20 Prill 2024

Komuna e mashtrimeve

Shkruar nga Vetëvendosje

Ishte gushti i vitit 2010, kur komuna e Drenasit e kishte shpërblyer Kompaninë “Kalaja” me pronarë Berat e Fejzullah Lushtaku, me tenderin për fasadimin e banesave në “Blloku 8” e që është vetëm pak metra larg nga objekti i komunës.

Që prej asaj kohe ka pas tentime që kjo të harrohet, ngase janë dhënë 100 mijë euro ndërsa punët nuk janë kryer, përveç një “zbukurimi të jashtëm” që sipas ekspertëve të ndërtimit të cilët i kontaktuam ky fasadim i jashtëm nuk ka kushtuar më shumë se 10 mijë euro, teksa gjendja vazhdon të jetë e njëjta, e keqe dhe pa u rregulluar asgjë për çka edhe ishte dhënë tenderi.

Fillimisht Kompania “Kalaja” nuk i kishte marrë parat meqë nuk i kishte kryer punët por më vonë, sigurisht pasi ishin arritur marrëveshje të fshehta dhe pasi në shprehje kishte ardhur ryshfeti (derisa nuk dëshmohet e kundërta), Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Drenasit ia kishte pranuar punën e pakryer dhe ia kishin dhënë të gjitha paratë e parapara me kontratë. Pra, mbi 30 familje, banuese në këtë bllok banesash vazhdojnë të jetojnë në gjendje të mjerueshme sepse kushtet aty nuk janë as ato minimalet për të bërë një jetë normale.

Mungon ndriçimi i brendshëm, mungojnë përkujdesja higjienike, kutitë për kabllot e energjisë elektrike nuk janë fare ose janë të hapura e që përbëjnë rrezik real për fëmijët, kulmi pikon gjithnjë kur ka shira ose dimrit kur bora është për disa muaj, bodrumet e ndërtesës i ngjajnë një impianti të ujërave të zeza, dhe për më keq shkallët e ndërtesës janë të dëmtuara aq shumë sa janë bërë të pasigurta meqë kanë filluar edhe të lëvizin e që rreziku i shembjes së tyre sipas banorëve është i pashmangshëm nëse nuk intervenohet me urgjencë në rregullimin e tyre dhe punëve të tjera për të cilat Kompania “Kalaja” kishte marrë 100 mijë euro nga komuna, por krejt çfarë kishte bërë kjo kompani është se ka fasaduar vetëm pjesën e jashtme të ndërtesës dhe atë duke e nënkontraktuar një tjetër kompani “Vëllezërit Asllani” nga Drenasi, ndërsa punët e brendshme nuk janë përfunduar asnjëherë sepse nuk kanë nisur fare.

Komuna në vend se ta ndëshkonte me mosdhënie të parave për fasadimin e jashtëm pa i kryer të gjitha punët e tjera, ajo formon një komision mbikëqyrës i përbërë nga Shqipe Kuliqi dhe Flora Krasniqi zyrtare të Drejtorisë së Urbanizmit, ku vlerësohet se punët janë kryer dhe se Kompanisë “Kalaja” mund t’i ipen paratë dhe mund t’i besohet madje edhe për punë të tjera.

Disa prej banorëve të kësaj ndërtese të cilët i vizituam, na treguan se i paskan shkruar edhe EULEX-it, duke kërkuar nga ta që ta hetojnë këtë rast. Ndërsa ne të Vetëvendosje!-s i inkurajuam këta banorë që të mos ndalën së kërkuari përgjegjësi për mashtrimin dhe gënjeshtrën që komuna ka bërë ndaj tyre, derisa do të duhej që zyrtarët komunalë, që nga Kryetari i Komunës Nexhat Demaku, Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Ajet Demiri dhe dy zyrtaret e kësaj drejtorie, Shqipe Kuliqi dhe Flora Krasniqi të japin përgjegjësi për mashtrim dhe për keqpërdorim të parasë publike.

Në fakt, Kryetari Nexhat Demaku në një prononcim të para pak ditësh kishte premtuar se do ta hetonte rastin, kinse ai nuk ishte në dijeni për këtë, duke thënë se: “ Nëse vërtetohen parregullsi në këtë drejtim, dhe nëse zyrtarët komunal e kanë pranuar punën pa u kryer, atëherë ata do të japin përgjegjësi dhe se patjetër do të largohen edhe nga puna”.

Komuna e Drenasit vazhdon ta shkelë ligjin, ta keqpërdorë buxhetin, t’i mashtrojë qytetarët më punë kozmetike dhe t’i vjedhë ata. Udhëheqja momentale por edhe ato paraprake punën e vetme që e kanë bërë “si duhet” është se janë pasuruar brenda natës, ndërsa në anën tjetër statistikat për çdo vit tregojnë për rritje të numrit të të papunëve në komunën tonë.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Drenas, duke qenë se është skeptike për premtimin e kryetarit të komunës se do t’i hetoj bashkëpunëtorët e tij dhe se do t’i largoj nga puna, i bënë thirrje organeve të prokurorisë që ta hetojnë këtë rast dhe shumë të tjera që Drenasin e kanë përcjellë në vazhdimësi. Adresa për mbledhjen e dëshmive të para është “Blloku 8” i banesave të cilat gjenden shumë afër komunës dhe 30 familjet e vendosura aty, ndërsa pista e hetimeve është brenda objektit të komunës, Zyra e Kryetarit të Komunës, Zyra e Drejtorit të Urbanizmit, dhe natyrisht Kompania “Kalaja” nga Komuna e Skënderajt.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)