10 Maj 2021

Kush e ka provuar, e vlerëson

Shkruar nga Zejdush Kastrati

Vetëm ata që e kanë shijuar “lezetin”, që iu ofron koha dhe mandati, veçanërisht, kur je në pozita kyçe të institucioneve, e në veçanti, afër të “mëdhenjve”, munden dhe dinë të japin vlerësime dhe opinione meritore, se çka do të thotë të jesh në pushtet, në Kosovë, dhe atë, si në kohën e Ibrahim Rugovës por edhe të tjerëve, e në veçanti, tash në kohën e Hashim Thaçit, më thotë”pa dorëza” një ditë, një person, i cili, mbi 8 vjet, ishte në një pozitë, në të cilën, tash nuk është më, por kuptohet, nuk po zgjedh mjete e metoda, që mundësisht, sërish të kthehet aty ku ishte.

Pushteti, sidomos në Kosovë, të sjellë aso benefite dhe të mira, që as në ëndërr nuk mund t’i kishe parë, duke filluar , në radhë të parë në disponim personal që menjëherë të krijon posa të ulesh në pozitë, pastaj respektin që krijon, që nga familja e ngushtë, shokët e miqtë, fqinjët, pastaj edhe nga ata që të kanë dashur, por edhe ata që të kanë urryer,”dyert e hapura” gjithkund, si në institucione shtetërore, ashtu edhe në lokale private, biznisore, i privilegjuar, para doganierit, policit, e gjykatësit, në Universitet, spital… veturë që vjen të merr në shtëpi dhe të kthen e të dërgon ku ta dojë qejfi, femra të bukura afër vetes, që me sharmin e bukurinë që të ofrojnë, të zgjasin jetën, mediet që të përcjellin në çdo hap dhe të cilat të promovojnë si “yll”,dreka e darka në hotele e restorante luksoze si në vend ashtu edhe jashtë, pagë e mëditje pa mund e pa u djersitur fare…e shumë, e shumë të mira tjera, i përjeton gjatë kësaj kohe, pa u skuqur fare, pa u marruar fare, pa dhënë ndonjë përgjegjësi, dhe pa u brengos fare se dikush po të shikon apo përcjell, pos kujdesit dhe rrezikut, që të mos prishesh me “shefin”, më thotë, kuptohet, paksa nën ndikimin e alkoolit, e më tepër nostalgjisë dhe merakut e kompleksitetit, që e mundonte “ish- pushtetarin”derisa rastësisht, na kishte bashkuar fati e ndeja në një aheng dasme, në një hotel të Prishtinës.

Nuk po ju rrej, dhe nuk po fsheh asgjë, betohej “ish-pushtetari”, i cili shprehte një lloj pendimi, që një ditë prej ditësh, ishte fjalosur me “shefin”për një çështje minore, por për te shumë parimore, dhe pa ndonjë peshë të madhe, dhe si pasojë e këtij konfrontimi, edhe kishte pësuar dhe ishte shkarkuar në mënyrë shumë perfide, pas disa ditësh, siç tregonte ai, por ishte, edhe vetakuzues dhe vetëkritik, që nga të mirat dhe jetën që kishte bërë gjatë atyre 8 vjetëve “të arta”, kur”vrante e prente” dhe nuk brengosej për asgjë, dhe se gjithnjë kishte menduar dhe thënë vetëm ”zgjate zot…”.

Kisha besim në vetvete, se për“shefin” isha i pazëvendësueshëm, sepse i kam bërë shumë të mira edhe atij, por e kisha pas llogaritur gabim, pasi që të tjerët, që pritnin në rend, tashmë janë akomoduar edhe më mirë, dhe përkundër selameve, kërkesave indirekte, lëvdatave, por edhe shantazheve që ua kam dërguar, disa “mësitë”, si duket, vetëm sa për të më mbaru qejfin, po më gënjejnë, sepse tashmë është bërë vonë, dhe vështirë se më mund të përjetoj edhe një herë, diçka të tillë, në jetën time”, shprehet ish-pushtetari.

Gabimi im në raport me “shefin” ka qenë shumë vogël,por si duket u keqkuptuam, vazhdon ish-pushtetari, i cili falë zhdërvjelltësisë, përvojës, por edhe apetiteve karrieriste që shfaqte në vazhdimësi, nuk i la anash, pa i komentuar edhe shumë raste të ish- pushtetarëve por edhe disa të tanishëm, të cilët, për të mbetur në pushtet, japin edhe më të dashurit e tyre, dhe bëjnë gjithçka, vetëm e vetëm të mbesin aty ku janë, por gjithnjë, sipas tij, janë edhe veprime të arsyeshme , kurse për ata që se kanë provuar, mund edhe të mos përfillen e kritikohen, por kjo është e vërteta për pushtetin e Kosovës, shprehej ish-pushtetari.

Shikoje, Pacollin, i cili llogaritet se është më i pasuri në Kosovë, dhe i cili mund të bëjë jetën më të mirë në cilindo kënd të botës, por si edhe shumë të tjerë, edhe ai “lezetin” më të madh e ka gjetur dhe po e përjeton në Kosovë, përkatësisht në “pushtetin e artë” të Kosovës, dhe përkundër kritikave që po i bëhen, ai kurrsesi nuk po largohet nga posti që ka.

Pastaj, rasti presidentes, z.Atifete Jahjaga, e cila po deklarohet se kurrsesi, nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentes së vendit, dhe e cila po thirret në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, a s’është rasti më konkret se edhe kur nuk respektohen asnjë normë juridike, edhe kur shkelet pikërisht Kushtetuta e ligjet, dhe vjen edhe në formë klandestine, posa të ulesh në atë post, vetvetiu i shtyrë nga rrethanat, mentaliteti dhe atmosfera që krijohet në kontinuitet, nuk zgjedh mjete e forma, betohesh e thirresh në Kushtetutë e ligje ekzistuese, të cilën e ke shkelur me të dy këmbët, lutesh e kërcënon, vetëm e vetëm, për të mbetur aty ku je, sepse të jesh në këtë pushtet dhe t’i shijosh frytet dhe atë, çka të ofron ky pushtet, mund ta përjetosh, ndoshta vetëm në “parajsë”, për të cilën vetëm flitet, por nuk e kemi provuar kurrë.

Unë pushtetin në Kosovë e kam provuar dhe përjetuar, andaj edhe po e them”Ah pushtet, pushtet…”, u rrëfye, pos shumë gjërave tjera, ish-pushtetari, që pikësynim e kishte, që edhe një herë të ulet në postin që kishte pasur, apo edhe diku tjetër, por vetëm afër “shefit”, dhe më vraftë zoti nëse prishem më dhe nëse nuk e dëgjoj çka thotë shefi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Maj 2021

- Familja Haliti nga Gjilani mban konferencë për medie lidhur me vdekjen e tre anëtarëve të saj në Shqipëri. (Rr. Hamdi Pogragja, Gjilan, ora 11:00)

- Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi mban konferencë për medie. (Salla “1 Tetori”, ora 12:00)