28 Mars 2024

Jeremic dhe njohjet afrikane të Kosovës

Shkruar nga Jetlir Zyberaj 
 
Siç është bërë me dije edhe nga disa media të Kosovës, ministri për punë të jashtme i Republikës së Serbisë, Vuk Jeremiçi, këtyre ditëve ka qene në Adis Abeba, të Etiopisë. Prej andej, nëpërmjet një interviste dhënë Agjencisë së lajmeve Tanjug, Jeremiç, i kthehet përsëri publikisht çështjes së njohjeve të shtetit të Kosovës.

Në cilësinë e përgjegjësit kryesor të diplomacisë serbe, siç në të vërtetë është, e që nervozohet sa herë që flet për Kosovën, edhe këtë herë ai gjykoi dhe akuzoi kuturu e pa as më të paktin sens diplomacie.

Si të ishte jerm, këtë herë ai deklaroi se "mbi shumë vende të Afrikës janë bërë presione të mëdha, janë dhënë shumë para, që ata të ndryshojnë mendje në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës.”

Fare lehtë mund të ndjehet dhe kuptohet se edhe kjo vizitë e Jeremiçit në Etiopi, në vete, më shumë se sa për qëllimin e bashkëpunimit, është produkt i nervozizmit që e ka mbërthyer atë, shtimi i numrit të njohjeve të Kosovës në Afrikë, veçanërisht gjatë vitit 2011, vit kur zëvendëskryeministri Pacolli ka qëndruar shumë gjatë dhe disa herë në këtë kontinent. Pra, Jeremiçi ka reaguar pse Kosova, qeveria e Kosovës dhe diplomacia e Kosovës, nëpërmjet zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli e ka mundur Jeremicin në Afrikë.

Për këtë arsye ai ka shkuar i alarmuar në Etiopi, për të marrë pjesë tek i quajturi, Këshilli Ekzekutiv Afrikan, i cili ishte forum përgatitor në nivel ministrash të jashtëm që do të përgatiste samitin e nivelit të Presidentëve të UNIONIT që do të mbahej me 29 janar të këtij viti. Qëllimi final dhe kryesor ishte për të bllokuar njohjet e reja që zëvendëskryeministri Pacolli ka përgati nga Afrika.

Që të arrinte këtë synim, Jeremiçi për tre ditë radhazi, në mënyrë intensive është takuar me ministra të jashtëm të vendeve të ndryshme për ta zhbërë atë që Z. Pacolli e ka arrit në më shumë se 5 udhëtime të gjata në kontinentin e Afrikës dhe në takimet që i ka realizuar me kryetarë shtetesh afrikane.

Por nëse zëvendëskryeministri Pacolli, takohet, bisedon dhe arrin t`i bindë kryeministrat ose Presidentët e vendeve të caktuar për ta njohur Kosovën, ministri i punëve të jashtme të Serbisë takohet me ministrat e jashtëm të këtij kontinenti.

Në këtë rast, rruga e tij është pak më e tërthorët. Ai duhet të bindë ministrat e jashtëm (të vendeve që ende nuk e kanë bërë këtë veprim diplomatik) që të mos e njohin Kosovën, dhe pastaj ata të bindin kryeministrat e presidentët e vendeve përkatëse.

Qasja e zotit Pacolli në Afrikë në lidhje me këtë nevojë të domosdoshme të vendit tonë ka qenë e fokusuar te krerët e shteteve. Dhe kur vendosin ata që për fat tani më ka ndodh disa herë, atëherë ka pak hapësirë për lëkundje.
 
Por, në kontekst të kësaj ngarendje të ethshme të këtij zyrtari të lartë të fqinjit tonë verior, natyrshëm na imponohen dy pyetje: pse Serbia, përkatësisht ministri i saj për punë të jashtme ngarend me kaq hov dhe besim në Afrikë? Pse gjithë ky investim i vëmendjes serbe në Afrikë?

 
Sipas mendimit tim, kjo ngjet sepse kur bëhet fjalë për Serbinë dhe raportet e saj me shtete të shumta të këtij kontinenti, ato i shquajnë disa të vërteta të cilat deshëm s’deshëm nuk mund të mos kenë efekte.

Për Serbinë, Afrika nuk është një kontinent i zakonshëm.
 
Afrika është kontinenti ku ajo, pra Serbia, ka numrin me te madh te të punësuarve, dhe te kompanive te veta jashtë vendit. Shembulli më ilustrues është Gana, Gaboni dhe Uganda, shtete ku Serbia prej periudhës së të Paangazhuarve ka ndikimin më të madh.

Dhjetëra mijëra punonjës serbë, dhjetëra kompani serbe veprojnë atje. Serbia ka marrë hisen e vet të ndikimit të Jugosllavisë së dikurshme në pikëpamje të ndikimit ekonomik, dhe si të tillë e kanë pranuar këtë rol të saj këto vende.

Afrika, pavarësisht nga niveli i përtashëm i zhvillimit ekonomik, është kontinenti me perspektiven me të madhe të zhvillimit në botë. Është kontinenti ku, sot, përplasen interesat e fuqive te mëdha për investime.

Këto janë vetëm disa nga arsyet pse interesimi i shteti, i Qeverisë dhe i diplomacisë sonë, përmes Zëvendëskryeministrit B. Pacolli ka qenë dhe është i fokusuar për të lobuar dhe siguruar njohje nga vendet e këtij rajoni të botës, gjë që edhe është arrit një sukses i konsiderueshëm në këtë plan deri tani.

Mirëpo, pikërisht për të njëjtat arsye duket se po përpiqet të që të arrij efektet e kundërta diplomacia serbe dhe kreatori i saj Jeremiç. Perspektiva ekonomike e këtij kontinenti dhe atyre që arrijnë të fitojnë miqësinë e shteteve të atij rajoni, Jeremiç po ia shton nervozen dhe mosdurimin. Po ia shton nervozen dhe mosdurimin deri në atë masë sa që edhe në rastet pak më protokollare po e humb torruan dhe arsyen dhe po lëshon deklarata që nuk do të ishin të denja për nivelin shumë më të ulet se që përfaqëson ai në hierarkinë institucionale të Serbisë.

Flet për procese e procedura shtetërore e diplomatike me një nivel bizar të shprehjes sikur në këtë rast të bëhej fjalë thjeshtë për gjera të zakonshme të cilat mund t’i blesh në tregjet më të zakonshme. Ai bën akuza se Pacolli dhe përmes tij Shteti i Kosovës ka bërë blerjen e njohjeve nga Afrika.

Kjo gjuhë, e denjë për një tregtar të zakonshëm por jo edhe për një politikan serioz, më shumë se sa do të komprometonte Pacolli dhe diplomacinë kosovare, e fyen dhe e cënon dinjitetin e shteteve të cilat, tani më këtë proces, procesin e njohjes së Kosovës si shtet, e kanë përmbyllur.

Me te njejtin sens mashtrimi, zoti Jeremic spekulon per njohjen nga Afrika Qendrore e icla tashme eshte permbyllur, se gjoja ajo nuke shte bere asnjehere. Ai me ndjenjen grandomane te dikujt qe i kacavirret rrotes se historise per ta kthyer mbrapsht, pretendonte se njohja e Guinea Bissaut do te kthehej mbrapsht, por kjo s'ka ndodhur. Përkundrazi, eshte konfirmuar fuqishem.

Pse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet kështu, sepse të flasësh me këtë gjuhë, do të thotë të konstatosh se drejtuesit e institucioneve të këtyre vendeve afrikane, janë në gjendje të ndërmarrin veprime politike e diplomatike për hirë të një shume parash që mund t’u ofroj një biznesmen, apo një shtet në fillimet e konsolidimit të tij;

Mund të thuhet kështu, sepse të flasësh me këtë gjuhë do të thotë të konstatosh se veprime të tilla bëjnë vetëm në Afrikë, ngase me këtë gjuhë, Z. Jeremiç nuk ka folur për shtete e drejtues të tyre të rajoneve të tjera botës, të cilat e kanë njohur shtetin tonë, dhe kjo në vete paraqet një racizëm të llojit të vet. Dhe vendet afrikane që tani e kanë njohur shtetin e Kosovës e të cilave ne u jemi mirënjohës, duhet ta dinë këtë fyerje raciste që u bën ministri Jeremiç.

Mund të thuhet kështu sepse Z. Jeremic, gjithnjë e më shumë, është në presion të fortë nga opinioni i brendshëm në Serbi, për dështimin e antilobimit te tij  nëpër botë kundrejt pavarësisë së Kosovës.

Në lidhje me akuzat që Jeremiçi ka bërë për blerjen e njohjeve nga Afrika, dhe sidomos në lidhje me konstatimin e paragrafit paraprak, ministrit Jeremiç do t’ia kujtoja një mendim të një lexuesi  nga vendi i tij i cili, pas një artikulli të një medie serbe në internet për njohjen e Kosovës nga Gana dhe shfajësimin se njohjet po vinin në saje të blerjes së tyre nga Pacolli, lexuesi i zakonshëm i drejtohet Jeremiç: ,,Pacolli duhet të ketë një mënyrë të vetën të lobuarit që s'ka lidhje me paratë. Nëse Rusia- thoshte ai, i ofroi më shumë se gjysmë miliardi euro Bjellorusisë dhe një shteti tjetër të vogël që ta njohin Republikën e Abhazisë dhe Osetinë dhe ato nuk e njohën, atëherë dhe paratë shpesh nuk ndikojnë në vendime si këto. Nëse do të ishte me para, atëherë Pacolli do t`i sillte vetëm nja katër apo pesë njohje". Ja sa logjikshëm dhe me sa objektivitet ka gjykuar ky lexues!

Mirëpo, kur është në pyetje Kosova dhe njohjet për shtetësinë e saj, zoti Jeremiç nuk e kap dot një nivel të tillë që ka ky lexues i vendit të tij. Në Etiopi, ai deklaroi: ,,Nuk kemi alternativë tjetër veçse të përdorim të gjithë burimet alternative dhe fondet (Vini re! Fondet-J.Z) me synimin që në bashkëpunim me vendet e UNIONIT Afrikan dhe vendet e tjera, të mbajmë një nivel të ulët të njohjes së Kosovës".  Këtu çdo gjë duket sheshazi. Ndriçohet misteri i përdorimit të parasë se kush po i përdor ato për njohje e kush për të kundërtën!


Kosova ka shumë nevojë të kërkojë njohje dhe këtë po e bën. Kosova ka të drejtë të kërkojë njohje sepse ka të drejtën në anën e saj. Kosova këtë të drejtë tani më e ka të legjitimuar edhe përmes GJND-së.

Kosova po kërkon njohje dhe po i fiton ato, pa çka se ndonjë herë me një ritëm pak sa më të ngadalësuar.

Kosova po i fiton njohjet se ka nevojë jo vetëm për përmbylljen e shtetësisë së vetë duke u anëtarësuar në OKB, por edhe duke fituar miqësinë e përkrahjen e shteteve që po e njohin atë.
Njohjet na duhen si ajri që thithim. E ajrin askush nuk e blen. Edhe ne njohjet nuk i blejmë por i fitojmë ato duke ua ofruar të gjitha vendeve të drejtën tonë për të qenë shtet njashtu siç kemi të drejtën të jetojmë me ajrin e thithur.

Këtu, në këto argumente mbështetet veprimtaria dhe arrihet suksesi i zotit Pacolli, i diplomacisë kosovare, i Qeverisë së Kosovës dhe i shtetit të Kosovës. Pra ne mbështetemi gjetkë. Ne mbështetemi tek kontaktet njerëzore me njerëz kyç të administratave të ndryshme nëpër botë, pra dhe në Afrikë. Dhe nuk jemi zhgënjyer deri tani.
 
Besoj se jemi ne rruge te mbare ne Afrike, por dhe ne shtete te tjera. Megjithe deshperimin e Jeremic qe ne Afrike si dikur me GjND po humb kredibilitetin e vet brenda dhe jashte vendit te tij. Beteja e Afrikes eshte nje beteje e panevojshme. Fundja keshtu do te dale ne fund, kur edhe Serbia, me nje qeveri tjeter sigurisht ne te ardhmen do ta njeh kete realitet ne Kosove.
 

(Autori është këshilltar i zëvendëskryeministrit Pacolli)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)