27 Shtator 2022

Heshtje apo hipokrizi

Shkruar nga Xhavit Beqiri


Është krejtësisht e pakuptimtë që breshëria e sulmeve të paprincipta që i bëhen Republikës së Kosovës të mos marrë asnjë përgjigje meritore nga përfaqësuesit e institucioneve tona, të cilët, fundja, edhe e kanë obligim ta mbrojnë dinjitetin e “shtetit të porsalindur”, rrita e të cilit, me gjasë po ua penguaka njësoj si atyre në Beograd, ashtu edhe disa qarqeve kuazipatriotike në Prishtinë dhe në Tiranë. 

Beogradi zyrtar vazhdon të trumbetojë ndarjen e Kosovës. Përveç ndonjë zëri të mjegullt, asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës nuk denjoi ta prishte rehatinë dhe t’u përgjigjej pa dykuptimësi këtyre pretendimeve obskurantiste.

Çuditërisht, Prishtina zyrtare ka zgjedhur heshtjen kur të tjerët flasin hapur kundër pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.

Prishtina nuk e vlerëson të nevojshme t’i përgjigjet as Tadiçit, kur ai i çon selam Tiranës “hajde merremi vesh si t’i zgjidhim problemet tona”, as ish-Presidenti Moisiu Republikën e Kosovës e quan krahinë të Shqipërisë, si të ishte ajo farë Mallakstre a Muzeqeje!

Tadiçi e fton Tiranën për “marrëveshje” duke e injoruar ekzistencën e Republikës së Kosovës. Ai hedh karremin dhe pret ta përpijnë shqiptarët, andej e këndej Bjeshkëve të Nemuna. Presidenti serb luan lojën e tij dhe kjo është tërësisht e kuptueshme. Ai flet në emër të Beogradit zyrtar dhe, sado që shtiret si më i moderuar, në raport me shqiptarët, dhe sidomos më Republikën e Kosovës, është njësoj si të gjithë nacionalshovinistët e tjerë të Serbisë.

As Tadiçi, as ministrat e tij që bredhin nëpër botë duke llomotitur “Kosova është djepi serb!”, nuk morën një përgjigje zyrtare dhe të qartë nga Republika e Kosovës. Rrjedhimisht, si shpeshherë kohëve të fundit, zyrtarëve serbë, të cilët duke kërkuar ndarjen e Kosovës bëjnë thirrje për kasaphane të reja në këtë pjesë të Evropës Juglindore, përgjigje u dhanë përfaqësuesit e vendeve mike të Kosovës.

Së fundmi, ideve të çmendura për ndarjen e Kosovës u thanë jo në mënyrë të prerë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Kristofer Dell dhe Ambasadori i Republikës së Francës, Jean François Fitou. Natyrisht, JO-ja e qartë e tyre është shumë domethënëse, por kjo nuk e përjashton domosdonë e të folurit zëshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat gjumi i gjatë dimëror nuk po i lëshon ende.

“Unë nuk e di se pse disa ministra në Serbi flasin për një zgjidhje që as nuk është në tavolinë dhe asnjë shtet serioz nuk e mbështet. Kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë nga ndonjë shtet serioz që ka njohur Kosovën e që është në favor të ndarjes së Kosovës”, tha Ambasadori francez Fitou.

Duke ua rikujtuar disa miopëve politikë në gjithë rajonin se ndarja e Kosovës nuk është në tavolinë dhe as që do të jetë, Ambasadori Fitou, ashtu si edhe homologu i tij amerikan Dell, tërthorazi godet edhe institucionet tona të përgjumura, të cilat nuk janë as përafërsisht kaq “të kujdesshme” ndaj zërave (të paktë) kritikë të shoqërisë sonë, sa janë ndaj të gjitha atyre që sulmojnë ditë e natë, fare pa fre, shtetin tonë, Republikën e Kosovës.

Institucionet e Republikës së Kosovës mund të dëshmojnë kujdes e maturi në qindra mënyra, mirëpo nuk kanë pse të janë kaq të mirësjellshme ndaj atyre që paturpësisht e mohojnë ekzistencën e vendit tonë. Në këtë kontekst, heshtja kryeneçe e institucioneve të Kosovës vërtet të zgjon ndjenjën e keqardhjes.

Është krejtësisht e pakuptimtë që breshëria e sulmeve të paprincipta që i bëhen Republikës së Kosovës të mos marrë asnjë përgjigje meritore nga përfaqësuesit e institucioneve tona, të cilët, fundja, edhe e kanë obligim ta mbrojnë dinjitetin e “shtetit të porsalindur”, rrita e të cilit, me gjasë po ua penguaka njësoj si atyre në Beograd, ashtu edhe disa qarqeve kuazipatriotike në Prishtinë dhe në Tiranë. 

Ndoshta rastësisht, ndoshta jorastësisht, porse, sa herë që dikush në Beograd llomotit për ndarjen e Kosovës, këto qarqet tona fort patriotike, fort “panshqiptare”, turren sekush më parë ta mohojë faktin se Republika e Kosovës është realitet, është realitet që ekziston dhe merr formë çdo ditë, paçka se ndokujt kjo nuk po i pëlqen hem nga veriu, hem nga jugu.

Dhe, me gjasë, kështu do të jetë edhe ca kohë, derisa Republika e Kosovës të ketë institucione që nuk kanë gjë më të shenjtë sesa – Republikën e Kosovës. Fatkeqësisht, përderisa disa “institucionalistë” tanët ende mendjen e kanë te vizatimi i hartave të reja, për integritetin e vendit tonë do të flasin ambasadorët e vendeve mike, të cilët, sigurisht,, nuk mund të mos e shohin hipokrizinë e atyre që përfaqësojnë institucionet të Republikës së Kosovës, por mburren që qëllim jetësor kanë zhbërjen e saj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)