29 Mars 2024

Në Ditën Botërore të Ushqimit, të forcojmë vendosmërinë për të punuar që askush të mos mbetet pas

Shkruar nga Vladimir Olegovich Rakhmanin

Çdo vit më 16 tetor, shënimi i Ditës Botërore të Ushqimit udhëhiqet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

Është një ditë për të reflektuar se çfarë mund të bëjmë kolektivisht, për t'i dhënë fund urisë. Është një ditë për ne që të punojmë për 3.1 miliardë njerëz në mbarë botën që nuk mund të përballojnë një dietë të shëndetshme dhe 828 milionë njerëz që bien në gjumë të uritur çdo ditë.

Është një ditë për të vendosur se çfarë mund të bëhet për t'i dhënë fund urisë dhe kequshqyerjes që po çojnë në humbje të jetëve dhe duke vënë në rrezik një të ardhme të shëndetshme për fëmijët tanë – globalisht, si dhe në Evropë dhe Azinë Qendrore.

Megjithëse kemi bërë përparim drejt ndërtimit të një bote më të mirë, progresi është ngadalësuar kohët e fundit. Bota është përballur me shumë kriza globale në dy vitet e fundit, të cilat rezultuan me shumë njerëz të lënë pa përkujdesje.

Pandemia COVID-19, fenomenet ekstreme të motit që pengojnë prodhimin e ushqimit, rritja e çmimeve të ushqimit e energjisë dhe konfliktet kanë prekur edhe rajonin tonë. Uria dhe kequshqyerja po rriten dhe më shumë njerëz po varfërohen.

Është koha, tani më shumë se kurrë, që ne të punojmë së bashku për të ndërtuar një epokë të re shprese, për të gjithë, kudo.

Ne duhet të ndërmarrim veprime për të siguruar që të gjithë të kenë qasje në ushqim të sigurt, të përballueshëm dhe me vlera ushqyese në çdo kohë. Por ne duhet të veprojmë së bashku. Ndryshimi i qëndrueshëm mund të vijë vetëm nga veprimi kolektiv i bashkërenduar dhe i vendosur.

Një ndryshim i rëndësishëm dhe i përhapur që po udhëheq FAO është ai i transformimit të sistemeve ushqimore dhe lehtësimit të qasjes dhe integrimit në treg.

Kjo iniciativë do të punojë për të transformuar sistemet ushqimore që të jenë më efikase, më gjithëpërfshirëse, më elastike dhe më të qëndrueshme, për prodhim më të mirë, ushqim më të mirë, një mjedis më të mirë dhe një jetë më të mirë për të gjithë.

Sistemet tona agroushqimore kanë potencial të madh për një të ardhme më të barabartë dhe më të begatë, pasi ato janë të ndërlidhura me shumë fusha të jetës dhe ekonomisë sonë – nga bujqësia te burimet natyrore, te energjia, te shëndeti e të tjera.

Këtu në Evropë dhe Azinë Qendrore, zhvillimi i qëndrueshëm i sistemeve agroushqimore ndikohet nga tranzicionet socio-politike që po ndodhin. Në rajon, FAO po mbështet zhvillimin e politikave tregtare kombëtare dhe rajonale për të krijuar sisteme më të qëndrueshme agroushqimore.

Por për të arritur këtë qëllim ne duhet të veprojmë si një shoqëri globale. Ne duhet të mbështesim vendet në rrezik të urisë, kequshqyerjes dhe varfërisë, duke i ndihmuar ato të transformojnë sistemet agroushqimore, duke financuar thirrjet humanitare dhe duke rritur elasticitetin.

Prioritet më i madh duhet t'i jepet rritjes së prodhimit vendor të ushqimit, ruajtjes së burimeve natyrore, vlerësimit të traditave lokale dhe tokës si dhe agrosistemeve të rëndësishme kulturore të mbajtura nga fermerët me traditë.

Së bashku, ne duhet të fuqizojmë më të rrezikuarit, përfshirë prodhuesit e vegjël, duke investuar në sistemet agroushqimore.

Kjo nënkupton gjetjen e mënyrave për të ofruar qasje të përmirësuar në trajnime, stimuj, shkencë, të dhëna, teknologji dhe inovacion, duke i vendosur pronarët e vegjël në qendër të këtij transformimi. Inovacioni dhe dixhitalizimi i bujqësisë mund të përshpejtojë arritjen e një jetese më të mirë për fermerët e vegjël duke u dhënë atyre qasje në informacione të rëndësishme lokale, të tilla si moti, kushtet e tokës, ujitja, çmimet e tregut lokal për të mbjellat si dhe kontrolli i dëmtuesve.

Në Evropë dhe Azinë Qendrore nën iniciativën rajonale për të fuqizuar pronarët e vegjël, fermat familjare dhe të rinjtë, FAO po mbështet zhvillimin e komuniteteve rurale për të zhvilluar aftësitë dixhitale. Qëllimi është të ndihmohen pronarët e vegjël të fitojnë diversifikim të të ardhurave dhe të mundësojë punësim brenda dhe jashtë fermës si dhe mundësi biznesi për sot dhe të ardhmen.

Punësimi i denjë është thelbësor për dinjitetin njerëzor. Ne kemi nevojë për punësim dhe shërbime të denja rurale, duke nxitur barazinë gjinore dhe duke mbështetur komunitetet rurale. Në të njëjtën kohë, qeveritë duhet të ofrojnë programe të mbrojtjes sociale në kohë dhe të synuara mirë që mbrojnë më të brishtët.

Le të jetë kjo Ditë Botërore e Ushqimit një rikujtim për nevojën për të përshpejtuar këto përpjekje dhe për të luftuar për një të ardhme ku askush nuk do të mbetet pas dhe ku të gjithë të kenë qasje në ushqim të shëndetshëm dhe të përballueshëm.

/Autori është Përfaqësues regjional i FAO-s për Evropë dhe Azinë Qëndrore/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)