10 Maj 2021

Për sypatremburit mendjendritur

Shkruar nga Xhavit Beqiri

Pa u tharë ngjyra në gazeta për idiotësinë e Zëvendësit të Kryeministrit, qytetari i Kosovës u trand nga një bedat tjetër; e enjta e fundit e qershorit 2012 do të mbahet mend në historinë e lavdishme të Kosovës si data që shënoi kthesë të madhe në rrjedhën e sportit tonë nacional, në sportin “bujar” të boksit.

I. Në Kuvendin e Kosovës ka idiotë me bollëk dhe këtë nuk e vë në dyshim askush. Kuvendi, tempulli i demokracisë, është shndërruar në arenë sharjesh të pista në mes rrugaçësh ordinerë, të cilët dreqi e di se si kanë arritur “ta bindin”qytetarin e Kosovës se janë të denjë për të qenë “përfaqësues të popullit”. E, pikërisht këta “përfaqësuesit” e zgjedhur “me votë të lirë industriale” po ia marrin përditë fytyrën popullit, po ia rrënojnë - madje me një elan të egër -imazhin shtetit, Republikës së brishtë të Kosovës.

II. Para dy ditësh, mjetet e informimit përsëritën sa e sa herë lajmin shokues se Zëvendëskryeministri i vendit paska kërkuar njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga një shtet që na ka njohur kaherë. Në secilin vend normal, ky akt i tij turpërues do të shoqërohej me dorëheqje, mirëpo Kosova s’është vend i tillë, prandaj ai erifi vazhdon të qëndrojë në postin e vet pa i dhënë përgjegjësi askujt. Sigurisht, as shefit të tij!

Qytetarët, ndërkaq, të mësuar me marrëzi të këtij soji, e kanë tëholluar sensin e humorit, ndaj komenti më i zakonshëm që dëgjohej dje në Prishtinë ishte: “Lejeni, bre, se atij nuk ia sheh kush për të madhe; aq di, aq flet!”

Kushedi, mbase, shefi i tij edhe mund t’i ketë kërkuar zëvendësit që të ketë më shumë kujdes?! Dhe – kaq!

III. Pa u tharë ngjyra në gazeta për idiotësinë e Zëvendësit të Kryeministrit, qytetari i Kosovës u trand nga një bedat tjetër; e enjta e fundit e qershorit 2012 do të mbahet mend në historinë e lavdishme të Kosovës si data që shënoi kthesë të madhe në rrjedhën e sportit tonë nacional, në sportin “bujar” të boksit.

Në fakt, përzgjedhësi i Kosovës në boks, tani e tutje, nuk ka përse të kërkojë boksierë cilësorë nëpër klubet tona (nëse edhe ato s’janë shuar krejt?), sepse të tillë ka sa të duash në Kuvendin e Republikës së Kosovës, aty ku janë mbledhur grumbulluq krenat e këtij vendi.

Lum përgjedhësi ynë! Ai nuk do të ketë më asnjë arsye të lodhet duke udhëtuar lart e poshtë për të kërkuar boksierë cilësorë për formacionin e parë të kombëtares sonë; do t’i gjejë, madje për të gjitha kategoritë, aty, në rrugën “Nëna Terezë”, në zyrat, në sallat, në oborrin dhe në parkingun e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

E mira e së mirës është se, përveçqë janë boksierë të zotët, këta dinë plot truqe për ta mashtruar kundërshtarin, sado i fortë që të jetë ai. Po e mashtrojnë për shtatë palë qejfe tërë një popull, e s’po e mashtrojnë sall një kundërshtar në ring. Po, bre shoq, hesap nuk ta bâjnë aspak!

IV. Që nga gjenerata e artë e Prishtinës, së cilës i printe trajneri i madh Lah Nimani, Kosova nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë talentë boksi. Prandaj, vërtet të dhembë zemra që nuk po na lejohet të marrin pjesë në Olimpiadën Verore “Londra 2012”, se pa asnjë shybe namin e zi e kishim bâ. Kurrgjô-kurrgjô nja katër medalje do t’i fitonim pa zahmet. Medalje të arta, siç u ka hije deputetëve, pardon, boksierëve të Republikës heroike të Kosovës. Eh, mal do të na bëhej zemra, kur ta këndonim pastaj Himnin e Kosovës, teksa flamuri me ylla të ngjitej lart.

Prapë gabova! Duhet: Eh, mal do të na bëhej zemra, kur ta dëgjonim pastaj Himnin e Kosovës, teksa flamuri me yje të ngjitej lart.

Se, djali i mirë, qysh mund ta këndosh himnin që s’ka tekst?!

V. Mirëpo, pasi që bota është e padrejtë ndaj nesh - që jemi të mirë sa më s’bën - dhe ne nuk po mund t’i kemi deputetët, prapë pardon, sportistët tanë as në olimpiadë, as në ndonjë garë tjetër me renome ndërkombëtare, është mirë që vullnetarisht t’ia ofrojmë Republikës së Shqipërisë këta talentë tanë të shumtë, në mënyrë që ajo, Shqipëria, në 100-vjetorin e pavarësisë, të paktën në sport, të ketë mundësi të ballafaqohet e barabartë (dhe krenare gjithsesi!) me vendet e tjera.

Pasi i ka marrë futbollistët, e mori edhe Majlindën (Kelmendin), le t’i marrë edhe deputetët - oh, prapë gabova - boksierët tanë, se tashmë e kanë mbërritur dhe e kanë tejkaluar normën olimpike, si me sharje, si me grushta, madje jo në ring, por në arenën e demokracisë, në Kuvend.

VI. Eh, paramendojeni çfarë ekipi të fortë olimpik do të kemi pas katër vjetësh. Deputetë, përkatësisht boksierët tanë, deri atëherë, do t’i përvetësojnë edhe më shumë teknikat e grushtave -meqë nuk kanë mend në kokë për t’i përvetësuar rregullat elementare të demokracisë - kështu që s’do të ketë kush që iu del përpara. Bile-bile, as motra Kubë socialiste, që e ka dhënë një kampion si Teofilio Stivenson, s’do të ketë asnjë mundësi përpara skuadrës olimpike të deputetëve/ boksierëve tanë sypatrembur e mendjendritur.

Të mjerët ata kundërshtarë, të cilëve shorti do t’ua caktojë të ndeshen me viganët tanë!

VII. Për fund, na mbetet vetëm të ëndërrojmë e të kënaqemi për sukseset e lavdishme të deputetëve tanë, medemek sportistëve tanë, të cilët do t’i presim me lule e trumbeta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, do të ngazëllehemi nga fitoret e tyre, të cilat do t’i bëjnë nder vendit për jetë të jetëve. Sa mirë do të ishte?! Po të mos ishte vetëm ëndërr, ëndërr e zezë!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Maj 2021

- Familja Haliti nga Gjilani mban konferencë për medie lidhur me vdekjen e tre anëtarëve të saj në Shqipëri. (Rr. Hamdi Pogragja, Gjilan, ora 11:00)

- Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi mban konferencë për medie. (Salla “1 Tetori”, ora 12:00)