08 Shkurt 2023

Komunat të angazhohen në përmirësimin e cilësisë së ajrit

Shkurar nga OJQ EC Ma Ndryshe

Legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e ajrit nga ndotja parasheh që edhe pushteti lokal të hartojë planin e veprimit për cilësinë e ajrit. Por deri më tani shumë pak komuna në Kosovë e kanë hartuar këtë politikë publike.

Raporti i përmbushjes së obligimeve të komunave nga Agjenda Evropiane për periudhën janar – qershor 2021 i publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bën të ditur se vetëm njëra nga 38 komunat kanë hartuar Planin lokal të veprimit për cilësinë e ajrit.

“Hartimi i Planit  të veprimit për cilësinë e ajrit mbetet sfidë e theksuar e komunave ku vetëm 1 komunë (Gllogoc) ka hartuar këtë plan”, thuhet në këtë raport.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja (Nr. 03/L-160), komunat e kanë për detyrë hartimin e këtyre planeve sikurse edhe raportimin për zbatimin e tyre.

Në nenin 31, të këtij ligji, thuhet se planet  lokale  të  veprimit  për  cilësinë e ajrit  definojnë  politikën,  menaxhimin  e  cilësisë  së  ajrit  për periudhën  pesë  vjeçare  dhe  veprimet  përbrenda  territorit  të  komunës,  në  harmoni  me  Strategjinë  e  cilësisë së ajrit.

Gjithashtu shkruan se këto plane janë pjesë integrale e planeve lokale për mjedis.

“Raporti për zbatimin e planit shqyrtohet nga Kuvendet e Komunave”, thuhet në paragrafin 3 të këtij neni.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i vitit 2020 ka konstatuar se cilësia e ajrit vazhdon të paraqesë kërcënim të madh për shëndetin e qytetarëve kosovarë.

“Autoritetet kanë dështuar të miratojnë dhe zbatojnë masa për ta përmirësuar atë, veçanërisht përmes planit të zvogëlimit të emetimeve. Strategjia e cilësisë së ajrit nuk është zbatuar ende.

Ndotja e pakontrolluar, sidomos nga termocentralet e vjetruara, sistemi i ngrohjes qendrore, trafiku, emetimet industriale dhe djegia e mbeturinave dhe materialeve të tjera toksike kërkon masa urgjente.

Masat për të zbatuar ndalimin e thëngjillit për ngrohje nuk janë efektive dhe duhet të ofrohen subvencione për forma tjera të ngrohjes.

Ende nuk janë përgatitur planet e cilësisë së ajrit për zonat në të cilat nivelet e ndotësve tejkalojnë dukshëm vlerat kufitare”, thuhet në këtë raport, ndërkohë që evidentohet progresi në monitorimin e cilësisë së ajrit në kohë reale.

Ndërsa Raporti vjetor për gjendjen e ajrit 2020, i publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka bërë të ditur se gjendja e ajrit, përkundër trendit të përmirësimit nga parametrat ndotës, akoma tregon një gjendje jo të mirë për nga cilësia.

Sipas këtij raporti burimet ndotëse kryesore të ajrit për vitin 2020 në territorin e Kosovës janë ato ekzistuesit që janë përmendur edhe në raportet e mëhershme si: Termocentralet Kosova A dhe Kosova B; djegiet e vogla (ekonomitë familjare, furrat e bukës, restaurantet, etj.); operatorët industrialë dhe operatorët tjerë ekonomik (bizneset); transporti rrugor; deponitë e mbeturinave urbane; bujqësia; gurëthyesit.

“Në vitin 2020, ashtu edhe në vitet paraprake, stinët vjeshtë-dimër kanë rezultuar më ndotje më të lartë krahasim me stinët tjera të vitit.

Ky nivel i ngritur i vlerave të ndotëseve në ajër është si rezultat djegieve nga industria, djegiet e lendës fosile për djegie nga ekonomit familjare, transporti etj.

Në këtë sezonë, kushtet meteorologjike ndikojnë shumë në cilësin e ajrit përshkak të lagshtisë së ajrit, të reshurave atmosferike, mjegullave, etj”, thuhet në raport.

Me legjislacionin vendor, Ministria është përgjegjëse për menaxhimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë si pjesë e programit të përgjithshëm për mbrojtjen e mjedisit Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja inicion edhe përgatitjen e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Cilësinë e Ajrit, dhe se më pastaj hartohen programet lokale për mbrojtjen e ajrit në kuadër të Planeve të tyre Zhvillimore Komunale.

Njëherësh masat  dhe  veprimet  e  përcaktuara  në  Strategjinë e Cilësisë së Ajrit paraqesin  obligim  për  të gjithë  sektorët  për  të  realizuar  veprimet drejt arritjes së objektivave për cilësinë e ajrit.  Në mesin e këtyre hisedarëve institucionalë bëjnë pjesë edhe komunat.

Në Strategjinë e sipërpërmendur theksohet se komunat miratojnë Planet Lokale të Veprimit në Mjedis (PLVM) dhe programet për mbrojtjen e mjedisit, në përputhje me SMM dhe Planin e Kosovës për Veprim në Mjedis sipas interesave specifike të saj, me përfshirjen e publikut dhe se i raportojnë Ministrisë për zbatimin e këtyre planeve dhe programeve.

Nga vlerësimi i të dhënave për gjendjen e ajrit gjatë vitit 2020, AMMK ka listuar rekomandimet që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, si zbatimi i legjislacionit për mbrojtjen e ajrit;implementimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Cilësinë e ajrit; hartimin e  Planeve Lokale të Veprimit në Mjedis në të gjitha komunat; etj.

Duke i marrë për bazë faktet e mësipërme, autoritetet komunale që do të marrin mandatin pas zgjedhjeve komunale të 17 tetorit duhet të angazhohen me seriozitet më të madh për të përmbushur obligimet drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit, duke filluar me hartimin e Planeve lokale të veprimit për cilësinë e ajrit.

Ky artikull është shkruar nga EC Ma Ndryshe, mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj “Human Rightivism” që zbatohet nga Community Development Fund – CDF. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura këtu nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të donatorëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)