10 Maj 2021

Dy përvjetor të shqipëtarve, 134 vjet Lidhje, 100 vjet ndarje

Shkruar nga Gani Qarri

Me rastin e këtij përvjetori të madh dhe ndër më të rëndësishmit të historisë sonë ,përveç rikujtimit të datës së formimit të Lidhjes Kombëtare Shqiptare dhe Prizrenit si vend ku ajo lindi, me pietet duhet të përkujtohen dhe nderohen krijuesit e  saj të devotshëm të cilët dhanë çdo gjë nga vetja për ta shpëtuar popullin shqiptar nga kërcënimet serioze që kishin vënë në rrezik ekzistencën e tij,edhe pse kombi ynë sivjet plotëson një shekull që kur mbeti i ndarë në disa shtete.

Heronjtë e Lidhjes ishin ata,të cilët nuk u ndalën para asnjë sakrifice,vuajtje a sfide sado e madhe qoftë ajo për atdhe, përkundër ndëshkimeve të rënda, syrgjynosjeve të gjata ,burgjeve drakonike, helmimeve dhe flijimit të jetës së tyre të shtrenjtë. Asnjëra nga këto figura të ndritshme kombëtare,nuk kaloi pa persekutimet dhe përjetime nga më të hidhurat,të cilat mundi ti shpaguante vetëm liria e arritur kombëtare si vlerë mbi vlerat e cila nuk ka çmim dhe për të ia vlen të flijohet çdo gjë , përfshi edhe jetën.

Pas më tepër se 4 shekujsh robërie,e para Lidhja e Prizrenit organizoi shqiptarët rreth idesë së madhe të lirisë së tyre dhe çlirimit të atdheut,duke bashkuar forcat më përparimtare të kohës si dhe intelektualët më të njohur të kombit.

Ajo angazhoi ushtarakët më të zot që kishin trojet tona, ashtu si dikur Besëlidhja e Lezhës në kohën e lavdishme të Skënderbeut e cila i vuri në veprim të gjitha forcat aktive,duke krijuar për herë të parë edhe një platformë gjithëkombëtare politike dhe ushtarake të veprimit,për mbështetjen me forcë të çlirimit dhe bashkimin kombëtar, pa projektin e të cilës shqiptarët vështirë se para 100 vitesh mund të arrinin Shqipërinë e lirë, dhe tani Kosovën shtet Heronjtë e saj ishin figurat më të ndritura të kombit,të cilët vinin nga të gjitha trevat ku flitej shqip; si Kosova, Shqipëria, Ilirida, Çamëria, trojet shqiptare nën mal të zi,Kosova Lindore dhe shqiptarëve në përgjithësitë,të njohur jo vetëm nga këngët patriotike që atyre u këndoheshin por për veprat e mëdha kombëtare që ata arritën ti realizonin. 

Nga ata nisi dhe u jetësua çdo e arritur serioze që ka të bëj me mbijetesën dhe ekzistencën e këtij populli, që nga ringjallja e ndërgjegjes së mjegulluar kombëtare,zhvillimi arsimor dhe kulturor e deri te lufta për pavarësi dhe krijimit të shtetësisë shqiptare.

Siç është përsëritur disa herë edhe gjatë historisë së ekzistencës sonë,populli shqiptar në të gjitha kohët kishte armiq të shumtë të cilët përpiqeshin hapur për shuarjen e tij, ndaj nuk ishte vetëm robëria pesëshekullore - ajo, e cila shqiptarët do ti sillte para asimilimit,por ishin edhe aleancat sllavo-ortodokse ato, të cilat synonin me çdo kusht zhdukjen e përgjithshme të kombit tonë.

Në krye të këtyre aleancave ,printe gjithmonë Rusia ,e cila herë fshehtas e herë hapur, përmes marrëveshjeve me fuqitë tjera vendimmarrëse,që nga marrëveshja e fshehur e vitit 1877 në Budapest, parashihte okupimin e Kosovës nga Serbia,të Çamërisë nga Greqia dhe viseve veriore të Shqipërisë nga Mali i Zi.

Marrëveshjet e saj të hershme dhe të vonshme si dhe aleancat sllavo ortodokse të vendeve hegjemoniste fqinje,jo vetëm se do ti qonin shqiptarët në prag të një shthurje të rrezikshme territoriale por edhe të shuarjes së tyre kombëtare.

Pas marrëveshjes së fshehtë të Budapestit,më 24 prill të vitit 1877 do të fillonte lufta Ruso-Turke e cila do të përfundonte më 31 janar të vitit 1878, kurse rreth një muaji më pas pra më 3 Mars të atij viti,afër Stambollit do të nënshkruhej marrëveshja e Shën Stefanit,e cila jo vetëm se nuk do ti përmendëte fare shqiptarët por edhe trojet e tyre do të ndaheshin sipas shijeve sllave.

P.Sh. Bullgaria, do të pushtonte Korçën, Pogradecin, Dibrën, Gostivarin, Kërçovën, Tetovën, Shkupin, Kaçanikun dhe Kumanovën.

Serbia,kishte okupuar viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës, kurse Mali i Zi, Plavën,Gucinë, Hotin, Grudën, Anamalin, Rugovën, Krajën dhe qytetin e bukur bregdetar të Ulqinit. Ndërsa pjesa tjetër e trojeve tona do të ngelej edhe më tej nën perandorin turke.

Edhe pse shqiptarët fuqishëm do ta kundërshtonin pushtimin e tokave të tyre dhe traktatin e Shën Stefanit,rishqyrtimi i vendimeve të tij do të arrihej vetëm pas hedhjes poshtë edhe nga Fuqitë e mëdha,e sidomos nga Austro-Hungaria.

Ndaj pas më tepër se tre muajsh, nga 13 Qershor deri më 13 Korrik të vitit 1878 do të mbahej Kongresi i Berlinit,në të cilin do të silleshin vendime të reja për vendosjen e kufijve në Evropë dhe Ballkan,të cilat as kësaj radhe për popullin shqiptar,nuk ishin aspak fatlume.

Paralajmërimi i mbajtjes së Kongresit të Berlinit,u bë një shtysë më tepër për shqiptarët që të bënin një organizim më të mirë kombëtar. Kështu që më 10 Qershor të vitit 1878,para mëse 134 vitesh,do të mblidheshin rreth 300 delegat nga të gjitha krahinat e popullit tonë në Prizren ku do të krijonin Lidhjen Kombëtare Shqiptare e cila edhe pse kishte atributet e një qeveri të mirëfilltë evropiane,përfaqësuesit e shqiptarëve nuk do të pranoheshin në Kongresin e Berlinit, bile do tu mohohej edhe fjala në punimet e tij me arsyetimin se nuk ekzistuaka kombi shqiptar dhe Shqipëria na qenka vetëm një shprehje gjeografike,siç do të shprehej kancelari i atëhershëm i Gjermanisë Otto Bismarku para delegacionit shqiptar të udhëhequr nga Abdyl Frashëri.

Ndaj,edhe në Kongresin e Berlinit u vendos që tokat e tyre tu epeshin shteteve fqinje,si p.sh;  Serbisë krahinat shqiptare të Pirotit, Trenit,Vrajës,dhe Nishit.

Malit të Zi: Tivarin, Podgoricën, Plavën, Gucinë ,Rugovën dhe Kolashinin, kurse, Greqia pushtoi trojet shqiptare deri në lumin Kalamas dhe Sele-mavria, që përfshinte pjesën më të madhe të Çamërisë.

E sjellë para akteve të kryera,Lidhjes Kombëtare Shqiptare, nuk do ti mbetej rrugëdalje tjetër përveç organizimit ushtarak, për mbrojtjen me luftë të trojeve shqiptare e cila shumë herë u tregua e aftë dhe e zonja ti mbronte ato me grykën e pushkës për çka edhe fuqitë e mëdha do të detyroheshin disa herë të provonin (gjoja) gjetjen e zgjidhjeve alternative,duke bërë zëvendësimin e një toke me një tokë tjetër,por gjithmonë shqiptare,për tua falë fqinjëve tanë hegjemonist e grabitqar.

Kështu do të fillonte mbrojtja e organizuar ushtarake e trojeve tona etnike para 134 vitesh, pas 10 qershorit të vitit 1878 kur do të formohej, Lidhja Kombëtare Shqiptare një pjesë e projektit kombëtar të së cilës do të realizohej, rreth 34 vite pas krijimit të saj,me datën historike të 28 Nëntorit të vitit 1912, kur do shpallej pavarësia e Shqipërisë.

Ndaj,ky vit mund të konsiderohet si viti i parë me fat për shqiptarët ani pse edhe ai solli vetëm një fat të pjesshëm për shqiptarët, ngase më tepër se gjysma e kombit dhe trojeve tona etnike pa dëshirën e tyre edhe përkundër luftërave të gjata që ata zhvilluan për çlirim,prapë do mbeteshin jashtë kufijve të shtetit të sapo krijuar kombëtar ,për të cilët edhe pas rreth 500 viteve të kaluara nën sundim, pushtimet e huaja dhe robëria mbi ta në disa pjesë të etnisë sonë tash e 100 vite ajo vazhdon.

Ndaj, besoj se me të drejtë,populli ynë kritikon mosveprimet e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të cilat nuk kanë bërë asnjëherë sa duhet për bashkimin e kombit dhe trojeve tona etnike të ndara për mëse një shekull. Madje edhe ata individ apo grupe të cilët përpiqen për bashkim, të dy qeveritë përkujdesen- që përpjekjet e tyre të shantazhohen dhe mbeten pa mbështetje , në vend se para këtij provimi të madh edhe ata të ndihmojnë e veprojnë kombëtarishtë dhe  gjenden aty ku bëhet bashkimi.

Udhëheqësit e Lidhjes,ndryshonin shumë nga politik-bërsitë e sotëm shqiptar,ngase ata dhanë çdo gjë nga vetja e shumë sish edhe jetën e tyre të shtrenjtë për lirinë dhe bashkimin e  kombit,të cilët për kontributin që dhanë u bënë të njohur si për historinë tonë ashtu edhe për atë ndërkombëtare edhe pse shumë sish besnikërinë ndaj kombit dhe atdheut,do ti paguanin me jetët e tyre të shtrenjta.

Shembuj të tillë ka shumë,por ndoshta do të mjaftonte që kësaj radhe ti kujtojmë disa nga ta:

Po fillojmë me, Sefë Kosharen i cili pas plagosjes në luftë kundër hordhive pushtuese turke do të kapej nga turqit në mes të Slivovës dhe Shtimes ,i cili edhe para litarit të ngritur për varjen e tij ,më përpara do ta pranonte vdekjen se sa tradhtinë ndaj idealeve të Lidhjes Kombëtare Shqiptare.

Madje luftën e Lidhjes për çlirim kombëtar,ai as me çmimin e jetës ,nuk do ta dënonte, siç kërkonte nga luftëtarët shqiptar, Dervish Pasha,për tua falur atyre jetën.

Ndaj edhe pse i plagosur rëndë heroi do të varej nga Dervish Pasha në një lis në mes të fshatit, që të tmerroheshin edhe shqiptarët e tjerë të cilët kërkonin çlirimin e Atdheut të tyre nga Perandoria turke.

Mic Sokoli njëri ndër udhëheqësit më luftarak dhe më trima që kishte Lidhja Kombëtare Shqiptare,do të ngrihej në Legjendë të pavdekshme kombëtare: Ai në shpirtrat dhe zemrat e patriotëve shqiptar jeton edhe sot, i cili do të binte heroikisht në dyluftimin trimëror me grykën artilerike të topit turk, që vriste luftëtarët e tij.

Ali Ibra njëri nga anëtarët më trima të shtabit udhëheqës të ushtrisë së Lidhjes,në luftimet kundër forcave pushtuese të perandorisë turke , do të printe në ballë të betejave, i cili nuk do të ndalonte luftimet mbi "vraç" të zi as kur do të plagosej rënd ,edhe pse do ti shkonte gjaku për zingji.

Abdyl Frashëri pas kapjes së tij nga turqit,pranë Elbasanit,do të dënohej dhe syrgjynosej deri në vdekje në Stamboll,por as ai nuk do ti dënonte veprimet e Lidhjes Kombëtare Shqiptare ,në këmbim të faljes së dënimit nga sulltani.

Ymer Prizreni, edhe pas shuarjes së Lidhjes, nuk do të dorëzohej dhe pas një qëndrimi disa mujor në Malësinë e madhe të Ali Ibrës, Mic Sokolit, Mehmet Shpendit, Zeqir Halilit etj, i mundur nga mosha,do të strehohej në Ulqin,ku edhe pas burgosjes së bashkëshortes dhe vajzave të tij të cilat do të dërgoheshin për vuajtjen e syrgjynosjes në Turqi,nuk do të pranonte kushtet e pushtuesit turk.

Ai madje nuk do të mashtrohej nga premtimet për falje dhe nuk do joshej as nga ofertat turke për privilegje dhe pasuri përrallore që i ofroheshin nga Perandoria,të cilave si hero i dëshmuar kombëtar që ishte dhe mbeti përgjithmonë, do tu përgjigjej me shumë vendosmëri, se; edhe po të më vej- mbreti në fronin e tij, nuk dua të dëgjoj më për Turqi.

Kështu që Kryetari i devotshëm i Qeveris së Lidhjes së Prizrenit,do të qëndronte në Ulqin deri në vdekjen e tij,e cila edhe pse ai tanimë ishte në një moshë të shtyrë,do ti vinte nga një atentat me mjete të forta,të kryer nga agjentët Turq e malazez,mu para derës së shtëpisë ku ai banonte.

Sylejman Vokshi me gjithë shpërndarjen e Lidhjes nga Perandoria nuk do ti ndalonte luftimet kundër Turqisë nga kryengritja në kryengritje deri në kapjen e tij me tradhti,gjatë luftimeve që zhvilloheshin në Gjakovë nga rreth 3 mijë malësor të udhëhequr nga ai dhe Ali Ibra, të cilët përgatiteshin për të çliruar edhe Prizrenin.

Pra këta ishin vetëm disa nga luftëtarët dhe heronjtë e pa harruar të kombit të cilët betimin e tyre për jetësimin e idealeve të Lidhjes së Prizrenit e cila kishte organizuar luftën për Liri dhe bashkim kombëtar të të gjitha trojeve etnike shqiptare, do ta qonin deri në fund duke mos e ndalur betejën për të gjallë të tyre.

Ata do të mbeten përherë emra të mëdhenj dhe të pavdekshëm , të cilët nuk lejuan kurrë të luhet me fatin e kombit dhe as pranuan ndonjëherë kompromise në dëm të tij. Qëllimi i luftës së tyre të shenjt ishte dhe mbeti formimi i një shteti të përbashkët kombëtar, për të gjithë shqiptarët,i cili do të shtrihej në të gjitha trojet tyre etnike siç ishin vilajeti i Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

Në luftimet e Lidhjes,edhe pse i ri ,do të merrte pjesë edhe heroi Isa Buletini i cili dha shembullin e një atdhetari të përkryer dhe luftëtari të devotshëm kombëtar,që nga 21 prilli i vitit 1881,si luftëtar 17 vjeçar dhe njëri nga ushtarët më të ri të Lidhjes së Prizrenit, në betejën heroike të Slivovës, të udhëhequr nga heronjtë Mic Sokoli, Ali Ibra dhe Sefë Kosharja e Sylejman Vokshi, kundër forcave pushtuese turke të gjeneralit gjakatar të Perandorisë Osmane, Dervish Pashës.

Ndaj,edhe pse Lidhja e Prizrenit do të shuhej në vitin 1883, pjesëmarrja e Isa Buletinit në betejat e saj ishte edhe një Garanci, se lufta për liri edhe pas saj do të vazhdonte, deri në çlirimin definitiv të trojeve tona nga Perandoria turke.

Ndaj, në momentet më të vështira, përball problemeve për jetë a vdekje para të cilave ishin vënë shqiptarët ,kur pothuajse askush në Evropë as Botë nuk interesohej për fatin e tyre,Isa Buletini me bashkëluftëtarët dhe nxënësit e devotshëm të Lidhjes Kombëtare Shqiptare,do të ngriheshin si feniksi nga hiri i luftërave shkatërrimtare me perandorin turke,për ta quar luftën idealeve kombëtare të Lidhjes përpara deri në çlirimin definitiv të atdheut dhe pranimin e shqiptarëve si komb në historinë më të re të kombeve që krijoheshin në fund shek. XIX dhe fillim shekullin -XX.

Lidhjes Kombëtare Shqiptare e Prizrenit,lindi si nevojë e kohës për shpëtimin e kombit,e krijuar me 10 Qershor të vitit 1878,nga figurat më brilante që kishte vendi dhe trojet tona etnike kudo jetonin shqiptarët.

Ato që ishte përpjekur ti arrinte Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Ali Ibra etj. para rreth 30 vitesh më parë,tani kishte ardhë radha që me luftën e tyre ti jetësonin Hasan Prishtina,Isa Buletini, Bajram Curri, Ismail Qemali, Mehmet Deralla, Luigj Gurakuqi,Zeqir Halili,Kadri Prishtina,Bajram Daklani etj,të cilët ishin po aq patriot sa edhe të parët.

Madje, edhe Idealet e Lidhjes, këta do ti qonin një hap më tej duke arritur me luftën e tyre heroike ta çlironin atdheun e shqiptarëve nga robëria turke. Megjithatë lirinë e arritur me gjak e mund dhe shumë sakrifica,do ta gëzonte vetëm një pjesë e atdheut dhe pak nga heronjtë e saj,qoftë nga pushtimi i pjesëve më të mëdha të tokave shqiptare nga shtetet hegjemoniste fqinje,qoftë nga luftërat e brendshme që kishin shpërthyer për marrjen e pushtetit në Shqipëri, në gjysmë-shtetin atëhershëm ende të pa konsoliduar shqiptar.

Përkujtimi i Lidhjes Kombëtare Shqiptare na rikthen edhe një herë në kohën e para 134 vitesh, kujtim që na bën të mendojmë thellë se çfarë ëndrrash të mëdha kishin shqiptarët atëherë,dhe sa të vendosur ishin ata atëbotë,për realizimin e idealeve të tyre kombëtare,për një popull të cilit nuk i mungonte vetëm liria dhe shteti,por edhe mbështetja për to,kur Populli Shqiptar,i kishte të ndaluara shkollat në gjuhën e tij, të cilit i refuzohej kombësia dhe e drejta për të pasur shtet, si nga perandoria pushtuese turke,ashtu edhe nga shtetet hegjemoniste fqinje,duke mos harruar edhe shumicën e fuqive të mëdha të cilat mbanin qëndrim shumë të ashpër anti-shqiptar.

Ndaj vetvetiu lind pyetja; Sa idealistë të mëdhenj duhet të kishin qenë ata heronj të kombit të cilët luftuan me mish e me shpirt për lirin e popullit dhe krijimin e shtetit të tyre kombëtar,të cilët përkundër sfidave të panumërta dhe sakrificave të mëdha,një ditë arritën që nga lindja e ëndrrës së tyre për liri të realizonin edhe idealin kombëtar për pavarësi,heronj që e ardhmja do ti bënte krenar me kombin dhe atdheun e tyre të çliruar dhe të njohur e pranuar ndërkombëtarishtë  të cilin ne sot e gëzojmë,për aq sa ai është.

Dëshira për urimin e këtij përvjetori historik dhe 100-vjetorin e shtetit shqiptar, edhe pas 134 vjetësh nga formimi i Lidhjes së Prizrenit dhe 100 vjetëve të kaluara nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë,edhe sot na mundon nga padrejtësitë të cilat shqiptarët i përcollën gjatë gjithë historisë së ekzistencës së tyre si komb i ndarë dhe nën sundimin e disa shteteve të rajonit.

Madje edhe në Kosovën e shpallur shtet,pjesa veriore e saj edhe 13 vjet pas çlirimit dhe katër vite pas shpalljes së pavarësisë së saj,mbetet e okupuar nga strukturat kriminale dhe policore të Serbisë të cilat gjatë këtyre 13 viteve, asnjëherë nuk pushuan së vepruari në atë pjesë të vendit tonë.

Organet përgjegjëse të sigurisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, dështuan të sigurojnë popullatën shqiptare në veri të vendit nga e cila jo vetëm se janë përzënë me forcë mbi 10 mijë shqiptar por dëbimet e heshtura të tyre vazhdojnë edhe sot e gjithë kohën pa ndalë edhe pse të paktën KFOR-i do duhej të garantonte jetën e shqiptarëve të lënë në mëshirën e fatit.

Atje bandat kriminale serbe jo vetëm se ende kanë fuqi të krijojnë tensione por ata për 13 vite me radhë bëjnë ligjin e xhunglës në veri duke terrorizuar shqiptarët me vrasje, tentim-vrasje, bllokim rrugësh e frikësime nga më të ndryshmet  përfshi të gjitha format e mundshme të dhunës dhe të një lufte të pa penguar speciale,për shpërnguljen e tërësishme të tyre nga ato pjesë të vendit.

Përveç formave të cekura të dhunës, klanet kriminale serbe të veriut kanë gjetur edhe bashkëpunëtor shqiptar nga jugu,me të cilët për vite me radhë kontrabandojnë naftë dhe të gjitha llojet e mallrave të ndryshme  nga Serbia duke dëmtuar buxhetin e Kosovës për dhjetëra e qindra miliona euro,dhe shkatërruar ekonomin edhe ashtu të varfër  të  shqiptarëve, gjatë këtyre viteve.

Kurse Lidhja Kombëtare Shqiptare ishte ndryshe,ajo arriti ti bashkonte shqiptarët nga të gjitha trojet tona etnike, artikuloi drejtë dhe fuqishëm kërkesat e tyre për pavarësi dhe i parapriu krijimit të shtetit të tyre kombëtar,platforma e së cilës  u realizua pjesërisht me aktin madhor të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.

Ndërsa tani, edhe pse shqiptarët jetojnë në kohë dhe kushte krejt tjera dhe shumë më të favorshme për bashkim,dhe shpesh na bie të dëgjojmë edhe deklarata të bujshme nga goja e politik-bërësve të sotëm se kombi ynë është më i fort se kurrë më parë, mu ata anashkalojnë çështjen kombëtare për të promovuar vetveten dhe forcuar interesat e tyre personale.

Ndaj shikuar nga kjo perspektivë, me të drejtë  shumë nga bashkëkombësit tanë brengosen se askush në këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës, nuk do ta ketë më të gjatë dhe më të vështir rrugën e bashkimit kombëtar sesa ne shqiptarët.

Madje,fatkeqësisht siç tregon përvoja e kohëve që ne jetojmë, nuk janë vetëm udhëheqësit politik  ata që pamundësojnë bashkimin,por edhe një pjesë e Elitës së intelektualëve tanë nuk e ndihmojnë atë, të cilët jo interesat madhore dhe afatgjata kombëtare, por interesat e tyre personale dhe përfitimet vetanake që u ofron momenti i kanë vënë në radhë të parë.

Ndaj populli shqiptar në të gjitha trojet,një herë e mirë duhet të distancohet nga njerëz të tillë të cilët për interesat e tyre të ngushta mbjellin ndarje dhe përçarje ndërshqiptare ,për çdo gjë dhe për gjithçka.

Ka ardhur koha që më në fund të zgjedhë udhëheqës të cilët kanë për ideal bashkimin e kombit, si rilindësit tanë dikur. Ata të marrin fatin këtij populli dhe të atdheut në duart e veta dhe të mos lejojë më që ndasitë ndër-shqiptare dhe copëtimi arbitrar i trojeve tona, imponuar me forcë nga të huajt, i cili për mëse një shekull na u shndërrua në dyshek ku ne nuk bëmë gjumë të rehatshëm kurrë nga plagët e ndarjes, tani të na kthehet në lundër të pa qëndrueshme notimi,mbi ujërat e rrezikshme dhe të ndotura politike që qarkullojnë edhe sot në Ballkanin ende të pa rehatuar me plot të papritura për kombin tonë të vogël e të pambrojtur.

Të marrim shembull nga Rilindësit tanë të cilët në vend të përçarjes krijuan bashkimin, duke tu kthyer në heronj të pavdekshëm të kombit.

Ata të cilët si ushqim shpirtëror kishin vetëm ëndrrat hyjnore për liri dhe arma e tyre më e fuqishme ishte dëshira e madhe për çlirim nga sundimi huaj, rendën natë e dit pa ndalë, kaluan të gjitha pengesat e panumërta dhe përballuan me sukses furtunat e njëpasnjëshme deri në realizimin e idealit shumë shekullor të kombit për pavarësi.

Ndaj,me rastin e këtij manifestimi kombëtar në Prizren të paktën kësaj radhe do duhej të bashkoheshin të gjithë shqiptarët, për këtë ngjarje nga më të mëdhatë historike. Pse edhe në momente të tilla kremteje,krijohet përshtypja se armiqtë e kombit jo vetëm që për mëse një shekull e më tepër, mbajnë tokat tona të pushtuara por ata kanë arritur ti edhe  ti përçajnë e njollosin shqiptarët deri në atë masë sa ti paraqesin me nam të keq edhe para botës,në vend se me rastin e përvjetorëve të tillë,më tepër se kurrë të simbolizohej bashkimi,solidariteti dhe uniteti ynë gjithëkombëtar....

Liria e atdheut nuk është e arritur e asnjë personi apo udhëheqësi të vetëm,por vepër e shumë brezave që luftuan dhe u sakrifikuan për këto ideale të mëdha,të cilat tani duhet të na frymëzojnë edhe neve për realizimin e pjesës së mbetur të detyrave tona si popull siç është bashkimi ynë kombëtar ku do të ndjeheshim më të fortë ,do të frymonin më lirshëm dhe do të shpresonim për një jetë më të mirë dhe njëherë e për gjithmonë do të garantonim një të ardhme më të sigurt për të gjithë shqiptarët.

Me rastin e këtyre përvjetorëve kaq të rëndësishëm, për historinë e popullit tonë,dëshirojmë që pas një shekulli ndarje,ku vitet për ne si komb i coptuar numëroheshin si para kohës së Krishtit- mbrapsht,ky 100 vjetor të bëhet pikënisje e numërimi të viteve mbar,duke u kthyer në Fillim të Epokës për bashkim të trojeve dhe Kombit Shqiptar.

Ndaj në vend të përfundimit të kësaj kumtese,urojmë që Ideali i Lidhjes Kombëtare Shqiptare për bashkim të realizohet sa më parë dhe Shqipëria Etnike si atdhe i përbashkët i të gjithë shqiptarëve të rrojë  përjetë! 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Maj 2021

- Familja Haliti nga Gjilani mban konferencë për medie lidhur me vdekjen e tre anëtarëve të saj në Shqipëri. (Rr. Hamdi Pogragja, Gjilan, ora 11:00)

- Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi mban konferencë për medie. (Salla “1 Tetori”, ora 12:00)