25 Prill 2024

LDK dhe Lëvizja çlirimtare në Kosovë 1989 -1999

Shkruar nga Mr.sc. Metush Zenuni

(Reagim ndaj emisionit Target në RTK, i datës 07 gusht 2011)

Të dielën më 07 gusht 2011, në emisionin Target në RTK, gazetari Donat Syla kishte ftuar dy musafir, z. Jusuf Buxhovi, ish gazetar i Rilindjes dhe Historian dhe z. Milazim Krasniqi, shkrimtar dhe profesor në UP. Temë e këtij debati të një anshëm nga fillimi deri në fund ishte Kosova gjatë viteve 1989 -1999, respektivisht roli i LDK-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Fillimisht më duhet ta theksoj se gazetari Donat Syla ishte jashtë çdo niveli gazetaresk dhe shumë i pa përgatitur për të shtjelluar këtë periudhë komplekse të historisë së popullit shqipëtar të Kosovës dhe së dyti gabimi i redaksisë dhe gazetarit Syla ishte që për të debatuar rreth kësaj periudhe është dashur të ftohen edhe historian e analist të pavarur si dhe veprimtar të Lëvizjes ilegale, konkretisht të LPK-së, e cila siç dihet kishte rolin kryesor në organizimin e rezistencës aktive dhe ishte themeluese e mbështetëse e UCK-së, opozitë  e LDK-së dhe  kundështare e okupatorit serb.

Edhe pse në aspektin privat kam respekt për z. Milazim Krasniqi, dy analistët e pranishëm, duke qenë edhe themelues të LDK-së gjatë tërë debatit mundoheshin të arsyetonin aktivitetin e LDK-së, madje, madje edhe ta paraqisnin si Lëvizje kombëtare për çlirimin e Kosovës. Megjthate, paraqitja e liderit pacifist Ibrahim Rugova, në TV France 3 në vitin 1997, ku flet lidhur me atentatin e UCK-së kundër Rektorit të dhunshëm serb në UP Radivoje Papoviq dhe aksionet e UCK-së të asaj periudhe, ky lider ,,Kryetari historik“ i LDK-istëve na del një DON KISHOT i kohës, një qyqar dhe një Esadist, i cili pa fije turpi thotë se ,, ne nuk jemi të aftë të bëjmë luftë, sepse Serbia do të na vras për një kohë të shkurtër dhe do të na dëbojë nga Kosova“, ndërsa UCK-në e cilëson si ,, lojë serbe dhe anëtarët e UCK-së si njerëz të sigurimit sekret  serb“. Kur gazetari Syla i pyet të pranishmit për këtë qëndrim të liderit Rugova, dinaku dhe njeriu shumë i dyshimt  Jusuf Buxhovi, përgjigjet se Rugova ishte udhëheqës politik i Kosovës dhe normal që nuk duhej ta pranonte haptas ekzistencën e UCK-së.

Sa mirë sikur vërtetë të ishte ashtu, por fatkeqësisht faktet dhe koha në vazhdim deri në përfundimin e luftës së armatosur në Kosovë e demantojnë plotësisht dinakun Buxhovi dhe gjithë adhuruesit e politikës qyqare dhe Esadiste të Ibrahim Rugovës. Përderisa Milazim Krasniqi, i cili më vonë doli kundër politikës qyqarë të Ibrahim Rugovës dhe u largua nga LDK-ja, e pranoi se politika e LDK-së ishte produktive deri në vitin 1995, por pas Konferencës së Daytonit ku u nënshkrua marrëveshja për paqe në mes të Serbisë dhe Bosnjës, populli e hetoi se çështja shqipëtare nuk mund të zgjidhet me konferenca shtypi dhe filloi të largohet nga LDK. Ky është dështimi më i madh i LDK-së, thotë Milazim Krasniqi.

Megjithate as Milazim Krasniqi, e aq më pak Historianti injorant dhe tendencioz Buxhovi, si  intelektual dhe politikan që vepruan në një periudhë të rëndësishme për Kosovën nuk patën kurajo dhe guxim qytetar e intelektual të thonë të vërtetën për këtë periudhë dhjetëvjeçare dhe formën se si Kosova nga një shtet i okupuar arriti të çlirohet vetëm atëherë kur një pjesë e popullit u bind se politika qyqare e Ibrahim Rugovës dhe LDK-së e krijuar nga njerëzit e regjimit komunist dhe pa taban kombëtar nuk mund të zgjedh një çështje e cila duhet të zgjidhet vetëm përmes grykës së pushkës dhe me luftë të armatosur.

Në këtë debat gazetari Syla do të duhej të pyeste zotërinjtë Krasniqi e Buxhovi se :

1.      Kush e formoi LDK-në

2.      Cili ishte subjekti politik, i cili vepronte edhe para vitit 1989, dhe i cili nuk u mashtrua asnjëherë nga demokracia pa liri që e ofronte LDK,

3.      Pse dështoi Ministria e Mbrojtjes,

4.      Kush e formoi UCK-në dhe cili ishte qëndrimi i LDK-ë,

5.      Pse u formua FARK-u dhe cili ishte roli i tij gjatë periudhës mars 1998 –qershor 1999,

6.       Kush e udhëheqte FARK-un dhe cila ishte biografia e Tahir Zemës e Ahmet Krasniqit (Fikret Abdiqët e Kosovës),

7.       Pse LDK udhëhoqi propagandën anti UCK deri në fund të luftës,

8.      Pse Fondi i 3% nuk u derdh për luftën e UCK-së dhe kush e financonte UCK-në,

9.      Cili ishte roli i Qeverisë tradhëtare të Bujar Bukoshit në perëndim, e shumë e shumë pyetje tjera të cilat një pjesë e madhe e popullit ende 13 vjet pas luftës nuk i din apo i ka të mjegulluara, në mas të madhe edhe me vet fajin e bartësve të luftës, të cilët për interesa të ngushta personale e partiake, po e mohojnë të kaluarën e tyre të lavdishme dhe po trubullojnë të vërtetën e të kaluarës jo të largët.

Përgjigjia për të gjitha kët pyetje do të ishte se krijimi i LDK-së në vitin 1989, në kohën e përfundimit të luftës së ftohtë dhe rënien e sistemeve komuniste në Evropën Juglindore kishte efekt pozitiv vetëm në ate se populli u largua nga LKJ dhe doli në LDK, gjë që do të ndodhte edhe pa formimin e LDK-së. E vërteta tjetër poashtu është se sido qe të jetë, organizimi i LDK-së krijoi klimën pluraliste të veprimit në kuadër të mundësive dhe kohës, mbajti gjallë arsimin shqip dhe për një kohë siç e tha edhe zoti Krasniqi e largoi frontin e luftës, në kohën kur as shqipëtarët e Kosovës e as shteti shqipëtar nuk ishin të përgatitur për luftë.

E gjithë e kaluara tjetër dhe ekzistimi i LDK-së ishte një fatkeqësi për popullin e Kosovës, i cili nga një popull kryengritës dhe luftarak u shëndrrua në një popull qyqar, lypës deri në monotoni, i pa aftë për të ndryshuar situatën dhe gjendjen e robërisë që e kishte krijuar okupimi serb.

Në këtë mes fati i Kosovës ishte ekzistimi i LPK-së, kësaj organizate politiko – ushtarake e atdhetare të shqipëtarëve nën ish –Jugosllavi, e të cilën Titistët e LDK-së e akuzonin se është organizatë Marksiste –Leniniste, Enveriste dhe terroriste, duke i shkaktuar dëm të madh Lëvizjes atdhetare dhe çlirimtare në Kosovë.

Lëvizja Popullore e Kosovës  edhe pas vitit 1989, kur në luftime ra heroikisht  udhëheqës i saj Afrim Zhitia, edhe pas viteve 1991 -1995, e deri në përfundim të luftës në vitin 1999, asnjëherë nuk rreshti së kërkuari rrugë të mundshme për çlirimin e Kosovës përmes luftës së armatosur dhe njëkohësisht duke e demaskuar politikën qyqare të Rugovës dhe LDK-së, qoftë me komunikata, qoftë me shkrime në gazetën e saj ,,Zëri i Kosovës“ dhe në gazetën e studentëve ,, Bota e Re“.

Pas konferencës së Daytonit më 1995, LPK, e cila tanimë kishte themeluar UCK-në dhe fondin e saj ,,Vendlindja Thërret“filloi të veproj aktivisht në terren duke organizuar sulme të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë pushtuese serbe. LDK aksionet e UCK-së i quante si akte terroriste dhe djemt më të mirë të kombit i akuzonte se janë dorë e zgjatur e serbisë, ndërsa delegacione të LDK-së në krye me Ibrahim Rugovën udhëtonin për Beograd dhe takoheshin me xhelatin e Ballkanit Sllobodan Millosheviq.

-          Athua kësaj i thoni lëvizje kombëtare zotërinj Buxhovi dhe Krasniqi?

-          Athua sipas jush organizimi i ,,zgjedhjeve të lira nën robëri“  në kohën e fillimit të luftës së armatosur në mes të UCK-së dhe forcave çetnike serbe në Kosovë në mars 1998, është veprim i një lëvizje politike atdhetare siç pandehni ta quani ju LDK-në, apo veprim qyqar, dashakeqës dhe antikombëtar?

-          Athua krijimi i FARK-ut dhe qëndrimi anti UCK i Qeverisë Bukoshi në mërgim dhe i LDK-së brenda dhe jashtë shtetit duke pëqarë popullin dhe duke rrezikuar edhe luftë të brendshme quhet Lëvizje kombëtare?

Jo. Formimi dhe aktiviteti i LDK-së në vitet 1989 -1999 ishte me qëllimin më të keq për të penguar Lëvizjen ilegale për çlirimin e Kosovës, veçanarisht LPK-në. Qëndrimi i Ibrahim Rugovës, Bujar Bukoshit dhe strukturës së LDK-së, me përjashtime të vogla ishte ana e kundërt e Lëvizjes atdhetare dhe si e tillë është e denuar të përfundojë në pjesën më të errët të historisë së Kosovës në këto vite të lavdishme.  

Prandaj është jo logjike, jo demokratike dhe jo njerëzore që një Lëvizje antikombëtare siç ishte LDK ende të dalin individ dhe intelektual siç janë Buxhovi e Krasniqi, apo edhe të tjerë të mundohen ta shtrembërojnë historinë dhe faktet kokëforte që flasin të kundërtën e asaj që thoni ju.

(Autori eshte historian, veprimtar i LPK-së dhe veteran i luftës çlirimtare)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)