19 Prill 2024

Marrëveshje jo e keqe por më shumë se e keqe

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Është dashur të jeni shumë naiv jo vetëm politikisht e të besoni se në Washington do të bisedohet e madje edhe nënshkruhet Marrëveshja përfundimtare me Serbinë për normalizim të marëdhënieve dhe njohje reciproke me anëtarësim të menjëgershëm në OKB dhe organizatat tjera.

Avdullah Hoti, kryeminister i Kosovës dha zotime publike se me Serbinë do të bisedojë vetëm për njohje reciproke e që këtyre fjalëve nuk i besoi as vet e lëre më të tjerët.

Kryeministri i Kosovës edhe më heret kishte mungesë të theksuar të karizmës tani na bindi se ka mungesë edhe më të madhe të koqizmës për procese të mëdha ku kërkohet guxim në vendimmarrjen politike.

 As që u diskutua në Washington për njohje reciproke, madje as në korridore ku bënë politikë liga e dytë politike.

Tash po del, sipas arrogantit Grenell se SHBA nuk ka nënshkruar kurrfarë Marrëveshje me Kosovën sikur që krimineli i luftës, Ivica Daçiq po deklaron se krimineli i luftës më i madh se ai , Aleksandar Vuçiq nuk ka nënshtruar asgjë me Kosovën.

Disi po del sikur të jet simuluar për publik nënshkrimi i një Marrëgeshjeje të cilën po e quajnë historike, në një mjedis thuaja histerik. Tash, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po thotë se nënshkrimi i Marrëveshjes për njohje reciproke është synim i kryeministrit dhe se kjo do të arrihet brenda një viti e që i ngjanë të flasim për borën e vitit të kaluar sa i përket sigurisë së mbajtjes së premtimit.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për faktin se faktori ndërkombëtar nuk ushteon asnjë presion në këtë drejtim dhe ne, jo që nuk kemi qenë në gjendje të imponohemi përballë Serbisë në këtë drejtim por, madje me veprimet tona seriozisht e kemi rrezikuar Kosovën si shtet.

Kosova nuk duhet kurrë të insistojë që Serbia të na njeh si shtet por ne duhet të funksionojmë si shtet sidomos përballë Serbisë.

Po e them me bindjen më të thellë se Serbia do ta njeh pavarësinë e Kosovës vetëm në rast se Kosova do të katandiset në atë gjendje që nuk  i duhet as qytetarëve të saj.

Për këtë edhe po angazhohet. Presidenti Trump e bëri një veprim shumë të pandershëm kur deklaroi se Kosova me shumicë myslimane po e hapë Ambasadën në Jerusalem.

Në këtë mënyrë aspak nuk dallon nga deklarimet e Serbisë se Kosova është vend i fundamentalizmit islamik.

Kosova është shtet me shumicë absolute shqiptare që brendapërbrenda bashkëjetojnë të gjitha besimet (shqiptare) dhe se përcaktimi i besimit kurrë nuk ka qenë para identitetit kombëtar.

Trumpi nuk tha se një vend me shumicë të besimit ortodoks, Serbia , do të hapë Ambasadën në Jerusalem.

Kjo Marrëveshje, e nënshkruar apo e simuluar është përmbledhje e marrëveshjeve të mëparshme plus, Trump, për nevoja elektorale i fut disa gjëra që aspak dhe asgjë nuk kanë të përbashkët me një marrëveshje ekonomike.

Çka hynë në punë për normalizim ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, njohja nga Izraeli dhe hapja e Ambasadës në Jerusalem?!

Apo çështja e Hezbollahut që nuk ka të bëjë asgjë me Marrëveshjen për normalizim të marëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë. Sikur edhe 5G që në fakt është luftë midis Trump dhe Kinës për të eliminuar Huawein .

Ndikim ekonomik i Kinës dhe Rusisë si edhe vendeve arabe në Serbi është shumë më i madh se ai amerikan. Serbia e ka futë në tregun serb Ericsonin dhe sa do të ndikojë Marrëveshja e Washingtonit ?

Kjo Marrëveshje Serbinë e bënë bashkëpronare në shumë procese në Kosovë, e forcon Kishën Ortodokse serbe duke e vënë mbi shtetin dhe ligjet e Kosovës dhe vetëm nuk e përmend në Marrëveshje Otac Savën dhe Manastirin e Deqanit.

Aspak nuk qëndron fakti se me këtë Marrëveshje pengohet ndarja e Ujmanit por se i kanë shtuar një formulim mashtrues, fizibilitet për ndarje dhe shfrytëzim të ujërave të Ujmanit për energji dhe nevoja tjera.....Serbia e ka të garantuar portin në Durrës apo Shëngjin përmes Kosovës.

Me një fjalë, Serbia është fituese absolute për faktin se është diskutuar dhe nënshkruar Marrëveshja që ka të bëjë vetëm me përfitimet e Serbisë në Kosovë duke krijuar raporte të varësisë ekonomike. Edhe Kosova, si pula qorre do ta gjejë aty - këtu ndonjë kokërr interesi, asgjë më tepër.

Mungesa e moralit elementar:

Në jetën e përditshme, për çdo gjë që e bëni duhet të keni disa parime, qofshin ato edhe elementare. Edhe në politikë, veprimtaria e së cilës në shumë raste dhunon parimet morale duhet të ruani një minimum të standardit moral.

 E sidomos ne që çdo të dytën fjalë e kemi moralin kurse të parën patriotizmin. Para disa muajve, Blerim Reka, si holandezi shetitës u emërua ministër për Integrime Evropiane në qeverinë Kurti.

Në një prononcim për media foli për një korridor që i duhet Serbisë për dalje në det e që do të ishte kompromisi që do e bënte Kosova.

Nuk mbeti kush pa reaguar kundër tij duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke e krahasuar edhe me Garashaninin, Andriqin, Pashiqin dhe Sllobodan Millosheviqin.

Në skuadren për pushkatim moral, politik dhe kombëtar kishte të tillë që Marrëveshjen e Washingtonit e cila tërë Kosovën e bënë territor të hapur për Serbinë për dalje në det,  lumenj, male, fusha, rrugë, liqene dhe ku të dojë Serbia, e quajnë historike dhe jashtëzakonisht të dobishme për Kosovën.

Edhe unë, si vrojtues i këtij pushkatimi të Blerim Rekës e shkrepa një plumb virtual kur e krahasoj ate që e tha Blerimi me këtë që shkruan në Marrëveshjen e Washingtonit e pranoj se Blerimi është beninj në krahasim me kancerin malinj të Hotit.

Për propozimin e Edi Ramës për mini Shengenin ballkanik, Ramën jo vetëm që e shpallën tradhëtar dhe vëlla të Vuçiqit por kërkonin t'i sigurohet një vend për varr afër Esad Pashë Toptanit. Patriotët e Leshit dhe kurvat politike të Kurveleshit.

Po të kishin vetëm pakëz moral njerëzor dhe politik, do të duhej të kërkonin falje publike. Sidomos për mini Shengenin për të cilin kryeministri Avdullah Hoti e pati bërë një kundërshtim të detajuar sikur që Balzaku përshkruante në hollësi krevatin e tij ku frekuentonin shumë zonja dhe kurtizane të Parisit të asaj kohe.

Të gjithë ata që e kanë kritikuar propozimin e Rekës për korridor për Serbinë dhe mini Shengenin e Ramës që e glorifikojnë deri në orgazëm Marrëveshjen e Washingtonit, do të ishin klientelë e mrekullueshme për Balzakun.

Zoti Grenell, njerëzit dallojnë, mësohuni me këtë:

Riçard Grenell është arrogant dhe agresiv ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai. I kërcënon publiksht dhe demonstron muskuj, jo në formë të trurit por në formë të shkopit të bejzbollit.

Kur Ramush Haradinaj nuk u pajtua me nënshkrimin e Marrëvedhjes, ai kërcënoi me sanksione. Kur kryetarja e Kuvendit, zonja Vjosa Osmani i reagoi kryeministrit Hoti se nuk i qëndroi zotimit publik, pa u fërkuar fare me Grenellin, ky, me arrogancën e dëshmuar dhe demonstrim të forcës e kundërshtoi, pa të drejtë zonjën Osmani duke dhunuar në këtë mënyrë parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti dhe demokracia amerikane, respektimi i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes.

Nuk është hera e parë që z. Grenell tregohet dhunues ndaj fjalës së lirë. Në fakt, z. Grenell kërkon mirëkuptim për komunitetin që i takon ndërkaq, në anën tjetër nuk tregohet mirëkuptues ndaj mendimit ndryshe sikur në rastin e kryetares së Kuvendit.

As unë nuk pajtohem se Marreveshja e Washingtonit është më e mira për Kosovën dhe historike, madje mendoj se është shumë e keqe.

Në një mjedis demokratik dallimet në mendime i shtojnë sharmin kurse në një autokraci që e zbaton Grenelli ndaj kosovarëve, ndaj serbëve është shumë butak, demokeacia është në shtratin e vdekjes.

Deri më tani Grenelli është përballur vetëm me yesmena apo, sikur në Washington me një pjesë të adoleshencës së hershme politike të Kosovës që nuk iu intereson fare përmbajtja por vetëm efektet e fejsbukut.

Një fotografi e përbashkët me Grenellin për ta bëhet pjesë e ADN -së politike dhe trashigimi për disa breza familjarë.

Mund të kërcet edhe ndonjë këngë! Është joserioze të deklarohet se kemi bërë lëshime vetëm shkaku i amerikanëve ndërsa i kritikoni dhe ndërtoni karrierë mbi lëshimet e  paraardhësve tuaj politik. Apo, e injorova Vuçiqin se foli serbisht.

Mos keni pritur të flas në gjuhën mandarine! Xhevahir pas xhevahiri por të gjithë të shtrirë para këmbëve të Grenellit.

Ekipet negociuese të Kosovës po ndërrohen shpesh, nuk kanë strategji e as dije për t'u përballur me probleme politike dhe as që kanë kapacitet negociues.

Para Grenellit dhe Borrellit bëhen pleshta, para nesh dhe midis nesh sillen si elefantë. Prandaj pranojnë çdo gjë që iu serviret në pjatën e bisedimeve në Washington (sidomos) por edhe në Bruksel.

Përralla janë premtimet se do të investohen 13 miliardë dollarë. Kosova është shndërruar në një kuti votuese për zotin Trump,  me rezultate të trukuara.

Trumpi e futi në lojë Izraelin, me pajtimin e Serbisë. Kur u fol se Kosovën do ta njeh një shtet shumë i fuqishëm, mendova se janë Kina, Rusia apo India. Kjo Marrëveshje, me këtë përmbajtje, pa formë dhe pa adresë të përgjegjësisë, vështirë të jetë e zbatueshme.

Opozita në Kosovë e kundërshtoi disi në formë hezituese. Pozita, e nënshtruar dhe me të vetmin problem mbijetesen politike, që e ka prioritet kryesor, nuk e ka frikën sepse nuk ratifikohet në Kuvend.

Ka hyrë në itinerarin e udhëtimeve politike Washington - Bruksel, me parametra zero të rrezikut, deri në momentin kur duhet të kundërshtojne pasi të përballen me realitetin.

Nëse atëherë nuk do të bëhet vonë. A ka më mirë nëse do të gaboja në parashikimin tim!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)