24 Prill 2024

Na njohin siç jemi dhe kështu duhet të prezantohemi

Shkruar nga Dr. Shefqet Krasniqi

Mënyra se si lidershipi ynë politik e prezanton veten dhe mënyra si të tjerët i marrin është vërtetë për tu çuditur. Ekziston një kontrast, një kundërthënie e plotë, gati e shkallës së paradoksit.

Politikanët dhe intelektualët tanë laikë me gjithë mundin dhe përpjekjet e tyre që të distancohen nga përkatësia e tyre dhe identiteti i tyre fetar, madje në disa raste duke e bërë këtë dhunshëm apo duke u shfaqur ‘më katolik se papa’, respektivisht duke mos u ndalur së hedhuri breshëri akuzash e fyerjesh ndaj atyre që ishin shkak për këtë identitet tonin, megjithëkëtë, mundi i tyre po shkon huq.

Të tjerët nuk po na njohin siç këta po dëshirojnë, apo thënë më mirë janë më transparent me këtë popull se vet paria e tyre. Madje bota perëndimore pikërisht Kosovën dhe popullin e saj i merr si shembull për të argumentuar qëllimet e saj politike karshi muslimanëve, se ata kanë ndihmuar një shtet me shumicë absolute myslimane dhe se vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe tash pas çlirimit.

Liderë dhe figura me nam në politikën amerikane dhe evropiane, si ish-presidentët Bush dhe Klinton, ish-sekretarja e shtetit znj. Albright de sekretarja e tanishme znj. Klinton, ish-kryeministri britanik Bleri, e shumë e shumë të tjerë kanë shprehur këtë qëndrim.

Nëse Presidentes sonë nuk i pati rënë ndërmend ta vizitoj BI-në për urimet e Bajramit, presidenti amerikan, Obama, nuk kishte harruar t’ia përkujtoj asaj, në fakt ta uroj atë, si myslimane, dhe popullin e saj për këtë festë. Bile ambasadori amerikan në Kosovë, Delli, Kosovën e pati vlerësuar për model të shtetit islamik ku vlerat perëndimore dhe ato islame bashkëjetojnë paqësisht.

Madje amerikanët vazhdojnë me këtë klasifikim të Kosovës si shtet islam. Këto ditë, mediat amerikane, respektivisht Huffington Post-i, duke bërë një përzgjedhje të top dhjetë femrave myslimane më të fuqishme në botë, ndër to përmend edhe presidenten tonë, znj. Jahjaga.

Madje atë e radhit paralel me personalitete të mëdha të botës islame, si kryeministret e Bangladeshit dhe Malit dhe femra tjera, që mbajnë poste të rëndësishme. Të gjitha këtu na bëjnë të kuptojmë se Presidentja e vendit tonë njihet në botë si myslimane dhe presidente e një vendi mysliman.

Për fat të keq, presidentja jonë, aq sa unë di, kurrë nuk e ka pranuar një gjë të tillë publikisht, madje për të injoruar disi këtë identitet gjen kohë dhe hapësirë për të vizituar kisha e katedrale, brenda dhe jashtë vendit, për çudi edhe në Amerikë, e cila po e cilëson për myslimane, por jo edhe për të vizituar xhamitë në vendin e saj.

Ne nuk jemi kundër shkuarjes së saj nëpër kisha, sepse krishterimi është identitet fetar i një pjesë të popullit tonë, por jemi kundër anashkalimit total të komunitetit islam, komuniteti më i madh në vend dhe komuniteti i më shumë se një etnie.

Ajo që duam ne dhe që kërkojmë nga lidershipi ynë është që të ndalen së injoruari myslimanët dhe që të mos e fshehin identitetin e tyre të vërtetë, ndryshe do të shfaqen me fytyra që nuk i kanë, me imazhe të huaja, më emra të huaj.

Konsideroj se nuk ka diç që mund t’i bëj të turpërohen prej këtij identiteti, përkundrazi. Kërkoj prej tyre, në emrin tim dhe të xhematit islam, që Kosova të prezantohet origjinal ashtu siç është, me këtë kulturë dhe traditë të cilën e kemi trashëguar nga të parët dhe me të cilën shumë mburremi.

Jam shumë i bindur se lidershipi ynë politik do të ndërrojnë qëndrimet, ndryshe askujt më keq se vetes nuk do t’ia bëjnë. Nuk do të kenë mundësi kurrë ta fshehin një identitet të varur në qafën e 96% të banorëve të Kosovës.

Po kështu nuk do të mund t’i konvertojnë shqiptarët në asnjë fe a ideologji tjetër ngase janë ditët ato që më së miri po argumentojnë se shqiptarët nuk gjejnë dot zgjidhje të problemeve të tyre shpirtërore e shoqërore veçse në Islam.

I bëj thirrje lidershipit tonë politikë që të jenë të sinqertë me myslimanët dhe kërkesat e tyre, ngase nëse sot i injorojnë dhe mundohen të shfaqen më katolik se papa, kur të vjen koha e zgjedhjeve dinë të bëhen më mysliman se hoxha.

Ne muslimanët vërtetë jemi tolerantë, jemi të hapur për bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë jemi që këtë vend për të cilin kemi luftuar dhe në të cilin kemi të drejta sikur gjithë të tjerët, ta çojmë përpara. Nuk ia kemi mbyllur dyert askujt por le të mos na i mbyllin dyert as neve.

Nuk jemi për imponime, dhunë, shkelje të të drejtave të tjerëve por as antiislamizmin si çakall në emër të lirisë së shprehjes nuk do ta lejojmë. Ka mbaruar koha e komunizmit ndërsa ateizmi veç sa nuk ka perënduar fare.

Edhe një herë ftoj politikanët tanë që ta shprehin identitetin e tyre islam dhe të punojnë me komunitetet fetare në vend, ngase kështu do të ruhet pafundësisht toleranca për të cilën shquhemi në nivel botëror.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)