19 Prill 2024

Kryetari që spiunon dhe denoncon shokët dhe bashkëpunëtorët e tij

Shkruar nga Xhevat Bislimi

 

Kryetari i sotëm i Komunës së Vitisë (me legjitimitet dhe legalitet tashmë të kontestuar gjerësisht) ishte një emër i zakonshëm në Viti dhe krejtë i panjohur (anonim) jashtë saj. Ne, që e konsideronim shok tonin, e propozuamë dhe e bëmë kandidat tonin (Dega e PDK-së në Viti) për kryetar komune.

Me një angazhim dhe mobilizim të anëtarëve dhe simpatizantëve tanë, që nuk ishte parë në komunën e Vitisë kurrë më parë, ia dolëm ta bëjmë dy herë kryetar (në balotazh).

Dega e PDK-së, dhe veçmas ne, që e konsideronim shok tonin u angazhuamë dhe besonim fuqishëm se në komunën e Vitisë mund të punohet dhe të qeveriset shumë më mirë se sa punoi dhe qeverisi LDK-ja gjatë shtatë viteve. Për dy vite dëshmuamë dhe dhamë prova të mjaftueshme të një qeverisjeje më të mirë, duke tejkaluar edhe parashikimet dhe mundësit tona...

Mirëpo, N. Arifi, sapo mori mandatin e dytë katërvjeçar hoçi maskën dhe doli fare zbuluar me fytyrën, moralin, presonalitetin dhe karakterin e tij tepër të dyshimtë. Ky njeri me tërë angazhimin, "pushtetin" dhe mundësit e tij, që nga fillimi i mandatit të dytë (më shumë se një vit), u vërsul kundër shokëve, bashkëpunëtorëve dhe partisë që e kishte fituar mandatin për të qeverisur.

Duke shpërdoruar pozitën dhe mandatin që ia kishim dhënë dhe e kishim fituar ne, N. Arifi, (ri)organizoi nëntokën e Vitisë ("klanin e Zemunit", siç e quan populli i Vitisë) kundër PDK-së dhe shokëve e bashkëpunëtorëve me të afërt.

Shkarkoi nga detyra njerëzit më të afërt, njëherit anëtarë të Kryesisë së Degës dhe i zëvendësoi ata me kundërshtarët e PDK-së ( si: A. Bajrami, H. Ymeri, I. Jashari, A. Sylejmani, M. Azizi, M. Bajrami, etj.).

Synim dhe qëllim i vetëm i këtij diferencimi, i kësaj fushate kundër PDK-së ishte hapja e dyerëve korrupcionit, shpërdorimit dhe kontrabandës me mandate, me paranë publike, me prona, me tenderë, me punësim dhe me çdo gjë që mund të shpërdorohejë, kontrabandohejë dhe trafikohejë....

Në shërbim të këtij qëllimi dhe për këtë qëllim, N. Arifi nuk ngurroi edhe t'i spiunonte dhe denonconte shokët, bashkëpunëtorët dhe bashkëpartiakët e deridjeshëm pranë zyrave dhe ambasadave të huaja në Kosovë!! Pas shtatë muajsh na ra në dorë një letër, të cilën N. Arifi, në emër të Komunës dhe të qytetarëve tanë, ia kishte dërguar (pa protokolluar, tinëz) Ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, në Prishtinë.

Me këtë letër, N. Arifi, pasi denonconte shokët dhe bashkëpunëtorët e tij të parë si "kundërshtarë" të demokracisë (antidemokratë) dhe të decentralizimit (komunës "serbe" të Kllokotit), e njofton atë (Ambasadorin) me kënaqësi të veçantë se tashmë ka shkarkuar nënkryetarin e Komunës, H. Halilin, dhe se do t'i shkarkojë të gjithë (shokët dhe bashkëpunëtorët e tij, (ata që kishin fituar zgjedhjet) këta "armiqë" të demokracisë dhe të decentralizimit...

Pastaj, në mënyrën më përulëse dhe më vetëposhtëruese e luste në tokë e qiell Ambasadorin Dell që të vinte t'ia bënte një vizitë në Komunë dhe të hanin bashkë një drekë pune, sepse kështu do ta ndihmonte dhe "shpëtonte" nga këta "armiqtë" (shokët e tij) e demokracisë dhe të "decentralizimit"!!

Metoda të këtilla udbeske, metoda të këtilla spiunimi dhe denoncimi, me qëllimin e vetëm: diferencimin, diskreditimin dhe eleminimin e shokëve dhe të bashkëpunëtorëve na i kujtojnë kohët e errëta të Jugosllavisë (Serbisë) pushtuese dhe të regjimeve diktatoriale fashiste... Kjo letër dëshmon se deri ku mund të shkojë shpërdorimi i besimit, i mandatit dhe i pozitës së një zyrtari, kryetari komune.

N. Arifit ia hante mendja se mund ta shpërdoronte edhe miqësinë e Kosovës me Amerikën për qëllimet e tij të ulta, rrënuese, antinjerëzore, antidemokratike dhe anticivilizuese!!

Ambasadori Dell natyrisht që nuk mund të vihejë në shërbim të një injoranti, intriganti, spiuni e denoncuesi të kësaj shkalle të ulët, në shërbim të një njeriu që po hante shokët dhe bashkëpunëtorët e tij të parë, prandaj nuk erdhi deri më sot në Viti. Ambasadori Dell nuk mund të vinte t'ia jepte krahun këtij kryetari dhe kësaj qeverisjeje hajdute, të korruptuar, kontrabanduese që shpërdoron paranë publike, që nuk njeh ligje dhe rregulla për qeverisje, që ka marrë drejtësinë në duart e veta.

Ky njeri, N. Arifi, në fakt ka instaluar një qeverisje banditeske me të gjitha karakteristikat mafioze, arbitrare, të dhunëshme, antiligjore, të pamoralshme dhe tepër të dëmshme për komunën e Vitisë dhe qytetarët e saj. Për të gjitha këto paudhësi, N. Arifi, thotë se e ka përkrahjen e Hashim Thaçit, duke dashur ta “inkriminojë” edhe Kryeministrin në veprimtarinë e tij antiligjore, të pamoralshme dhe mafioze.

Qytetarët e Vitisë, por edhe partitë politike dhe shoqatat joqeveritare janë indinjuar me të drejtë nga zbulimi i kësaj letre denoncuese dhe nga veprimet antidemokratike, të pamoralshme dhe spiunuese te N.rifit, i cili ka shpërdoruar besimin, votën dhe vlerat demokratike, kulturore e qytetare të popullit shqiptar të Vitisë.

N. Arifi nuk ka arritur deri më sot ta kuptojë (me sa duket nuk do ta kuptojë kurrë...) që Nexhmedin Arifi është kryetar komune, por Kryetari i Komunës nuk është Nexhmedin Arif... Në momentin që ka kërkuar dhe ka marrë besimin e partisë dhe të qytetarëve për ta qeverisur komunën është dashur të ndahet nga e kaluara e tij, që tashmë po dëshmohet si shumë e dyshimtë.

I gjithë angazhimi i tij në krye të komunës po dëshmon se ky njeri është rob i së kaluarës së tij të dyshimtë. Shpërdorimi i detyrës zyrtare, i fondeve publike, i ligjeve në fuqi, i autoritetit të veshur me mandat, i votës së lirë, etj. kanë kaluar çdo kufij dhe normë "normale". Prandaj, me të drejtë Dega e PDK-së është tërhequr nga koalicioni dhe ka kërkuar dorëheqjen e N. Arifit, që t'i hapet rrugë drejtësisë dhe një qeverisjeje të mirë dhe të merituar nga qytetarët tanë.

Më poshtë po japim letrën (në anglisht dhe shqip) që N. Arifi ia ka dërguar Dellit. Sigurisht që ka edhe letra dhe denoncime e spiunime të tjera dhe në adresa të ndryshme të bëra nga ky njeri...

                                                  ***

Për Ambasadorin amerikan në Kosovë, z. Kristofer Dell
Nga Nexhmedin Arifi, kryetar i Komunës së Vitisë
Më 18. 07. 2011

I nderuar Ambasadori Dell,

Fillimisht, në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vitisë, dua t'ju përshëndes dhe t'Ju uroj Ju dhe Ambasadës suaj në Kosovë punë të mbarë! Këto urime i kam edhe për popullin dhe Qeverinë amerikane!

Jam i privilegjuar t'ju drejtohem për herë të dytë me letër Juve, një miku të Kosovës dhe Komunës së Vitisë, pas asaj letre që mora nga Ju, e cila letër më informonte për disa vendime të Ambasadës suaj për gjendjen që kishim në Viti në atë kohë.
Çdo letër, fjalë apo veprim i Juaji, Qeverisë suaj dhe popullit amerikan për mua si kryetar dhe për njerëzit e Vitisë është i rëndësishëm, i sinqertë dhe miqësor. Prandaj, unë sapo i kuptoj i marrë ato me një seriozitet të madh.

I dashur mik,

Dëshiroj të theksoj se unë kam kaluar shumë sfida për të arritur në situatën ku jam sot. Hapi i parë ka qenë të marrurit vesh me njerëz, të cilët për arsye të ndryshme ishin një zë i fortë i vlerave jodemokratike, jo miqësore dhe këta njerëz nuk donin të pranonin realitetin pas decentralizimit (krijimit) të komunës së Kllokot-Vërbocit dhe disa zhvillimeve të tjera.

Ajo kohë rezultoi me një imazh të keq për Komunën e Vitisë, duke përfshirë edhe qeverisjen time dhe situatën gjithpërfshirëse.

Të merrem vesh me këta njerëz nuk ishte e lehtë, por më lejoni t'Ju informoj, se në emër të vlerave demokratike, ligjit dhe të ardhmes së popullit të Vitisë, bazuar edhe në sugjerimet tuaja miqësore, të gjithë këta njerëz me koncepte të tilla janë trajtuar mjaftueshëm dhe janë liruar nga pozitat e tyre, siç është zëvendëskryetari, por edhe nga pozita të tjera në administratë.

Mbetet edhe shumë për të bërë në drejtim të krijimit të një satandardi njerëzor, ekonomik dhe të mirëqenies sociale, për çka në këtë kohë unë kam ndërmarrë mjaft veprime, duke filluar nga nxjerrja e planit komunal për zhvillim urban, por gjithashtu edhe veprime të tjera në drejtim të vlerave demokratike, ligjit, mbështetjes ekonomike dhe zhvillimeve demokratike, në të cilat ne besojmë dhe ku ne synojmë.

Disa mbështetës të atyre njerëzve për mua dhe qeverisjen time ende janë sfidë, por unë besoj se jam në një pozitë të favorizuar për t'Ju ftuar juve të më vizitoni dhe të hamë një drekë pune në Komunën e Vitisë.

Unë e di se Ju jeni shumë i zënë me të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj, pastaj është edhe kohë pushimesh, megjithatë vizita juaj do të konsiderohet si mbështetje për demokracinë, tolerancën multietnike, por gjithashtu edhe për zhvillimin e komunës sime.

Do të isha mirënjohës dhe falënderues nëse Ju do të vendosnit të vizitonit Komunën e Vitisë. Unë besoj se Ju mund të na ndihmonit shumë me sugjerimet tuaja për zhvillimet në të ardhmen dhe vlerave demokratike, ndërkohë ne mund të rishikojmë letrën tuaj dhe të shohim çfarë mund të bëjmë për të.
                                                              I juaji: N. Arifi
                                                           Kryetar i Komunës së Vitisë

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)