29 Mars 2024

Mustafa e Bukoshi të hetohen për 3 për qindëshin

Shkruar nga Ibrahim Kelmendi

Mënyra se si e shpërtheu hidhërimin e tij Zotëri Mustafa, mbase flet shumë. Një profesori dhe lideri nuk i shkon. Por, meqë është nga Zotëri Mustafa, nuk është gjithaq befasuese.

Uroj që ai krim që ka ndodhur me “Fondin e Republikës se Kosovës”, i cili ndryshe është quajtur si “fond i 3-përqindëshit”, të hetohet dhe të ndëshkohen meritueshëm keqbërësit.

Sa për dezinformimin e Zotëri Isa Mustafës, se nuk janë mbledhur as 50 milionë, është vërtetë dezinformatë e qëllimshme, për të minimizuar shpërdorimet, përvetësimet e tjetërsimet e atyre mjeteve. Vetëm në aksionin “Gjithçka për Drenicën”, pas Epopesë se Jasharëve (mars 1998), janë mbledh rreth 400 milionë marka gjermane.

Ato mjete nuk kanë kaluar përmes bankave. Ka pasur pastaj aksioni i shitjes se bonave me vlerë nga ana e qeverisë Bukoshi. Bonat kanë pas vlerë 500 dhe 1.000 marka. Qeveria i ka shit bonat, me premtim se shteti i Kosovës do t’i kompensojë blerësit e tyre (huadhënësit) pasi të çlirohet Kosova.

Hetuesia, po deshi, do të mund të zbardhte sasinë e mjeteve të hyra në xhirollogaritë e atij Fondi, që e ka menaxhuar ish ministri i financave, Zotëri Isa Mustafa.

Dhe do të duhej të hetonte, sepse ai Fond ishte një si buxhet e Republikës se Kosovës. Vetëm po tu kërkohet raport bankave në Gjermani e shtete të tjera, ku kishte xhirollogaritë Fondi i qeverisë Bukoshi, mund të konstatohet një pjese e ndihmave (“tatimit”) që e i kanë dhënë emigrantët.

Jam tepër i bindur se do të rezulton që kanë hyrë me qindra milionë. Kurse gjatë lufte mërgimtarët i kanë dorëzuar dorazi ndihmat në zyre të qeverisë Bukoshi në Bonn dhe për këtë mund të dëshmojnë ata që kanë qenë të angazhuar aty për t’i pranuar e evidentuar ndihmat, nëse zotëritë Mustafa dhe Bukoshi nuk e dorëzonin dokumentacionin përkatës.

Zotëri Mustafa ka shpresuar se ne veprimtarët në Perëndim do të heshtim deri në pafundësi dhe shpërdorimet e përvetësimet e tij dhe të eprorit të të tij, Zotëri Bukoshi, do t’i zhduk heshtja. Unë vet kam qenë anëtar i Këshillit qendror (Isa Mustafa kryetar), kur kemi organizuar aksionin për të grumbulluar ndihma për arsimin në Kosovë.

Më shumë të dhëna për këtë tematikë dhe për të tjera tematika “të nxehta” të interesuarit mund t’i gjejnë në librin e Bedri Islamit: “Lëvizja (bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin)”, i cili tashmë ka nxit debate dhe turbulenca edhe vulgare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)