26 Prill 2024

Kosova Top Channel dhe Sali Berisha

Shkruar nga Faton Abdullahu

Që nga përmbysja e komunizmit nga të gjithë politikanët e Shqipërisë, politikani nga Tropoja Sali Berisha është politikani më i adhuruar dhe më i preferuar nga shqiptarët e Kosovës.

Në një anketë apo edhe zgjedhje të mundshme ai bile do të fitonte në Kosovë më shumë vota se shumica e politikanëve të Kosovës. Sali Berishës i ka shkuar për dore që komunikimit Kosovë - Shqipëri t’i jap dimension të ri, kohë shumë të gjatë të munguar.

Në anën tjetër ‘Top Channel’ nga të gjithë televizionet e Tiranës është televizioni më i shikuar dhe më i preferuar nga shqiptarët e Kosovës. Në shtëpitë e tyre, në zyre në kafiteri e bare nga më të ndryshme në Prishtinë dhe gjetiu, gjithandej në Kosovë, ta zëmë, ‘Top News’, është gjithmonë ‘on’ ajo shkon më shumë se çdo gjë tjetër me makjaton e mëngjesit dhe pushimin e mesditës.

Të gjithë në Kosovë janë të ndërgjegjshëm se pa ‘Top Channel’ Shqipëria do të ishte shumë më larg Kosovës.

Sali Berisha dhe ‘Top Channel’ janë dy fenomene, socio-politike, mediale e kulturologjike, në pulsim aktiv tash sa kohë që e karakterizojnë, për të mos thënë i japin vulën komunikimit Kosovë  - Shqipëri.

Ato kanë intenzitete, efekte dhe  dimensione dinamike të një gare gjthsesi jo vetëm politike për Kosovën, rreth Kosovës dhe me Kosovën. Edhe Sali Berisha edhe ‘Top Channel’ kanë arsyet, qëllimet dhe aspiratat e veta në këtë garë, gjithsesi jo të lehtë.

Sigurishtë se atë e ka filluar më heret Sali Berisha i cili ende e ka konfidencën e fituesit të pakontestueshëm. Por ‘Top Channel’, edhe pse ka filluar vonë, nuk dorëzohet, sepse asaj i duhet më shumë shikuesi i Kosovës, sesa Sali Berishës votuesi virtual nga Kosova.

Por të gjithë e dinë, sepse kuptohet ashiqare, se ‘Topa Chanal’ dhe Sali Berisha janë rival të fortë edhe në Shqipëri. Mjafton të shiqohen emisionet e lajmeve, të dëgjohet emisioni ‘Fiks Fare’ apo ‘Top Story’ për të kuptuar këtë qasje herë jo miqësore, herë gati paranoike ndaj Sali Berishës, por jo rrallë korrektësia dhe përpjekja për më shumë profesionalizëm e këtij televizioni amortizon këtë.

Ndërsa mjafton të merren parasysh vlerësimet dhe sjelljet e qeveritarëve aktual ndaj kompanisë ‘Top Channel’ për të kuptuar gjithashtu këtë rivalitet jo rrallë të kthyer në armiqësi i cili nuk vazhdon tutje sepse përvoja e mëhershme ka treguar se në luftën media - qeveri, në fund gjithmonë humbëse del kjo e dyta.

Është jashtë çdo dyshimi se ‘Top Channel’ e ka marrë seriozisht këtë dyluftim me Sali Berishën në Kosovë. Dorën në zemër kjo nuk është edhe e lehë për ta hetuar. Ajo mundohet që Sali Berishën në Kosovë ta sfidoj aty ku ai është më i forti - në idenë a afrimit dhe bashkimit Kosovë - Shqipëri.

‘Top Channel’ e bënë këtë në mënyra të ndryshme. Ta zëmë duke i afirmuar dhe dhënë ekstra hapësirë atyre politikanëve që gjithashtu kanë sjell risi në këtë ide, në idenë e afrimit dhe bashkimit më të madh të Kosovës dhe Shqipërisë.

Prandaj edhe gjithë ajo hapësirë mediale në ‘Top Channel’ për “Lëvizjen Kuq e Zi” prandaj edhe shpallja nga kjo kompani e liderit të këtij subjekti Kreshnik Spahija’ si politikan i dytë i vitit që lamë pas.

Thjeshtë ‘Top Channel’ është duke e kërkuar dhe i duhet një politikan që është i pranuar dhe i dashur si Sali Berisha në Kosovë dhe i identifikuar po aq me idenë e bashkimit, por që nuk është Sali Berisha as mirë me Sali Berishën.

Ajo do që edhe ta gjejë një politikan në Kosovë që do të krijoj lidhje të fortë e të qëndrueshme me Shqipërinë, por jo lidhje të fortë e të qëndrueshme me Sali Berishën.

Vetëm parë nga kjo prizëm mund të kuptohet më mirë pse ‘Top Channel’ shpall personalitet të vitit politikanin Albin Kurti, ndërkohë që as në 10 më të votuarit në këtë listë nuk gjendet Sali Berisha.

Pavarësisht se dikush mund të thotë se ‘Topa Chanal’ gjithë këtë e bënë e prirë jo nga dëshira dhe ideja për afrim me Kosovën, por nga interesi financiar, duhet pranuar se ajo ka sjell një frymë dhe dinamik krejt të re të afrimit të Shqipërisë me Kosovën e cila në Kosovë vlerësohet shumë.

Në vitin që po e lëmë pas klipi i ri i këngës së njohur “xhamadani vija vija” që u promovua si preludë e fundvitit ishte qershia në tortën e ‘Top Chanelit’. Sigurisht se ‘Top Channel’ duhet të bëjë më shumë në këtë aspekt, sidomos që të dërgoj më shumë Kosovë në Shqipëri, larg më shumë se deri më tani. Kjo është e meta e saj më e madhe.

Në anën tjetër duket se në garën e saj me Sali Berishën, ‘Top Channel’ është e hendikepuar, sepse liderin opozitar Edi Rama nuk e ka aspak të përshtatshëm për ta eksportuar në Kosovë.

‘Top Channel’ e ka kuptuar këtë dhe bënë mirë që as nuk bënë përpjekje për këtë, sado që do të ishte më e lehtë dhe më e përshtatshme që një lider opozitar t’ia vinte si oponent në Kosovë, Sali Berishës.

Mjafton vetëm kjo mangësi e një lideri në Shqipëri, që t’i kërkohet sa më shpejt që është e mundshme zëvendësimi. Ky është hendikep edhe për socialistët. Ideja se afrimi dhe bashkimi sa më i gjithanshëm i Shqipërisë me Kosovën është një lloj folklorizmi dhe një far nacionalizmi, ndër radhët e socialistëve e bënë socializmin shqiptarë dhe socialistët herë të papërshtatshëm herë të papranueshëm në Kosovë.

Përderisa është kështu ‘Top Chanel’ do të mundohet të gjejë diçka në Kosovë, një ide, një politikan apo intelektual që është i pranueshëm në Shqipëri, por mundësisht nëse jo kundër, atëherë së paku jo në lidhje të fortë me Sali Berisha, duket se për këtë vend preferohet Albin Kurti, dhe gjithashtu të gjejë një diçka në Shqipëri që mund t’i bëjë konkurrencë Berishës në Kosovë - kandidati më serioz i ‘Top Channel-it’ për këtë mbetet Kreshnik Spahija. Parë nga kjo prizëm do të kuptohet më mirë kompania ‘Top Channel’ dhe me të drejtë do të kërkohet nga ajo që të dërgoj me shumë Kosovë në Shqipëri.

Krejt në fund shqiptarët në Kosovë do ta preferojnë Sali Berishën, jo pse vije nga veriu, jo pse është mysliman, jo pse flet gegërisht, por pse i ka shkuar për dore t’i bind ata se patriotizmi i tij shtrihet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

‘Top Channel’ është në rrugë të mirë ta sfidoj Berishën në Kosovë, fundja vetë kjo lloj garë është e nevojshme dhe e domosdoshme për të gjithë ne shqiptarët.  




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)