25 Prill 2024

Eulexgeit, Jakupgeit apo Limajgeit, s’ka rëndësi, më keq se Watergeit

Shkruar nga Muhamet Mavraj

Pas burgosjes së fundit, Limaj ka marrë së paku tri goditje të rënda, duke qenë brenda, të cilat reputacionin e tij e kanë lënduar seriozisht. Ato vijnë nga të gjitha anët, edhe nga s’do të jetë pritur. E para ishte në vigjilie të festës; E dyta ishte beteja e Eulexit për t’ia ndajvënë aferën e përgjimeve të paligjshme, të cilat s’po rezultojnë të kenë lidhje me të; E treta është kjo me këmbët e arushës që avokatët po e heqin nga vetja dhe po ia lënë familjes Limaj, të akuzuar familjarisht për një vepër tjetër.

Akuza mund të pretendojë ndonjë urdhër nga vetë Limaj për publikimin e tyre. Vepra e përhapjes së përgjimeve përbën vepër të rëndë penale dhe sipas juristëve mund të shkojë deri në 10 vjet burg për këdo që mund të akuzohet si shpërndarës i tyre.

Mediat kësaj radhe nuk kanë asnjë faj të vetëm. Ato kanë të drejtë për interes të publikut të botojnë çfarë të duan, pa asnjë frikë, pa i dhënë askujt llogari: mjafton saktësia e vërtetësia, që pat munguar në propagandën shkatërruese të viteve 2010-2012.

 E pamundshmja më nuk është asgjë, sepse një alamet shteti si Shtetet e Bashkuara i kanë dalë sekretet e korrespondencave diplomatike. Por, bomba e përgjimeve, që u krahasua me një afire amerikane të viteve ’70, nuk ishte Uatergeit, jo vetëm sepse nuk është hulumtim i mediave, i dy gazetarëve që nuhasin një krim politik kundër një partie tjetër dhe nuk i ndahen për muaj e vjet me radhë temës derisa rrëzojnë kryetarin amerikan, Niksonin, jo gjatë mandatit të parë, por pasi e fiton edhe vijuesin. Është më keq se Uatergeit.

Në tregimin e Kosovës publiku shërbehet drejtpërdrejt nga një tradhti zinxhirore përbrenda sistemit, Eulex-avokatë-prokurorë-gjyqtarë-shpërndarës (mund të jenë kushdo nga këto palë që ua mori mendja se kështu bëjnë mirë duke publikuar gjëra që ndoshta më s’do t’u binin në duar!).

Kështu iu hap rruga kundërvënies mizore të së njëjtës mënyrë, e cila ende nuk ka ndodhur, sepse nga dera e Eulexit, që është bërë thjesht një zyrë përgjimesh mafioze e asgjë më pak apo më shumë, do të kenë dalë përgjime për të gjithë aktorët politikë e jopolitikë, njerëz të rëndomtë, gra e burra. Në Kosovë përgjon kushdo. Këtu është lamë e thive.


Viktimë e publikimeve dhe shantazheve psikologjike nuk është individi politik, por më shumë se kaq: është edhe privatësia e qytetarëve që po rrudhen të flasin lirshëm në telefonata, është besimi në njerëzit e në institucionet e sigurisë, të cilat nuk të mbrojnë, por ndihmojnë kolapsin tënd moral (të individit dhe shoqërisë); pasojë është fundi i besimit në lirinë e shprehjes; luhatja dhe fundi i besimit në shokë të ngushtë; fundi i besimit në familje; fundi i besimit në telefoninë mobile dhe në çfarëdo mjeti tjetër të komunikimit. Ndoshta edhe fundi i disa familjeve të reja apo të vjetra (çifte bashkëshortësh).

Kjo mund të tejkalohet disi, s’është e pamundshme krejtësisht, por atëherë do të jemi të shlyer nga normat e tanishme sociale, s’do të ketë më turp, e prandaj njerëzit s’do të lënë gjë pa bërë. Ka thënë profeti, nëse s’ke turp, bëjë çfarë të duash. Jeta e shqiptarit është përfundimisht diçka si në Big Brother, veçse Vëllai i Madh, në rolin e të cilit mund të jetë secili, sipas shansit e sipas aftësisë për të nxjerrë nga Eulexi përgjime të tjera, është një redaktor pishpirik që selekton për ekranin ato që i duhen atij dhe jo ato që i duhen opinionit publik.

 Ai e ka monopolin e agjendës dhe për më keq edhe monopolin e pushtetit, prangës. Eulexi turr e vrap doli me një komunikatë për t’i bërë të besueshme ato përgjime, dhe meqë u hap sherri i madh nga vetë Eulex-i, mirë që nuk la dyshime për vërtetësinë. Por, ato që thotë Eulex-i për rastin hetimor, janë të pabaza. Eulex po mundohet kështu të maskojë prapa Limajt një veprimtari shumë më të gjerë kriminale që po e kryen vetë dhe sistematikisht, gjithmonë në emër të sundimit të ligjit, madje nëemër të të 27 vendeve të BE-së. Sa më shumë po punon për sundimin e “ligjit”, aq më shumë krim po i jep Kosovës.

Shteti i Kosovës nuk duhet të hesht për këtë ndërmarrje kriminale të misionit evropian dhe çështjen duhet ta shpie tutje, pa kurrfarë frike. Nuk duhet të hetohet vetëm Karla Del Ponte që i dergji në burgje shqiptarët e Kosovës pa asnjë bazë të vetme faktesh (Limajn dhe Haradinajn me grupet e tyre). Fundja, një hetim i pavarur ndërkombëtar duhet të kërkohet dhe vetë ky mision duhet të trajtohet më ndryshe, këtu e tutje. Pa kurrfarë frike. Faleminderit, t’u thuhet, se sa për kësi malli, kemi pas mjaft këtu. Na keni pa, e na keni ndihmu…

 Nuk duhet lejuar që për balansimet, jo më politike, por balansime të njollosjes, të goditet në radhë opozita. Nderi i vendit e përjashton këtë. Së paku ajo shpresë të mos u mirret njerëzve të Kosovës. Kosova po vuan nga projektet e tmerrshme të njerëzve të Eulex-it. Bisedat e tyre, vetëm në rastin e vendimmarrjeve kundër Limajt po të publikohen, marrëveshjet e mundshme prokuror-gjyqtar-kreu i Eulexit, mjaftojnë për të treguar të vërtetën e drejtësisë së tyre në Kosovë. Drejtësi e shtrembër. Aksioni kundër Limajt nuk është asgjë në krahasim me aksionin e madh kundër Kosovës.

Limaj është një nga njerëzit e Kosovës, që dikur pranoi padrejtësinë për hir të Kosovës, Kosova është shtet. Dhe po gërryhet fort me këto veprimtari. Tani Limaj e din se këtë padrejtësi nuk po e përjeton për hir të Kosovës. E dimë të gjithë, prandaj nuk duron më.

Të rikujtojmë se askund në përgjimet e lansuara nuk përmendet Fatmir Limaj, madje as që aludohet në të. S’ka madje asnjë sugjestionim, ndonjë shenjë, ndonjë ngjarje që i përket atj.

Në përmbajtje nuk ka asgjë, kategorikisht asgjë që mund të aludojë në ndonjë vepër penale, aq më larg në ndonjë formë të krimit të organizuar. Janë biseda shokësh që i referohen një iks ngjarjeje në Kuvendin e Kosovës ku kreu i saj i fiksuar pas postit të Presidentit, shahet në një ose dy biseda në formën private.

Punë e madhe! Edhe ky i shan ata publikisht, s;di pse pos het moral komunikatash! (Krasniqi, në atë ngjarje të Kuvendit e pat luajtur luan lojën e burrit të mirë duke ua ngulur shokëve që e kanë vënë në atë pozitë, po atyre që dikur e nxorën nga moçalet e pacifizmit nënshtrues dhe e bënë përnjëherë zëdhënës të ushtrisë kombëtare që e kishin themeluar vetë, po këta të përgjuar, e bënë përnjëherë figurën më të njohur në Kosovë. Mu këta! E njëri prej atyre që e ruante Krasniqin në daljet e para të filmuara, po vuan padrejtësisht qelitë e burgjeve: Fatmir Limaj).
Kjo lojë e pamoralshme në kurriz të Limajt, kësaj koke kujdestare turku, vazhdimisht, sistematikisht, ky shfrytëzim kujdestar i tij e më pas për pasojë edhe i fatkqësive kujdestare të tij të vazhdueshme, le të themi se është lojë e ndershme, le të themi se është lojë e një burri të mirë a më shumë burrave të mirë, familjarëve demek të ndershëm e ismailqemalave të përvuajtur. Por, janë tjera ngjarje që na thonë: Jo, mund të jetë e kundërta.
Tashmë janë zgjeruar hendeqe ndarjesh aq shumë dhe përlyerje e vetëpërlyerje saqë disa njerëz nuk i lanë më ai deti që nuk e lante një klub pararendës nënshtrues. Edhe patriotë, edhe këso punësh, nuk shkojnë bashkë. Këta njerë ose duhet të pajtohen, ose të ndahen përfundimisht! Kot ndërton, kur tjetri vazhdimisht i hedh granada shtëpisë së vet.

Kur Eulex-i nxori thasët me përgjime, nuk i nxori për të mirën e të përgjuarve, as të Kosovës. Opinioni publik nuk e di ende mirë se lojën e kujt kush po e luan, por po e dimë se projekti i Eulexit është një konflikt i tmerrshëm vëllavrasës në Kosovë. Jo më keq, por është shumë më keq se Uatergeit. Duke parë redaktimet e katër bisedave të përgjuara, kjo ngjarje shkatërruese që po prodhohet në Eulex dhe është realisht një Eulexgate, mund të marr emrin Jakupgeit, “Jakupgate”, dhe jo Limajgeit, “Limajgate”, sepse s’ka asnjë lidhje të vetme me të.


Limajn dhe procesin e shkatërrimit të tij po e shfrytëzojnë të gjithë për hesapet e veta, edhe Eulexi, edhe dostat e rremë. Nëse “Jakupovski” është kryeredaktori i përgjimeve të selektuara për publikun, e ai po duket shumë i lumtur, madje kurrë më i lumtur, ndonëse shahet rëndë, është një arsye më shumë që kjo aferë të marrë emrin e tij, Jakupgeit. Mendoj se s’ka ku ta ulë veten më poshtë nëse është vetë ky “kryeredaktori”, pavarësisht se fajtori kryesor dhe i padiskutueshëm mbetet Eulex-i dhe kreu i saj i specializuar madje për këso çështjesh, Marnaku. Ky gjeneral francez e dinte fare mirë se çfarë të zeze po i bënte kombit shqiptar kur nxori programatikisht thasët me përgjime të krerëve të shtetit. Ka gjasë që e ka trashëguar këtë luftë kundër Kosovës nga pararendësi, sepse përkeqësimi i marrëdhënieve të krerëve shtetëror është më i hershëm dhe vazhdimisht mosbesues. Këta e kanë ngrënë me gjasë herët foren e projektit shkatërrues.


S’kemi pse të bëjmë demagogji krahasimesh e përngjasimesh me projektet serbe, jemi lodhë me to, sepse janë e njëjta gjë, sepse po e shohim të gjithë moti kush po punon për Kosovën e kush kundër saj. Ato janë e njëjta gjë. Patriotë, pse u bëtë vegla të këtij projekti për karrikat e mallkume?


Dje ishim në një varrim. Pamë që i ndjeri nuk mori asgjë me vete. Vetëm qefinin! (Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)