20 Prill 2024

Ik kryetar

Shkruar nga Arbër A. Rexhaj

Është e padiskutueshme që ju kryetar duhet të shkoni në burg. Kjo duhet të ndodh pas kaq keqpërdorimeve të shumta të cilat i keni bërë duke shpërdoruar pozitën tuaj si kryetar i Komunës së Prizrenit. Thënë të drejtën nuk më brengos fare s’e ju do të shkoni në burg nëse në këtë vend ka ajo që e quajmë drejtësi dhe shtet ligjor sepse ju e meritoni këtë.

Ju duhet të paguani për dëmet që ua keni bërë qytetarëve të Prizrenit. Pushteti juaj politik është ngritur mbi votat e vjedhura nga të gjithë ata që në mënyrë të pandershme punuan dhe vodhën që ju ta merrni pushtetin në Prizren, Jerusalemin patetik të partisë suaj.

Ju keni ngritur një qeverisje e cila mbështetet në shantazhin e përditshëm të cilën e ushtroni me trysni ndaj punonjësve të administratës, mësimdhënësve, mantilbardhëve. Ju kryetar i votave të vjedhura keni tëhuajsuar pronën publike duke shpërdoruar detyrën zyrtare, keni toleruar drejtorët të cilët kanë vjedhur, manipuluar me tenderë dhe keqpërdorur pozitën zyrtare. Kryesuesi i Asamblesë së Prizrenit harxhon me qindra euro në telefon dhe ju përherë arsyetoni ata dhe vetveten.

Kryetar juve nuk iu ka mbetur edhe aq fytyrë që atë që shihet e bëhet të mos e pranoni. Kjo nuk çon edhe aq shumë peshë sepse edhe po qe se nuk e pranoni ju të gjithë jeni nën hetime, dhe gjëja më e vogël të cilën mund ta bënit, ishte të jepnit dorëheqje si shenjë e asaj që ne mund ta quajmë veprim moral.

Dua t’ua përkujtoj, për të qenë më objektiv me ju, kur ju donit të merrnit mandatin e dytë si kryetar komune përkatësisht në balotazhin me LDK-në ju fituat, Lëvizja VETËVENDOSJE! atëherë nuk garonte për Jerusalemin e juaj patetik. Megjithatë ju fituat. Por fitorja juaj nuk ishte fitore e drejtë. Ishte fitore e vjedhur. Ju ia vodhët pushtetin LDK-së. Ju s’jeni kryetar legjitim i komunës sonë. Ti je kryetar i ardhur përmes një procesi të vjedhjes masive të votave. Atëbotë këtë e thoshte edhe LDK-ja e cila jo s’e dallonte me ju në lidhje programin politik të cilin ua shtronte qytetarëve apo me drejtë për ta shtruar, ju s’kishit program ju kishit premtime, pra ju dhe LDK-ja…

S’do mend fare se ju do të mundoheni t’ia vidhni pushtetin edhe VETËVENDOSJES, sepse këtë e aplikoni për t’i fituar zgjedhjet. Nuk zgjidhni metoda për t’ia arritur qëllimit. Do t’i përdorni të gjitha ato të cilat ju kujtohen; vjedhjen, shantazhin, klientelizmit, krimin… Ju e bëni vazhdimisht këtë, do ta bëni edhe në të ardhmen. S’ke se si të mos e bëni Ramadan, jeni kryetar i PDK-dega në Prizren.

Vazhdimisht krenoheni me të arriturat tuaja. Ligjërimi demagogjik ju shtyn të thoni se program juaj, e në fakt premtimet tuaja janë realizuar të gjitha. Si të arritura ju shtroni disa…

Mjekësia familjare sipas jush ka bërë progres, është përmirësuar shërbimi, ulur korrupsioni, përmirësuar objekti etj. Të gjitha këto janë vetëm gënjeshtra. Brenda qendrave familjare po ashtu edhe në spitalin tonë qytetarët e Prizrenit zhvaten, sepse ndryshe duhet të vdesin. Brenda mjekësisë familjare, më të cilën mburreni ju keni bërë nepotizëm. Djali juaj Genci është kryeshef i të gjithë mjekësisë familjare në Prizren, dhe së fundmi edhe vajza juaj është kryeshefe e mjekësisë familjare numër 1. Fëmijët të cilët i keni shkolluar ndoshta me mundim dhe rrogë mësuesi, fatkeqësisht i keni bërë pjesë e keqpërdorimeve tuaja.

Ju sërish mburreni që keni shtruar rrugë dhe fatkeqësisht edhe gjatë përvjetorëve të dëshmorëve nëpër fshatrat e komunës sonë, ju e thoni këtë! Në të vërtetë qeveria lokale ka shtruar rrugë, por ama me përplot parregullsi tenderësh. Në rrugën “Tahir Sinani” që ju e merrni si të arritur, në rrugën 2 kilometërshe ju keni urdhëruar të bëhen 28 kyçje. Ju e dini se më së shumti mundeshit t’i bënit 2 të tilla. Sigurisht që përmes kësaj rrugë ju keni pasur rastin të vidhni paratë tona…

Në këtë rrugë, kryetar kanë vdekur 2 vetë dhe 30 të tjerë janë plagosur. Kjo është e arritura juaj. Bilanci i të dy të vdekurve dhe 30 të tjerëve të lënduar. Ju do të duhet të ndieni shumë krenar me këtë të arritur!

Po ashtu ju mburreni me Universitetin Publik të Prizrenit, i cili ende emër nuk ka. Po ashtu ju e dini mënyrën e pandershme të hapjes së tij. Së bashku me kryeministrin Thaçi vendimin për hapjen e këtij universiteti e keni ndërmarrë në fillimin e fushatës për mandatin tuaj të dytë. Ju do të mundeshit t’ia filloni këtij projekti edhe në mandatin e parë.

Kryetar brenda këtij universiteti pati dy rektor të ndërruar brenda një kohe shumë të shkurtër. Stafi akademik i këtij universiteti është jo profesional, administrata dhe mësimdhënësit janë zgjedhur mbi parimin e nepotizimit që e zhvilloni aq shumë. Studentët nuk kanë pasur indeksa deri vonë. Ligjëratat e tyre janë jo profesionale, madje gjatë vitit të kaluar nuk janë mbajtur me rregull. Ju keni ndërtuar një universitet që i shërben Thaçit dhe juve. Ky universitet, kryetar me urgjencën më të madhe duhet të depolitizohet.

Këtu po merremi vetëm me mburrjet patologjike tuaja kryetar dhe po vazhdojmë me arsimin dhe testin e maturës. Ju thoni se keni bërë ndryshime radikale në arsim. Ndërsa e vërteta është që arsimin e keni zhytur në sferë të militantizmit. Ju punësoni mësimdhënësit, por ama vetëm ata të cilët në një mënyrë i shërbejnë PDK-së suaj. Militantët, duke filluar nga drejtorët e shkollave, të gjithë janë pjesë e partisë suaj, përveç dy të cilët nuk e di se si kanë mundur të mbijetojnë me gjithë atë trysni të cilën e bëni përmes militantëve tuaj. Përdorni mësimdhënësit dhe nxënësit jo vetëm në fushata, por edhe në dreka e darka për t’ua imponuar votimin për PDK-në. Përqindja e lartë e kalimit të nxënësve në testin e maturës ju vetë e dini se si është bërë. Dhe jo vetëm në Prizren por në tërë Kosovën. Megjithëse ju, drejtoria e arsimit, drejtorët e shkollave kanë “motivuar” nxënësit që ta kalojnë këtë test.

Më nuk do të vazhdoj kryetar.

Por mund t’ju them diçka tjetër. Së shpejti, ju së bashku me drejtorët tuaj mund të jeni para drejtësisë, me gjasë dhe të dënoheni për veprat tuaja. Alibia e ardhshme e partisë suaj do të jetë e thjeshtë. Ata do të thonë ja keqpërdoruesit u ndëshkuan. Do të mund t’i marrin disa figura të reja në partinë tuaj dhe t’u thonë qytetarëve, këta janë të pastër, të papastërit i larguam. Votoni këta! A nuk ndodhi kjo nëpër disa komuna tjera? Veçse kjo nuk do të mund të zgjasë përgjithnjë.


(Autori është Kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosja! në Prizren)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)