29 Mars 2024

Efektet e (mos) intervenimit në Veri

Shkruar nga Faton Abdullahu

Do të jetë një zhgënjim i madh dhe vështirë i riparueshëm për qytetarët e Kosovës, nëse qeveria aktuale nuk do të intervenoj për t’i parandaluar zgjedhjet serbe në Veri të Kosovës.

Ata janë duke pritur që faktori ndërkombëtar pasi që vuri fusnotën në emrin e Kosovës e që nuk ishte në pëlqim me vullnetin e tyre të bëjë diçka pozitive si kompensim për këtë mirëkuptim gjithsesi të tepruar dhe të dëmshëm të pushtetarëve tanë.

Është shans i mirë që Prishtina zyrtare të intervenoj me të gjitha mjetet e mundshme për ti parandaluar jo vetëm zgjedhjet në ditën e zgjedhjeve, por ta bëjë këtë edhe me fushatën zgjedhore.

Ajo për këtë ka gjithsesi mbështetjen e shumicës së qytetarëve të Kosovës, por me sa mund të kuptohet edhe faktori ndërkombëtar është për atë që këto zgjedhje të mos mbahen askund në territorin e Kosovës.

Nëse është për t’i besuar deklaratave të qeveritarëve tanë, ata janë duke u përgatitur për ta bërë një gjë të tillë. Mbase duhet besuar se do ta bëjnë një gjë të tillë nëse duan që të vazhdojnë me qeverisjen e këtij vendi, përndryshe nëse këtë nuk do ta bëjnë, ata do ta humbin çdo legjitimitet për të vazhduar tutje. Mos intervenimi për qytetarët e Kosovës do të ishte zhgënjim i madh jo vetëm nga qeveritarët, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Cilat do të jenë efektet e një intervenimi të tillë të mundshëm të Prishtinës zyrtare, me ç’rast do të duhej ndoshta edhe përdorimi i drejtpërdrejtë i forcës policore për të bërë një parandalim të tillë?

Në rend të parë duhet thënë se i gjithë intervenimi nëse nuk është i plotë dhe i drejtpërdrejtë mund të ketë efekte të përkohshme dhe kjo është shumë e mundshme të ndodhë. Ky intervenim mund të jetë i kësaj natyre me ç’rast qeveria jonë do të thotë se e ka kryer obligimin e saj kushtetues, sepse ka intervenuar.

Mirëpo nëse parandalimi i zgjedhjeve do të kërkoj përdorim më të drejtpërdrejtë të forcës, çka do të përshkallëzoj situatën në Veri, sepse mund të kemi përleshje ndërmjet policisë tonë me klanet e ndryshme serbe atje, atëherë qeveria do të zmbrapset me arsyetimin se nuk mund të bëjë më shumë, sepse situata kalon në atë shkallë me ç’rast ajo mund të akuzohet se po shkel të drejtat e njeriut.

Kjo do të ishte një humbje e madhe, sepse me punën e lënë për gjysmë nuk do të arrihej asnjë efekt pozitiv, asnjë përfitim, përkundrazi nga e gjithë kjo Kosova do të humb shumë në rrugëtimin e saj drejtë shtetësisë më të qëndrueshme edhe pse mbase qeveria do të mundohet që me këtë intervenim të arsyetohet se është munduar ta kryej punën si duhet, ndërkaq me shpjegime dhe arsyetime shtesë do të mundohet edhe të përfitoj poenë politik.

Për më keq e gjithë kjo do t’i shkoj për shtati shumë Beogradit zyrtarë, konkretisht presidentit aktual Tadiçit. Pse? Do të mjaftoj që ai të krijoj përshtypje, çoftë edhe në mënyrë deklarative se do t’i mbaj zgjedhjet serbe edhe në Kosovë.

Kjo për të është shumë e nevojshme nëse përcillen me vëmendje raportet e forcës së tij politike me forcat serbe opozitare të cilat nga perëndimorët konsiderohen si nacionaliste dhe proruse. Kurse intervenimi i Prishtinës zyrtare nëse nuk do të jetë i plot dhe nëse nuk do të bëhet më vendosmëri deri në fund vetëm se do ta ndihmoj Tadiçin.

Ai do të ketë arsyetim të thotë se u përpoq që të organizoj zgjedhje në Kosovë, por këtë nuk po e mundëson intervenimi i Prishtinës si dhe kundërshtimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe gjithsesi më pas do të jetë i shtrënguar të premtoj se do të bëjë çmos që Beogradi të jetë i pranishëm në Kosovë dhe do të obligohet që t’i konsolidoj serbët e Veriut për të ushtruar pushtetin e tyre në këtë pjesë të Kosovës.

Thënë përmbledhtazi nuk është bashkësia ndërkombëtare ajo që do ta detyroj Beogradin që të heq dorë nga organizimi i zgjedhjeve edhe në Kosovë. Ndërkombëtarët reaguan lidhur me këtë çështje duke thënë se Beogradi nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë, por nga natyra e reagimit u pa se ky ishte më shumë një sugjerim sesa një kërkesë e drejtpërdrejtë dhe e vendosur, aq më pak një kërcënim pas të cilit qëndrojnë edhe ndëshkimet e mundshme.

Prandaj vendimi i mbetet Prishtinës. Është Prishtina ajo që duhet t’i kalkuloj të gjitha gjërat dhe të vendos se si do t’ia bëjë. Ka indicije që na japin të drejtë të konstatojmë se Qeveria e Kosovës do të intervenoj dhe nuk do të lejoj që zgjedhjet serbe të organizohen në Kosovë.

Jo pak qeveritarë edhe e kanë deklaruar këtë. Për më shumë ministri i brendshëm Rexhepi ka deklaruar se ka filluar edhe përgatitjet për diçka të tillë. Megjithëkëtë ka vend edhe për skepticizëm. Jo aq për faktin se nuk do të ketë fare përpjekje nga Prishtina zyrtare për t’i parandaluar zgjedhjet serbe në Kosovë, sa për faktin se puna do të lihet në gjysmë, ashtu sikundër e shpjegova më sipër. A ka vend për të shprehur një dyshim të tillë? Gjithsesi se po.

Kjo ka ndodhur edhe më herret. Ndërkohë tek po e dëgjoja seancën e Kuvendit të Kosovës para ca ditësh e ku u diskutua edhe për këtë çështje, mu dukën jo të zakonshme deklaratat patriotike dhe kur po them patriotike po e them pa sarkazëm, sepse ishin të tilla ato të kryeministrit dhe të zëvendësit të tij. Kryeministri Thaçi foli për bashkimin e shqiptarëve në një shtet në rast të ndryshimit të kufijve, kurse zëvendëskryeministri tha se pavarësia e Kosovës ishte projekt kompromisi.

Që të dy deklaratat janë të sakta dhe të drejta dhe ato si parime kanë përkrahjen e shumicës së shqiptarëve. Por pse u zgjodh që ato të thuhen mu në këtë kohë dhe të shtrohen mu ashtu sikundër u shtuan?

Mos ishte kjo një vetëmbrojte nga sulmet e vazhdueshme që u bënë kohëve të fundit e të cilat ishin në rend të parë të lidhura me pranimin e fusnotës, me ç’rast qeveritarët u akuzuan shumë deri edhe për tradhti kombëtare apo ishte kjo edhe një përgatitje për tu mbrojtur nga sulmet që do të pasojnë, në rast se nuk do të intervenohet për t’i parandaluar zgjedhjet serbe në Kosovë.

Nëse është kjo e dyta Kosova i ka punët keq, shumë keq. Nëse nuk është atëherë duhet të ndodhë intervenimi i drejtpërdrejtë i fortë dhe kësaj çështje duhet t’i shkohet deri në fund. Se si do të jetë e vërteta ne do të bindemi shumë shpejt, zgjedhjet serbe janë afër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)