27 Shtator 2022

Lufta e lavdishme e familjes Krasniqi

Shkruar nga Sadik Përvetica

 1. Nga muaji shtator i vitit 1931, ka kaluar gati një shekull, qëkur “Kënga e Hoxhë Breznicës”, ka bërë një efekt pozitiv për mbamendjen e luftës që u bë në fshatin Breznicë mes Familjes Krasniqi (e cila, pas kësaj lufte, mori emrin Lagjja e Hoxhajve) dhe kolonistëve serbomalazezë të vendosur dhunshëm në tokat e shqiptarëve.

Përkundër faktit që kjo këngë, kurrë nuk ka pasqyruar në plotni: gjithë historinë e kësaj ngjarjeje: sa të dhembshme, po aq edhe krenare, kjo luftë, ka mbetur në kujtesën e popullit, pikërisht: përmes rapsodëve të shkëlqyer të trevave tona, me emrin: “Lufta e Hoxhë Breznicës”.

Siç dihet, rapsodët popullorë, gjatë gjithë këtyre viteve e dekadave, kësaj ngjarjeje i kanë kushtuar këngë lavdie, por kryesisht: vetëm në emër të Hoxhë Breznicës, gjë që, siç thonë edhe kronikat e kohës, edhe rrëfimet e familjarëve, si dhe të atyre që i kanë njohur së afërmi, por, siç thonë edhe dokumentet dhe faktet historike: mveshja e meritave vetëm një personi (Hoxhë Breznicës - Idrizit), në një luftë, ku kanë luftuar dhe kontribuuar edhe vëllezërit tjerë: është e padrejtë dhe e pasaktë.

Mu për këtë, mendojmë se ka ardhur koha që, me argumente shkencore, kësaj ngjarjeje tragjike dhe krenare, njëkohësisht, t’i bëhet trajtimi i merituar shkencor, në mënyrë që të gjithë Vëllezërve Krasniqi,  pjesëmarrës në këtë luftë: t’u jepet vendi i merituar.

 Siç dihet, Lufta e Familjes Krasniqi e Lagjes së Hoxhajve në Breznicë ishte një luftë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të jetuar lirshëm në vendlindjen e vet dhe në trojet e veta. Andaj, në të mirën e ndriçimit sa më të plotë të Luftës së Vëllezërve Krasniqi, është e domosdoshme që të lihen anash dëshirat, glorifikimet, thashethemet e të pavërtetat (kahdo që rrjedhin ato) dhe, në vend të tyre: të shfletohen dokumentet dhe dëshmitë e disponueshme shkencore historike që flasin jo vetëm për luftën që u zhvillua aso kohe në Breznicë, por edhe për kolonizimin e planifikuar të Kosovës nga regjimet serbomëdha, me theks të veçantë: kolonizimi edhe i fshatit Breznicë.

Në këtë drejtim, dokumenti më kredibil dhe më i besueshëm, është libri (doktorantura) e autorit serb – dr Millovan Obradoviq me titull: “Reforma agrare dhe kolonizimi i Kosovës (1918 - 1941), botuar nga Instituti i Historisë i Kosovës më 1981.

Në këtë libër gjenden edhe emrat e 57 kolonistëve të vendosur nga regjimi serb në fshatin Breznicë, si baraspeshë e mbi 60 familjeve autoktone shqiptare (dihet se të gjitha regjimet serbe janë munduar që Kosovës t’ia ndërrojnë strukturën etnike kombëtare, duke ngulitur dhunshëm, në secilin vendbanim shqiptar edhe kolonistë serbomalazezë në tokat dhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve.

Libri i Dr Millovan Obradoviqit, përveç të tjerash, jep të dhëna të detajuara: edhe për rrethanat, planifikimet dhe veprimet shfarosëse serbomëdha ndaj gjithë popullatës shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha territoret e banuara me shqiptarë brenda Jugosllavisë së atëhershme.

2. Mirëpo, para se të hyjmë në zbërthimin e gjithë asaj që ka ndodhur në këtë luftë, është mirë që, së pari, të shtrojmë pyetjen: Pse ndodhi ajo luftë mes një familjeje shqiptare (me 3 anëtarë të shkolluar) dhe kolonistëve serbomalazezë?!  

Në vitet 30 të shekullit të kaluar, siç tregojnë edhe statistikat historike arsimore: mbi 95% e popullatës shqiptare ishin njerëz që nuk dinin, fare, lexim- shkrim. Derisa Familja Krasniqi e Lagjes Hoxhaj, me 3 hoxhallarë dhe me mejtepin, ku filluan të mësonin lexim-shkrim të rinjtë: u bë qendër arsimore dhe edukative edhe e disa fshatrave përreth. E, politika serbe e asaj kohe thoshte: “Shqiptarëve: po jua hape shkollat, ua ke dhënë pushkën dhe topin kundër nesh”.

Prandaj, regjimi serb i asaj kohe, me vendosjen e kolonistëve, mbylli mejtepin dhe hapi njëfarë shkolle të përbashkët për ta vënë nën kontrollë dhe për ta nënshtruar më lehtë popullatën shqiptarem e, në veçanti: për ta amortizuar punën e mirë edukative të Familjes Krasniqi të Lagjes së Hoxhajve.

 3. Më 06 shtator të këtij viti u bë përurimi i librit monografik: “HOXHË BREZNICA  - DUARTHAË, POR GJOKSIN SHKËMB” i autorit Fadil Curri. Është ky një libër i përgatitur mirë në pikëpamje teknike, por  edhe gjuhësore.

Megjithatë, përsa i përket asaj që është thënë (dhe sidomos asaj që nuk është thënë) në këtë libër: mbetet të diskutohet, ngase, në mbështetje të fakteve, të trija monografitë që janë botuar deri më sot për Luftën e Vëllezërve Krasniqi në Lagjen e Hoxhajve në Breznicë, janë shkruar njëanshëm: në mbështetje të kërkesave, dëshirave dhe interesave të ngushta të pasardhësve të ndryshëm të atyre që kishin bërë luftën, pa u shfrytëzuar të gjitha burimet kredibile, si dhe informacionet dhe rrëfimet e njerëzve të gjallë që dinë goxha shumë për kohën dhe rrethanat, në të cilat u zhvillua lufta në fjalë.

Përurimi i këtij libri u bë në Institutin Albanologjik, në prani të shumë dashamirëve nga të gjitha trojet shqiptare, ku fjalën e parë ia dhanë autorit të këtij shkrimi (por që, siç dihet, në një përurim libri nuk është vendi as rendi të thuhen ... të gjitha…)  Ndaj, një mendim më të gjerë, po e themi publikisht sot përmes këtij shkrimi.

4. Siç shihet, monografisë në fjalë i mungojnë dëshmi dhe të dhëna shumë të rëndësishme për ndriçimin e figurave e personzheve, për të cilat flitet: se në çfarë rrethanash u ngritën dhe u shkolluan 3 vëllezërit hoxhallarë, ku u shkolluan, sa qëndruan në shkollim, si u kthyen, në çfarë vështirësish hasën gjatë shkollimit dhe ngritjes së tyre, si e gjetën Breznicën dhe si ia filluan jetës dhe punës në vendlindje.

Gjithashtu, shihet se nuk janë shfrytëzuar as të dhëna dhe dëshmi nga burime shumë të rëndësishme për ndriçimin e ngjarjes, si dhe për t’u dhënë vendin e merituar, secilit prej luftëtarëve të Familjes Krasniqi.

Bile, nuk janë shfrytëzuar as dëshmitë e tri familjeve ku kanë gjetur strehim dhe mbështetje të parezervë: në fshatin Barilevë, në fshatin Stanofc dhe në fshatin Sibofc i Jerlive, pas asaj lufte të tmerrshme, ku kolonistët dogjën shtëpitë dhe gjithë pasurinë e familjes (dhe ku edhe sot, pas kaq vjetësh: gjenden gjurmët e grumbullit të grurit të djegur në hambar, gjurmë që nuk po zhdukeshin kurrë.

Ani pse ka kaluar gati një shekull, dihet se në mbamendjen popullore në Breznicë: edhe Mulla Hajra - vëllai i Mulla Idrizit (i njohur me nofkën: Hoxhë Breznica) ka qenë i njohur dhe ka lënë gjurmë si hoxhë i përmendur edhe pas shumë brezave.

Gjithashtu dihet se Mulla Idrizi (Hoxhë Breznica) ka dhënë edhe kontribute të tjera kombëtare, duke pajtuar gjaqe e ngatërresa edhe në regjione të tjera jashtë Breznicës (derisa ka qëndruar në ilegalitet, për një kohë goxha të gjatë,  në regjionin e Drenicës).

Por, edhe luftës heroike, si dhe kontributit të Mulla Beqirit - vëllait më të vogël të Mulla Idrizit, edhe në këtë monografi është dashur t’i jepet një hapësirë shumë më meritore, në mënyrë që të pasqyrohet e përplotësohet biografia dhe veprimtaria e tij: jo vetëm si luftëtar i pakompromis në këtë luftë, por  edhe si edukator në mejtepin që ka ekzistuar aso kohe në Breznicë i cili, besojmë se ka qenë meritë kryesore e punës së tij, ku kanë marrë mësimet e para, jo vetën të rinjtë e Breznicës, por edhe ata nga fshatrat përreth.

Prandaj në vend të disa fotove që nuk lidhen me ngjarjen (të cilat ia zbehin vlerën këtij libri të përkushtuar) është dashur të zënë vend edhe vargjet më të fuqishme të ndonjë kënge të rapsodëve tanë, përmes të cilave lartësohet figura e Hoxhë Breznicës.

Në këtë libër të përkushtuar ndihet fort, sidomos: mungesa e rrëfimeve autentike të dëshmitarëve të gjallë: edhe për veprimtarinë e Mulla Beqirit, si protagonist i luftës, por edhe si pishtar i arsimimit dhe edukimit të brezave të rinj, jo vetëm të Breznicës, por edhe më gjerë.

Po veçojmë me këtë rast: mungesën e rrëfimeve shumë interesante dhe rrëqethëse të poetit, atdhetarit të devotshëm dhe të ish të burgosurit politik Zeqir Gërvalla (i cili, ditët që u bë përurimi i kësaj monografie ishte në Prishtinë, por, ai as që dunte se... atë ditë po flitej diçka edhe për Mësuesin e tij -  Beqirin) si dhe rrëfimet e drejtpërdrejta dhe të paharruara të të burgosurit tjetër politik – Sabit Ratkocerit të ndjerë, si dy  ish nxënës të Mulla Beqirit... , të cilët, mësimet e para i kanë marrë në mejtepin e Breznicës...

Pastaj, edhe rrëfimet e Hajriz Bekteshit, birit të Murselit (bashkëkohanikut dhe njeriut të pjekur dhe vigjilent të asaj kohe)  si bashkëkohanik i Vëllezërve Krasniqi, ditën e përurimit të këtij libri, ishin rrëfime dhe fakte interesante (të cilat nuk ishin përfshirë në këtë monografi...!)

Të gjitha këto elemente, gjithsesi, do ta përplotësonin dhe do t'ia shtonin vlerën jo vetëm këtij libri, por, në rend të parë: ndriçimit shumë më të plotë të kësaj ngjarjeje historike shumë pak të ndriçuar deri më tani, pak për shkak të rrethanave të kohës, e më shumë për shkak të injorimit të përgjithshëm shoqëror dhe të mosdijes sonë për t'u dhënë vendin që meritojnë: të gjitha ngjarjeve dhe personaliteteve tona historike e kombëtare.

 5. Ka edhe plot fakte dhe detaje të tjera interesante që dëshmojnë se (jo vetëm lufta heroike e Mulla Beqirit) por edhe puna e mirë edukative e tij, deri në ditët e sotme, ka mbetur në kujtesën e brezave?! Oh, jetë o jetë! A shihni sa ka rëndësi mbajtja e ndonjë ditari gjatë jetës dhe punës së secilit njeri të gjallë mbi këtë tokë?!

Një nobelist i famshëm ka thënë se njeriu që shkruan për jetën e vet dhe për kohën e vet, duhet ta dimë se ai  ka shkruar: për gjithë njerëzimin dhe për të gjitha kohët. Megjithatë, në këto çaste mund të lind edhe dyshimi se, ndoshta, së paku: ndonjëri nga Vëllezërit Krasniqi, kanë lënë dikund ndonjë shënim të kësaj natyre, por që ato shënime kanë mundur të humbin gjatë katrahurave familjare nëpër këto mbi 90 vite të kaluara në përballje edhe me burgjet dhe me përndjekjet e vazhdueshme të familjarëve të tyre. E, po të kishim aso shënimesh nga dora e tyre, sot, ne nuk do t'i kishim gjithë këto probleme në ndriçimin e jetës dhe veprimtarisë së tyre.

6. Shkolla fillore në Breznicë, ku, më vonë, ka punuar edhe autori i këtij shkrimi, ka gjetur dhe ka ruajtur me xhelozi një ditar të vjetër të punës, ku, me një bukurshkrim mahnitës  janë gjetur të shkruara edhe disa orë mësimore nga dora e Mësuesit të pavdekshëm MËSUESIT BEQIR (Mulla Beqirit) të Hoxhajve,  mësuesit misionar dhe idealist, i cili, i ndjekur nga UDBa serbe, pas asaj luftë të tmerrshme me kolonizatorët serbomalazezë,  detyrohet të shpërngulet në Turqi, ku edhe vdes me mallin e Atdheut –Kosovës dhe me mallin dhe me emrin e vendlindjes në gojë. Sa do të ishte interesante sikur të fotografohej dhe të prezantohej shkrimi i tij edhe në këtë monografi?!

7. Një hapësirë më të madhe në këtë libër është dashur t’u jepej, patjetër: edhe dy të vrarëve në këtë luftë: Avdullahut dhe Ademit (i pari – vëlla i Mulla Idrizit (Hoxhë Breznicës) kurse i dyti – kryefamiljar dhe axhë i tij. Sepse, këta dy familjarë të Mulla Idriz Krasniqit, janë personat e parë që kanë rënë në këtë luftë.

Këtyre dy të vrarëve në atë lufyë në mbrojtje të pronave të veta, por edhe të vlerave tona kombëtare, është dashur t'u jepet një vëmendje dhe një tretman adekuat – edhe nga strukturat komunale dhe më gjerë. Sepse vetëm në këtë mënyrë ngriten, vlerësohen, lartësohen dhe zënë vendin që meritojnë: VLERAT tona KOMBËTARE: duke u dhënë rëndësinë e duhur: të gjitha ngjarjeve dhe të gjithë individëve që meritojnë.

Autori i monografisë thotë se kanë qenë 30 familje kolonistësh serbomalazezë të ngulitura në Breznicë, por në librin e tij gjenden vetëm 15 emra kolonistësh, mes të cilëve nuk figuron as emri i Spasoje Bullatoviqit, i cili, me 5 plumba ka vrarë Avdullahun te Bunari: në prani të motrës dhe të kunatës së viktimës. Habit shumë edhe fakti se si është e mundur që në një libër monografik si ky, të shkruhen vetëm emrat e pasardhësve të gjinisë mashkullore, e të injorohet dhe të anashkalohet, padrejtësisht, gjinia femërore?!

8. Siç është thënë edhe më parë: pranë Bunarit të Familjes Krasniqi të Lagjes së Hoxhajve, pikërisht aty  ku është zhvilluar lufta, është dashur qëmoti: të ngritet një MEMORIAL FAMILJAR i përbashkët për të gjithë ata që luftuan, kontribuan dhe u flijuan në atë luftë: në mbrojtje jo vetëm të trojeve të veta; por edhe në mbrojtje të të drejtave dhe të vlerave tona kombëtare.  

Ky memorial përbashkët familjar, në asnjë mënyrë, nuk ia ul vlerat askujt; as nuk ia mohon meritat individuale: asnjërit prej vëllezërve dhe anëtarëve të familjes. Njëkohësisht, memoriali në fjalë nuk do lente në harresë sakrificën, as kontributin e asnjërit prej anëtarëve të familjes që u flijuan në atë luftë. Sepse, të mos harrojmë se, siç u tha edhe më parë: i pari që u vra nga plumbat e gjakatarëve serbomalazezë, ishte Avdullahu -vëllai i Mulla Idrizit ( i Hoxhës që i këndohet kënga).

I dyti që u vra në këtë luftë ishte axha i Hoxhës – Ademi. I treti që luftoi në këtë luftë, ishte Idrizi (Hoxhë Breznica). I katërti që luftoi si luan, i pozicionuar me sëpatë në duar prapa derës së shtëpisë së vet, i cili ia shkallmoi kokën kolonistit që i hyri me dhunë në shtëpi: ishte vëllai më i vogël i kësaj familjeje: Beqiri.

I pesti (që nuk bën të harrohet kurrsesi) ishte edhe Zejnullahu - vëllai i Mulla Idrizit, i cili, në shenjë hakmarrjeje ndaj gjaksorëve që bënë masakrën mu në shtëpinë e tyre, me aksione të mëvonshme individuale dhe grupore me vëllezërit e vet, bëri që kolonistë dhe familje kilonistësh: të marrin përgjigjjen e merituar dhe të kthehen prapshtë kah kanë ardhur.

Gjithashtu, ka edhe dëshmi dhe  dëshmitarë të mjaftueshëm: se Vëllezërit Krasniqi të Lagjes së Hoxhajve të Breznicës, edhe me aksione të tjera të fshehta (e të përbashkëta): kanë likuiduar edhe grupe të tjera çetnikësh nga fshatrat Babimoc dhe Gracë, të cilët u vinin në ndihmë kolonistëve të Breznicës... Andaj, kontributi atdhetar i secilit prej tyre, nuk duhet: as të harrohet, as të minimizohet, as të maksimalizohet, as të përbaltet, as të anashkalohet:  nga askush...

9. Aktualisht, mendojmë se, për ndriçimin e Luftës së drejtë të Vëllezërve Krasniqi në fshatin Breznicë, duhet të formohet, urgjentisht: një grup punues, gjegjësisht: një komision me kompetenca të plota prej njerëzve kredibilë, i cili, në bashkëpunim dhe bashkëveprim edhe me të gjithë pasardhësit e të gjitha familjeve të Vëllezërve Krasniqi: duhet të marrë vendim për ngritjen e një MEMORIALI TË PËRBASHKËT FAMILJAR të familjes dhe Vëllezërve Krasniqi: pa glorifikime të tepërta për askënd; pa ia hëngër hakun askujt dhe pa ia mohuar meritat e sakrificat: asnjërit nga vëllezërit.

Gjithashtu besojmë se ka ardhur koha që këngës atdhetare për glorifikimin e figurës së Mulla Idrizit (Hoxhë Breznicës) gjatë këtyre 90 vjetve, DUHET t’ia zënë vendin argumentet shkencore, në mënyrë që të gjithë atdhetarëve tanë (siç thamë: pa harruar dhe pa mohuar mundin dhe sakrificën e askujt) t’ua japim vendin e merituar në panteonin e historisë dhe të sakrificave kombëtare.

Vonesat tona: shoqërore dhe institucionale në këtë drejtim nuk mund të arsyetohen me asgjë. Ky komision kredibil duhet t’i bindë të gjitha palët se interesat tona KOMBËTARE: nuk guxojnë të nëpërkëmben, as të shkelen nga askush. Se ky interes kombëtar (për t’ia dhënë vendin që meriton: secilit atdhetar) duhet të ngritet MBI lakmitë dhe interesat meskine dhe shkurtpamëse – të kujtdoqofshin ato...  

 10. Në mbështetje të rrëfimeve për luftën në Breznicë, në Lagjen e Hoxhajve, mes VËLLEZËRVE KRASNIQI dhe kolonistëve serbomalazezë, por edhe në mbështetje të dokumenteve të disponueshme: shihet qartë se, deri më tani, nuk është shkruar as 20% e asaj që dihet.

As nuk është bërë as ajo që mund të bëhet dhe DUHET TË BËHET…! E, fajin kryesor, sipas informatave që kemi: nuk e kanë krejt: as institucionet, as shoqëria civile, por e kanë, pikërisht: pasardhësit e këtyre luftëtarëve të devotshëm, të cilët, ende nuk janë pajtuar (!!!) që secili prej atyre vëllezërve të trajtohet sipas meritave.

Përvoja jetësore na mëson se çdo familje e madhe gjatë historisë: ka pasur ngritjet dhe zbritjet e veta… Megjithatë, me një vullnet të mirë, me ndërgjegjje të pastër dhe me dije të duhur si të punohet: mund të vihet deri tek e vërteta për Luftën e vitit 1931 në Breznicë.

Pa hyrë fare në periudhat e pas Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme, ku, mbase, plagët e familjeve të pasardhësve të akterëve të asaj lufte janë shumë djegëse… Për Luftën e lavdishme të Vëllezërve Krasniqi të Lagjes së Hoxhajve, është dashur të shkruhen vetëm NJË MONOGRAFI E PËRBASHKËT, por: e punuar ndershmërisht, profesionalisht dhe bashkërisht nga të gjithë faktorët.

Ajo monografi do duhej të na bënte krenarë të gjithëve: edhe familjarët, por edhe të gjithë atdhetarët tanë që krenohen me vepra dhe me trimëri të tilla të bashkëkombasëve tanë. E, kështu, siç është punuar deri më tani, është e kundërta: Sepse, me studime dhe me informacione gjysmake; si dhe me shkrime të njëanshme (vetëm për hatër të dikujt) nuk mund të ndriçohet e vërteta.

As nuk mund të ndahen të kënaqur të gjitha palët, kur dihet se VETËM PUNA E PËRBASHKËT dhe pa hile (pa hile: as nga brenda, as nga jashtë familjeve, nga ndonjë person që punon edhe për kapuç të madh dhe për interesa personale).

 11. Këtë shkrim nuk mund ta përfundojmë pa e përmendur edhe një fakt të pamohueshëm dhe jo pak të rëndësishëm: Para disa vitesh, disa familjarë të Mulla Idrizit kanë ardhur dhe kanë lutur edhe autorin e këtij shkrimi për ta shkruar një libër për këtë luftë.

Megjithatë, unë u kam thënë shumë shkurt atyre: Nëse ma leni mua këtë punë, atëherë dua t’ju informoj paraprakisht se unë do jem këmbëngulës që të marr informacione nga të gjithë palët dhe nga të gjitha burimet e informacioneve, e jo vetëm nga ju (sepse mençuria popullore më thoshte:: Mos pyet “a hyhet” në një punë, por pyet: “Si i dilet NDERSHMËRISHT në krye asaj pune?”.

Kjo ishte arsyeja që ata që erdhën dhe më lutën për t’ua kryer këtë punë, pas një jave shkelën marrëveshjen me mua, morën një televizion privat dhe ia krisën me këngë e me folklor –krejt sipas qejfit të vet! Është e drejtë e të gjithëve (edhe e familjarëve, edhe e të tjerëve) për ta kënaqur vetveten dhe për të bërë: edhe monografi.

Megjithatë lojrat rreth emrit të dikujt (siç ka ndodhur me emrin tim dhe rreth emrit tim) nuk i pëlqejnë askujt. Sepse, autorin e ketij shkrimi: edhe dikush tjetër e ka lutur që të bëhet bashkautor i një monogrfie tjetër, të botuar, para kësaj, po me këtë temë.

Por, duke marrë parasysh se si janë raportet mes pasardhësve të VËLLEZËRVE Krasniqi të Lagjes Hoxhaj në Breznicë, të cilët, dikur kishin një kauzë të përbashkët dhe bënë  edhe një luftë të lavdishme në vendlindjen e vet, në fshatin Breznicë, unë kam pasur dilemën: se duke u munduar të ndriçoj dhe të ndërtoj diçka të mirë, mos po prish diçks tjetër edhe më shumë…!

Sepse…, kam qenë I vetëdijshëm se, kushdo që u hyn këtyre gjërave, duke mos qenë i informuar: as me ngjarjen, as me situatën e tanishme dhe me raportet ndërnjerëzore të palëve, gjegjësisht: duke mos qenë i ndërgjegjshëm se çfarë po bën, dhe duke injoruar dhe anashkaluar shumë gjëra dhe shumë fakte historike, duke injoruar edhe rëndësinë (dhe përgjegjësinë e madhe) të një pune kaq të rëndësishme (edhe kombëtare) rreth ndriçimit të një lufte, jo vetëm për mbijetesë, por edhe për dinjitet njerëzor dhe kombëtar, qoftë edhe padashtas, mund të hyjë në një pyll të pashkelur dhe në një rrugë, e cila, në vend se ta ndriçojë të vërtetën, në fakt: bën të kundërtën! Pra: e mjegullon dhe i bën shumë dëm edhe më shumë asaj.

Sepse, të mos harrojmë edhe faktin se: për bëmat e secilit nga Vëllezërit Krasniqi të Lagjes Hoxhaj të Breznicës, si dhe për të gjitha ato që i dinë edhe shumë banorë të vjetër të Breznicës, si dhe pasardhësit e tyre…, deri më sot nuk është thënë as 20% e asaj që duhet të thuhet dhe të shkruhet dhe asaj që duhet të bëhet realitet…

Ndaj, të gjitha ata që kanë future e fusin duart në këtë punë, duhet t’i kenë parasysh edhe raportet mes pasardhësve të Vëllezërve Krasniqi që kanë marrë pjesë në Luftën e Breznicës, disa prej të cilëve, të pakënaqur me… gjendjen, në shenjë mospajtimi për shumë gjëra: kanë ndërruar edhe mbiemrat.

Mu për këtë: edhe hartuesit e monografive, edhe autorët e emisioneve televizive, është dashur dhe duhet të sillen si miq dhe si dashamirë të të gjithëve, pa dallim, dhe si miq të së vërtetës (të cilën është dashur dhe duhet: ta studiojnë mirë dhe gjithanshëm. E jo NJËANSHËM, si deri më tani…

Sepse lufta e paraardhësve të këtyre familjeve na ka bërë nder dhe na mbush me krenari, edhe sot: të gjithëve. Mu për këtë konsiderojmë se ndaj veprave atdhetare të Vëllezërve Krasniqi të Lagjes së Hoxhajve në Breznicë - të atyre luftëtarëve dhe edukatorëve shembullorë, të gjithë ne të gjallët: edhe sot, pas gati një shekulli, e kemi borxh që të sillemi me shumë respekt, me shumë përgjegjësi dhe me dinjitet, siç na ka hije të gjithëve.

Andaj, siç u tha edhe më parë: çfardo që të shkruajmë për atë luftë heroike dhe për ato ngjarje e bëma të asaj kohe, edhe ndaj pasardhësve të tyre (ndaj të gjithë pasardhësve të tyre) duhet të sillemi si miq, si dashamirë dhe përbashkues rreth qëllimeve të mira, siç është ndriçimi i së vërtetës, e cila u bën nder të gjithëve, e nuk fyen e përbalt askënd.

E jo të krekosemi kinse po bëjmë diçka të mirë, e, në anën tjetër: tta shtrembërojmë të vërtetën (vetëm për hatër të një plae!)të hedhim benzinë në zjarrin që nuk i duhet askujt (përveç armiqve të këtyre familjeve dhe armiqve të kombit).

Mu për këtë, të gjithë ata që marrin mundimin për të shkruar ndonjë monografi të këtillë me ngjarje të vërteta historike: i lusim që, së pari: të marrin informacione nga të gjitha palët e mundshme, që të grumbullojnë fakte e argumente të mjaftueshme dhe të mos e bëjnë shkrimin e një monografie FONTANË DËSHIRASH të askujt. Sepse, në këtë mënyrë ne ulim vlerat tona: personale, por edhe vlerat shkencore dhe kombëtare.

12. Dhe, në fund: autorit të kësaj monografie, Fadil Currit, për të mirën e tij, duhet t’ia themi publikisht edhe këto fjalë: Ndryshimi i përmbajtjes së asaj që ka shkruar një autor, pa lejen dhe pa pëlqimin e tij (siç ka bërë në këtë rast Fadil Curri) është i ndaluar edhe me ligjin për të drejtat e autorit.

Përkundër këtij fakti, autori ka marrë guximin që edhe shkrimet dhe thëniet e mia lidhur me Luftën në Breznicë kundër kolonistëve serbomalazezë: t’i ndryshojë sipas qejfit të vet! Autori i këtij libri është dashur ta dijë se keqpërdorimi i emrit dhe i krijimtarisë së një autori tjetër: nuk i bën nder askujt.

Me këtë rast, duhet t’ua përkujtojmë lexuesve se një tregim imi, ku flitet me pietet për figurën e Mulla Idrizit (Hoxhë Breznicës), është botuar: edhe në Prishtinë në revistën FJALA, edhe në Tiranë, në revistën DRITA.

Gjithashtu, në romanin tim për fëmijë: “Shikimi në kornizë” kam shkruar, me dhembje të madhe, për meditimet imagjinare të Mësuesit Beqir të Hoxhajve, si dhe për ndjekjet dhe shpërnguljen e tij me dhunë për në Turqi.  

Megjithatë, përkundër këtyre fakteve, duke besuar se autori i kesaj monografie, këto veprime nuk i ka bërë me qëllim të keq, por për shkaqe të tjera, këtij autori, ne i urojmë vetëm shëndet, por, edhe më shumë vigjilencë në të ardhmen…
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)