29 Mars 2024

Lojërat e fundit në sindikalizmin e Kosovës

Shkruar nga Rrahman Jasharaj

Një pjesë e madhe e gazetarëve të Kosovës janë në moshë të re dhe,fatmirësisht, janë mjaft aktivë e profesionalë në përcjelljen e ngjarjeve. Ata nuk kanë si ta dinë premierën e TV novelës me Haxhiun personazh, prandaj nuk u hidhërohem pse nuk e pleqërojnë, ndonjë herë, drejt e me gjithë marifetet e këqija këtë personazh në një reprizë të keqe të lojës përçarëse të tij.

Haxhiu, media të nderuara, është nxënës i një shkolle të viteve të vrara të Kosovës kur në BSPK thuhej se individi është statut dhe se gjithë ata që nuk pajtohen me këtë duhet shkatërruar.

Shkatërrimin Haxhë sejmeni me bashkëpunëtorët e tij ishin munduar ta bënin pikërisht në Pejë dhe sponsor gjeneral të këtij aktiviteti përçarës  kishin biznesmenin Bekë Zeka.

Në vitet kur SBASHK-u  ishte kthyer në digë mbrojtëse kundër sulmeve serbe ndaj shkollës shqipe, Haxha me sejmenët tjerë nuk kursenin makina dhe benzinën e Bekës për të shkuar shkollë me shkollë e duke kërkuar që të përçahej e shkatërrohej  SBASHK-u  e për të vetmin shkak sepse po kishte në mesin e saj intelektualë e po guxonin të kërkonin rregull.

Haxha me Bexhet Rushitin, Mahir Muhaxherin e me ca të tjerë e me sponsor Bekën  e kishin parë atëherë se në Pejë nuk mund të përçahej e thyhej SBASHK-u dhe prandaj kishin marrë vendim të prerë  prej xhelati që këtë organizim sindikal të mësimdhënësve ta përjashtojnë dhe t’ia mbyllin dyert kudo munden.

Veprimtarë e sindikalistë nga Peja, Deçani, Klina e Istogu e mbajnë mend se si me “këshillat” e sejmenëve të BSPK-së së  Goranit e me lojërat e personazhit Haxho iu mbyllën dyert aktiviteteve që po organizonte SBASHK-u në kuadër të Manifestimit të  madh “Dita e mësuesit- festa jonë”.

Këtij Manifestimi Këshilli i atëhershëm i financimit në krye me Musa Rexhën i kishin ndarë si ndihmë 200 marka , por ishte Ramiz Zeka ai që i këshilluar nga sejmenët dhe Haxhiu, kryepersonazh sejmenësh, ua kishte ndalur këtë ndihmë.

Duke parë se SBASHK-u  në ato kohë të pakohë nuk po mund të thyhej e përçahej, Gorani, Haxha e sejmenët e tyre kishin gjetur  pesë e gjashtë individë , që punonin në arsim, dhe duke u  premtuar kolltukë , kishin deklaruar se e kanë arsimin në BSPK. Koha e keqe iku dhe po ajo kohë tregoi se SBASHK-u ishte organizimi më i mirë sindikal.

Kjo sindikatë u tregua se tërë dijen e mundësitë ia kushton arsimit shqip dhe mbrojtjes e zhvillimit të tij. Kjo Sindikatë organizoi me Ministrin e Arsimit Shqiptar dhe me EI-në edhe shkollën verore për fëmijët shqiptarë të Kosovës që po gjendeshin të strehuar  në Shqipëri e kudo në kohën zhvendosjes me dhunë nga aparati shtetëror vrastar i Serbisë.

SBASHK-u ishte digë e arsimit shqip edhe  në vitet e lirisë duke siguruar nga Sindikatat simotra ndihma  për mësimdhënësit dhe shkollën shqipe. Sa e çka bëri kjo Sindikatë u kujtohet gjithë atyre që truri nuk u është bllokuar nga lojërat e intrigat e Haxhiut.
   
Reprizë e TV novelës   bajate  me Haxhiun personazh

Pas luftës Haxhi Arifi kishte mbetur pak jashtë lojës për ca momente dhe po punonte me kujdes duke pritur rastin që të jetë prapë në skenë. E rasti i erdhi.

Mësimdhënësit ishin hedhur në grevë për të kërkuar mbrojtjen e kërkesave të tyre legjitime. BSPK-ja e udhëhequr nga Bahri Shabani, që u mashtrua në Sindikata e mjekësisë, nuk  qëndroi në  gjatë në mbrojtje të këtyre kërkesave dhe  kjo e irritoi arsimin.

Për ta dënuar këtë veprim të BSPK-së , SBASHK-u, gjegjësisht delegatët e saj, votën në Kongresin e BSPK-së ia dhanë Haxhi Arifit. Ia dhanë votën ama të gjithë përveç autorit të këtyre rreshtave. Haxha  “hypi” në fron dhe ec e zbrite nga aty.

Kur iu sos mandati ai e dinte se kush e ka hipur edhe mund ta zbres nga froni dhe iu kujtua ajo loja e vjetër dhe TV novela e bërrylave e mundësia për përçarje . Për të mbetur në fron ai e di se duhet krijuar probleme artificiale në sindikatën më të fuqishme, e që dikur ia kishte dhënë shtagën.

Si dikur, edhe sot, për Haxhiun mjafton t’i gjejë pesë a gjatë njerëz që janë të uritur për kolltukë dhe të thotë se ja e ka edhe arsimin në BSPK-në e tij amorfe e të mjerë.

Në faqet e opinioneve nuk lejohen me shumë rreshta , por unë me këtë shkrim, nëse botohet, u propozoj debat publik në cilëndo media elektronike dhe përballje në mediat e shkruara me Haxhiun dhe dy a tre sejmenë të tij, që e quajnë vetën arsimtarë dhe sindikalistë . Përballuni burrërisht me mua dhe le ta kuptojnë mediat dhe opinioni se kush jemi.

 (Autori eshte kryetar i Kuvendit të Sindikatave të Arsimit Fillor të Kosovë në kuadër të SBASHK-ut.)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)