28 Mars 2024

Mbrojtja e dëshmitarëve funksionon

Shkruar nga Xavier Bout de Marnhac -

Shef i Misionit EULEX Kosovë   


Shumë njerëz janë në dijeni të rastit të ashtuquajtur Kleçka dhe të dëshmitarit X. Gjatë disa javëve të kaluara, që nga vdekja tragjike e Agim Zogajt, shumë vëmendje i është kushtuar mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë. 

Kjo na e ka kujtuar me dhimbje  të gjithë neve rolin kryesor të dëshmitarëve në hetime dhe rëndësinë e ofrimit të mbrojtjes adekuate dhe të sigurisë qytetarëve të cilët dëshirojnë ta luajnë rolin e tyre në ndërtimin e sundimit të ligjit duke u paraqitur dhe dëshmuar lidhur me atë që kanë parë apo që kanë përjetuar.

Mbrojtja e dëshmitarëve të rëndësishëm gjatë një rasti gjyqësor është standard themelor i çdo vendi bashkëkohor dhe demokratik.  Mendoj se të gjithë pajtohen me këtë.

Të jemi të sinqertë lidhur me këtë, ka pasur shumë raste të vrasjes dhe të kërcënimit të dëshmitarëve ose të frikësimit të familjeve të tyre, jo vetëm në Kosovë ose në Ballkan.  Kjo ndodhë edhe në vendet e tjera evropiane. 

Fatkeqësisht, është realitet i hidhur që nëse duhet të burgosen kriminelët, nëse duhet të arrihet drejtësia, atëherë dëshmitarët duhet të mbrohen në mënyrë që t’i japin dëshmitë e tyre pa qenë të kërcënuar apo të frikësuar. 

Gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme.  Autoritetet po ndërmarrin veprime për t’ju ofruar dëshmitarëve mbrojtje por për këtë duhet kohë.  Të gjithë e pranojnë që Kosova duhet të bëjë përmirësime në mënyrë që të ecë përpara dhe të zhvillohet në këtë drejtim sa më parë që të jetë e mundur. 

Ndërsa Kosova është në proces të krijimit të programit të saj për mbrojtjen e dëshmitarëve, EULEX-i e ka Programin e vetë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili funksionon në Kosovë dhe jashtë.  Në të punojnë zyrtarët të cilët kanë përvojë mjaft të madhe në këtë fushë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme. 

Nuk mund të japë emra ose hollësi ose shifra sepse e tërë çështja qëndron këtu – kjo duhet të mbetet sekret për hir të sigurisë dhe mbrojtjes së atyre individëve dhe familjeve të tyre që kalojnë nëpër Program.

Por mund t’ju them që Programi është provuar vazhdimisht dhe shumë njerëz e kanë shfrytëzuar atë dhe po e shfrytëzojnë ende.  EULEX-i e ka krijuar këtë Program me qëllim që t’i ndihmojë Kosovës të merret me disa prej rasteve më të vështira dhe më sfiduese gjyqësore.

Duhet pasur parasysh po ashtu që Programet  për Mbrojtjen e Dëshmitarëve janë të komplikuara.  Ka nivele të ndryshme të mbrojtjes, të cilat ofrohen në kohë të ndryshme për njerëz të ndryshëm.  Nuk ekziston një standard i vetëm i thjeshtë.  Ato krijohen sipas nevojave të njerëzve dhe të nivelit aktual të kërcënimit – dhe këto mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.  Përparësi absolute kanë gjithmonë dëshirat dhe kërkesat e dëshmitarit individual. 

Dua të shtojë edhe diçka lidhur me Programet për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.  Individët nuk detyrohen kurrë të jenë pjesë e programit.  Nuk janë dëshmitarët ata që duhet të burgosen.  Ata nuk mund të detyrohen të hyjnë në program dhe mund të dalin nga ai kur të dëshirojnë. 

Kjo bëhet sipas vullnetit të tyre të lirë dhe kjo është e drejtë.  Individët duhet t’i marrin vendimet e tyre vetë dhe pa dyshim që nganjëherë është shumë vështirë të merren këto vendime. Udhëtimi bëhet i vështirë, kontakti me familjet dhe miqtë është i kufizuar për shkak të sigurisë së tyre.  Disa individë mund të ndërrojnë mendje. 

E gjithë kjo është normal.  Kjo vlen për të gjitha Programet e tilla anembanë botës, përfshirë edhe ato në vendet si shtetet anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara.  Kurrë nuk mund të ketë garanci 100%. 

Nuk është me vend që unë të komentojë për rastin në fjalë pasi që aktualisht është në gjykim.  Por ajo që mund të them është që shumë prej çështjeve të sipërpërmendura kanë luajtur rol në këtë rast.  Në fund Agim Zogaj, dëshmitari X, ia mori jetën vetes tragjikisht.  Diçka që asnjë program për mbrojtjen e dëshmitarëve në botë nuk do të kishte pasur mundësi ta parandalojë. 

Para së gjithash, kjo është një tragjedi për familjen dhe miqtë e tij.  Nuk duhet kurrë ta harrojmë këtë.  Unë i dënoj ata të cilët dëshirojnë që vdekjen e tij ta shndërrojnë në çështje politike ose të cilët përpiqen ta shpërndajnë fajin ose të  fitojnë pikë.  Kjo nuk ju shërben interesave të askujt, më së paku të z. Zogaj ose familjes së tij.

Është detyrë e gjykatës së drejtësisë të vendosë lidhur me fajin apo pafajësinë e njerëzve – dhe e askujt tjetër.  Nuk bëhet kjo as në rrugë, as në media, as në kafene.   

Kosova po mundohet ta krijojë ekspertizën dhe burimet e saj në këtë fushë dhe unë i përgëzoj për këtë.  Por, ndërkohë, EULEX-i do të vazhdojë t’i shfrytëzojë të gjitha burimet, shkathtësinë dhe përvojën e personelit të tij në këtë fushë shumë të specializuar, në mënyrë që t’i japë Kosovës kohë për t’i marrë përsipër përgjegjësitë e tilla vendimtare dhe të rëndësishme për secilën shoqëri në zhvillim. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)