24 Prill 2024

Më 1 tetor u trand regjimi okupues serb dhe Kosova eci pandalshëm rrugës së çlirimit përfundimtar

Nga: Bujar Dugolli

Pas rreth 20 viteve pune të suksesshme të Universitetit të Prishtinës, vitet 1989-1990 shënuan fillimin e përpjekjeve të pandalshme serbe për ta shkatërruar arsimin e lartë në Kosovë.

 

Me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në krye të Serbisë, një figurë ultranacionaliste e politikës serbomadhe, i cili nxiti kundër shqiptarëve politika nacionalshoveniste, së pari në mesin e serbëve të Kosovës, më pastaj edhe në Serbi e më gjerë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz, me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip.

Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë. Populli nuk u pajtua me veprimet serbe dhe u mobilizua në mbrojtje, jo vetëm politike të Kosovës, por edhe në mbrojtje të fjalës dhe arsimit shqip. Në vitin 1989 u organizuan me dhjetëra e qindra demonstrata dhe protesta në të cilat, pati të plagosur dhe të vrarë. Kjo gjendje vazhdoi edhe gjatë vitit 1990 me organizim të demonstratave, protestave, grevave etj., e ku nxënësit, mësuesit, studentët, profesorët, punëtorët dhe qytetarët e të gjitha kategorive ishin pothuajse përditë në rrugë për ta mbrojtur shkollën shqipe.

Gjendja në universitet erdhi duke u përkeqësuar, krahas gjendjes në gjithë Kosovën. Qendra Universitare nuk ishte më streha e studentëve dhe as e profesorëve shqiptarë. Sapo u mbyll semestri veror i vitit akademik 1990/91, më 28 qershor 1991, në ditën e Vidovdanit, (festë fetare serbe) Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës. Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi.

Më 21 gusht 1991 grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive. Më 14 shkurt 1992 Universiteti i Prishtinës njofton se më 17 shkurt 1992 do të fillojë mësimi në nivelin universitar. Më 17 shkurt 1992 fillon viti akademik në shtëpi-fakultete. Më 10 qershor 1992 Kuvendi i UP-së vendos që në vitin akademik 1992/93 të regjistrohen 7 mijë e 99 studentë të rinj. Më 1 korrik 1992 zgjedhet udhëheqësja e re e UP-së. Rektor me mandat dyvjeçar, zgjedhet profesor Ejup Statovci, i cili u bë simbol i pathyshmërisë intelektuale në mbrojtje të UP-së.

UPSUP vihet në ballë të fillimit të demonstratave

Shkolla shqipe, pra edhe universiteti, e vazhdoi mbijetesën nëpër shtëpi-shkolla. Ishte kjo një rrugë e vështirë, por historike. Sidoqoftë, me kalimin e viteve gjendja në Kosovë erdhi duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.

Në Universitetin e Prishtinës një pjesë e studentëve dhe e profesorëve filloi ta ngriste zërin lidhur me gjendjen e rëndë në arsim dhe më gjerë dhe në këto rrethana, edhe për të filluar me iniciativa të ndërmarrjes së hapave për ta ndryshuar gjendjen e krijuar. Presioni dhe dhuna ndaj shkollës shqipe, edhe pse jashtë objekteve legjitime, bëhej në mënyrë të vazhdueshme nga regjimi okupues serb. Vrasjet, burgosjet, arrestimet, poshtërimet ishin të pandalshme dhe të panumërta. Në 23 prill të vitit 1996 u vra, pa asnjë shkas, studenti shembullor Armend Daci, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
 
Në muajin shkurt të vitit 1997 u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, selia e të cilit, ashtu si edhe e Rektoratit të UP-së, e gazetës së studentëve “Bota e re”, ndodhej në lagjen “Velania”. Në këtë kuvend që u mbajt më 4 shkurt 1997, unë u zgjodha kryetar i Unionit të Pavarur të Studenteve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP). Menjëherë pas konstituimit të Kryesisë së UPSUP-së, me një përkushtim të madh filluam realizimin e ideve tona programore. Ishim një ekip brilant, vetëmohues, të gatshëm për t’iu qasur ndryshimeve dhe aktivizimit të rezistencës.
Ishin këta, djemtë dhe vajzat e gjeneratës së vitit 1997, të pjekur para kohe: të gatshëm për çdo sakrificë që do të kërkohej!

Organizata jonë, Unioni i Pavarur i Studenteve të Universitetit të Prishtinës, u mobilizua me të gjitha forcat për demokratizimin e saj të brendshëm. Kjo do të thoshte që studentët, së pari, mund dhe duhej të shpreheshin lirshëm për të gjitha preokupimet e tyre.

Demokratizimi dhe ngritja e cilësisë në mësim, po ashtu ishin synimet tona.
Ndërkaq, ndjenja për të dalë nga situata në të cilën ishim, duke e kundërshtuar regjimin serb, por edhe politikën pasive kosovare, po përhapej gjithandej ndër studentë. Në këtë mënyrë po rritej edhe presioni publik që të fillohej të ndërmerrej diçka. Studentët gjithnjë e më shumë ishin duke besuar se politikanët, sidomos partitë, të cilat ishin organizma që e komandonin jetën në atë kohë, s’do të mund t’i kthenin kurrë ata në objektet universitare. Kishin kaluar shtatë vjet, prej kur nxënësit dhe studentët shqiptarë ishin dëbuar me dhunë nga objektet e tyre legjitime.

Një pjesë të këtyre objekteve e shfrytëzonin studentët serbë, kurse një pjesë tjetër përdorej për interesa administrative, të biznesit, të banimit etj., për kolonët serbë të ardhur nga vatrat e luftës që atëbotë zhvillohej në Jugosllavi. Pjesa tjetër e hapësirës shkollore dhe asaj universitare mbetej e pashfrytëzuar, që domethënë mbetej të shkatërrohej gradualisht. E nxënësit dhe studentët shqiptarë ishin duke u larguar në kontinuitet nga vendi, kurse një pjesë tjetër, në kushte të paimagjinueshme teknike-materiale, ishin duke e vazhduar shkollimin.

Gjatë verës së vitit 1997 ne ndërmorëm hapa konkretë në këtë drejtim. Në gusht dhe shtator i takuam të gjitha subjektet politike të kohës, organizatat e ndryshme, shoqatat etj. Mendonim dhe po përgatiteshim për fillimin e protestave. Në ndërkohë, iniciativa jonë mori përmasa të gjëra. Kjo iniciativë i kaloi shpejt kufijtë e Kosovës. Studentët po përkraheshin nga individë, media, shoqata dhe asociacione të tjera brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Një përkrahje që ishte thjesht vëllazërore, po na bëhej edhe nga studentët e Tiranës, të Tetovës etj. Kërkesa për lirimin pa kushte të objekteve tona të okupuara nga Serbia ishte një e drejtë e jona morale, kombëtare, por edhe universale dhe kishte gjetur e po gjente mbështetje kudo.

Skenari i demonstratës

Më datën 9 shtator 1997 u themelua Këshilli për Organizimin e Protestave (KOP), në shkallë të Universitetit.

Këshilli Organizativ u përbë prej 5 studentëve dhe 4 profesorëve (Ejup Statovci, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Albin Kurti, Milot Cakaj, Fetah Jagxhiu, Hajrullah Koliqi dhe Ahmet Gecaj). Më pas u konstituuan edhe nënkëshillat nëpër çdo institucion të arsimit të lartë, në përbërje prej tre studentëve dhe dy profesorëve. Gjashtë ditë më vonë, pra më 15 shtator, Këshilli Organizativ u mblodh dhe e hartoi Platformën për Protesta. Hartimi i kësaj platforme u bë në një atmosferë të konsoliduar, me përkushtim dhe në mënyrë mjaft inteligjente.

Të mobilizuar fizikisht dhe shpirtërisht, të brumosur me këtë ide kryeneçe për rrethanat e atëhershme, por historike për nga qëllimi, ne studentët e UP-së në bashkëpunim të ngushtë me profesorët tanë të nderuar të asaj kohe, të cilët, mbi të gjitha, veç dijes, vunë në shërbim të shkollës shqipe edhe qenien e tyre fizike, Këshilli Organizativ i Protestave (KOP) mori vendim dhe e njoftoi opinionin e gjerë (të brendshëm dhe të jashtëm) që më 1 tetor 1997, në ditën e fillimit të vitit të ri akademik 1997/98, të fillojnë protestat. Në cilësinë e kryetarit të UPSUP-së dhe të Këshillit Organizativ të Protestave unë e njoftova opinionin e gjerë, sidomos opinionin e jashtëm (diplomatët e ndryshëm, ambasadorët, përfaqësuesit e institucioneve humanitare, mediet etj.) nëpërmjet një letre publike, duke bërë ftesë për pjesëmarrje në protestat tona.


Si rrodhi kjo protestë? Çfarë ndodhi atë ditë? Paraprakisht, ne kishim përgatitur edhe detajet më të imëta të mbrëvajtjes së protestës. Rreth 5.000 studentë dhe rreth 500 profesorë ishin në organizim në forma të ndryshme dhe secili kishte nga një detyrë. Shenjat dalluese me stemën e UP-së ishin dërguar në selitë e unioneve për t’i tërhequr mbi 27 000 studentë. Ashtu siç e kishim paraparë me strategjinë tonë, qysh para orës 9:00 të mëngjesit të ditës së 1 tetorit 1997 filluan të grumbulloheshin me mijëra e mijëra studentë, profesorë e qytetarë nga e gjithë Kosova në lagjen “Velania”, ku edhe do të mbahej demonstrata. Sipas skenarit, kishim paraparë që fakultetet të radhiteshin një nga një: duke filluar nga Fakulteti Filozofik, e kështu me radhë. Në rreshtat e parë duhej të radhiteshin këshillat organizativë nga niveli qendror dhe më pas ata të fakulteteve, një nga një. Kolona e marshit protestues i kishte 5 veta: 4 studentë dhe një profesor.


Sipas skenarit, kishim paraparë që, në kolonë, të bëjmë një marsh demonstrues, nga lagjja “Velania”, e pastaj të zbresim në qendër të kryeqytetit dhe të shkonim në Qendrën Universitare për të hyrë në objektet tona dhe për t’i marrë ato. Në rast se do të pengoheshim nga forcat serbe, duke na u bllokuar rrugët, kishim paraparë të qëndronim të heshtur, ballë për ballë: pa komunikuar me ta, sepse i konsideronim s’i pushtues dhe nuk do të flisnim me ta. Në rast se do të vërenim se policia do të intervenonte dhunshëm për t’na shpërndarë, ne kishim planifikuar të uleshim në tokë dhe të mos ngriheshim nga aty, pavarësisht dhunës që do të bëhej mbi ne. Kolona e studentëve dhe e profesorëve ishte paraparë të ecte përmes rrugës, ndërsa trotuareve do të qëndronte popullata e cila do të dilte në protesta për t’u solidarizuar me ne: studentët! Kujdestarët për mbajtjen e rendit, por edhe komisionet për dhënien e ndihmës së parë duhej të ishin aktivë në kryerjen e detyrave të marra.

Velani, më 1 tetor 1997

Mëngjesi i 1 tetorit 1997, në Velani, dukej i mrekullueshëm. Organizimi ynë po i mahniste të gjithë. Përfaqësues të shumtë, diplomatë, si dhe ata të medieve më të njohura ndërkombëtare (CNN, BBC, EuroNews, Deutsche Welle etj.) iu kishin përgjigjur ftesës sonë për të qenë prezent, më 1 tetor në ditën e protestës sonë. Të gjithë ishim me disponim të mirë: studentë e profesorë! Pjesëmarrja ishte e paimagjinueshme: masive! E kjo situatë na bënte të ndiheshim jashtëzakonisht të fortë. E tërë Velania ishte mbushur me mijëra studentë e profesorë, por edhe nxënës e qytetarë. Ashtu siç ishte paraparë, ne e filluam marshin e demonstrimit në orën 10:00. Megjithatë, forca te shumta policore serbe e kishin rrethuar Velaninë, e kjo na bënte të kuptojmë që, ne s’do të lejoheshim të zbrisnim në qytet, e ku na priste, sipas informacioneve tona, një popull i tërë…! Një lumë i tërë njerëzish, mbi 100 mijë veta…!

U nisëm, fiks në orën 10:00. Teposhtë lagjes Velania, nga pjesa veriore e saj. Në udhëkryqin e Tauk Baqes u ballafaquam me një kordon të madh të policisë speciale serbe, të pajisur me makineri të blinduar, me armë e shkopinj. Ata na e kishin bllokuar rrugën kah ne kishim planifikuar të shkonim. Ne u ndalëm përballë kordonit dhe autoblindave.

Distanca mes qëndrimit të makinerisë serbe dhe nesh ishte përafërsisht një metër e gjysmë. Ne qëndruam të heshtur, pa komunikuar me ta, rreth një orë. Forcat e mëdha serbe na kishin rrethuar edhe nga pjesët e tjera, rrugëve e rrugicave prej nga hyhej në Velani. Pas rreth një ore, forcat policore serbe filluan të përgatiteshin për intervenim. Një helikopter i policisë serbe fluturonte mbi kokat tona. Autoblindat filluan të viheshin në gatishmëri për të intervenuar. U dëgjuan disa zëra në radiolidhjet e oficerëve të policisë, e ata ishin zërat urdhërues për intervenim. Protesta e 1 tetorit u shtyp me dhunën më brutale. Plagosje, arrestime, maltretime të shumta ndodhen atë ditë.


Pavarësisht nga intervenimi dhe pasojat, protesta e arriti qëllimin e vet, ajo përmbante shumë mesazhe. Mesazhi i parë i dërgohej drejtpërdrejt regjimit serb. Atij i bëhej me dije se studentët shqiptarë të Kosovës ishin gjallë dhe ishin të vendosur të mos pajtoheshin me politikën okupuese-nënshtruese serbe. Mesazhi i dytë i drejtohej gjithë popullit dhe atij i bëhej me dije se studentët, që ishin bijtë e tij më të devotshëm, janë të vendosur që të drejtat legjitime do t’i realizojnë me çdo kusht dhe se prania e Serbisë në Kosovë s’do të durohet më tutje. Mesazhi i tretë i drejtohej faktorit ndërkombëtar. Faktorit ndërkombëtar i tregohej botërisht se rinia e Kosovën nuk mund të presë më tutje, sepse në Kosovë ishin duke u shkelur edhe të drejtat më elementare njerëzore, ato të fjalës së lirë, të arsimit, të jetës, të cilat garantoheshin me norma dhe konventa ndërkombëtare të OKB-së.


Krejt në fund, 1 tetori i vitit 1997 ishte një ngjarje historike, e denjë për t’u përkujtuar me devotshmëri. Kjo ngjarje pati efekte të mëdha të ndërgjegjësimit tonë si popull i pushtuar, pati efekte në zgjimin e ndërgjegjes, në heqjen e frikës dhe të bindjes së atëhershme se Serbia ishte e pathyeshme.
Pas kësaj ngjarje Universiteti i Prishtinës jo vetëm që nuk i ndali protestat dhe demonstratat, por gjeneratat e ndryshme të studentëve u mobilizuan dhe ishin bartësit kryesorë të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës.


Në këtë 15-vjetor konstatojmë edhe një herë se ajo lëvizje e theu status quonë në Kosovë; e internacionalizoi edhe më shumë problemin e pazgjidhur të Kosovës; fitoi simpatinë e diplomacisë evropiane dhe amerikane, si dhe e aktivizoi rezistencën në Kosovë, duke i paraprirë fillimit të rezistencës çlirimtare, që rezultoi me çlirimin e Kosovës (12 qershor 1999).

Prishtinë, 30 tetor 2012

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)