19 Prill 2024

Gjykoni drejt: mos shkoni në gjykim!

Shkruar nga Albin Kurti

(Letër avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës)

EULEX-i nuk po heq dorë nga persekutimi i padrejtë kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!, edhe pse deri sot 175,000 qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nëpërmjet peticionit të organizuar nga Këshilli kundër këtij procesi, kanë shprehur vullnetin e tyre për mbylljen e procesit gjyqësor të EULEX-it ndaj meje si dhe dhe nisjen e hetimeve të pavarura për vrasjet e 10 shkurtit 2007. 

Deri sot disa avokatë dhe gjykatës kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij procesi të montuar gjyqësor të EULEX-it, duke mos pranuar të jenë as avokat mbrojtës, as pjesë e Panelit gjykues të EULEX-it. 

Unë u bëj thirrje të gjithë avokatëve të Kosovës që  të mos e pranojnë as ftesën e as trysninë e EULEX-it që të bëhen avokatë mbrojtës për mua. EULEX-i synon që nëpërmjet pjesëmarrjes së thjeshtë fizike të avokatit mbrojtës, ta sigurojë procedurën e nevojshme për dënimin tim.

Po ashtu, inkurajoj gjykatësit e Gjykatës së Qarkut, që të vazhdojnë t’i qëndrojnë trysnisë së EULEX-it dhe kryetarit të kësaj gjykate, Anton Nokaj, i cili me të gjitha mënyrat po synon ta gjejë zëvendësimin për gjykatësen Fllanza Kadiu, e cila me të drejtë u tërhoq nga Panli i EULEX-it.  

Cilido avokat, gjyqtar apo prokuror që vjen në seancën e nesërme, është pjesë e prokurorisë persekutuese të EULEX-it. Çdo vendës që vjen në këtë process gjyqësor do të përdoret nga EULEX-i për legjitimimin e persekutimit tim dhe vetë aktakuzën. 

Ky proces ka për qëllim ta kriminalizojë demonstratën si mënyrë e veprimit politik demokratik, si dhe ta izolojë sa më shumë Lëvizjen VETËVENDOSJE! nga zhvillimet aktuale dhe të ardhshme politike.  

Në këtë  proces gjyqësor askush nuk mund të më mbrojë, sepse EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës, por kurrsesi ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!. EULEX-i dhe VETËVENDOSJE!-a janë kundërshtarë politikë. EULEX-i nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe mbështetet në Rezolutën 1244 dhe 6 Pikëshin e Ban Ki-moon-it, kurse ne synojmë vetëvendosjen dhe sovranitetin e vendit tonë. Qëllimi i EULEX-it është që të më persekutojë, e jo që të ndajë drejtësi. Pikërisht për këtë shkak, avokatët dhe gjykatësit do të përdoren vetëm si instrumente për ta arritur këtë qëllim. Pra, përveç që avokatët dhe gjykatësit duhet ta refuzojnë këtë rast politik, ata duhet ta refuzojnë atë edhe për arsye themelore të etikës profesionale.  

Nuk është  çështja nëse më shpallin fajtor a të pafajshëm, nëse më dënojnë a jo. Ata nuk duhet dhe nuk kanë të  kenë të drejtë të më gjykojnë.

Unë do ta pranoja vetëm një gjykatë të Republikës së Kosovës pa EULEX-in përmbi. Nuk mund të ketë edhe gjyqësi të pavarur në Kosovë, edhe EULEX. Ky mision ka fuqi ekzekutive mbi institucionet e Kosovës dhe imunitet ndaj ligjit. Rruga drejt drejtësisë së pavarur është nëpërmjet kundërshtimit dhe bojkotimit të EULEX-it. Nuk është se vetëm unë dhe Lëvizja VETËVENDOSJE!-a po e bën këtë gjë, por edhe shumë avokatë e gjyqtarë deri sot. Së paku 5 gjyqtarë nuk janë zbrapsur nga trysnia e EULEX-it dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës qe të vijnë në seancat gjyqësore. Edhe ju të tjerët, që deri sot nuk jeni përfshirë në procese të tilla, mos veproni ndryshe. Le ta ndihmojmë njëri-tjetrin për gjyqësi të pavarur e të paanshme. Bashkëpunimi me EULEX-in ia lehtëson atij bashkëpunimin me Serbine, ia lehtëson nënshkrimin e dy protokolleve tjera për gjyqësi dhe dogana. 

EULEX-i ka pasur interes ta rihap rastin tim të trashëguar nga UNMIK-u, edhe pse vetë UNMIK-u e kishte braktisur atë. Kryeprokurori i UNMIK-ut, Robert Dean konstatoi se përgjegjësia për vrasjet dhe shkeljet i bjen UNMIK-ut, dhe se këto veprime kanë mundur të shmangen. Në anën tjetër, pas reagimeve të shumta të organizatave të të drejtave të njeriut në vend dhe atyre ndërkombëtare, UNMIK-u e braktisi rastin, pasi ai u bë shumë skandaloz. Por, EULEX-i, përmes Prokurorisë së vet Speciale, pati interes ta rimarrë rastin tim, meqë, në këtë mënyrë, synon eliminimin e kundërshtarit të vetëm serioz në Kosovë, Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Përderisa gjykimi i EULEX-it është politik dhe ka qëllime politike, kundërvënia ime është politike dhe ka për qëllim drejtësinë.  

Në bankën e të akuzuarve do të duhej të ishin vrasësit dhe shkelësit masivë të të drejtave të njeriut më 10 shkurt 2007, e jo unë. Më 10 shkurt 2007, ishte policia e UNMIK-ut ajo e cila qëlloi mbi trupat e paarmatosur të demonstruesve paqësorë me armë dhe plumba goma të dalur afati prej 12 vjetësh. Demonstruesit qëlloheshin kryesisht në kokë dhe prej afërsisë qëllimisht vdekjeprurëse. Si pasojë e kësaj dhune të planifikuar humbën jetën Arben Xheladini e Mon Balaj, si dhe u plagosën mbi 80 demonstrues të tjerë. Në vend që të ketë drejtësi për 10 shkurtin, EULEX-i po i vazhdon plumbat e UNMIK-ut përmes përndjekjes që po ma bën.

Më 10 shkurt 2007, ne demonstruam kundër Planit të Ahtisaarit, që, përveç kantonizimit të Kosovës, na e solli EULEX-in në Kosovë si mision të ESDP-së. Prandaj gjykimi i EULEX-it kundër meje lidhur me 10 shkurtin, është edhe më i rëndë dhe më i padrejtë sesa ai i UNMIK-ut.  

Duke e kundërshtuar statusin e EULEX-it në Kosovë të gjithë së bashku, ne po kërkojmë dhe kontribuojmë në ridefinimin e BE-në në vendin tonë: jo më si mision policor e prokurori që nis procese gjyqësore me prapavijë politike, jo mision që nuk na e njeh vullnetin politik, por BE ndihmuese për sovranitetin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. BE për mirëqenie e demokraci. Më ndihmoni t’ju ndihmoj që ta ndihmojmë Kosovën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)