24 Prill 2024

Euronikoliqi

Shkruar nga Faton Abdullahu 
 
 
Në një insert të filmit britanik ‘Marrëdhënjet speciale” ku në pjesën më të madhe të tij flitet për Kosovën dhe intervenimin e NATO-s, si dhe raportet e SHBA-së me Britanin, njëri nga protagonistët kryesor të këtij filmi Tony Blair, duke dal me nxitim nga ‘10 Downing Street’ i revoltuar për hezitimin e disa shteteve evropiane për ta ndihmuar Kosovën drejtpërsëdrejti, ju drejtohet këshilltarëve të tij: “cilësdo fjalë që mund të ju eksitoj si, muzikë, para, ushqim, seks, nëse ja veni prefiksin euro përpara, do t’i hiqet çdo kënaqësi”.

Me përjashtim të kësaj të fundit, gjithnjë e më shumë po pajtohen me Tony Blairin edhe evropianët e tjerë. Nuk është për t’u çuditur që kjo vinte nga njё kryeministër i një vendi shumë euroskeptik edhe pse ai atje prezantonte variantin më të butë të këtij skepticizmi.

Politikbërësit e Brukselit janë të njohur me atë se kujt, kur dhe si, ja shtojnë apo ja largojnë prefiksin euro. Tani ata duhet dhe në këtë drejtim menjëherë kanë filluar të punojnë që të ja vënë prefiksin euro kryetarit të ri të Serbisë, T. Nikoliq.

Politikisht një prefiks euro përpara, përkundër të gjithave, po ju dashka Nikoliqit dhe pastaj si euronikoliq do ta bëjë atë të pranueshëm për politikat e Brukselit në Ballkan.

Gjithsesi këtë nuk do ta kundërshtoj varrmihësi i Beogradit. Çfarë do të thoshte Tony Blair për euro prefiksin e Brukselit për politikat e Nikoliqit, mbase do ta përdorte fjalën “disgusting”.

Përveç një përjashtimi, Serbia kurrë nuk ka pasur raporte të këqija me vendet qendrore perëndimore dhe ky përjashtim ka ndodhur vetëm njëherë dhe atë në kohën e Millosheviqit.

Përveç një përjashtimi, Serbia kurrë në historinë e saj nuk ka qenë në raporte të këqija me Rusinë. Dhe ky përjashtim ka ndodhur vetëm në ato vite kur kreator të politikave të Serbisë nuk kanë qenë vetë serbët, por kroati Tito dhe slloveni E. Kardel.

Prirja e Serbisë për të përfituar në çdo aspekt dhe për kohë të gjatë nga balancet perëndim – lindje, ka qenë e shquar dhe asaj i ka shkuar për dore që të zgjeroj shumë territoret e veta në dëm të fqinjëve, për më shumë asaj i ka shkuar për dore që edhe t’i përthekoj në një shtet shumicën e vendeve fqinje ku pastaj ajo e ka pasur fjalën kryesore dhe për më shumë asaj i ka shkuar për dore që, idenë kroate jugosllavizmin ta përpunoj dhe si koncept të ri politik  ta bëjë profitabil, ide kjo e cila varësisht sipas nevojës, nëpër kohëra të ndryshme ka mundur të jetë herë ide proruse herë properëndimore.

Ky balancë lindje - perëndim si abece politike është e njohur pothuajse për të gjithë politikanët serbë. Këtë e praktikoj deri më tani ish presidenti Tadiq, këtë do ta bëjë edhe i porsazgjedhuri “grobari” Nikoliq i cili edhe ka deklaruar se Serbia do ta ketë një këmbë në Evropë një në Rusi.

Por Nikoliqi është ndryshe nga Tadiqi dhe kjo mund t’i jap atij mundësi më të gjëra që të nxjerrë edhe më shumë përfitime nga ky dualizëm sesa që kjo i ka shkuar për dore Tadiqit edhe pse as ai nuk mund të ankohet se nuk e ka pasur përkëdheljen e Brukselit.

A ka vend të konstatojmë kështu? Po. Ja se pse. Sepse kërcënimet e Beogradit zyrtarë, për shembull të asaj natyre se nëse nuk na do Brukseli ne kemi me kend të shkojmë, pra me Rusinë, tash me në krye Nikoliqin do të jenë goxha më reale, sepse gjithsesi do të jenë më shumë dhe më konkretisht të përkrahura nga Moska.

Ai në rast të zhgënjimit nga Brukseli do të anoj më shumë kah Rusia. Thënë ndryshe për aq sa ai do të jetë i pakënaqur me Brukselin, për aq do të jetë i përkrahur dhe drejtuar kah Rusia.

Sa më shumë që ai do ta refuzoj Brukselin, aq më shumë Rusia do ta përkrah Serbinë. Dhe mashtrohen të gjithë ata që mendojnë se Nikoliqi nuk do ta bëjë këtë.

Kushtëzimet e Brukselit të çfarëdo natyre qofshin ato ndaj Serbisë do t’i amortizoj premtimi për ndihma dhe ekstra mirëkuptim i Rusisë së Putinit.

Imagjinoni kërcënimin serb ndaj perëndimorëve për një bazë ushtarake ruse në Serbi, apo diçka të ngjashme. Kjo flet se sa mund ta ngrit pazarin Serbia në raport me Brukselin dhe përgjithësisht me perëndimorët. Këtë Nikoliqi mund ta bëjë larg më mirë se Tadiqi.

Aq më shumë mund të konstatohet kështu kur dihet se tani Putini si kryeministër i konsoliduar me ekipin e vjetër i ka me ka krejt dizginat në duar të politikës zyrtare moskovite i cili gjithsesi do të sjell risi gjeopolitike dhe gjeoushtarake pa mëdyshje kokëçarse për perëndimorët. A është kjo e mundshme të funksionoj kështu sikundër e shtruam problemin, pra në të mirë të Nikoliqit? Ka gjasa.

 Përveç përkrahjes së Rusisë e cila gjithsesi se nuk do ta lë pa e shfrytëzuar ultra prorusizmin e Nikoliqit, për këtë duhet të plotësohen edhe dy kushte të tjera. E para duhet që administratorët e Brukselit të vazhdojnë si deri më tani me Tadiqin edhe me Nikoliqin. 

Kjo do të thotë që të jenë shumë të kujdesshëm dhe të mos jenë refuzues ndaj politikave të Beogradit, as të mos vënë kushte të rënda në drejtim të hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, posaçërisht jo të tilla në raport me Kosovën. Për këtë as që duhet të dyshohet. Asgjë nuk ka ndryshuar në Bruksel që të mos jetë kështu.

Pesë shtete ende nuk na njohin, çka e bën Brukselin jo unik ndaj pavarësisë së Kosovës dhe shumë shtete të BE-së kanë marrëdhënie të shumta e dobiprurëse ekonomike e tregtare me Serbinë dhe gjithsesi edhe me Rusinë, sidomos ato me “Gazpromin” gjigant, tubat e së cilës 400 km bartin gaz edhe përmes tokës serbe e për të cilin aq shumë ka nevojë Evropa Perëndimore.

E dyta që ky dualizëm përfitues të funksionoj në të mirë të Serbisë së Nikoliqit, më mire se që dje ka funksionuar për Tadiqin, qeveritarët tanë duhet të vazhdojnë të bëjnë “play back politikë” pa kurrfarë kreativiteti, duke mos e refuzuar as edhe një herë Brukselin bile edhe kur ajo bën diskriminime flagrante ndaj qytetarëve të Kosovës.

Këtu do t’i shkonte shumë prefiksi euro fjalës diskriminim. Nëse do të jetë kështu ne nuk i kemi punët mirë. Apo thënë ndryshe mos involvimi direkt i administratës amerikane do të mund të na kushtoj shumë shtrenjtë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)