28 Mars 2024

Isë, mos luaj me durimin e qytetarëve

Shkruar nga Petrit Ahmeti 

Po t’ju them unë se edhe druri mbi 50 vjeçar,  e me gjatësi mbi 12 metra është gjelbërim, a do të më besonit? Po t’ju them se pasi që ta mbillni fidanin e ri në vend të këtij që shkulët, do të duhen edh 50 vite që ta zëvendësoi me këtë të vjetrin, e shumica prej nesh nuk do të arrijmë ta përjetojmë, a do t’ju prekte sado pak emocionalisht?

Nuk po mundem t’ju drejtohem me titullin “Kryetar”, sepse çdo ditë e më pak po veproni si i tillë.

Këtë shkrim po e shkruaj me një peshë të rëndë mbi vete, e cila m’u krijua para pak ditësh. Këto ditë ndjeva një dhimbje, një frikë, por në të njëjtën kohë ndjeva edhe një forcë, e cila më erdhi si duket si një refleks vetëmbrojtje.

Ditën e martë pashë me sytë mi, shkuljen e një pjese të shëndoshë të historisë, dashurisë, identitetit tim! Aty një grup njerëzish shkulnin një pjesë të identitetit dhe një pjesë të lidhjes shpirtërore të shumë qytetarëve me qytetin e tyre, Prishtinën. 

Në hapësirën e punishtes së sheshit “Zahir Pajaziti”, të cilën nxituat aq shumë që ta hapnit, në të cilën po mundoheni që sa më shpejtë t’i derdhni jo më pak se 4.5 milion euro, e të cilën nga nxitimi as nuk keni arritur ta rrethoni, jo për hijeshi por për siguri të qytetarit, keni filluar edhe t’i sakatosni drunjtë.

Nuk po flas këtu për drunjtë e bahçes së dikujt, por për drunjtë shumë vjeçar të cilët i mbolli dikush për ne, pra e mbolli dikush edhe një për mua.

Por kush është ai që po e merr guximin t’i shkulë e t’i pres drunjtë e secilit prej nesh dhe atë para syve tanë?

Po të ishte i tharë, në rregull, po të ishte rrezik për qytetarin, në rregull, po të ishte i vetmi rast që po ndodh, në rregull se po e falim.

Kjo shkulje e prerje e drurëve që kanë dyfishin e moshës sime e shumicën prej nesh, sikur ka filluar të bëhet prioritet i juaji dhe menaxhmentit tuaj.

Njërin na e rrëzoi era, siç thatë ju (afër Rektoratit), ne i mbyllëm sytë e të besuam. Kur filloi t’i “rrëzonte edhe shiu” (në Qytezën Pejton), ta falëm, por sot kur filluat t’i shkulni me forcë, drunjtë mbi 50 vjeçar, në mesin e Prishtinës, kjo vetëm se i kalon kufijtë dhe durimin e qytetarëve.

Për këtë gjest, më të ulëtin që kam arritur ta shoh në Prishtinë, nuk duhet të ketë pritje për arsyetim, apo jo? Prerja e drurit, diku diku edhe dënohet, por për fatin tuaj, jo këtu…jo në Kosovë.

Po e marr mundimin që t’ju flas pak për drunjtë dhe gjelbërimin. Në hapësirat e qytetit mund të ketë dy nivele të gjelbërimit: 1. gjelbërimi i ulët, ku hyn bari dhe lulet, 2. gjelbërimi i lartë ku hyjnë drunjtë (pemët).

Kategorisë së parë nuk i duhet shumë kohë apo trajtim që të lulëzoj edhe pse as këtë nuk po arrini ta bëni, kurse kategorisë së dytë i duhet shumë kohë dhe shumë mund që të lulëzoj.

Ju, jo që nuk po ia kushtoni kohën kategorisë së dytë, por po e çrrënjosni atë që dikush pati kohën dhe vullnetin ta bëjë atë.

Po t’ju them unë se edhe druri mbi 50 vjeçar e i lartë mbi 12 metra është gjelbërim, a do të më besonit?

Po t’ju them se pasi që ta mbillni fidanin e ri në vend të këtij që shkulët, do të duhen edhe 50 vite që ta zëvendësoi të vjetrin, e shumica prej nesh nuk do të arrij ta përjetoj bukurinë e tij, a do t’ju prekte sado pak emocionalisht?

Ndoshta asnjëra nga këto nuk do t’ju bëjë përshtypje, por se mllefi i qytetarëve ndaj veprimeve tuaja është duke u rritur çdo ditë.

Kjo vërehet në rrugë, në shtyp e në rrjete sociale. Shkatërrimet tuaja janë bërë të dukshme për secilin prej nesh.

Unë ju kërkoj që ta ndalni procesin tuaj të shkatërrimit të qytetit të Prishtinës dhe ju kërkoj që mos ta provoni kufirin e durimit të qytetarëve, sepse do të ecim të gjithë së bashku, por me duar jashtë xhepave për dallim nga ju, në “Metropolin” e quajtur Prishtinë për t’ju ndalur vetë. Mos harroni që ju jeni në dorën e qytetarit dhe jo e kundërta.








 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)