29 Mars 2024

Kosova - Krizë politike apo krizë morale

Shkruar nga Mr.sc. Metush Zenuni

"Atëherë kur luftëtari pendohet për luftën që ka bërë dhe kur intelektuali pendohet për shkollën që ka kryer, ai popull është në krizë të rëndë morale" Metush Zenuni Popujt e robëruar gjatë luftës së tyre për çlirim nga sunduesi, përveq robërisë ballafaqohen edhe me krizë të identitetit të tyre.

Të rrezikuar nga shtypja dhe reprezaljet të cilat pushtuesi i ushtron mbi ta me qëllim të sundimit dhe ruajtjes së pushtetit, popujt e robëruar bashkohen rreth subjekteve të tyre, i harrojnë grindjet dhe mosëmarrëveshjet dhe bëhen më solidar mes vete duke i orientuar të gjitha forcat drejt çlirimit kombëtar. Në kohën kur shtypja dhe terrori arrin kulmin dhe në kohën kur Lëvizja për çlirim i hargjon të gjitha mundësitë politike, atëherë fillon faza e fundit lufta e armatosur si mjet i dhunshëm politik për çlirim kobëtar. 

Shqiptarët e Kosovës, duke qenë të robëruar me shekuj nga pushtuesi Otoman e më vonë edhe nga pushtuesi serbo - jugosllav, në fillim të viteve `80-ta, filloi zgjimin e tij për çlirim nga pushtuesit, ndërsa në vitet 1990 -1999, ky zgjim mori përmasa gjithëkombëtare pikërisht për shkak se pushtuesi serb kishte shtuar represionin dhe shtypjen kundër të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Në vitet 1993 -1997, lëvizja guerile UCK, e formuar si krah ushtarak nga LPK-ja, rriti sulmet e armatosura mbi pushtuesin dhe filloi ta zbeh Lëvizjen pacifiste të udhëhequr nga LDK dhe Ibrahim Rugova. Gjatë viteve 1998 -1999, Kosova hyri në luftë frontale kundër pushtuesit serb dhe e ndihmuar edhe nga forcat ushtarake të NATO-s, arritën që ta largojnë pushtuesin nga Kosova.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, fillimisht ekzistonte një eufori e madhe tek populli shqiptar i Kosovës, të cilët po e preknin lirinë e shumë dëshiruar, po  jetonin dhe po i gëzoheshin asaj. Megjithate Kosova nga kjo luftë doli me shumë viktima, djegie, shkatërrime dhe plagët e luftës ndiheshin kudo.

Ajo çka pritej dhe ajo që zakonisht ndodhë tek popujt e sapo çliruar, fatkeqësisht ndodhi edhe në Kosovën e pasluftës. Një pjesë e tregtarëve të cilët kishin punuar me sunduesin edhe para çlirimit nuk ishin të dëmtuar në aspektin financiar dhe ata më shumë se hallin e plagëve të luftës kishin hallin e rritjes së kapitalit të tyre në kushtet dhe rrethanat e pasluftës.

Të frikësuar për qëndrimin e tyre kundër luftës dhe për faktin se kishin bashkëpunuar me armikun, ata nuk e ndjenin veten të sigurt për të filluar punën e tyre. Për këtë arsye ata filluan të takohen herë fshehurazi e herë hapur me komandantët dhe udhëeqësit e luftës, të cilët në shumicë të madhe vinin nga shtresa e varfur e shoqërisë Kosovare.

Të joshur nga paraja dhe dëshira për jetë luksoze dhe pushtet, këta komandant që tanimë kishin bërë emër në të gjitha Kosovën për heroizmat e tyre në luftë, pranuan të bashkëpunojnë me tregtarët që deri dje kishin bashkëpunuar me pushtuesin serb për fitime të tyre personale.

Në Kosovë filloi të lind një klasë e re e të pasurve të cilët para lufte ose kishin jetuar si refugjat në shtetet perëndimore ose kishin jetuar në margjinë në fshatrat e ndryshme të Kosovës duke u marrë me punë bujqësore ose tregti të imët. Pacifistët, të inatosur për qëndrimin e tyre kundër luftës tani filluan lojën e shtrigave duke i akuzuar për të gjitha dukuritë negative pas luftës ushtarët dhe komandantët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, se gjoja ata po uzurpojnë, po vjedhin dhe po ushtrojnë pushtet të dhunshëm në Kosovë.

Në Kosovë poashtu ishin edhe forcat paqëruajtëse të cilat nga frika e ekstremistëve të UCK-së shpeshëherë u besonin propagandës së pacifistëve dhe nuk ishin të rralla edhe burgosjet e ushtarëve dhe komndantëve të UCK-së, pa kurrëfarë faji dhe dëshmie. Në këtë kohë në Kosovë filloi të ndjehet një krizë politike e cila dita ditës sa vinte dhe thellohej, ndërsa ndarjet në mes të atyre që morën pjesë në luftë dhe pacifistëve anti UCK, ishin të mëdha.

Për shkak se luftëtarët dhe ish lëvizja ilegale nuk kishte përvojë në udhëheqjen e pushtetit dhe jetës politike dhe oragnizative dhe për shkak të një propagande të tejskajshme kundër UCK-së nga ana e LDK-së, por edhe për shkak të sjelljeve jo të mira të disa udhëheqësve të luftës, zgjedhjet e para të nëntorit të vitit 2000 i fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ibrahim Rugova, subjekti dhe njeriu që gjatë tërë luftës kishte vepruar kundër luftës dhe kundër çlirimit të Koosvës.

Pas kësaj  në Kosovë të ndjehet një krizë morale, ku vlerat e luftës çlirimtare nuk respektoheshin, nuk respektoheshin as familjet e të rënëve për liri, as të plagosurit e as ata që e përkrahën luftën çlirimtare, përkundrazi të identifikoheshe se je luftëtar, ishte rrezik të mbetej pa punë, ishte rrezik në universitet, në rrugë dhe në ambiente familjare e publike.

Në aspektin politik në Kosovë u formuan katër parti të luftës (LPK, LKCK, PDK, AAK), të cilat pretendonin se janë bartës të luftës çlirimtare.  Më vonë, në zgjedhjet e vitit 2004 AAK arriti të hyj në koalicion me LDK-në ani pse për një pjesë të antarësisë nuk ishte i pranueshëm.

Pasuan edhe dorëheqje të anëtarëve të kryesisë për shkak se nuk pranoni të bashkëpunonin me Ibrahim Rugovën, por koalicioni i interesit vazhdoi punën. Në zgjedhjet e vitit 2007, me shumicë votash fitoi PDK, dhe në kohën kur populli i Kosovës prisnin ndryshime radikale në aspektin politik në Kosovë, PDK arriti koalicion me LDK-në kundërshtarin dhe rivalin më të madh të deri djeshëm.

Zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, pollën një koalicion, i cili i ngjan martesës me kusht. Koalicioni PDK –LDK erdhi si rezultat i interesave dhe dëshirave të shfrenuara të udhëheqësve të këtyre dy partive për të marrë pushtetin në Kosovë. Kjo martesë e dhunshme për ineteresa të disa individëve e jo të anëtarëve të PDK-së,  e as të LDK-së, u prit me kundërshtime nga anëtarët dhe veprimtarët e të dy partive.

Megjithate liderët e LDK-së dhe PDK-së Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaqi, as që u morën me këto kundërshti. Ata dhe njerëzit që kishin pas vete, më shumë interesoheshin se cila do të jete pozita e tyre në Qeverinë e Kosovës, në Parlament dhe në Ministritë e kësaj Qeverie.

Pas konstituimit të Qeverisë Thaqi, në veçanti antarët e PDK-së, ndryshe siç kishin premtuar gjatë fushatës elektorale, ndërmorën një gjueti shtrigash, ku në qendër të vëmendjes ishte uzurpimi i të gjitha pikave me rëndësi në të gjitha institucionet e Kosovës, veçanarisht në Qeveri, Aeroport, KEK, PTK dhe çdo kund ku ishte interesi për punësimin e militantëve partiak të tyre. Fokus i këtyre partiakëvë ishte që të  sulmohen dhe të largohen nga puna të gjithë anëtarët e AAK-së, tani kundërshtari i përbetuar i PDK-së, duke mos pyetur as për kushtetutë, as për rregullore e as për profesionalizëm.

Në Kosovë filloi të vendoset një diktaturë Hashimiane dhe një servilizëm i tipit Fatmir Sejdiu, të cilës do t’ia kishin lakmi shumë diktator komunist. Këtë sjellje krejt ndrysh nga se e kishin propaganduar më herët udhëheqësit e PDK-së, më së miri e ilustron Franc Fanoni në librin e tij ,, Të mallkuarit e botës”.

Sipas Fanonit ,, Populli i cili vite të tëra e ka ndëgjuar liderin të flasë kundër kolonializmit, spontanisht i shfaq besimin atij lideri patriot. Mirëpo menjëherë pas fitores, jo vetëm që nuk i konkretizon nevojat e popullit dhe të dinjitetit të tij, por ai tani merr rolin e grabitqarit të padurueshëm.

Ai tani kalon në anën e shfrytëzuesve dhe  të borgjezisë së re, e cila zhgërryhet në korrupsion dhe kënaqësi. Në anën tjetër populli stagnon në një mjerim të padurueshëm dhe dalngadal bëhet i vetëdijshëm për tradhëtinë e paturpshme të udhëheqësve të vet.  Pasurimin skandaloz, të shpejtë dhe të pamëshirshëm të kësaj kaste e përcjell një zgjim vendimtar i popullit.

Lideri që ka prapa vetes një jetë prej militanti dhe patrioti mundohet që të pengojë vetëdijësimin e popullit.  Ai tani i del në ndihmë kastës së korruptuar, ndërsa kur flet para popullit ai ia paraqet jetën e vet heroike, betejat që i udhëhoqi dhe fitoret që i korri duke ua bërë me dije masave se duhet të vazhdojnë që edhe më tutje të kenë besim në te”.

Kështu ndodhi edhe me udhëheqësit dhe  anëtarët e PDK-së, të cilët pas marrjes së pushtetit u sollen me pronën dhe pozitat në Qeveri si të ishte pronë e tyre private. Anëtarët partiak punësoheshin ku dëshironin, pa konkurs dhe kundër ligjit, uzurponin vendet e punës me masa të dhunshme, ndërronin pozitat kur i duheshin, largonin nga puna ata që i kundërshtonin dhe i margjinalizonin të tjerët që ishin më pak të rrezikshëm.

Edhe brenda koalicionit kishte një urrejtje të padurueshme, urrejtje që ishte mbjellur që nga paralufta, kur shumica e anëtarëve të PDK-së ishin në LPK dhe UCK, ndërsa një pjesë tjetër kishte dalur nga LDK për shkak që LDK kishte dalur kundër luftës dhe kundër UCK-së në vitet 1993 -1999.

Megjithate, një transformim i çuditshëm që duhet studiuar nga psikologët ndodhi në dy repartet partiake tani në koalicion. Armiqt e përbetuar të deridjeshëm, tani për të shfrytëzuar pasurinë e Kosovës, për të shitur tokën shtetërore, PTK-në, Aeroportin, etj, për të vjedhur nga investimet në asfaltimin e rrugëve të Kosovës, në doganë dhe në të gjitha poret e jetës në Kosovë, ata u bënë shokë të pa ndashëm si ujku e dhia në përrallën popullore.

Gjatë kësaj martese për interes shpeshëherë pati edhe krizë në Parlamentin e Kosovës dhe në Qeveri. Fillimisht sherri plasi në Parlament kur Ministri i Transportit Fatmir Limaj u zu keq me zv. Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë  Naser Osmani, duke e detyruar këtë të fundit të japë dorëheqje.

 Edhe gjatë zgjedhjeve lokale të nëntorit 2009, u vërejtë qartë gjuha e urrejtjes ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, sidomos në ato komuna ku këto parti ishin në balotazh. Për të fituar zgjedhjet të dy partine vunë në lëvizje grupet e tyre paramilitare, tani me përvojë më shumë se dhjetëvjeqare dhe pati edhe rrahje e lëndime të rënda.

Edhe përkundër këtyre skandaleve, koalicioni i interesit të PDK – LDK-së arriti të mbijetoj nga shkatërrimi, jo se këto dy parti e donin Kosovën dhe zhvillimin e shtetit, por se individë të caktuar të dy partive kishin interesa personale dhe grupore dhe se përballë këtyre interesave duhej që të sakrifikonin, Kosovën, partitë por edhe demokracinë e një vendi.

Në anën tjetër, Qeveria e Hashim Thaçit sulmohej nga të gjitha anët, për korrupsion, qeverisje të keqe, nepotizëm dhe skandale të njëpasnjëshme. Fatmir Limaj, ministër i transportit u bastis nga EULEXI, nën dyshimin për korrupsion, ndërsa  disa kryetarë të komunave ku udhëhiqte PDK, u arrestuan nën dyshimin e keqpërdorimeve, kërcënimeve dhe shantazheve…..!!!

Duke nuhatur gjendjen e rrugës pa krye, por edhe për shkak të presionit të jashtëm dhe të brendshëm, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u detyrua të bëjë ,, reformatizimin” e qeverisë, reformatizim, i cili doli aq qesharak sa që edhe qytetarët më të pa informuar kuptuan se kemi të bëjmë me njerëz të pa aftë, interesgjinjë, karrieristë, të korruptuar, fodull dhe pa njohuri të mjaftueshme profesionale.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në vend se të largonte ministrat e korruptuar ai bëri një retushim të Qeverisë dhe Ministrave e zv. Ministrave, të cilat ndikuan edhe më shumë në acarimin e gjendjes politike në Kosovën e varfër dhe të udhëhequr nga një grup matrapazësh që për interesa personale po rrezikonin integrimin e Kosovës në strukturat euro – atlantike dhe po pengonin zhvillimin e shtetit.

Në fund të kësaj qeverie, e cila fillim e mbarim ishte qeveri e turpit, e kërcënimit, e dështimeve, korrupsionit e çka jo tjetër, erdhi dorëheqja e Kryetarit edhe ashtu kukull e Hashim Thaçit, Fatmir Sejdiu. Tani nga kriza morale Kosova kaloi edhe në krizë qeveritare. Me vendim të LDK-së, poashtu për interesa grupore dhe personale, pa e pasur dertin e shtetit dhe institucioneve të saj, ministrat e LDK-së dhanë dorëheqje nga Qeveria dhe postet e tyre ministrore duke i dhënë fund të turpshëm kësaj qeverie, e cila nga fillimi i ngjasonte martesës,  e cila nuk kishte dashuri por interes.

Aktualisht Kosova është pa qeveri, pa presindent dhe pa institucione edhe ashtu diktatoriale që ishin të uzurpuara nga PDK. Kosova aktualisht është në një anarki totale, e lodhur  nga lufta dhe nga udhëheqja e keqe që nga viti 1999 e deri më sot.

 Kosova ka krize politike apo krize morale ? Unë mendoj se Kosova nga viti 1999 e tutje edhe pse ishte tani e lirë nga thundra serbe, ka ardhur vazhdimisht duke rënë në një krizë morale ku për shumë ish- udhëheqës politik e ushtarak, më shumë se zhvillimi i Kosovës, ishte dhe është interesi i pasurimit të pa drejtë, më shumë se ideali dhe parimet demokratike e morale ishte dhe është bashkëpunimi me ish - spiuj dhe bashkëpunëtorë të Serbisë për hir të pasurimit të dyanshëm.

Ky mentalitet ka sjellur deri te një demoralizim moral i popullit, i luftëtarëve të sinqertë, intelektualëve dhe punëtorëve brenda e jashtë vendit, të cilët me mjetet e tyre financiare, me gjymtyrët e trupit dhe me vullnetin e patundur për liri dhe demokraci dhanë çdo gjë për lirinë e Kosovës, pa e besuar se ish UDB-ashët e llojit të Hashim Rexhepit e shumë të tjerëve që ende vazhdojnë të jenë në pushtet do të bëhen shokë e miq të pandashëm me shumë udhëheqës të luftës dhe politikës në Kosovë dhe se do ta sjellin Kosovën buzë greminës dhe buzë relvotës sociale,e cila lehtë mund të shëndrrohet në një luftë civile!

Si të dilet nga kriza morale dhe politike në Kosovë?Edhe pse tanimë është një situatë e rëndë të cilën me apo pa vetëdije e sollën ata të cilët qe 12 vjet thirren gjoja janë shpëtimtarët e kombit, megjithate rrugë për të dalur nga kjo gjendje e rëndë mund të gjinden.

•         Së pari duhet që populli i Kosovës të mos votojë ata parti dhe ata njerëz të cilët ishin në pushtet që nga paslufta dhe të cilët vetëm dhimbje i sollën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Populli duhet të vetëdijësohet se në politikë nuk mund ta duash një udhëheqës partiak edhe kur ai të vjedh dhe të tradhëton, pra ne duhet të lirohemi nga miti i liderit sikur ishte në kohën e diktaturave komuniste.

•         Duhet që menjëherë pas zgjedhjeve Qeveria e ardhshme të hap dosjet e zyrtarëve të Qeverisë( të të gjitha Qeverive të kaluara) dhe me ta të merren gjykatat me kusht që ato të jenë të pa ndikuara nga partitë dhe njësitë e tyre paramilitare. Për ata që ka fakte për vjedhje dhe manipulim, duhet të arrestohen dhe tu konfiskohet pasuria e vjedhur para gjatë dhe pas luftës.

•         Ti jepet liri e mjaftueshme mediave në Kosovë, në mënyrë që gazetarët të mund të shkruajnë dhe të raportojnë lirshëm për ngjarjet dhe dukuritë që ndodhin në Kosovë, ata nuk guxojnë të jenë të shantazhuar për shfaqjen e ideve dhe bindjeve të tyre.

•         KQZ-ja të mos jetë e ndikuar nga grupacione dhe parti politike, por të jetë apartiake dhe të ketë mundësi të dal me rezultate reale zgjedhore pa kërcënim nga pramilitarët e partive të mëdha.

•         Qeveria e ardhshme të fillojë menjëherë ngritjen dhe nivelizimin e pagave për zyrtarët e administratës, ndërsa veteranët e luftës të punësohen në baza profesionale si dhe të fillojnë marrjen e pensioneve duke e llogaritur këtë pension nga përfundimi i luftës, e jo nga mosha 50 vjeçare siç është paraparë gabimisht me ligj.

•         Të merren masa rigoroze në ngritjen e cilësisë në arsimin e ulët, të mesëm dhe atë të lartë si dhe të kontrollohen shkollat private. Që partitë politike në pushtet të mos e diktojnë personelin arsimor, por që ata të jenë kuadro profesional.

•         Të intervenohet urgjentisht në sistemin shëndetësor të Kosovës, në Komuna dhe veçanarisht në QKUK, ku shkalla e korrupsionit dhe krimi të organizuar është shumë e lartë, ndërsa niveli i trajtimit të pacientëve është më i ulti në Evropë. Duhet që zyrtarët dhe mjekët e korruptuar të largohen nga puna madje edhe të arrestohen dhe tu merret pasuria e vjedhur.

•         Të ndihmohet zhvillimi i bujqësisë, ndërsa bujqit e Kosovës të kenë mundësi të pagaujnë me çmime shumë të lira derivatet e naftës, farërave dhe plehrave dhe tu jepet përparësi prodhimeve vendore në tregun e Kosovës.

•         Të merren masa urgjente në mbrojtjen e pyjeve, ujrave dhe mbrojtjen e ambientit në përgjithësi në Kosovë, për të pasur një shoqëri dhe ambient të shëndoshë.

• Të formohet një fond urgjent për të varfërit dhe të pa strehët në Kosovë. Të shikohet mundësia e punësimit brenda dhe jashtë shtetit të atyre që janë të aftë për punë, ndërsa  të ndihmohen me mjete ushqimore dhe sigurimin e një banese apo shtëpie modeste ata familje që nuk kanë asnjë anëtar të aftë për të punuar.

Nëse qeveria e ardhshme dhe qytetarët e Kosovës janë të gatshëm që të punojnë në të mirë të zhvillimit të shtetit të tyre dhe nëse mund ti lënë anash interesat e tyre të ngushta, Kosova mundet dhe do të gjejë forcë që të dal nga kriza politike, qeveritare dhe morale që e ka kapluar tani e 12 vjet.

Nëse edhe më tutje vazhdohet me të njejtin avaz, duke organizuar zgjedhje e duke vjedhur vota, duke marrë pushtet për pasurim të individëve dhe punësim të partiakëve dhe anëtarëve të familjes, atëherë Kosovën e pret një e ardhme shumë e errët, e rëndë dhe më tendencë të shkatërrimit të të gjitha vlerave të krijuara nga fillimi i shtetësisë  dhe demokracisë së saj më 1990 e deri në fund të luftës heroike të viteve 1993 -1999.
Fajtorë do të jemi të gjithë!
 
(Autori është Magjistër i Shkencave të Historisë Bashkëkohore dhe Kryetar i Klubit Politik , "Afrim Zhitia” Prishtinë)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)