29 Mars 2024

Me zgjedhjet serbe në Veri, Beogradi në Kosovë edhe për katër vite

Shkruar nga Faton Abdullahu


Ashtu si herrave të tjera, zgjedhjet serbe të cilat do të mbahen në Serbi Beogradi zyrtarë vendosi që ato të mbahen edhe në Kosovë. Pushtetarët serb nuk hezituan ta marrin këtë vendim pavarësisht asaj se Brukseli e Uashingtoni kërkuan që kjo të mos ndodhë edhe pse dorën në zemër kjo kërkesë e ndërkombëtarëve nuk mund të quhej trysni por më shumë një sugjerim apo reagim i vakët.

Lidhur me këtë çështje qeveritarët serb thirren në kushtetutën serbe e cila i obligon ata për diçka të tillë. U dëgjuan mendime e këshilla në Beograd se ndoshta jo të tri llojet e zgjedhjeve (lokale, qendrore dhe presidenciale) do të mbahen në Kosovë, por ndoshta është mirë të hiqet dore nga ndonjëra prej tyre, këtë duke e arsyetuar me presionin ndërkombëtar dhe kinse për ta përmbushur këtë obligim që del nga kërkesa e ndërkombëtarëve për të mos e bërë një gjë të tillë.

Tadiçi edhe pse shpalli se zgjedhjet presidenciale do të mbahen në fillim të muajit Maj, me qëllim nuk e konkretizoj se a do të mbahet ato edhe në Kosovë. Kjo mbetet të kuptohet në të ardhmen e afërt.

Më e rëndësishmja është se do të mbahen zgjedhjet lokale edhe në Veriun e Kosovës me të cilat do të bëhet diçka të cilës Kosova do t’ia sheh sherrin edhe për katër vitet e ardhshme. Do të jetë kështu sepse në Veri do të kemi njerëz që me këto zgjedhje do të legjitimohen dhe do të vazhdojnë ushtrimin e pushtetit serb në këtë pjesë të Kosovës. Në të vërtetë ata do të jenë njerëzit e vetëm të cilët e ushtrojnë pushtetin atje e për të cilët janë mbajtur zgjedhje.

Mos ndalimi i këtyre zgjedhjeve do të thotë pashmangshëm që të kemi situatë të njëjtë në Veri të Kosovës edhe për katër vitet e ardhshme, kjo do të thotë se edhe për një periudhë kohore do të kemi involvim të drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtarë në Kosovë dhe kjo do të thotë se në të gjitha bisedimet e mundshme me Prishtinën - Beogradi do ta ketë këtë kartë të fortë të cilën gjithmonë do ta fus në përdorim, kurse ne ashtu si edhe deri më tani, nuk do të kemi asnjë mundësi që të përfitojmë diçka nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Sikur ne ta bënim të njëjtën që po e bënë Serbia ndaj Kosovës, konkretisht në veri të saj, kjo do të thoshte që Prishtina zyrtare të organizonte zgjedhje në tri komunat e Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Vetë fakti se gjasat për të bërë diçka të tillë janë pothuajse inekzistente, tregon se sa të pabarabartë jemi në raportet me Serbin.

Dyshimet se Serbia do të mbajë zgjedhje edhe në Veri të Kosovës së paku ato lokale dhe që këto zgjedhje nuk do t’i kundërshtoj ashtu si duhet bashkësia ndërkombëtare, ishin shumë të mëdha, por kjo nuk ndikoj që në Kosovë qeveritarët tanë as edhe opozita të reagoj në përpjesëtim të drejt ëme këtë kërcënim të ri të Serbisë. Duket se Beogradit zyrtarë, konkretisht Tadiçit i ka shkuar për dore që t’i bind ndërkombëtarët se i duhen këto zgjedhje edhe në Kosovë, në mënyrë që ai me këtë ta amortizoj kritikën e nacionalistëve, të cilët thonë se Tadiçi po e le Kosovën anash dhe se po i nënshtrohet kushteve dhe presionit ndërkombëtar.

Tadiçit i ka shkuar për dore që ti bind një pjesë të mirë të ndërkombëtarëve që në pakon për ndihmë atij, për ti fituar zgjedhjet e ardhshme, duhet të hyjë edhe mbajtja e zgjedhjeve në Veri të Kosovës.

Arsyetimi dhe justifikimi i kërkesës së Tadiçit para ndërkombëtarëve qëndron tek kërcënimi i vazhdueshëm i nacionalistëve dhe ekstremistëve serb. Ai thotë unë duhet ti mbajë zgjedhjet edhe në Kosovë për ta dëshmuar përkushtimin dhe interesimin tim edhe ndaj qytetarëve serb të Kosovës dhe ndaj Kosovës përgjithësisht, përndryshe nëse nuk i organizoj këto zgjedhje edhe atje, kjo do të jetë një mungesë e madhe në politikën time të cilën nacionalistët do ta përdorin si kartë kundër meje.

Pra kjo do të thotë se nacionalizmi dhe ekstremizmi serb në Serbi është shumë i fortë, është forcë relevante që nuk mund të anashkalohet dhe kjo mund ta rrezikoj fitoren e Tadiçit. Kjo do të thotë gjithashtu se edhe ky nacionalizëm serb po e luan rolin e vetë në rrugëtimin e Serbisë për në Bashkimin Evropian,  rol të cilin tërthorazi po e pranon, me apo pa dashje, edhe Brukseli.

Por kjo do të thotë edhe diçka tjetër, që në kurriz të Kosovës, po bëhen kalkulime pa e pyetur aspak dhe për asgjë Prishtinën zyrtare, po nxirren përfitime dhe po bëhen politika prej të cilave Kosova jo vetëm që nuk po e nxjerrë asnjë përfitim por, për më keq ajo po e paguan me kërcënim të vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit të saj edhe për periudha të ardhshme kohore.

Lidhur me këtë pushtetarët e Kosovës duhet të reagojnë sa më shpejt që është e mundur dhe të reagojnë ashpër. Unë mendoj se qeveritarët tanë nuk duhet të nisen nga logjika se nëse ky është një lloj shkopi kundër Kosovës, duhet pritur se sipas kësaj logjike mund të pasoj karota. Kjo karrot mund të jetë, liberalizimi i vizave apo diçka e ngjashme, që do të jetë hap tutje për Kosovën drejtë BE-së.

Por asnjë nga këto, nuk do të jetë aq e mirë dhe aq pozitive për Kosovën, sa që t’i justifikoj zgjedhjet serbe në Kosovë me të cilat do të legjitimohen grupet mafioze, klanet politike serbe dhe me të cilat do të mbahet Beogradi zyrtarë në Veri, pavarësisht që Prishtina zyrtare, ashtu si deri më tani, do të vazhdoj të thotë se në Veri kemi forca politike të cilat nuk i pranojmë dhe nuk i njohim si legjitime.

Në këtë aspekt edhe opozita mund të bëjë punë të mirë duke qenë më e zëshme dhe më unike në reagimet e veta kundër zgjedhjeve në Veri të Kosovës. Serbia ka vendosur që t’i  mbaj zgjedhjet edhe në Kosovë dhe bashkësia ndërkombëtare këtë e ka toleruar për ti ndihmuar Tadiçit. Unë konsideroj se ne do të duhej të reagonim ashpër që ta bindin bashkësinë ndërkombëtare edhe Serbinë se me këtë politikë Beogradi po nxitë luftë në Kosovë.

Por për ta bërë këtë ashtu si duhet dhe për të arritur rezultate në raport me këtë qasje aktuale të Beogradit zyrtarë, pushtetarët tanë, por edhe opozita, do të duhej të ishin unik të bashkërendojnë veprimet të jenë të pavarur në koncepte e veprime dhe të mos kenë interesa të tjera klanore dhe frikë nga gjykatat dhe prokurorët e Eulex-it.

Kjo do të thotë se nuk do të kemi reagime si duhet dhe se zgjedhjet serbe në Veri do të mbahen pa problem, me çka problemi i Veriut do të vazhdoj të jetë i pazgjidhshëm, por edhe më i koklavitur.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)