28 Mars 2024

Eksploatimi i mbrojtur me ligj

Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje!

Cinizmi, në këtë rast në formën e mbulesës ndaj krimit, i Qeverisë së Kosovës nuk duket se ka të ndalur. Si krimi ashtu edhe cinizmi nxorën kokën rishtazi përmes projekt ligjit të punës. Se ky ligj i propozuar është vërtetë cinik. 

Cinizmi që e përcjell këtë ligj është mjaft i thjeshtë dhe i dukshëm. Quhet ligj pune, por në të vërtet, dënon punëtorin, duke e shpërblyer punëdhënësin. Organizimet sindikale të punëtorëve tash sa kohë kërkojnë ligj të punës, duke e shprehur këtë kërkesë përmes formave të ndryshme e deri te protestat. Dhe, në fund, Qeveria e Kosovës doli dhe tha - ja ku e keni ligjin. Por ky ligj është larg asaj çfarë kanë kërkuar dhe pritur punëtorët. Për shkak se ata kanë pritur një ligj i cili do t’ua përmirësojë kushtet e punës, ndërkohë që ligji ua degradon ato.

Ligji nuk e mbron punëtorin nga përjashtimi nga puna, që është një prej rëndësive bazë që ligji i punës duhet të ketë; nuk e cakton pagën minimale në Kosovë, duke ia hapur, kështu, rrugën uljes së vazhdueshme dhe të pandalshme të rrogave në vend; e mban në minimum pushimin e lehonisë (3+3 muaj) gjë që cenon të drejtën dhe mirëqenien e grave duke i vendosë ato padrejtësisht para alternativës - fëmijë apo karrierë, alternativë kjo më e dëmshmja për një shoqëri; nuk parasheh fond social e as fond të papunësisë, që do ta zbusnin sado pak varfërinë, etj. E vetmja gjë e mirë në këtë ligj është orari i punës që caktohet në 40 orë në javë, gjë që ka qenë e përcaktuar edhe më rregullore të UNMIK-ut, si dhe pagesat e obliguara për orë shtesë. 

Në deklarimet e tyre publike për ligjin, më të përafërt kanë qenë sindikatat dhe shoqatat e bizneseve, pra punëtorët dhe punëdhënësit, sesa ministri Ahmet Shala. Kjo është situatë absurde ku më të brengosur për të drejtat e punëtorëve janë punëdhënësit e ndërmarrjeve private sesa qeveria e shtetit. Kjo tregon se Ahmet Shala, jo që nuk ia mban anën intereave të popullit të Kosovës, por madje as prodhuesve të Kosovës. Ai madje edhe e ka deklaruar disa herë që ligji ka për synim interesin e investitorëve.

Por tash po del që, në fakt, me investitorë kjo qeveri nënkupton vetëm investitorët e jashtëm, madje vetëm ata me të cilët këta ministra kanë lidhje të ngushta. Se ligji i punës domosdoshmërisht nuk i largon investitorët e jashtëm, përveç atyre që e bazojnë përfitimin në eksploatim të egër. Se po të kishte qenë kështu, atëherë vendet skandinave, apo, ta zëmë, Franca, me ligjet e tyre progresive të punës nuk kishin tërhequr fare investitorë. Ose, të krahasohemi me rajonin: Kosova e ka rrogën më të ulët mesatare në rajon dhe po ashtu koston më të lirë të punës. Dhe prapë tërheqim më së paku investime. Një ligj i tillë i punës i shërben vetëm përfitimeve partikulare të një grupi interesash. Dhe, natyrisht, eksploatimit të shumicës.

Komiteti për ekonomi

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)