20 Prill 2024

Konferenca e investitorëve për PTK zbulon shkeljen e ligjit

Të mërkuren, Ministria e Ekonomisë dhe Finansave, ka organizuar një konferencë për investitorët në lidhje me planin për përfshierjen e kapitalit privat në PTK. Kjo konferencë ka ekspozuar edhe njëherë se ky proces është kthyer me kokëteposhtë duke qenë se vendim-marrja po bëhet ekskluzivisht nga Qeverija dhe madje nga përfaqësues të kompanive private të lidhura me qeverinë duke e injoruar tërësisht Kuvendin e Kosovës.

Ligji për ndërmarrjet publike, ashtu siç është thënë edhe në një prezantim në këtë konferencë të donatorëve, përcakton që vendimi i Qeverisë për të autorizuar një Komitet për procedimin e tenderimit dhe privatizimit të një kompanie publike duhet të kalojë nëpër Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk është bërë dhe themelimi i këtij Komiteti të udhëhequr nga ministri aktual i ekomisë dhe finansave, por edhe procedimi për tenderim është bërë pa kërkuar aprovim nga Kuvendi i Kosovës.

Në anën tjetër në Konferencën e investitorëve është thënë se aprovimi i Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë diku nga fillimi i Prillit. Deri në daljen para Kuvendit pritet të ketë mbaruar vlerësimi dhe përcaktimi i strategjisë, derisa Ligji për privatizim kërkon që ky proces të futet në Kuvend qysh me krijimin e Komitetit për përfshierjen e kapitalit privat. Kuvendi i Kosovës po involvohet në këtë proces pasi që shumë nga aktivitetet për përgaditjen për tenderim të PTK-së tashmë janë kryer, duke e reduktuar rolin e kuvendit vetëm në një konfirmues formal të dokumentave të Qeverisë, pa i dhënë mundësinë e diskutimit të këtyre hapave. Në këtë mënyrë jo vetëm që shkelet Ligji për kompanitë publike, por edhe Kushtetuta e Kosovës që përcakton rolet e ligjvënësit dhe ekzekutivit si dy pushtete të ndara.

Procesi i privatizimit të PTK-së, por edhe kompanive tjera është duke përcjellur nga mungesa e transparencës dhe llogaridhënjes para organit që supozohet të jetë më i larti, Kuvendit të Kosovës. Ky proces është monopolizuar nga Qeveria, gjegjësisht disa ministri që janë pjesë e Komitetit për përfshirjen e kapitalit privat në PTK. Në këtë mënyrë mundësia e ndikimeve dhe e konfliktit të interesit në këtë proces është tepër e lartë duke qenë se një pasuri kaq e madhe i lihet në dorë ekskluzivisht ekzekutivit, pra politikës që është në pushtet.

PTK-ja është një kompani tepër e vlefshme për ekonominë e Kosovës. Nëse vazhdohet të zbatohet qasja e tillë e mbyllur e privatizimit të saj, ekonomia e Kosovës do të ketë pasoja serioze para së gjithash duke pasur para sysh se këtij procesi po i prijnë njerëz që kanë qenë të dyshuar se e kanë korruptuar privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore. Në anën tjetër në këtë proces ekziston një konflikt i ashpër interesi duke qenë se Telco AG, si kompani që është e përfshier në përgaditjen e PTK-së për përfshierjen e kapitalit privat, është e involvuar edhe në negocimin me investitorët potencial. Vlerësimi në njërën anë dhe shitja në anën tjetër, duhet të jenë dy funksione tërësisht të ndara në mënyrë që të parandalohet mundësia e përfshierjes së ndikimit të investitorëve, politikës dhe konflikteve tjera të interesit.

Me një qasje të tillë në privatizimin e kompanive publike, rrezikon që thjesht të ekzekutohet shtylla e fundit e ekonomisë kosovare. Privatizimi i PTK-së, KEK-ut dhe dhënja me koncesion e aseteve tjera publike, duhet të jetë një proces që involvon publikun kosovar dhe institucionet tjera si dhe duhet të jetë i hapur për kontribute të ekspertëve të pavarur. Në formën siç është duke u proceduar, ky proces është duke u nxituar tepër shumë, duke rrrezikuar kështu jo vetëm kapjen e një momenti të vështirë në tregun ndërkombëtar financiar, por edhe përshkimin e këtij procesi me manipulime. Edhe në konferencën e investitorëve u pa se shtete të tjera në rajon janë duke hequr dorë nga privatizimet e ngjashme duke qenë se kriza ekonomike dhe e tregut financiar ndërkombtar nuk përbën një moment të mirë për ndërmarrje kaq të mëdha privatizimi.

Shpëtimi i këtij sektorit nuk është vetëm heqja dorë nga prona publike, por është para së gjithash vendosja e një llogaridhënjeje, mbisundimi të ligjit dhe transparencës. Raportet e shumta tregojnë se Kosova është në pikën më kritike për sa i përket ligjshmërisë, luftimit të korrupsionit dhe respektimin e transparencës e praktikave të mira në qeverisjen e korporatave publike. Nëse kemi një qeverisje të korruptuar rrezikojmë që procesi i shitjes së kompanive publike të jetë i hapur ndaj ndikimeve të sektorit privat duke bërë që të bie vlera e këtyre kompanive. Poashtu korrupsioni rrezikon që edhe fondet eventuale të mbledhura nga shitja të jenë pre e një keqmenaxhimi ose korrupsioni. Në këtë moment është tepër i rëndësishëm presioni publik për ta nxjerrë procesin e privatizimit të kompanive publike nga terri në të cilin e ka vënë Qeveria e Kosovës.

Organizata ÇOHU!
Prishtinë, 24 Mars, 2010
www.cohu.org

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)