25 Prill 2024

Kush kujt po ia kthen

Shkruar nga Zejdush Kastrati

“Kryeministri aktual, Hashim Thaci, nuk bënë asgjë pa izën dhe vizën e ndërkombëtarëve. Si kompenzim për këtë dëgjueshmëri dhe lojalitet, ai po vendos për gjithçka në këtë Kosovë. Nuk konsulton askë nga vendorët, por pothuaj të gjithë në kabinetin e tij qeveritar, edhe institucionet tjera të Kosovës që i ka në dorë dhe asnjëri nuk merr vendime dhe nuk vendos pa dijen dhe konsultimin e këtij kryeministri.

Pos Qeverinë, në të cilën siç dihet edhe është “baba” e “mbret” edhe në Parlament, Presidencë e institucione tjera, për çdo vendim që merret, domosdo paraprakisht njoftohet z. Thaçi.

Asnjë ambasador apo staf tjetër diplomatik i akredituar i Kosovës, nuk mund të emërohet pa konsultimin paraprak të këtij kreyministri.

Edhe në bordet e kompanive publike, pastaj në RTK, e për menaxher të kompanive publike, patjetër që fjalën e fundit e jep i plotfuqishmi po ky Hashim Thaçi!

Janë vetëm disa përfolje dhe opinione nga ato që i ceka në fillim të këtij shkrimi, e që kemi pasur rastin shumë herë t’i dëgjojmë nga goja dhe diskutimet edhe të disa politikanëve, kinse të brengosur e të zemëruar për këtë gjendje pastaj disa opinionistëve, gazetarëve, por edhe nga taborri opozitar e pushtetar, por i kemi dëgjuar shumë herë edhe nëpër ndeja e koluare, por gjithnjë larg Thaçit, apo njerëzve më të besuar të tij, por herë pas here kemi pasur rastin edhe t’i lexojmë në ndonjë shkrim të ndonjë gazete, apo mediumi tjetër elektronik, e që flasin për “fuqinë” dhe gjithëpushtetin e këtij lideri dhe politikani, i cili prej se është kryeministër i Kosovës gjithnjë bëri atë që deshi, apo që i kërkuan, pikërisht disa nga ndërkombëtarët ta bënte.

Pra, kryeministri, Hashim Thaçi, mund të themi se është “shitur” i tëri para ndërkombëtarëve dhe fuqia e tij absolute për vendimmarrje dhe për të vendosur për gjithçka në këtë Kosovë, derivon nga ky fakt, që lidhet kryekëput rreth disa proceseve që e presin Kosovën, edhe mund ta ketë një mbështetje blanko nga po këta ndërkombëtarë, e që nuk është për t’u kontestuar, por fatkeqësia më e madhe për gjithë popullatën e në veçanti për intelektualët, shumicën e liderëve politikë, pastaj zëvëndëskryeministra, minista e zëvëndësministra, që janë me bollëk, shumicën e deputetëve, për persona që mbajtën burgje me vite të tëra dhe mbajnë një bagazh të madh angazhimesh për çështje kombëtare, pastaj pronarë mediash e gazetarë, pjesën më të madhe të shoqërisë civile, pothuaj komplet opozita e edhe ajo jashtëparlamentare, shumë rrallë shkarazi apo asnjëherë gjatë kësaj periudhe nuk artikuluan dhe nuk drejtuan kërkesa të qarta e të fuqishme ndaj këtyre veprimeve dhe devijimeve të këtij kryeministri, por më tepër iu vardisën apo i kërkuan lëmoshë për benefite personale apo akomodime, duke harruar shumë shpejt gjithë ato që herë pas here i kanë cekur aty ku më së paku kanë pasur nevojë të ceken.

Pra, (nëse), Hashim Thaçi është “shitur” para ndërkombëtarëve e që kuptohet e pranuam apo jo, kjo Kosovë edhe është projekt i disa fuqive ndërkombëtare që kanë bërë investime kolosale për të larguar pushtetin serb, megjithatë fajin më të madh për këto dështime e devijime dhe për këtë gjendje me të cilën po ballafaqohet Kosova në shumë sfera e kanë pikërisht të tjerët, pra gjithë spektri politik si nga pozita ashtu edhe opozita, por edhe segmentet tjera, duke u nisur nga bota akademike e intelektuale, të cilët janë “palosur” dhe ia kanë “kthyer”… po këtij kryeministri, i cili dorën në zemër, me zhdërvjelltësinë e strategjinë shumë perfide, po di t’i shfrytzojë këto dobësi edhe t’i deklasojë gjithë kundërshtarët politikë, por edhe ata që i ka afër veti dhe po qeveris me këtë Kosovë, tani e dy mandate, sikur të ishte pronë e tij private, pa fije dyshimi se dikush brenda Kosovës do ta rrezikojë, e të mos flasim, ta rrëzojë pushtetin.

Gati çdo pushtetar, në veçanti në Ballkan, do të vepronte sikur Hashim Thaçi po t’i jepej mundësia të qeveriste e në anën tjetër, sikur të mos ishte e zëshme opozita, shoqëria civile, mediat e bota intelektuale, por si duket ne si kolektivitet dhe shoqëri e që është pothuaj shembull i njëjtë edhe në Shqipëri, Maqedoni e gjithkund në Ballkan ku jetojnë shqiptarët, dallohemi për servilizëm të tepruar ndaj pushtetit e pushtetarëve që i mbivlerësojmë dhe në veçanti ndaj liderëve, që herë-herë i llogarisim edhe sikur të ishin hyjnorë e të paprekshëm.

Përkundër servilizmit të tepruar që ka përshkuar gjithnjë pushtetarët, edhe në regjimet që e përcollën gjithnjë në vazhdimësi Shqipërinë, është intersant një e vërtetë e paraqitur nga i madhi Faik Konica, i cili në vitin 1938, derisa ishte në cilësi të ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, me dekret të Zogut, gjatë një vizite që i kishte bërë një pasues i trashëgueshëm i Zogut, Aburrahman Salihu, pas qëndrimit disaditor dhe mikpritjes shumë mbresëlënëse në Uashington që i kishte bërë ambasadori Konica këtij personi dhe dy motrave të Zogut, në largim e sipër kur kishte kërkuar të përcillte tek mbreti Zogu ndonjë mesazh, apo dëshirë personale, të ambasadorit Konica, ai fillimisht kishte kërkuar që mesazhi t’i transmetohej pa asnjë ndryshim dhe pasi kishte marrë garancë i kishte thënë Salihu: ”Unë do t’i shërbej mbretit me besnikëri dhe pa u grindur, sepse unë jam përfaqësues i tij, por përsonalisht unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij”.

Kur z. Salihu kishte kërkuar të sigurohej se vërtet a dëshironte ambasadori Konica t’ia thoshte të gjitha këto mbretit Zogu, ai kishte kërkuar që patjetët të mbante premtimin e dhënë dhe t’i dërgonte këto mesazhe, duke shtuar se ai ”e përbuzte mbretin Zogu, sepse ai nuk e thotë të vërtetën, nuk e mban fjalën, nuk ka ndjenjë përgjegjësie, është i pandershëm, i pashpirt, egoist e i pangopur, i urren të gjithë që kanë pasuri, dituri, kulturë, patriotizëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep rëndësi groteske cikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë e njohur si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”, ka thënë pos edhe shumë gjërave tjera në këtë mesazh drejtuar Mbretit Zogu, i madhi Faik Konica edhe pse ishte ambasador i emëruar pikërisht nga Zogu në ShBA.

Por, shtrohet pyetja: a ka pasur ndonjë kritikë përafërsisht të këtillë ndonjëherë ndaj kryemnistrit Thaçi prej se ai është më “i forti” dhe pse nuk i është bërë në veçanti nga ata që i ka pasur afër e që herë pas here aty ku s’është vendi e kuvendi, edhe po e kritikojnë?!

Kritika e arsyeshme me vend dhe në interes të vendit e kombit, sado që me vështirësi mund edhe të pranohet nga ana e atyre që u drejtohet, përkundër pasojave është obligim primar i një shoqërie e cila pikësynim dhe objektiv e ka zhvillimin dhe demokratizimin e vendit e që për momentin më së shumti po i nevojitet Kosovës sonë, të artikulohet dhe t’i drejtohet kushdo qoftë ai.

Deri më tash, në këtë drejtim jo vetëm me Thaçin jemi mbrapa për të mos thënë shumë mbrapa, andaj edhe përgjegjësia nuk është vetëm e një individi, por e të gjithë neve si kolektivitet…

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)