19 Prill 2024

“Me lypë sy të qorri”

Shkruar nga Milazim Krasniqi

Fjalimi që mbajti në Deçan presidenti i Serbisë, Boris Tadiqi, me frymëzimin e fortë fetar dhe me mistifikimin e gjërave që janë shumë konkrete e shumë të qarta, e përafron këtë person me disa elementë të biografisë dhe të mitologjisë që mbulon figurën e Stefan Deçanskit.

Për ata lexues që nuk e dinë biografinë dhe më tutje mitologjinë për Stefan Deçanskin, ajo prezantohet këtu me pak fjalë: Stefan Deçanskin babai i vet, Millutini, e ka verbuar dhe e ka dëbuar nga familja.

Ai ka bredhur rrugëve derisa e ka gjetur pop Nikollaj, i cili e merr në mbrojtje dhe “e aftëson” që të shohë me shpirtin e vet. Mirëpo, më vonë, për hir të përkushtimit të fortë fetar të Stefanit, Nikollaj ia rikthen sytë dhe shikimin, (ky mit kishtar është i ndërtuar në analogji me shërimin që ua bëri të verbërve Jesusi), ndërsa më vonë ai arrin ta marrë fronin serb, madje të shndërrohet edhe në shejt të kishës serbe.

Mu pranë varrit të këtij shejti të Kishës Ortodokse Serbe, Boris Tadiqi u soll bash si njeri i verbër, që nuk sheh asgjë para vetes. (Cinikët do të thoshin se edhe Borisin e ka verbuar babai i vet, Lubo Tadiqi, me nacionalizmin e vet iracional, ndërsa nuk po gjendet një atë Nikollaj që t’ia kthejë shikimin).


Disa nga mesazhet që dha presidenti i Serbisë vërtet janë simptoma të verbërisë politike të tij. E para, ai tha se “po të pranoja që Serbia të heqë dorë nga Rezoluta 1244 në aspektin e përfaqësimit rajonal të institucioneve të së ashtuquajturit shteti i Kosovës, Serbia do ta merrte statusin e kandidatit”.

Ndërsa, e vërteta është se statusi i kandidatit nuk iu dha për shkak të mbajtjes dhe financimit së strukturave kriminale në veri të Kosovës dhe për shkak të sulmeve brutale të eksponentëve të tij politikë ndaj ushtarëve të KFOR-it. Kurrfarë kushtëzimi me përfaqësimin rajonal të Kosovës nuk është përmendur, madje as nga Angela Merkeli.

Nga ana tjetër, dihet botërisht se Gjykata e Drejtësisë, kur ka dhënë verdiktin se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, vendimin e vet e ka bazuar pikërisht në Rezolutën 1244, e cila me asgjë nuk e ka penguar pavarësinë e Kosovës.

Ai është një vendim unanim i Gjykatës së Drejtësisë, i miratuar edhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. E treta, në rezolutë përmendet si shtet ish-Jugosllavia dhe askund në të nuk përmendet Serbia, prandaj Serbia as që ka mundësi të marrë përsipër trashëgiminë eventuale që përmendet në atë rezolutë.

Shpërbërja e Jugosllavisë së AVNOJ-it është konstatuar nga komisioni Badenter, ndërsa Jugosllavia e Zhablakut as që ka qenë anëtare e OKB-së. Sille nga ta sillesh, referimi i Tadiqit në Rezolutën 1244 është një verbëri politike.

E dyta, ai pranë varrit të Stefan Deçanskit përsëri deklaroi se Serbia nuk do t’i heqë strukturat paralele, me çka ai konfirmon vazhdimin e konfliktit me Bashkimin Evropian dhe veçmas me Gjermaninë, e cila kërkon këtë gjë në mënyrë kategorike.

Nëse nuk hiqen strukturat kriminale serbe, nëse nuk ndërpritet financimi i tyre nga buxheti shtetëror i Serbisë, atëherë nuk ka asnjë shans që të arrihen rezultate nga dialogu teknik dhe realisht nuk ka shans që Serbia ta merr statusin e kandidatit në shkurt.

E nëse Serbia nuk e merr atë status në shkurt, atëherë është e sigurt se partia e Tadiqit dhe vetë Tadiqi do t’i humbin zgjedhjet parlamentare e presidenciale.

E treta, ai deklaroi edhe kësaj here se Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën si shtet, ndërsa vetë ai ka ardhur në Kosovë me lejen e autoriteteve të shtetit të Kosovës. Vetëm një i verbër politik nuk e sheh këtë realitet. Përndryshe çfarë presidenti na qenka ai president që u dashka të kërkojë leje për të bërë vizita në “shtetin e vet?”

Mirëpo, këso kundërthëniesh e karakterizojnë krejt politikën e këtij personi, e jo vetëm atë që e proklamoi pranë varrit të sundimtarit të verbër serb të Mesjetës. Tadiqi pohon se politika e tij synon “edhe Kosovën edhe Evropën”, ndërsa është e sigurt se Kosovën e ka përgjithmonë të humbur, ndërsa me verbërinë e vet politike po e humb edhe Evropën.

Tadiqi me altoparlantët e vet, Bogdanoviqin e Stefanoviqin, gjatë tërë verës ka kërkuar që serbët në veri të ngrenë barrikada, ndërsa në fund ka kërkuar që ata t’i heqin barrikadat. Kjo tregon jo vetëm jokonsekuencën, por edhe krizën morale të tij. Ndër kundërthëniet e tij është edhe që deklarohet si proevropian, ndërsa qeverisë me partinë e pareformuar të Sllobodan Milloshevqit.

 Si rezultat i politikave të tij dykuptimëshe, jo koherente dhe jomorale, Tadiqi gjatë qeverisjes së tij i ka ashpërsuar marrëdhëniet me Kroacinë e me Hungarinë, i ka përkeqësuar me Bosnjën e me Malin e Zi dhe i ka futur në krizë edhe më të thellë me Kosovën. Dhe nuk po sheh asnjë rrugë të re, e cila do ta nxirrte nga bataku politik e moral ku ka rënë.

Një fjalë e urtë thotë: “Shkoi me lypë sy te qorri”. Kështu ka bërë Tadiqi edhe kësaj here në Deçan, te varri i Stefan Deçanskit. Por, kështu është sjellë, si i verbër politik, edhe gjatë tërë mandati të tij si president i Serbisë dhe si shef i shumicës qeverisëse. (Gazeta Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)