18 Tetor 2021

Misioni i Isa Mustafës për shkatërrimin e LDK-së

Shkruar nga Gani Qarri

Zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, dëshmuan se Isa Mustafa do të mbahet mend gjatë, për mënyrën se si erdhi në krye të LDK-së, si dhe misionin që ai kreu me kaq sukses në shkatërrimin e kësaj partie, partisë më të madhe të Kosovës të krijuar dhe udhëhequr për shumë vite me plot arritje shtetërore nga Dr. Ibrahim Rugova.

Ajo që dëshpëroi pafundësisht votuesin besnik të LDK-së, është fakti se Isa Mustafa dhe benjamini i tij Avdullah Hoti nuk kanë mundur asnjëherë ta arsyetojnë qëllimin e ardhjes në krye të Qeverisë kundër kushtetuese si parti e dytë në zgjedhjet e kaluara parlamentare, përveç plotësimit të tekeve të kuislingut Hashim Thaçi për rrëzimin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes nga qeverisja e vendit, për shkak të frikës së vet, nga ndëshkimi për krimet në të kaluarën e tij kriminale.

Madje Isa Mustafa si kuadri më besnik i ish LKJ-së, me përvojën më të gjatë në skenën politike të Kosovës, me mend në kokë, bashkë me Avdullah Hotin, përveç se pranuan detyrën e turpshme që u dha Hashim Thaçi për ngritjen e një Qeverie kundërkushtetuese, ata u shërbyen edhe me votë të kundërligjshme të deputetit të dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për hajni e korrupsion, siç ishte ajo e deputetit minoritar të hashkalinjëve Etem Arifit.

Kështu që pas shuarjes së tërësishme gati dhjetvjeçare të degës së LDK-s në Gjakovë dhe rënies rapide e më të ulët të mundshme në nivel vendi, humbja aktuale kaq drastike e kësaj partie edhe në bastionet kryesore të LDK-së, në të gjitha qytetet e Kosovës, po dëshmon katërçipërisht se përveç kalimit të Vjosa Osmanit në VV edhe një pjesë e madhe e elektoratit të frustëruar të LDK-s në këto zgjedhje, ka kaluar në VV, nga dëshpërimi me Isa Mustafën e Avdullah Hotin i cili nuk mori vota të mjaftueshme as në Rahovec, prej nga ai vjen edhe vet.

Ndaj përgjegjësinë për të gjitha këto dështime epokale, dhe rënien drakonike në këto zgjedhje, në rend të parë, e mbajnë Avdullah Hoti si kandidatë për kryeministër dhe Isa Mustafa si kryetar i LDK-së, si dhe pjesa e vjetërsuar e LDK-së, qëllimi i të cilëve, tanimë duket të ketë qenë, pikërisht shkatërrimi i partisë së Dr. Ibrahim Rugovës, nëse vije deri te pensionimi i tyre politik, me votën e elektoratit të dëshpëruar nga Isa Mustafa & Co.

Për aq më tepër edhe në kohën e digjitalizimit modern, në të cilën sot jetojmë, LDK që nga vdekja e Dr. Ibrahim Rugovës, kurrë nuk diti ti adaptohet kohës, kushteve as njerëzve të rinj, duke mos pranuar asnjë llojë reforme të brendshme dhe luftuar hapur pjesën më inteligjente të gjinisë femërore në parti, brenda vendit kundër Vjosa Osmanit dhe nga jashtë të Donika Gërvallës.

Ata të cilët kanë përcjellë zhvillimet në këtë parti ende e kanë të freskët se si vetëm pak vite më parë, me urdhër të Isa Mustafës, kundë të bijës së heroit Isuf Gërvalla, Donika Gërvallës, qe përdorur edhe forca fizike për dëbimin e saj, duke e nxjerrë zvarrë nga salla ku po mbahej një tubim partiak i LDK-së, gjë që ishte ndër aktet më të turpshme, që në atë formë dhe mënyrë, nuk është parë tek asnjë parti tjetër në Kosovë.

Ndërsa së fundmi, po këta njerëz me argatët e tyre, pa marrë parasysh dëmin që mund ti shkaktonin LDK-së, u ngritën në mënyrën më brutale kundër Donika Gërvallës dhe Vjosa Osmanit u përdorën edhe fyerjet më çnjerëzore deri në sharjet më të ulëta dhe poshtërimi më primitiv, i llojit më të pakulturuar të ofendimit, që nuk përkon aspak me formën e jetesës së sotme, as mënyrën e sjelljes bashkëkohore në vendet demokratike.

Në të njëjtën kohë Isa Mustafa me këshilltar si Bajram Gecaj i cili në zgjedhjet e kaluara ka marrë vetëm 8 vota nga elektorati i LDK-së, e armiqësoi tërësisht LDK-në, edhe me votuesit më besnik të kësaj partie, duke deklaruar publikisht para kamerave nëpër emisione televizive,se; “nuk është me rëndësi vota e qytetarit", "qytetari nuk mund të krijoj qeveri" dhe se "populli nuk mund të vendos për politikën në vend"!

Madje Isa Mustafa dhe kryesia e LDK-së edhe me moshë të tejkaluar pensionimi, lanë plotësisht në margjina komunikimin me publikun, si dhe qasjen e afërt me votuesit e vet, ndaj është shumë e drejtë dhe plotësisht e kuptueshme shkërmoqja kaq epokale e kësaj partie, dikur nga më të mëdhatë në vend, njëjtë siç është pritur dhe paralajmëruar disa herë edhe në shkrimet tona, në Bota sot.

Ndaj duke marrë parasysh frustrimin tepër të madh të qytetarëve të vendit për flirtet e vazhdueshme të Isa Mustafës dhe eksponentëve të vjetër të LDK-së, me Hashim Thaçin dhe PDK-në, si dhe gjendjen kaotike të shkaktuar nga ky njeri edhe brenda vet LDK-së, u dëshmua se votuesit dhe qytarët e Kosovës janë dëshpëruar aq shumë me kryesinë "De-mode" dhe tërësisht të konsumuar të kësaj partie, sa që votën e tyre, janë në gjendje t`ia falin edhe kundërshtarit më të madh të LDK-së, vetëm që të pensionohen, përfundimisht nga politika dhe ikin përgjithmonë nga LDK, Isa Mustafa me shokë.

Këto zgjedhje dëshmuan edhe njëherë më tepër, se populli i Kosovës ,është dëshpëruar aq shumë jo vetëm me jugokomunistin Isa Mustafën por veçanërisht me Avdullah Hotin i cili lejoi të bëhet mashë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës për larjen e hesapeve të Thaçit me LVV-në, mu në kulmin e pandemisë me Covid-19, duke e shkelur edhe Kushtetutën e vendit, për të kryesuar një Qeveri të kundërligjshme, sa që unë nuk habitem fare, se si LDK, ka rënë vetëm në vendin e tretë, me humbjen më drastike të votave, në gjithë historinë e kezistencës së saj si parti, në këto zgjedhje.

LDK-ja, në krye me Isa Mustafën, ka tradhtuar në vazhdimësi votuesit e vet, për pazare politike me njerëzit e krimit të organizuar dhe partinë e inkriminuar të Hashim Thaçit, madje edhe ish anëtari shumëvjeçar di LDK-së, kryesisë së saj dhe ish kryetari i Ferizajt Adem Salihaj, pas dështimit epokal të LDK-së në këto zgjedhje, tha publikisht se votuesi i LDK-së është mbushur aq shumë mllef në kryetarin aktual të kësaj partie sa që Isa Mustafën e quan njeriun më të neveritshëm të të gjitha kohërave, njeriun më pa dinjitet, shkatërruesin e LDK-së, e të vlerave rugoviane, të lirisë e të demokracisë, si dhe argati i të keqes dhe pjesë e bandës kriminale.  

E duke pasur parasysh faktin se në tetor, duhet të mbahen edhe zgjedhjet lokale në Kosovë, ku LDK, në krye me njerëz të tillë, pritet të pësoj fiaskon më tragjike në gjithë historinë e ekzistencës së saj partiake dhe politike, edhe në nivelin lokal, protagonisti i gjithë këtij episodi tragjik gjithsesi,nëse nuk jep dorëheqje të parevokueshme që tani, mbetet Isa Mustafa me kaskën e vjetër të pleqve të LDK-së të cilët partin e Dr. Rugovës e sollën para shuarjes dhe buzë shkatërrimit total.        

Ndaj do të ishte e udhës, që për ta kursyer LDK-në edhe nga një dështim edhe më tragjik, pas këtyre zgjedhjeve, Isa Mustafa dhe të gjithë kori i kuadrove të konsumuara dhe të dështuara tërësisht edhe në rrafshin politik, të marrin përsipër përgjegjësinë e dështimit që u takon dhe në mënyrë të menjëhershme, të japin dorëheqje grupore, për të lejuar reformat dhe futjen e frymës së re në kryesin e kësaj partie për ringjalljen e saj, pas këtij pësimi kaq drakonik dhe dështimit epokal, duke vënë në rrezik edhe ekzistencën e mëtejme si parti e njëmendtë konkurruese të LDK-së, në Kosovë.

Isa Mustafa kreu me sukses të plotë misionin për shkatërrimin e LDK-së, ndaj tash mundë të shkojë i qetë në pensionin e dyfishtë, atë të LKJ-së, si dhe të LDK-së, pasi që përveç shuarjes së të parës, ai edhe këtë të fudit e solli buzë shuarjes.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2021

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE Lukas Mandl dhe Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel mbajnë konferencë për shtyp lidhur me për zgjedhjet lokale në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë - Mos - Informimi i Publikut 3". (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Komisioni Evropian do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportet e Vendeve ku do te mbahet konferencë për shtyp nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. (Transmetimi në faqen e Zyrës së BE-së në Facebook, ora 17:15)

- Teatri i Prishtinës Dodona shfaq “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. (Teatri Dodona, ora 17:30)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog i dorëzon raportin e Komisionit Evropian Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ç'rast do të mbajnë edhe një konferencë te përbashkët për shtyp, ora 18:30)