18 Prill 2024

Dhuna në institucionet arsimore të Kosovës

Shkruar nga Avdullah Hasani

Meqenëse dhuna si dukuri e shëmtuar që nënkupton veprime apo qëndrime keqtrajtuese fizike, emocionale, psikologjike deri edhe seksuale, të kryera ndaj një individi, apo grupi, për shkak të mosmarrëveshjeve të krijuara midis palëve, që lidhen me interesa, nevoja apo qëllime të ndryshme. Format e manifestimit të dhunës janë të ndryshme.

Ndërsa dhuna fizike shprehet nëpërmjet abuzimit fizik trupor, dhuna psikologjike shprehet nëpërmjet përçmimit e nënvleftësimit, shpërfilljes e anashkalimit, veçimit e injorimit, talljes dhe etiektimit deri tek kërcënimi verbal.

Efekti negativ i dhunës, qoftë fizike, apo psikologjike është afatgjatë dhe lë pasoja të pariparueshme  në zhvillimin normal të fëmijës.

Dhuna ndaj fëmijëve shfaqet në ambiente të ndryshme: që nga familja deri në vendet e argëtimit, pastaj në rrugë, në shkollë, në vendet publike, në terrenet sportive, në kinema, teatër dhe së fundi edhe në telefonin celular apo në internet. Por, vendi ku shfaqet dhuna ndaj nxënësit dhe ku stafi pedagogjik ka rolin dhe përgjegjësinë kryesore është pa dyshim shkolla.

Në shkollë shfaqen dy lloj mosmarrëveshjesh, që mund të gjenerojnë në dhunë:  mosmarrëveshjet mësues-nxënës dhe mosmarrëveshjet nxënës-nxënës. Shkaqet e mosmarrëveshjeve mësues-nxënës lindin për shkaqe të natyrave të ndryshme.

Prindërit duhet të rrisin praninë e tyre në jetën shkollore, jo vetëm duke i vizituar shpesh fëmijët e tyre, por edhe duke i mbështur arsimtarët në aktivitete të ndryshme që shkolla mundet dhe duhet  t’i organizojë. Prindërit duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe duhet të kontribuojnë në çfarëdo mënyre  dhe sipas potencialit që kanë në bazë të përvojës dhe aftësive të tyre.

Megjithëse janë të vetëdijshëm se dhuna fizike dhe psikologjike kanë pasoja negative për fëmijën, shumica dërrmuese e opinioneve që jepen në formë intervistash, pranojnë faktin se dhuna fizike dhe psikologjike ka edhe efekte anësore pozitive në edukimin e fëmijës, prandaj ajo duhet përdorur në rastet kur është e nevojshme, por në forma të lehta dhe jo te të vegjlit.

Prindërit dhe mësuesit kanë një njohje të kufizuar të formave alternative me natyrë
ndëshkuese. Megjithatë ata i përdorin disa prej këtyre formave. Hulumtimet e shumë organizatave vendore dhe ndërkombtare tregojnë se mësimdhënësit nuk reagojnë ndaj dhunës mes nxënësve.

Ndërsa kjo është shumë shqetësuese, sepse nëse nuk reagohet ndaj dhunës, ajo nuk mund të parandalohet , keqtrajtimi i fëmijëve nga fëmijët moshatarë, dhuna e manifestuar nëpërmjet varfërisë e lloje të tjera, janë faktorë që paraqesin rrezik për zhvillimin e fëmijëve.

Format  alternative që duhet të  përdoren  duhet  të japin më shumë rezultat tek të rinjtë është edhe raporti i bashkëpunimit  në mes të prindërve dhe mësuesve sesa produkti i edukimit të tyre për të përdorur këto forma. Edhe në rastin kur përdoren këto forma janë më shumë të pamenduara (impulsive), jashtë kuadrit të një plani të caktuar që synon një rezultat specifik në sjelljen e fëmijës dhe që merr parasysh pasojat që mund të shkaktojnë te fëmija.

Në këtë drejtim duhet përmednur edhe fenomenin shkollë, e cila për më se dy dekada iu nënshtrua një ecejakeje thuaja të skajshme të zhvillimit të procesit mësimor. Derisa vitet ’90 të shekullit të kaluar karakterizonin një mësim paralel totalisht të shkëputur nga dhuna e ushtruar serbe dhe ai proces të shumtën kishte simbolikën e vet sa të mbijetonte, të mos dorëzohej, të mos binte morali i rezistencës që çoi deri në luftën përfundimtare për liri e pavarësi.

“Marrëveshjet” që u arritën nga spektri politik shqiptar me pushtetin centralist dhe hegjemonist serb, vetëm e getoizonin sistemin e ngulfatur arsimor, por ajo tashmë është e shkuar, ndërsa periudha pas ’99-tës paraqet rilindjen e njëperiudhe të re e ndihmuar edhe ndërkombëtarisht, por që ecja megjithatë u tregua e ngadaltë, herë-herë e mefshtë dhe dhuna në shkollë e përreth saj në vend se të minimizohet, diku-diku edhe u përshkallëzua, sidomos në zonat rurale, kodrinoro-malore ku nxënësit duhen të udhëtojnë me kilometra në relacionin  shtëpi-shkollë dhe anasjelltas, derisa edhe infrastruktura rrugore është për t’u vajtuar. 

Në zonat urbane zunë të lindin forma të tjera “ndihmëse” të procesit mësimor, si kurse të ndryshme gjuhësh të huaja, të informatikës apo arti, si baleti, vizatimi, instrumentesh muzikore, sportive e shumë të tjera që rritë gamën e rrezikshmërisë, kur fëmija për një kohë më të gjatë është jashtë kujdesit prindëror dhe në “mëshirën” e fatit.

Gjithsesi ndjekja e këtyre aktiviteteve kanë të mirën e tyre, por ekspozimi ndaj dukurive negative, ka rrezikshmëri të lartë dhe kemi jo pak raste kur ato manifestohen me tërë egërsinë e tyre.

Duhet pranuar fakti se legjislacioni në fuqi që prek çështjet e fëmijëve në vitet e fundit është pasuruar dukshëm në përputhje me standardet e mirënjohura ndërkombëtare.

Megjithëse është bërë një progres i dukshëm, kompletimi i legjislacionit në lidhje me dhunën kundër fëmijëve në Kosovë nuk është ende një veprimtari sistematike, por një veprimtari me fushata të cilat janë përcaktuar më shumë nga interesimi i institucioneve ndërkombëtare që mbulojnë të drejtat e  fëmijëve. 

Megjithëse vitet e fundit janë ratifikuar një sërë konventash dhe ligje të tjera ndërkombëtare lidhur me dhunën kundër fëmijëve, legjislacioni i Republikës së Kosovës nuk trajton në mënyrë tërësore dhe të detajuar të gjitha aspektet e dhunës kundër fëmijëve.

Nëse për shembull, për dhunën seksuale si dhe për trafikimin e fëmijëve ka një paketë ligjesh dhe dispozitash specifike relativisht tërësore, për dhunën fizike dhe sidomos, për dhunën emocionale, mospërfilljen dhe shfrytëzimin ekonomik të fëmijës ligjet dhe dispozitat janë jotërësore, të padetajuara dhe të paadresuara specifikisht për fëmijët.

Në përgjithësi, legjislacioni i Kosovës  parashikon me hollësi dënimet e ushtruesve të dhunës kur kjo ka karakter seksual ose kur vjen nga trafikimi. Megjithatë, në të nuk parashikohen dispozita për kujdesin dhe kompensimin e fëmijëve viktima të dhunës.

Qeveria  e Kosovës duhet të punojë më shumë  që dhuna nëpër shkolla të parandalohet, në mënyrë që të mos pengohet procesi mësimor. Fenomeni i dhunës në vendin tonë është shumë i përhapur, pasi që ekziston një “kulturë” e dhunës te ne, prandaj organet përgjegjëse duhet të angazhohen që legjislacionin lidhur me dhunën ndaj fëmijëve  ta përmirësojnë dhe ndryshojnë (avancojnë) çdoherë kur mund të përmisohet .

 



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)