24 Shtator 2021

Muajt e timit e të flakës në Kosovë

Shkruar nga Xhevat Bislimi


Muajt e verës dhe të pushimit, korriku dhe gushti, janë kthyer në muaj të timit e të flakës! Ngado që të shkosh nëpër këtë copë tokë shqiptare veç tim e flakë shikon! Kudo era shkrumb e hi i vjen Kosovës! Të krijohet përshtypja që njeriu ynë vetëm të djegun e do këtë vend!?

Nuk më besohet kur shikoj kudo tim e flakë nga dora e njeriut tonë! A thua e duamë tokë të djegur vendin tonë?! Imagjinoni një të huaj që kalon për herë të parë nëpër këtë vend. Mendimi i parë: Vend pa qeveri, pa pushtet, vend i shkretë, shoqëri e hallakatur... Mendimi i dytë: Njerëz të krisur, të çmendur, që djegin tokën e tyre... Lëre që nuk funksionon pushteti vendor e qendror, po nuk ka as ndërgjegjie dhe as vetëdije qytetare.

Priftërinj e hoxhallarë gjithë kohën tregojnë përralla arabe e historira çifute dhe u flasin besimtarëve për botën e amshueshme (të përtejme) po kurrë nuk u shkonë në mendje t\'i edukojnë dhe mësojnë besimtarët e tyre si ta ruajnë, zhvillojnë dhe mbrojnë jetën dhe natyrën ku jetojnë, mjedisin e tyre - dhuratën më të madhe që Zoti i ka bërë njeriut...!! Edhe nga aspekti fetar duhet t\'u thuhet këtyre njerëzve të “çmendur” se është mëkat i madh të digjet toka, sepse aty digjen edhe miliona mikroorganizma që janë të domosdoshëm për jetën dhe sistemin ekologjik...

T’u thuhet se është shumë më mëkat ta djegësh tokën dhe ta dëmtosh e ndotësh ajrin që na mbanë në jetë se sa të mos shkosh në kishë a xhami dhe të mos agjërosh ala myslimançe apo ala krishterçe... Janë të përditshme, verë e dimër, edhe rastet e djegies së gomave (ndotje e tmerrshme dhe tmerrësisht e dëmshme)...

Çfarë myslimani apo i krishteri, çfarë besimtari apo njeriu është ai që djeg tokën, gomat dhe hedh mbeturinat kudo? Apo po kërkojnë të na bindin se ferri është në këtë botë e jo në atë tjetrën, se Kosova është ferr e jo parajsë e dhuruar nga Zoti ynë për shqiptarët?

Inspektorët paguhen kot nga taksa dhe tatimi i qytetarit... Kryetarët e komunave merren kryesisht me tendera dhe me udhëtime poshtë e përpjetë nëpër botë... Qeveria dhe organizata të ndryshme evropiane e botërore (qeveritare e joqeveritare) shpenzojnë miliona për dofarë trajnimesh të kota e nuk shpenzojnë për një fushatë vetëdijsimi e parandalimi të kësaj çmendurie... Po shkollat tona çfarë bëjnë?

Mësuesë e arsimtarë mund dhe duhet të bëjnë më shumë, sidomos tash kur shteti me mekanizmat e tij për parandalimin e zjarreve dhe rreziqeve që sjellin ato si dhe për mbrojtjen e natyrës e mjedisit nuk funksionon...

Mediat tona shpenzojnë ngjyrë, letër, energji, kohë e para të majme për të na njoftuar kush me kend po dashurohet, kush kend po e tradhton, cila aktore është shtatzënë... por nuk e thuan asnjë fjalë për këtë fenomen, për këtë çmenduri...

Shtoja kësaj edhe mbeturinat që po ndotin tokën, ujin dhe ajrin dhe që po krijojnë një pamje (fotografi) të shëmtuar të këtij vendi dhe ulu e vajto për këtë vend që po duket i shkretë e i shkretë nuk është, që po duan ta shëmtojnë e i shëmtuar nuk është...

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2021

- Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2021-2025, i ftuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:00)    

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione rishqyrton planin e punës për sesionin vjeshtor 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj viziton KF “Liria”  dhe me pas KF “Prizreni” . (Stadiumi i Prizrenit, ora 10:30)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të mbaj sot konferencë për media. (Te Deponia Ilegale e mbeturinave, afër Tauk Bahçes, ora 14:00 - mediat i presim në udhëkryqin e Tauk Bahçes, te rruga e Bledit, nga ora 13:40)

- Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot mban takim elektorale me strukturat e rinisë së degës së Nismës në Malishevë. (Stadiumi “Liman Gegaj” në Malishevë, ora 14:00)

 - Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj bashkë me Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi viziton Bashkësinë Islame në Prizren. (Prizren, ora 14:15)

 - Kandidatit të PDK-së për komunën e Prizrenit, Shaqir Totaj shpalos programit për arsim. (Qendra Europa, në Plato, ora 16:00)

- Banka Qendrore e Kosovës mbanë konferencë për shtyp. (Objekti i BQK-së, ora 16:00)

- Mbahet dita e dytë e Kongresit të Parë Klinik i Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)