19 Prill 2024

Korrupsioni i Thaçit po e afron autonominë për veriun

Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje
 
Takimi i tretë, në vazhdën e negociatave me Serbinë, mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiçit, përfundoi. Kur nisi ky proces negociatash, ai u proklamua zhurmshëm si proces në të cilin çështje prioritare do të jenë çështja e të pagjeturve dhe ajo e strukturave ilegale.

Kjo të paktën thuhej nga Hashim Thaçi, i cili këto çështje i vlerësonte të jenë prioritet në axhendën e tij të bisedimeve.

Ai thoshte se ky proces negociatash do të rezultojë në zgjidhjen përfundimtare të këtyre dy çështjeve: në njërën anë do të kthehen të gjithë trupat e shqiptarëve të vrarë e rrëmbyer nga Serbia gjatë luftës së fundit; ndërkohë që strukturat ilegale e kriminale të Serbisë të cilat veprojnë të papenguara në Kosovë të shpërbëhen tërësisht.

Çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk ka qenë temë e këtyre bisedimeve. As në këtë takim të tretë asgjë nuk thuhet për këtë. Në komunikatën zyrtare të ndërmjetësueses së dialogut të lëshuar nga zyra e Baroneshës Ashton, të pagjeturit nuk përmenden fare.

Ndërkohë që sa i përket strukturave ilegale, në këtë takim palët kanë arritur pajtimin që të shqyrtojnë mënyrat e rritjes së transparencës së qarkullimit të parasë që vjen nga Serbia për serbët e Kosovës, para këto që vijnë në Kosovës për dhe përmes strukturave ilegale. Pra, pranohen strukturat dhe kërkohet thjeshtë transparencë në financimin e tyre. Secili qytetar i Kosovës e di se këto financohen nga Serbia.

Problemi nuk është te transparenca e financimit të strukturave ilegale por te prania e tyre në Kosovë, dhe dhunimi i përditshëm që këto struktura ia bëjnë shqiptarëve, pronës private, pronës publike dhe shtetit të Kosovës. Thaçi nuk e lufton këtë dhunim, por po kërkon që ky të bëhet i dukshëm, pra transparent.

Thaçi me bashkëpunëtorin e tij Daçiç po ashtu janë dakorduar që të fillojë zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Në këtë takim ata janë dakorduar edhe për ndarjen e parasë publike të Kosovës.

Edhe pse nuk është thënë zyrtarisht, duket se marrëveshja është që mallrat që hyjnë në Kosovë të mos doganohen në kufirin verior me Serbinë por në Terminalin doganor në Mitrovicë.

Ndërkohë është përmendur mundësia që serbët që jetojnë në veri të jenë të liruar nga taksa doganore. Po ashtu është raportuar se një përqindje e TVSh-së së mbledhur t’u shkojnë strukturave serbe në veri.

Nëse kjo është marrëveshja atëherë kështu i bie që tash strukturat ilegale të Serbisë të financohen edhe nga paraja publike që kanë qenë dashur të jetë e hyrë në Buxhetin e Kosovës. Për më tepër kur një pjesë e territorit lirohet nga një tatim i caktuar, e në këtë rast taksa doganore, atëherë kjo pjesë e territorit merr atribute tjera prej pjesëve të tjera të territorit, merr veçantinë e vet territoriale jashtë rregullave të përgjithshme shtetërore të pjesës tjetër të vendit.

Kjo është pra autonomia. Ta ndash veriun e vendit nga sistemi fiskal i Kosovës nënkupton se ua lënë strukturave atje ta përcaktojnë sistemin e vet fiskal. Duke e pasur parasysh se strukturat politike atje janë të Serbisë, kjo i bie që sistemi fiskal atje do të jetë i Serbisë. Pra, që kufiri realisht po zhvendoset në lumin Ibër.

Negociatat e tilla jo parimore pa kurrfarë kushti për Serbinë dhe me strukturat ilegale të saj të armatosura mirë brenda territorit të Kosovës, do të jenë negociata kompromisesh të reja në dëm të Kosovës. Këto kompromise të Kosovës ndaj Serbisë do ta dërgojnë Serbinë në BE, dhe do ta fusin edhe më thellë Serbinë në Kosovë.

Ndërkohë që kryenegociatorit Thaçi po i shtohen çdo ditë skandalet e korrupsionit si pasojë, Kosovës ai po ja shton dëmet. Tashmë po duket qartazi se mbrojtja personale e Kryeministrit nga EULEX-i po na kushton me konçensione të reja.

Ka vetëm një mënyrë si ndalen këto konçensione të dëmshme, e ajo është ndalimi i Hashim Thaçit.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)