24 Prill 2024

Një 100-vjetor i lavdishëm i Pavarësisë së Shqipërisë në Mynih

Shkruar nga Besmir Semanaj

Ethet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë kanë mbërthyer prej muajsh mjaft shqiptarë patriotë e atdhetarë. Kudo nëpër botë ku ka shqiptarë, në mënyra të ndryshme po organizohen aktivitete multikulturore, në respekt të këtij viti jubile për kombin shqiptar.

Duhet të dini se, ai që s\'ka komb, ai nuk i përket as njerëzimit. Ai nuk ka as farë e as fis, nuk ka se me të krenohet dhe identiteti i tij është i nëpërkëmbur. Sa më shumë të vlerësosh atdheun tënd dhe të kontribuosh për të, aq më tepër do të vlerësojnë të tjerët personalitetin dhe karakterin tënd.

Ky 100-vjetor i ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në qytetin e Vlorës, më 28 nëntor 1912, nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe dhjetëra e qindra patriotë të tjerë, do të kujtohet ashtu siç i ka hije dhe si duhet në Gjermani nga mërgata shqiptare e këtushme.

Mynihu do të jetë një nga qendrat kryesore të Gjermanisë, ku jehona kuq e zi do të \"tingëllojë\" hareshëm e plot kuptim e \"vrull\" atdhetar. Siparin e festimeve do ta hapin aktiviteti i 17 nëntorit 2012, në orën 13:00, në sheshin Odeonsplatz, në Mynih. Organizatori kryesor, Besnik Rama, ka marrë të gjitha masat e domosdoshme për mbarëvajtjen e suksesshme të këtij organizimi, së bashku me grupin e punës, (Donika - Stefan Zonja, Hateme-Ekrem Morina, Avni Latifi, Safet Shaqiri, Anton Krasniqi, Altin Dema, Fadil Sllamniku, Lulzim Maliqi etj) të cilët punojnë prej muajsh me plot gjallëri për nder të 100-vjetorit të Festës së Flamurit.

Më 17 nëntor, Komuniteti Shqiptar në Mynih do të organizojë një aktivitet artistiko-kulturor, i pasur me këngë, valle e recitime nga koha e artë e Rilindjes Shqiptare. Moderatorja dhe drejtuesja e këtij programi do të jetë e mirënjohura dhe legjenda e ekranit shqiptar, Tefta Radi. Të pranishmit do t\'i nderoj me pjesëmarrjen e saj edhe Artistja e Merituar, aktorja e famshme shqiptare, Roza Anagnosti.

Gjithashtu, prania e ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe e gjithë trupit të tyre diplomatik në Gjermani do të jetë një tjetër respekt për të pranishmit, që priten të jenë me mijëra në sheshin kryesor të Mynihut, Odeonsplatz. Me praninë e tyre do të na nderojnë edhe përfaqësues të politikës lokale dhe qëndrore të qeverisë bavareze.

Java Shqiptare në Mynih, pas manifestimit madhështor më 17 nëntor, do të vazhdojë edhe të nesërmen e datës 18 nëntor, në orën 11:00, në Blodigstr. 4, me organizatore Mislim Berisha dhe Isuf Bytyci, me një programacion të larmishëm, duke filluar nga ekspozita vizatimore e fëmijëve shqiptarë, me programin kulturor e me një film të regjisorit Bekim Sele e deri tek gatimet dhe ushqimet tradicionale shqiptare.

Ndërkaq, më 29 nëntor, në orën 19:00, në Universitetin e Mynihut LMU / IBZ der Wissenschaft, z. Eshref Januzaj do organizoj një simpozium ku do të flitet për historinë, letërsinë, artin dhe politikën shqiptare. Referues do të jenë: Prof. Dr. Bartl, Prof. Dr. Bardhyl Demiraj dhe Dr. Kiqmari.

Dhe në përfundim, Shoqata Iliria në bashkëpunim me Shoqatën e Gruas do e mbyllin javën shqiptare kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Sieboldstraße 11, Mynih, me këngë, valle, recitime, ushqim tradicional, punime artizanale etj.

Komuniteti Shqiptar në Gjermani ju fton të jeni të pranishëm në datat e aktiviteteve, që organizohen për nder të Shqipërisë, festës së Flamurit dhe kombit shqiptar, i cili ka mbushur 100 vjet nga krijimi i tij si shtet.

Përveç mjaft shqiptarëve në Gjermani dhe nga shtetet e tjera të diasporës, si dhe të diplomatëve dhe politikanëve bavarezë, do të vijnë edhe politikanë, aktivistë e patriotë të shquar nga Shqipëria për të përshendetur aktivitetin dhe për t\'u bërë pjesë e jehonës shqiptare në Mynih, e cila që tanimë ka filluar të krijojë një klimë të jashtëzakonshme.


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)