardë   

Nabucco është një projekt i përkrahur nga BE-ja që synon të transportojë gazin kaspik për në Europë duke anashkaluar Rusinë dhe kështu duke bërë shpërndarjen e rrugëve të furnizimit me gaz dhe burimeve të energjisë. BE jo vetëm që është duke mbështetur politikisht këtë projekt por gjithashtu është edhe duke subvencionuar financiarisht një pjesë të këtij projekti.

Mirpo në fund të fundit relizimi i këtij projekti varet kryesisht nga vetë aksionarët e gazsjellësit. Aksionarët e Nabucco tashmë kanë nënshkruar marrëveshjen për realizimin e gazsjellësit për pjesët e tyre kombëtare.

Deri më tani disa banka të mëdha europiane, duke përfshirë këtu BERZH dhe BEI, kanë shprehur interesin e tyre për të financuar këtë projekt. Aktualisht Nabucco është duke zhvilluar negociata me vendet furnizuese për të siguruar sasitë e nevojshme të gazit për gazsjellësin por projekti si i tillë është duke përparuar shumë ngadalë.

Pavarësisht nga rrethanat e favorshme politike dhe kompanive të fuqishme që bëjnë promovimin e këtij projekti, Nabucco ka ende për t'u ballafaquar me faktin që ky projekt është mjaft i shtrenjët, teknikisht i sofistikuar dhe mjaft sfidues. Megjithatë, këto sfida eventualisht mund të tejkalohen me ndryshimin e kushteve të tregut.

a. Interconnector Turkey-Greece-Italy (ITGI)

Gjatësia = 807 km         Kapaciteti = 11.6 mmk/vit        Investimi = € 3.4 miliardë

ITGI është një gazsjellës tjetër alternativ i KJE i cili përkrahet pjesërisht nga BE por kryesisht nga Turqia, Greqia dhe Italia (nga Italia më pak, sepse qeveria aktuale italiane është duke përkrahur më shumë South Stream). Gjatësia e pjesës së re të gazsjellësit është 807 km, por në mënyrë që të transportohen sasitë e planifikuara të gazit 11.6 mmk/vit (3.6 mmk për tregun grek, 8 mmk për tregun e BE) atëherë pjesa ekzistuese e rrjetës së gazsjellësve në Turqi duhet të përmirësohet dukshëm.

Megjithatë, pengesat teknike dhe politike janë duke bllokuar zbatimin e këtij projekti, të paktën zbatimi e projektit në formën e tij origjinale. Përveç kësaj topografia e kufirit detar në mes të Shqipërisë dhe Greqisë e bën pjesën e ITGI në det të hapur e cila lidh Greqinë me Italinë shumë më të gjatë (207 km) dhe në këtë mënyrë shumë më shtrenjtë sesa konkurrenti i saj më i afërt TAP (115 km).

1.    Vendet tranzite (vendet e ballkanit)

a.    Turqia

Pozita gjeo-strategjike e Turqisë e bën atë si vendin tranzit më të rëndësishëm për KJE. Turqia është duke bërë përpjekje të mëdha për tërheqjen e gjithë gazsjellësve të mundshëm nga lindja e afërt dhe deti kaspik të kalojnë nëpër territorit e saj dhe në këtë mënyrë ajo të bëhet një qendër kryesore energjetike për KJE.

Kohën e fundit qeveria është duke ndjekur një politikë të uljes së tensioneve rajonale dhe lidhjes së paqes me të gjithë fqinjët e saj. Aspiratat e Turqisë për t'u bërë anëtare e BE janë duke ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare të BE, por ambiciet e saj për t'u bërë udhëheqëse rajonale dhe të veprojë si urë lidhëse në mes të Europës dhe Orientit janë duke përparuar mirë.

Energjia luan një rol të rëndësishëm në planet e Turqisë për të ardhmen për më shumë begati dhe stabilitet në rajon. Me një rritje ekonomike të parashikuar prej 5.2% për vitin 2010 dhe 3.4% për vitin 2011 (sipas FMN) Turqia është në pozitë të mirë për t’ju ofruar investorëve jo vetëm stabilitet politik por edhe ekonomik i cili ka një rëndësie vendimtare për investimet afatgjata siç janë gazsjellësit.

b.    Greqia

Kriza e fundit ekonomike botërore i ka dhënë ekonomisë greke një goditje serioze duke e shtyrë atë në prag të kolapsit. Këto vështirësi ekonomike të Greqisë kanë pasur ndikim negativ edhe në stabilitetin e valutës së përbashkët të BE Euro dhe sikur të mos intervenonin vendet tjera të BE me “paketën e stabilizimit ekonomik”, kriza ekonomike do të kishte pasoja të rënda për ekonominë greke për një afat më të gjatë. Aktualisht qeveria po ekzekuton një program të ashpër kursimi për të shmangur falimentimin vendit.

Qeveria e sapozgjedhur është e zënë në frontin e stabilizimit ekonomik ndërsa investimet e mëdha në infrastrukturë duke përfshirë këtu edhe investimet në gazsjellës, që ishin paraparë gjatë periudhës para krizës, janë bllokuar fare. Investimet nga investitorët e huaj, veçanërisht në sektorin energjetik, do të ishin shumë të mirëseardhur ngase këto investime do të kontribonin në stabilitetin ekonomike të vendit dhe do t’i ndihmonin qeverisë për të plotsuar kërkesat energjetike që janë vazhdimisht në rritje.

c. Bullgaria

Bullgaria poashtu ka një pozitë të mirë gjeo-strategjike për gazsjellësit e mundshëm që do të kalonin nëpër Ballkan, para së gjithash Nabucco dhe South Stream. Qeveria ka bërë përparim të rëndësishëm në nxitjen e reformave ekonomike, por shumë punë mbetet për t'u bërë. Pas krizës së fundit ekonomike botërore ekonomia bullgare është duke i treguar shënjat e para të përmirsimit ku ajo pritet të rritet 0.4% në vitin 2010 dhe 2.0% në vitin 2011 (sipas FMN).

Duke pasur parasysh këtë parashikim pozitiv ekonomik qeveria është duke përkrahur njëkohësisht realizimin e dy projekteve të gazsjellësve, Nabucco dhe South Stream, pasi kjo do t’i mundësojë Bullgarisë jo vetëm shpërndarjen e rrugëve të furnizimit me gaz dhe burimeve të energjisë por edhe plotsimin më të mirë të kërkesave energjetike që janë vazhdimisht në rritje.

d.    Shqipёria

Pas zgjedhjeve të fundit dhe mosmarrveshjve politike në vitin 2009 skena politike e Shqipërisë në të dyja kampet politike, pozitës dhe opozitës, ende është e brishtë. Në ndërkohë bilanci politik është rikthyer, por ai ende është i varur në një fije të hollë mëndafshi pasiqë partitë e opozitës ende nuk e kanë pranuar rezultatin e ngushtë të zgjedhjeve.

Përkundër këtij mjedisi të pasigurtë politik ekonomia shqiptare është njëra ekonomitë e pakta në botë që u rrit me një mesatare prej 3% gjatë krizës së fundit ekonomike. Në fakt ekonomia shqiptare vlerësohet të rritet rreth 3.2% në vitin 2011 (sipas FMN). Me rritjen ekonomike vjen edhe rritja e kërkesës afatshkurtër dhe afatmesme për energji. Pra, qeveria është në kërkim urgjent të alternativave për të kapërcyer hendekun midis ofertës dhe kërkesës për energji.

2.    Vendet konsumuese (vendet ballkanike)

a.    Greqia

Konsumi aktual i energjisë elektrike në Greqi mbulohet si vijon: [i] rreth 92% prodhim vendas (rreth 52% thëngjill, rreth 15.5% naftë, rreth 21.5% gaz, rreth 6.5% ujë, rreth 4.5% burime ripërtrirëse); [ii] rreth 8% importe. Greqia importon gjithë gazin e saj dhe aktualisht konsumon rreth 3.8 mmk/vit. Pjesa më e madhe rreth 67% importohet nga Rusia, 10% nga Turqia dhe pjesa e mbetur 23% importohet në formë të GNL nga tregu botëror. Sipas furnizuesit nacional të gazit konsumi llogaritet të arrij shifrën 7.5 mmk/vit në vitin 2020.

b.    Shqipёria

Konsumi aktual i energjisë elektrike në Shqipëri mbulohet si vijon: [i] rreth 58% prodhim vendas (rreth 98% ujë, rreth 2% naftë); [ii] rreth 42% importe. Për shkak të thatsirave të shpeshta në vitet e fundit, që rezultoi me mungesë kronike të energjisë elektrike qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të shpërndarë bilancin e vendit të furnizimit me energji duke kompenzuar hidrocentralet me burime të tjera të energjisë fosile, veçanërisht me gaz.

Për të zbutur mungesën e energjisë elektrike qeveria para pak kohësh ka vënë në punë termocentralin me një kapacitet 97 MW i cili aktualisht punon me naftë. Me modifikime të vogla ky termocentral mund të modifikohet lehtë për të punuar me gaz.

Në vazhdën e mungesës së lidhjes fizike midis Shqipërisë dhe rrjetit europian të gazit, qeveria është duke promovaur gazifikimin e vendit, ndërsa njëkohësisht është duke biseduar me Katarin për të siguruar sasitë e nevojshme të GNL për të mbuluar nevojat urgjente energjetike të vëndit. Nevojat afatshkurta për gaz në vend vlerësohen të jenë rreth 1 mmk/vit. Për shkak zhvillimit të lartë dhe të vazhdueshëm ekonomik kjo sasi parashikohet të rritet deri në 2 mmk/vit në periudhen afatgjatë.

c.    Kosova

Konsumi aktual i energjisë elektrike në Kosovë mbulohet si vijon: [i] rreth 85% prodhim vendas (rreth 95% thëngjill, rreth 5% ujë); [ii] rreth 15% importe. Për shkak të mungesës kronike të energjisë elektrike në vitet e fundit qeveria shpalli një tender për ndërtimin e një termoelektrane me thëngjill me një kapacitet prej 2000MW. Më 11.2010 kapaciteti i tenderit u zvoglua në 1000MW për shkak të mosinteresimit të investitorëve të huaj. Procedura e tenderit momentalisht është bllokuar për shkak të zgjedhjeve që do mbahen në 12.2010. Pra, vendimi për tenderin e 1000MW do të merret nga qeveria e re e cila pritet të marrë detyrën në 01.2011.

Kosova aspiron të bëhet anëtare e BE. Para anëtarsimit Kosova duhet të përmbush një sërë kushtesh ekologjike siç janë përdorimi më i madh i energjive ripërtrirëse dhe mbi të gjitha zëvendësimin e termoelektranave cetrale të vjetruara që punojnë me thëngjill. Përmbushja e këtyre kushteve të ashpra ekologjike do të ketë pasoja në kapacitetet prodhuese në të ardhmen. Praktikisht kjo do të thotë se kapaciteti i tenderit 1000MW duhet të zvoglohet në 500MW, vetëm sa për të zavendësuar termoelektranën e stërvjetruar Kosova A, e ndërtuar në vitin 1962.

Pjesa tjetër e kapaciteteve të nevojshme  duhet të plotësohet me impianta moderne energjetike për prodhimin e kombinuar dhe njëkohsishëm të energjisë elektrike dhe nxehtësisë. Përveç kësaj, Kosova duhet të zëvendësojë kaldajat e vjetruara me mazut tek ngohtoret e qytetit në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë me impianta moderne kogjenerative. Nevojat afatgjata të Kosovës për gaz vlerësohen të jenë rreth 1.5 mmk/vit.

d. Maqedonia

Konsumi aktual i energjisë elektrike në Maqedoni mbulohet si vijon: [i] rreth 82.6% prodhim vendas (rreth 51% thëngjill, rreth 32% naftë, rreth 2% gaz, rreth 15 ujë); [ii] rreth 17.4% importe. Maqedonia aktualisht importon rreth 0.1 mmk/vit gaz nga Rusia dhe ka nevojë urgjente edhe për 0.5 mmk/vit për elektranat dhe kaldajat e saj tashmë të ndërtuara. Maqedonia, si një nga kandidatët për anëtarsim në BE, duhet të përmbush një sërë kushtesh ekologjike siç janë përdorimi më i madh i energjive ripërtrirëse dhe mbi të gjitha zëvendësimin e termoelektranave cetrale të vjetruara që punojnë me thëngjill dhe mazut.

Qeveria, në bashkëpunim me investitorët publik dhe privat (lokal dhe ndërkombëtar), tashmë është duke planifikuar disa impianta energjetike ekologjike të decentralizuara për prodhimin e kombinuar dhe njëkohsishëm të energjisë elektrike dhe nxehtësisë për të zëvendësuar pjesërisht termoelektranat e vjetra dhe të përmbush kërkesat energjetike vazhdimisht në rritje. Nevojat e afatshkurta për gaz vlerësohen të jenë rreth 1 mmk/vit. Kjo sasi pritet të rritet deri në 2 mmk/vit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

e.    Serbia

Konsumi aktual i energjisë elektrike në Greqi mbulohet si vijon: [i] rreth 99% prodhim vendas (rreth 71% thëngjill, rreth 2% gaz, rreth 27% ujë); [ii] rreth 1% importe. Serbia, si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, aspiron të anëtarsohet në BE. Para anëtarsimit Serbia duhet të përmbush një sërë kushtesh ekologjike siç janë përdorimi më i madh i energjive ripërtrirëse dhe mbi të gjitha zëvendësimin e termoelektranave cetrale të vjetruara që punojnë me thëngjill. Kjo do të thotë se termoelektranat e vjetruara që punojnë me thëngjill duhet të zavendësohen me impianta energjetike ekologjike të decentralizuara për prodhimin e kombinuar dhe njëkohsishëm të energjisë elektrike dhe nxehtësisë.

Në 11.2009 qeveria aprovoi tarifat e reja (Fed-In Tariffs) dukshëm të përmirësuara për eksportimin e energjisë elektrike në rrjetën publike. Në këtë mënyrë qeveria përkrah financiarisht burimet e ripërtëritshme të energjisë, si dhe impiantat energjetike ekologjike të decentralizuara për prodhimin e kombinuar dhe njëkohsishëm të energjisë elektrike dhe nxehtësisë.

Serbia aktualisht konsumon rreth 2.5 mmk/vit gaz, ku pjesa më e madhe vjen nga Rusia ndërsa pjesa tjetër është prodhim vendas. Me tarifat e reja Fed-In dhe planin e ri të gazifikimit të vendit të aprovuara para pak kohësh qeveria pret një rritje vjetore të konsumit të gazit rreth 3-4%.

Në mënyrë që të plotësoj kërkesat energjetike vazhdimisht në rritje qeveria ka nisur një tender në 2010 për të gjetur një partner strategjik për ndërtimin e bllokut të tretë të termoelektranës me thengjill Nikolla Teslla në Kolubarë. Termocentrali pritet të ketë një kapacitet total prej 700MW (dy blloqe nga 350MW) dhe pritet të kushtoj rreth € 2 miliardë. Mirpo çmimi i lartë, koha e gjatë ndërtimit dhe problemet ekologjike paraqesin vështirësitë kryesore për realizimin e këtij projekti.

3.    Konkluzionet

Vendet kryesore për furnizim me gaz të KJE (Azerbajxhani, Turkmenistani dhe Iraku) janë duke mbajtur të gjitha opcionet e tyre të hapura. Në veçanti Azerbajxhani dhe Turkmenistani nuk kanë vetëm për qëllim arritjen e çmimit të lartë në treg, por ata janë duke u përpjekur të gjejnë tregje të reja të furnizimit dhe kështu të bëjnë diversifikimin e klientëve të tyre të gazit. Pas arritjes së marrëveshjes për tranzitin e gazit midis Azerbajxhanit dhe Turqisë në 11.2010, KJE ka bërë një hap të madh drejt realizimit.

Si duket vendet kaspike do të vëjnë në dispozicion rreth 30-40 mmk/vit gaz për të mbushur gazsjellësit e KJE. Cili nga katër lojtarët e lartëpërmendur do t’a ketë guximin dhe të filloj ndërtimin e gazsjellësit të KJE, dhe cili nga gazsjellësit do të mund ta siguroj gazin e nevojshëm varet nga shumë faktorë politikë, gjeo-strategjik dhe para së gjithash nga faktori ekonomik. Pra gara për gazin e kaspikut është në vlug të plotë!
   
South Stream

Me ndërtimin e South Stream Rusia është duke u përpjekur të largoj nga gara tre konkurrentët tjerë të KJE dhe në këtë mënyrë të siguroj edhe më tej dominancën e saj për furnizim me gaz në Europë. Duke mbajtur dominancën dhe ekskluzivitetin e saj mbi furnizimin me gaz në Europë, në veçanti në Europën lindore, Rusia do të ishte në gjendje të kërkoj edhe më tutje çmime disproporcionalisht të larta nga konsumatorët final.

Përpos kësaj në të kaluarën Rusia ka përdorur rezervat e saj të energjisë për të ushtruar ndikim politik mbi vendet e Europës lindore për të mbajtur ata në zonën e saj të interesit. Është e qartë që Rusia mohon publikisht ndonjë ndikim politik, por zhvillimet e fundit politike në shumë vende të Europës lindore sugjerojnë të kundërtën. Përderisa South Stream ka sasi të mjaftueshme të gazit për të mbushur gazsjellësin e tij, kostoja e lartë e në fund të fundit do të bëjë projektin e parealizueshëm dhe ekonomikisht jointeresant.

Nabucco

Nabucco ka një përkrahje të madhe politike dhe në një farë mase edhe mbështetje financiare nga BE, por ky gazsjellës është duke u përballur me vështirësi serioze për sigurimin e sasisë së nevojshme të gazit dhe gjetjen e kosumatorëve final për gazin e tij. Nabucco aktualisht është duke zhvilluar bisedime me vendet furnizuese të gazit, por ende nuk janë arritur rezultate konkrete. Të metat tjera të këtij projekti janë edhe gjatësia e madhe dhe kostoja e lartë e investimi për gazsjellësin. Megjithatë ky gazsjellës ka shanse të mira për t’u realizuar nëse kushtet e tregut përmirësohen.


ITGI

Jo vetëm Nabucco por edhe ITGI do të merrte mbështetje financiare në vlerë prej € 150 milionësh nga BE nëse ai gazsjellës realizohet. Megjithatë pengesat kryesore pë realizimin e ITGI nuk janë vetëm të natyrës politike (Turqia dhe Greqia kanë disa çështje kufitare të pazgjidhura, kështu që tensionet midis dy vendeve mbeten vazhdimisht të larta), por edhe ekonomike me kosto të lartë të investimit fillestar (€ 3.4 miliardë ) për një sasi të vogël të gazit (rreth 11.6 mmm/vit). Aksioneri grek i ITGI dhe furnizuesi kombëtar i gazit DEPA nuk llogarit vetëm për realizimin e këtij projekti, por edhe me rritjen e mëtejshme të sasisë origjinale të gazit për 1 mmk/vit dhe t'a shesë atë në tregun ballkanik. Ky gazsjellës poashtu ka shanse reale për t’u realizuar nëse kushtet e tregut përmirësohen.

TAP

Duke marrë parasysh gjithë faktorët dhe konstelacionet e KJE, TAP ka shanset më të mira për t'u realizuar. Para së gjithash kostoja e investimit është vetëm € 1.5 miliardë për një sasi të gazit 20 mmk/vit. Ky proporcion në mes vëllimit të gazit dhe kostos së investimit është shumë më i mirë në krahasim me konkurrentët e tij.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është se kompania Statoil si një nga aksionerët kryesorë (me 42.5%) të TAP (si një gazsjellës i mundshëm i KJE) është në të njëjtën kohë një nga aksionerët kryesorë (me 25.5%) të sipërmarrjës së përbashkët Shah Deniz (si burim më realist i gazit për KJE).

Përveç kësaj TAP me rrugën e tij të planifikuar është në pozitë të mirë për të furnizuar jo vetëm kosumatorët final në BE duke transportuar pjesën e madhe të gazit në rrjetin italian, por edhe për të furnizuar gjatë rrugës tregjet më të vogla por me nivel të lartë të çmimeve të Europës juglindore, kryesisht në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe Serbi (lexo poashtu pikën 5).

Shumë vende ballkanike kanë lidhur dhe do të lidhin rrjetat e tyre të gazit në të ardhmen e afërt. Shumë shpejtë të gjitha vendet e ballkanit do t’i kenë integruar rrjetat e tyre të gazit dhe në këtë mënyrë ata do të formojnë të ashtuquajturin rreth ballkanik i gazit.

Cili gazsjellës do të furnizojë këtë rreth mbetet për t'u parë, por shanset janë shumë të mira që TAP mund të jetë pikërisht ai, sepse ai ka pozitë më të mirë gjeografike për të mbushur këtë rreth me gaz e lirë kaspik në vend të gazit të shtrejt rus.


 

(Autori ka studjuar dhe maxhistruar makineri (energjetike) ne Viene, Austri. Iliri ka punuar si manaxher ne shitje te firma amerikane General Electric Energy (GE Energy). Ai tani eshte duke punuar si menaxher regjional pergjegjes per vendet ballkanike dhe kaspike te firma gjermane MWM)

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2021 - Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2021-2025, i ftuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:00)    

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione rishqyrton planin e punës për sesionin vjeshtor 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj viziton KF “Liria”  dhe me pas KF “Prizreni” . (Stadiumi i Prizrenit, ora 10:30)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të mbaj sot konferencë për media. (Te Deponia Ilegale e mbeturinave, afër Tauk Bahçes, ora 14:00 - mediat i presim në udhëkryqin e Tauk Bahçes, te rruga e Bledit, nga ora 13:40)

- Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot mban takim elektorale me strukturat e rinisë së degës së Nismës në Malishevë. (Stadiumi “Liman Gegaj” në Malishevë, ora 14:00)

 - Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj bashkë me Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi viziton Bashkësinë Islame në Prizren. (Prizren, ora 14:15)

 - Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj shpalos programit për arsim. (Qendra Europa, në Plato, ora 16:00)

- Mbahet dita e dytë e Kongresit të Parë Klinik i Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)