09 Dhjetor 2022

Kosova e shpresës, Kosova e zhgënjimit

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Akush nuk ka besuar se .... : 22 vite pas përfundimit të luftës Kosova nuk është ende e çliruar.

Se aq në mënyrë të padinjitetshme trajtohen ata që kontribuan aq shumë për këtë grimcë lirie dhe “ pavarësie “ që e kemi.

Që aq lehtë dhe aq turpshëm shkilet mbi gjakun dhe sakrificat e ushtarëve të lavdishëm të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës.

Që aq lehtë dhe pa asnjë skrupull, për interesa politike dhe të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht margjinalizohet roli, sakrifica dhe personaliteti i Atij që tërë jetën ia kushtoi luftës për Liri dhe Bashkim Kombëtar, të Papërsëritshmit dhr të Amshueshmit Bacë Adem Demaçi i cili i dha Kuptim dhe Përmbajtje Luftës për Liri, Pavarësi dhe Bashkim Kombëtar.

Se Komandanti Legjendar, i Pavdekshmi dhe i Përjetshmi Adem Jashari do të shpallet persona non grata  në Prishtinë duke mos lejuar ngritjen e një shtatoreje në kohën kur ka të tilla edhe për ata që i shërbyen Jugosllavisë dhe Serbisë, duke luftuar edhe kundër Adem Demaçit si dhe ndaj Adem Jasharit.

Se aq lehtë dhe aq paturpshëm do të shkilen parimet dhe betimi, premtimi dhe zotimi për bashkim kombëtar.

Se më lehtë do të bashkoheshin me Serbinë se me Shqipërinë.

Se do të formohet një kamp përqëndrimi në Holandë ku do të mbahen të internuar ata që kontribuan për liri dhe pavarësi ndërsa familjet e tyre, si të gjitha familjet e atdhetarëve shqiptarë  që nga viti 1945, me strajcë në krah kalojnë qindra e mijëra kilometra për t’i vizituar të dashurit e tyre të cilët një numër i politikanëve aktual i konsideron si armiq duke shfaqur një sadizëm të skajshëm për vuajtjet dhe fatin e tyre.

Aq më keq, po këta sadistë, janë kontribues për degëdisjen e ish – kolegëve, bashkëvuajtësve, bashkëluftëtarëve dhe bashkësakrifikuesve. Kjo nuk përkon me natyrën njerëzore, shqiptare, moral e as me traditën.

Se aq lirë dhe aq turpshëm do të shiten një numër i ish të burgosurve politikë që tërë sakrificën e tyre e kanë thjeshtëzuar në një hapësirë karrikeje të përmasave të prapanicave të tyre.

Se aq lehtë dhe në mënyrë aq të paskrupullt do të pasurohen një numër i atyre që e sakrifikuan jetën për liri të Kosovës kuse tani nuk e sakrifikojnë as edhe një centë të vetëm për ata që luftuan me ta dhe të cilët, më parë e zgjedhin vetëvrasjen, si përfunsim i ndershëm i sakrificës së tyre se të plaçkisin çdo gjë që iu bie në dorë.

Askush nuk ka besur se për një numër, jo të vogël të qytetarëve të Kosovës, kontejneri i plehrave është vend i vetëm ku e sigurojnë ekzistencën për vete dhe familjen. E turpshem, skajshmërisht e pamoralshme.

Nuk kemi besuar se do të jemi në një situatë kur duhet ta ulim kokën para hetuesve, persekutuesve, prokurorëve, gjykatësve, gardianëve që na keqtrajtonin edhe në llogoret e ish – Jugosllavisë (të gjithë shqiptarë, pjesëtarë të UDB-së dhe shërbimeve jugosllave dhe serbe), me ndjenjën e “ fajësisë “ se kemi luftuar, jemi torturuar, jemi dënuar dhe jemi vrarë për lirinë, frutet e së cilës po e gëzojnë mbetjet e tyre dhe trashigima biologjike e tyre sikur janë bijtë dhe bijat, nipat dhe mbesat dhe të tjerët.

Kush ka besuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta votojnë për poste jashtëzakonisht të rëndësishme që ndërlidhet me sigurinë kombëtare trashigimtarët e udbashëve jugosllavë dhe serbë ndërsa do të përjashtohen ata që sakrifikuan çdo gjë për shqiptarët, Kosovën dhe Shqipërinë. Vetëm të poshtrit e bëjnë këtë, siç e kanë bërë dhe siç po e bëjnë!

Kush do të besonte se 22 vite pas përfundimit të luftës, kriminelët do të bëhen viktima kurse viktimat kriminelë krejt shkaku i luftës egërshane për pushtet, pa shtet!

Më thoni se kush do të besonte se 22 vite pas përfundimit të luftës nderin e nënave, motrave dhe bijave tona do ta përdorin si mjet për të ardhur në pushtet, se gjakun e dëshmorëve të popullit do ta përdorin si profaturë për gllabërim të pushtetit, pasurim përtej çdo tërpie dhe se që një grup i vogël qyrrarësh do të bëjnë përpjekje të na imponojnë një standard njerëzor, moral, politik, kombëtar në ndërkohë që ata vet nuk e kanë asnjërën prej këtyre.

Dhe shumë të tjera për të cilat as pesimisti më i madh nuk do të besonte se mund të ndodhin . Po ndodhin dhe duket se do të ndoshin edhe më shumë dhe më keq!

A duhet të dorëzohemi ? : Jo dhe asnjëherë !  Ata që krijojnë vepra që tejkalojnë botën reale duke kaluar në amshim janë engjujtë mbrojtës të së mirës, të së drejtës, të së vërtetës dhe njerëzores.

Ata na largojnë të gjitha mëdyshjet morale midis asaj nëse do të përcaktohemi për një vdekje të jetueshme apo pavdekësi të vdekshme, midis një çnderimi të dhunshëm dhe nderimi të pandershëm, midis një morali të pamoralshëm dhe një nderi të ashtëzuar, midis një respekti dhe nderimi të blerë me paratë e vjedhura dhe nderimi nga ata që e vlerësojnë nderimin shkaku se edhe vet bëjnë jetë të ndershme, midis “ heronjve “ të sajuar dhe heronjve të dëshmuar, midis këlyshëve të Serbisë dhe shqiponjave të Shqipërisë dhe shumë të tjera midis ....!

Horrat nuk kanë jetëgjatësi, mbijetojnë dhe mrizojnë në kuadër të një mandati kohor, aq sa zgjatë nënshtrimi dhe shërbimi i tyre ndaj së keqes.

Horra kishte në të gjitha qeveritë paraprake në Kosovë, të tillë ka edhe në qeverinë aktuale. Ishin të mandatuar ata para këtyre, janë të mandatuar edhe disa prej horrave në qeverinë aktuale.

Ishin pa vepra ata para këtyre horrave të sotit dhe do të futen në thesin e harresës, si ata të djeshmit kështu edhe këta të sotit, pa asnjë dyshim!

Lufta e shqiptarëve për liri nuk është e ditëve tona, ishte që nga koha kur u themelua shteti i Serbisë.

Lufta e shqiptarëve për liri nuk ka përfunduar ende, është pjesë e procesit, deri në bashkimin kombëtar që është i pandalshëm, mund të ketë vonim por nuk ka shpëtim sidomos për ata që e luftuan dhe po e luftojnë bashkimin kombëtar.

Që nga fillimi i luftës për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, luftëtarët e vërtetë ishin pakicë kurse horrat dhe përkrahësit e horrave ishin shumicë.

Të tillë janë edhe sot. Ndonëse pritjet ishin tjera për Kosovën dhe Shqipërinë, për çka edhe u bënë aq shumë sakrifica, megjithatë ia ka vëlejtur të bëhen këto sakrifica!

Është ndërtuar themeli dhe tash duhet të ndërtohet shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve si dhe të atyre që duan të jetojnë në këtë shtëpi me të drejtat dhe detyrimet që i ka shumica.

Ia vlenë që edhe në të ardhmën të bëhen sakrifica nëse e kërkon situata e që, duket se pashmangshëm do ta kërkojë. Sa më lehtë dhe sa më pak sakrifica, aq më mirë do të jetë!

Mos pritni që horrat do të sakrifikohen sepse nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës për të ndodhur në Kosovë, Një popull që i shkelë vlerat njerëzore, kombëtare, politike dhe moral, nuk është popull, është bedel popull.

Prandaj, respektin më të madh për të gjithë ata që sakrifikuan për një qendresë të vazhdueshme duke mos e kursyer as jetën e tyre, për të na bindur se vetëm liria nuk ka çmim dhe se për të ia vlenë në çdo kohë të ipet jeta.

Për fat të keq kjo kategori sot është më e nëpërkëmbura në Kosovë pikërisht nga horrat vendorë, të përzier dhe ndërkombëtar !
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)