29 Mars 2024

Dino Asanaj, djali i Amerikës

Shkruar nga Petrit Selimaj

Madeleine Albright e quante nga simpatia Dino De Niro. Njeriu që verën e kallur të 1999 na dha shpresë, na ndezi zemrat me skenën e djemve të gjatë shqiptarë që niseshin nga Amerika drejt luftës në Kosovë.

Ndoshta ishte momenti më shpresë-dhënës i luftës me Serbinë. Ishim të ngulitur para televizionit me familjen time të cilët ishin bërë refugjatë në pranverën e 1999 pas katrahurës së trenave drejt Bllacës. Erdhën në Norvegji dhe me javë të tëra ekzistenca e jona dhe qindra mijëra të tjerëve të shkapërderdhur nëpër botë si hebrenjtë pas Eksodusit, ishte e reduktuar në përcjellje të lajmeve. Konferencave të shtypit të Jamie Sheas. Lajmet e mira nga lufta ishin të pakta, lajmet e tmerrshme veç sa shtoheshin.

Por momenti kur djemtë e burrat e uniformuar shqiptarë, me uniforma të reja dhe të gjatë si malësorë defiluan në Amerikë para se të niseshin për në luftë në Kosovë ishte momenti i kthimit përfundimtar të shpresës. Mbaju nënë mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë. Kanalet botërore raportonin që lufta në Kosovë nuk është veç e Kosovës, por e tanë shqiptarëve kudo që janë. Helikopterët televizivë e përcillnin brigadën ndërsa neve, kudo që ishim, zemra na u bë mal. Ngazëllimi dhe lotët në sy me të parë të skenave në CNN ishte momenti kur e dije që lufta do të mbaron dhe ne do të fitojmë. Nëse në tokë të SHBA've një qeveri lë aq hapur krijimin e formacioneve dhe dërgimin e armëve, kjo do të thoshte se kjo ushtri ishte edhe ushtri e Amerikës. Këta ushtarë ishin edhe amerikanë.

Pas lufte e kemi kuptuar se ishte një burrë pejan, me zë të trashë por zemër të madhe, që qëndroi prapa krijimit dhe propagimit të luftës shqiptare në Amerikë. Për shkak të theksit njujorkez Sekretarja e shtetit Madeleine Albright e thërriste me nofkën Dino De Niro. Emrin e kishte Dino Asanaj. Punëtor i madh që krejt pasurinë e derdhi në çlirimin e Kosovës. Ama bash krejt pasurinë, aq sa pas lufte, iu desh që t'ia niste jetës nga zeroja.

Darkonte senatorët dhe kongresistët me vite të tëra. Mblidhte fonde për gara kongresmenësh e ato presidenciale, ashtu që politikanë pro-Kosovës të fitonin fuqinë politike. Gjente miq dhe dashamirë të çështjes shqiptare. Edukonte parinë shqiptare me referencat politike dhe kulturore amerikane. U bë, me forcën e personalitetit të vet dhe me zemrën e gëzuar që kishte, një nga urat lidhëse në mes SHBA've dhe Kosovës. Pa dyshim, ishte ndër personat më të rëndësishëm të luftës çlirimtare.

Mu kjo kolona e ushtarëve faqebardhë shqiptaro-amerikanë më ra në mend tek shihja kortezhin e Gardës Kombëtare duke barte trupin e pajetë e Dinos në pushimoren e tij të fundit, në pjesën e vjetër të varrezave të Prishtinës. Më ra në mend se sa shumë e kam dashtë edhe nënën edhe babin edhe vëllanë dhe sa shumë jemi përqafuar kur e kemi pare Brigadën Abraham Lincoln të shqiptarëve të Amerikës, kur me sy e pamë se në tmerrin e verës së kallur të 1999, se me të vërtetë nuk kemi nevojë të kemi frikë se i kemi pasur gjithmonë djemtë në Amerikë.

Dino i pasluftës, në dreka e darka, deka e darsma, mbeti urë lidhëse në mes të njerëzve. Zëri i tij i trashë e i ngrohtë kumbonte në cilëndo tavolinë. Solli investitorë të njëmendët, përdori lidhjet e kahmotshme në State Department, bëri çmos që rrëfimi i Amerikës të bartet në Kosovën e lirë. Që gjithkush që ka ëndërr dhe ka dëshirë të punojë, të ketë mundësi ta kërkon lumturinë në tokën e Kosovës.

Por Kosova nuk u bë Amerikë. Dashuria e ka çuar larg projektin amerikan, projektin e vendit ku nuk është me rëndësi emri që e ki, apo lëkura që e ke, por liria që askush s'guxon ta cenojë. Në Kosovë projekti amerikan do të dështojë sepse thjesht, dashuria në mes njerëzve nuk është fanari që udhëheq politikën tonë.

Policia do ta thotë të veten por Dino i ndjerë nuk e meritoi fundin që e gjeti. Nuk meritoi linçimin publik. Nuk meritoi mungesën e dashurisë dhe njerëzisë.

Dino De Niro në banesën e vet në Nju Jork ka pasur në të gjitha muret, në të gjitha skutat fotot e familjes dhe miqve. Atyre do të ju mungon. Do t'i mungon evladit të vet. Por do të gënjej nëse them se shoqëria e jonë do të mëson ndonjë mësim nga humbja.

Për atë momentin e dashurisë dhe shpresës gjatë verës së kallur të 1999, Dino i dashur, të falënderoj.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)