19 Prill 2024

Migjeni përballë shqiptarëve

Shkruar nga Redan Bushati

Shkodërlocja jonë ndër vite ka rritur, po rrit dhe sigurisht nën vazhdën e traditës sonë të vjetër do të rrisin breza intelektual, të cilët do ta nderojnë dhe lartësojnë këtë qytet.

Letërsia brilante e këtij qyteti me tradita të hershme dhe dinjitoze nuk do të arrinte maja të këtilla pa figurën e çmuar të atij, i cili më mirë se çdo tjetër apo si asnjë tjetër arriti t\'i tregojë Shkodrës dhe shkodranëve, por edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve se në çfarë realitetit po jetonin.

Legjenda mbetet legjendë e ndërsa vitet kalojnë ai mbetet po i njëjti, aty në zemrat dhe mendjet tona duke lëshuar rrënjë më të thella dhe duke marrë guximin e përjetësisë së qëndruarit në vlerat më të arrira humane njerëzore.

Askush nuk mundet dot të shkëputet nga arti i të shkruarit të mendimeve dhe ndjenjave të tij, ai arrin thuajse në përmasat e një mbinjeriu Niçean, duke lëvizur në kohë ai njeh veçse përmendje më të madhe nga të këtushmit me synimin e largët për të lënë një trashëgimi edhe për brezat në vazhdimësi.

Sot, pas 1 shekulli emri i Millosh Gjergj Nikolla (MIGJENI) gjendet i skalitur me gurë të çmuar rrëzëllitës në mendjet e ndritura dhe zemrat e hapura të sinqerta njerëzore, të cilat pranojnë pa hezitim të bukurën e thënë në mënyrë të thjeshtë, të sinqertën e thënë pa doreza e plot guxim shembullor.

Migjeni u lind në Shkodër më 13 tetor 1911 dhe do të ndërronte jetë në moshën 27- vjeçare në një senatorium pranë Torinos (Itali).

Vepra e tij e ndarë në poezi dhe prozë është e shkurtër, por plot stil dhe shije artistike. Vepra e tij e mbushur me figura letrare, por me qëllimin final për të thumbuar një klasë, e cila e kishte dërrmuar popullin, por edhe vendin të cilin e kishte lënë shumë prapa.

Kur njerëzit s\'kish çfarë të hanin, ai flet dhe thotë të vërtetën; kur laviret kalonin mes Piacës së Shkodrës, ai nuk mbyll sytë dhe veshët, përkundrazi nuk ngurron ta shprehë dhe ta thotë se si shumë «zotni» enden pas qyfyreve dhe bëjnë kinse si të ndershëm dhe familjar; ai thotë të vërtetën se si Lukja shfrytëzon trupin e saj me kodoshë të qytetit, pasi kjo është mënyra e saj për të nxjerrë një kothere bukë; ndoshta, Migjeni mbetet sot e kësaj dite ndër të paktët shkrimtar që thyen apo përmbysën kultin e malsorit, i cili ulet përpara një kokrre misri; e kur njerëzve (të verbuar nga demagogjia) u duket vetja në parajsë, ai u thotë se këtu nuk rron një popull që ndërton diçka të re; e kur mjerimi qëndron këmbëkryq në mesin e tyre, ai pa ndrojtje u thotë njerëzisë (qytetarisë) si zë i vetëm e i shkretë se këndoni si dy binjakë mjerimin, se koha do t\'ju bijë ngushëllimin...

E kur mendon se çdo gjë është mbuluar nga mjegullnaja dhe po arrin drejt një skëterre zi si qulli, ai thërret zërin rinor që të këndojë e të qeshë, por edhe të ndërtojë jetën e vet.


Sot, si për ironi të fatit (kur nuk kemi çfarë të bëjmë, gjejmë ngushëllim tek i «mjeri» fat) vepra e Migjenit është aq aktuale, aq sa edhe koha, edhe pushteti janë kundër tij.

Ai vazhdon të jetë opozitar me ato, të cilët ndalojnë të ardhmen e këtij vendi. Lufta e Migjenit me këto tipa dhe këtë sistem është shumë e fortë, por në fund shkrimtari do të jetë triumfator, fitues.

Fitorja e tij do të lidhet me faktin se edhe në vitin 2111, edhe në vitin 2211 (pas 2- 3 shekujsh nga lindja e tij) ai do të ngelin në mendjen e opinionit të gjerë, por mbi të gjitha në zemrat e intelektulëve tanë.

E kjo është fitorja e pamëshirshme ndaj kundërshtarit (kohës dhe pushtetit, kur ai është dashakeq) që një shkrimtar e nderon dhe e çmon sa të jetë jeta në këtë tokë, e sa të ketë qënie gjallë mbi dhé.


Aktualisht në Shkodrën tonë, përveç një teatri që për hir të së vërtetës ka marrë një pamje të pëlqyeshme, që në fakt e meritonte prej kohësh, ekzsiton ashtu siç ekzistonin dikur e një kohë edhe speca apo kastraveca poshtë stadiumit «Loro Boriçi», ku tregtonin fshtatarët paradite, plot pluhur dhe kalbësirë (pak a shumë me Kabulin e sotëm) për të lënë mbeturinat pasdite, edhe një bust që mban emrin e Migjenit në afërsi të teatrit (me po të njëjtin emër).

Edhe kohë më përpara (këtu e 5 vite) pluhuri, por edhe tymi i qebapëve vishnin çdo ditë Migjenin e shkretë. Sigurisht, ai ndihej keq nga kjo mospërfillje dhe ky degjenerim që po i bënte qyteti.

Më mundon fakti që të paktën trupa e teatrit Migjeni, që kalonin pranë bustit të tij për të vajtur në punë, nuk kanë reaguar në një formë a një tjetër, në mënyrë që qyteti dhe pushteti t\'i dëgjonte e të kishte një «revoltë» shpirtërore, pse jo edhe popullore ndaj atyre që përbaltin figurën e tij.


Ndërsa, sot busti që nderon shkrimtarin e madh Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) është katandisur, jo vetëm që heq zitë e ullirit për ta parë, pasi pluhuri i një ndërtimi të një shumëkatëshi aty pranë e ka savatuar e shpëlarë mjaft mirë, por edhe të ngjan me një pamje të llahtarshme, që do të ishte turp për ne që një turist i huaj të vinte e ta vizitonte në një gjendje të tillë.

Kjo është një sfidë e humbur nga shkrimtari, por siç thamë edhe më sipër ai do të fitojë betejën, pavarësisht humbjes në disa sfida, i cili që kur ishte gjallë i kishte po me të njëjtët steriotipa, po me të njëjtën kategori sociale.

100- vjetori i lindjes së shkrimtarit duhej ta gjente vendin në organizime të mëdha festive, në nivel lokal, por edhe kombëtar. Migjeni ishte dhe është për çdonjeri, i cili gjen vehten tek vepra e tij dhe jeton me të. Ne jemi bashkërendës të shqetësimeve dhe vuajtjve e rebelimit të tij.


Në vendin tonë ka mjaft varfëri; kemi shumë kisha e xhamia, po kemi edhe shumë lypsa nëpër rrugë; kemi «zotni», por kemi edhe Luke; kemi malsor që vetëm të tillë nuk janë më, por kemi edhe njerëz që çdo ditë e kalojnë njëlloj; kemi një pushtet të pasur, kemi edhe intelektualë të përdhunuar; kemi mohim të fjalës së lirë, kemi edhe një rini parazitare; kemi ecejake, por kemi edhe shumë borxhli; kemi fëmijë me hije vdekjeje, por kemi edhe shpërblime në punë, thuajse qesharake; kemi shumë njerëz të vetmuar, por kemi edhe të lodhur nga mendtë (vuajtjet e jetës); fundja kemi sa të duash mjerim... Vallë nuk përbëjnë të gjitha këto pjesë në trajtimin e veprës së Migjenit?!


Sigurisht, sot koha ka ndryshuar, brezat kanë evoluar, zhvillimi ka përmasa të tjera, sfidat janë më të shumta, por emëruesi i përbashkët gjendet në veprën e Migjenit. Edhe në bustin e tij, po të heqësh pluhurin dhe ndoshta edhe betonimin që po i bën aty një pallat apo kompleks apartamentesh gjendet e shkruar (Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.).

Ndaj, sfidat janë të lloj-llojshme, por Migjeni vazhdon të gjendet përballë nesh, duke na thirrur të luftojmë kundra mjerimit, por edhe kundër së keqes, një e keqe që atë me dashje po e lë në harresë.


*(Autori është kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)