29 Mars 2024

Egopolitika

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Përderisa, shtetet e tjera përreth nesh i janë gezuar liberalizmit të vizave dhe rrugëtimit për BE, për qytetarinë e Kosovës është e mjaftueshme të ndihen të privilegjuar vetëm atëherë, kur kanë qeveri e institucione funksionale, qoftë edhe të korruptuara.

Kriza institucionale në Kosovë është përmbyllur përkohësisht, pas arritjes së një kompromisi, në mes të dy partive politike më të mëdha në vend (PDK-LDK), por jo edhe me përfshirjen e opozitës(AAK-VV).

Marrëveshja  konsensuale (PDK, LDK dhe AKR), e cila i dha fund kolapsit institucioanl dhe eleminimit të shkuarjes në zgjedhjet e parakohshme, ishte nevojë imediate, përkuar me rrethanat ekopolitike në të cilat po kalon Republika e Kosovës.

Përfshirja në kompromis e dy ish-partnerëve të vjetër të koalicionit (PDK-LDK), kujton mbylljen e çarjeve institucionale, nga ato autoritete qe vet i shkaktuan.

Kjo nënkupton se qytetarët e shtetit të ri, tashmë, kanë shumë arsye të kujtojnë se qeverisja e Kosovës është e fortë, ngase dy partitë e koalicionit(PDK-AKR) kanë një parti të tretë rezervë, e cila i gjindet qeverisë në situata pisku(LDK).Praktikat kanë dëshmuar se krijuesit e turbulencave, janë elementët vendimtarë edhe të këndelljes.

Shqiptarët në vend qe ti gëzohen udhëtimit pa viza (liberalizimi i vizave për shtetet tjera të Ballkanit), ndihen të lumtur që Kosova shpëtoi nga një katandisje institucionale. Kjo ngjanë kur familja i gëzohet fëmijës së keq, i cili të paktën nuk sjellë “sherr” në shtepi.

Roli i mikut të madh në zgjidhjen e problemeve të shtëpisë edhe kësaj radhe dëshmoi të jetë vendimtar. Ulja në një ‘sofër’e vëllezërve të zemëruar, u kurorëzua me pajtimin e shpirtrave të trazuar.

Pas kësaj marrëveshje, në radhë të parë fituan vet liderët dhe partitë, e krejt në fund përfitoi edhe shteti i Kosovës, i cili në qastet vendimtare shpëtoi nga një kolaps politik, ekonomik e institucional. Kalimi nga zgjedhjet në zgjedhje, pa krijuar mekanizma zgjidhjeje, janë dëshmuar sit ë dëmshëm jo vetëm për proceset politike, por edhe për vet partitë dhe liderët e tyre.

Pikërisht nga politikëbërja terciale, elektorati ka ndryshuar ‘skemën programore’ të politikës, ku asnjë lider a parti nuk mund të qeverisin me shumicën absolute. Dhe ky pozicionim do të vazhdojë gjer në ndarjen e vlerës nga antivlera, folklorizmin patriotik si mjet politik, e gjer tek llogaridhënia para ligjit dhe qytetarisë.

Bashkëqeverisje e ‘heshtur’, LDK, PDK, AKR

Realisht, marrëveshja e arritur e tri partive politike; Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, i ka dhënë fund krizës institucionale e politike në vend, të cilat e shoqëruar shtetin e ri, që nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në fakt, kjo marrëveshje më shumë tingëllon si bashkëqeverisje e heshtur në shkallë të gjerë, por dorën në zemër, është një eveniment që duhet vlerësuar pozitivisht. Të paktën ikëm nga një kaos i pafundshëm.

Ndërkaq, ku ndalëmi tek zgjedhja e presidentit, mendoj se kjo ngjanë me autoritetin e një presidenti teknik, që udhëheq shtetin në një priudhë të caktuar(pa mandate të plotë), deri në hartimin e ligjit të ri për presidentin. Dhe krejt në fund, të kësaj marrëveshje, fillon gara se kush është më meritori për këtë?

-Me plot përgjegjësi mund të themi se aktori më meritor për ‘kompromisin’ e arritur është miku i madh, Kristofer Dell. Por edhe liderët e tri partive, (koalicionit dhe ‘mazhorancës’ opozitare), Thaçi, Mustafa e Pacolli, filluan një nismë zgjimi dhe këndelljeje, duke shënuar shkallë më të lartë demokracie e përgjegjësie.

Rrjedhimisht, asnjëri nga liderët e përmendur nuk patën rrugë tjetër, përpos hyrjes në aventurën e zgjedhjeve të sërishme, nga të cilat nuk do të fitonin asnjëri nga të lartpërmëndurit, e aq më pak Kosova. Nëse zbërthejmë në tërësi rrjedhën paraprake të ecurisë politike, mund të vijmë në përfundim se, treshja e liderëve të ‘kompromisit’, së pari ruajtën fytyrën e tyre, e ngjithas kësaj është ruajtur edhe institucionalizimi i Kosovës.

Zgjedhjet vetëm sa do të komplikonin edhe më tej rrjedhën politike. Ikja nga komplikimi do të thotë këndellje. Leksion qe dëshmon se egoja për pushtet, nuk mund të jetë gjithmonë ‘element notues’, veçmas në situata delikate. Në këtë kontekst viejnë në pyetje kopromiset politike duke tehuajësuar përfundimisht politikëbërjen mbi konceptet e bajraktarizmave dhe përjashtimeve.

Ndarja e re, pozitë-opozitë

Vënia kapak e krizës politike në Kosovë, detyrimisht nuk ka mundur të tejkalohet pa përfshirjen edhe të opozitës në këtë proces. Realisht, opozita ka rol tepër domëthënës në sistemet qeverisëse në shtetet demokratike. Por, në tejkalimin e krizës institucionale, (pas marrëveshjes PDK, LDK, AKR), pa Vetëvendosjen dhe AAK-në, ka shtruar një koncept tjetër rreth natyrës politikëbërëse të Kosovës.

Në fakt, në tryezën e pajtimit nuk është përfshirë opozita, por vetëm liderët e dy partive që për shumë vjet kanë udhëhequr me shtetin,(me ndërrim pozicionesh), por gjithnjë duke llogaritur në njëra-tjetrën. Janë të njohura proklamimet për interesin e shtetit, kombit, integrimet evropiane etj.

Dhe krejt në fund, ujdia e arritur në mes të PDK, në pozitë dhe LDK-së opozitare, duke  u pajtuar rreth qëndrueshmërisë së qeverisjes, në masë të dukshme tejkalon raportet pozitë-opozitë.

Në fakt këtu kemi të bëjmë me një pushtet, shumë interesant, ku një parti në pushtet arrin marrëveshje (kompromis) me një parti opozitare, ku kjo e fundit mbetet jashtë interesave qeverisëse. Këtu kemi një komplikim konceptesh, pozitë-opozitë, sepse opozita në fakt nuk është pjesë përfshirëse në këtë marrëveshje, (përpos Isa Mustafës).

Në fakt kjo tingëllon si një pushtet i natyrës së gjerë. Ky pushtet i një qeverisjeje të pashpallur, ka penalizuar autoritetin e opozitës së vërtetë, (AAK, VV) e cila realisht ka mbetur jashtë këtyre kompromiseve.

Në fakt, dy partitë e përjashtuara nga marrëveshja e koalicionit, me ose pa dashje mbetën autoritetet e vetme opozitare. Dhe, qytetarët e shtetit të ri kanë shumë arsye të kujtojnë se qeverisja e Kosovës është e fortë, ngase dy partitë e koalicionit kanë një parti të tretë rezervë, e cila i gjindet qeverisë në situata pisku.

“Në vend se të krijojmë traditë kushtetuese, që të zgjidhim problemet me disa rregulla, për të cilat pajtohemi të gjithë, të cilat janë të kodifikuara në një dokument juridik, sic është Kushtetuta, këtu problemet dhe puna institucionale po definohet në bazë të vullnetit arbitrar dhe pazarllëqeve individuale të liderëve partiakë. Kjo mendoj se është dëmi më i madh për Kosovën”, vlerësojnë udhëheqës të “Vetëvendosjes”.

Duhet të kujtojmë se pikërisht në sajë të zgjimit qytetar, Lëvizja VV, mori numër mjaft të madh votuesish, dhe kjo do t’i ndihmojë edhe në të ardhmen. Ndërkaq, autoriteti tjetër politik, por me ndikim në politikën e Kosovës, mënyrën e marrëveshjes së kompromisit, PDK-LDK-AKR, e quan spektakël, pavarësisht ndikimit pozitiv.

“Për AAK është edhe një spektakël, që i dhurohet vendit tonë në këtë mënyrë dhe në këtë formë. Është e rëndësishme qe të kalohet ngërçi politik, por jo në çdo formë dhe në çdo mënyrë”, vlerësojnë në AAK.

 Presidenti konsensual

Zgjedhja e presidentit konsensual është cilësuar si i domosdoshëm për faktin se ky autoritet është elementi vendimtar i shkuarjes së Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Përderisa tash së fundi (rasti i Pacollit), Kosova krejt në pisk shpëtoi nga një raund i ri zgjedhjesh.

Presidenti koncensual me mandat njëvjeçar do të ndihmojë në tejkalimin e ngërçit juridik, për ndryshimin e ligjit zgjedhor për kreun e shtetit. Në këtë kohë përfshihet edhe përcaktimi i afateve për reformat zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat do ta çojnë vendin në zgjedhje të rregullta.

Gjithashtu liderët e tri partive pajtohen që \"zgjedhjet e para presidenciale në Republikën e Kosovës do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi\".

Oponenti kryesor i kompromisit dhe miku i madh i Kosovës, Kristofer Dell, thekson se udhëheqësit politikëu vendosen qe interesat e shtetit t’i vënë para interesave personale e partiake.

\"Fakti që unë jam me ta tregon se ata mund të punojnë për të mirën e këtij vendi\". Ndërkaq, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Faith, vlerëson se kompromisi i arritur hap rrugën për reformën e pranuar reciprokisht të procesit zgjedhor.

“Unë i uroj udhëheqësit e përfshirë për përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj progresit politik dhe shpresoj se koalicioni qeveritar tani do të mund të përqëndrohet në adresimin e sfidave të rëndësishme të politikave që kanë ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve. Kjo mund të hapë një epokë të re të qeverisjes më përfshirëse dhe konsensuale, në të cilën të gjithë aktorët mund të japin kontributin e tyre”.

Kriza institucionale në Kosovë është përmbyllur përkohësisht, pas arritjes së një kompromisi, në mes të dy partive politike më të mëdha në vend (PDK-LDK), por jo edhe me përfshirjen e opozitës(AAK-VV).

Qytetarët e shtetit të ri kanë shumë arsye të kujtojnë se qeverisja e Kosovës është e fortë, ngase dy partitë e koalicionit kanë një parti të tretë rezervë, e cila i gjindet qeverisë në situata pisku.

Përderisa, shtetet e tjera përreth nesh i janë gëzuar liberalizmit të vizave dhe rrugëtimit për në BE, për qytetarinë e Kosovës duket të jetë e mjaftueshme edhe atëherë kur të paktën kanë qeveri e institucione funksionale, qoftë edhe të korruptuara.

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)