29 Mars 2024

Libër analitiko-historik

Shkrua nga Mentor Barani

Publicisti Albinot Maloku këto ditë nxori nga botimi librin e tij “Pavarësia e Republikës së Kosovës në shtypin ditor të Bosnje-Hercegovinës”, ku përmes këtij libri analitiko-historik sjell të gjitha ato që shkruan gazetat në BeH nga data 15 deri me 20 shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

 

Qasja që ka përdor publicisti Maloku, librit në fjalë i jep karakter të një dokumenti me vlera të referimit, sidomos për studiuesit e gazetarisë, por edhe ata të historisë. Kjo nga fakti se libri “Pavarësia e Republikës së Kosovës në shtypin ditor të Bosnje-Hercegovinës”, për periudhën e lartcekur nxjerr momentet më të nxehta të pavarësimit të Kosovës.

Akti historik i datës 17 Shkurt 2008 kur  Kuvendi i Kosovës votoj deklaratën e pavarësisë së vendit, ishte lajmi më i rëndësishëm i atyre ditëve jo vetëm për mediet shqiptare në përgjithësi, por edhe për mediet botërore – vlerëson publicisti Maloku. Ndër të tjera ai veçon - Edhe mediet në Bosnje dhe Hercegovinë e përcollën me shumë interes dhe vëmendje ngjarjen historike për vendin tonë. Televizioni shtetëror “BHT1” transmetoi në lidhje të drejtpërdrejt atmosferën nga Kuvendi i Kosovës.

Autori i librit “Pavarësia e Republikës së Kosovës në shtypin ditor të Bosnje-Hercegovinës”, në mënyrën më koncize sjell atë çfarë shkruante shtypi në Sarajevë, Banja Llukë e Mostar. Pra, shtresimin medial të nënqiellit të shtetit boshnjak e sjell ashtu si është, pra i ndarë në përkatësit etnike të cilat jetojnë në këtë vend. Gazetat që përcolli publicisti Albinot Maloku janë ato më kryesoret në BeH si “Dnevni avaz”, “Nezavisne Novine”, “Dnevni List” dhe “Oslobodjenje”.

Se si kanë shkruar e raportuar të gjitha këto gazeta autori i përshkruan deri në detal në librin e tij. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, në kohen kur Kosova po shpallte pavarësinë e saj dhe njëri nga panelistët kryesor në promovimin e librit “Pavarësia e Republikës së Kosovës në shtypin ditor të Bosnje-Hercegovinës”, i cili u bë në Prizren, prof.dr. Sadik Idrizi kishte thënë: \"Gazetat ditore që janë përcjellë asokohe nga Albinot Maloku, në pesë ditët e para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë janë karakteristike edhe për gjendjen sot, pasi pasqyrojnë situatën në Bosnje dhe Hercegovinë”. Fakt ky i cili jep edhe një arsye për ta lexuar e studiuar këtë libër të analistit politik Albinot Maloku.

Bosnja dhe Hercegovina si shtet multietnik është i përbërë nga tre popuj konstitutiv dhe dy entitete. Të gjithë këta popuj konstitutiv të shtetit kanë mediat e tyre. Struktura etnike e lexuesve në këtë shtet dy-entitetesh më njohu mua si hulumtues të huaj me faktin që edhe opinioni publik është i ndarë para së gjithash në baza etnike. – shkruan autori Maloku në librin e tij.

Ai konstaton se - Përcjellja mediale e statusit e më pas edhe e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Bosnje e Hercegovinë, ka pasur ndikim të madh në krijimin e një imazhi të vërtetë për vetë procesin, por edhe për jehonën pozitive apo negative të pavarësisë së Kosovës në rajon.

Libri është i shkruar në gjuhën boshnjake, me një metodologji skajshmërisht të mprehtë, ku përmbledhja është e paraqitur në gjuhen shqipe, angleze dhe boshnjake.

Autori precizon se përmes këtij libri i drejtohet audiencës boshnjake, kroate e serbe në Sarajevë, Banja Llukë e Mostar për të treguar çdo gjë që shtypi ditor ka mundur ta paraqes si të vërtet edhe ato që nuk ishin. Recensent të librit janë dy gazetare të karrierës, Nadira Avdic-Vllasi dhe Ardita Behluli. Libri është i ndarë në katër kapituj, dhe i lehtë për tu kuptuar.

Libri “Pavarësia e Republikës së Kosovës në shtypin ditor të Bosnje-Hercegovinës” në Kosovë mund të gjendet në librarin “Toena” në Prishtinë, kurse pas promovimit në Sanxhak, Sarajevë e Shkup, pretendohet përkthimi i librit edhe në gjuhen shqipe.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)