26 Prill 2024

Demonstrata, Të luash me gjakun dhe ndjenjat e shqiptarëve

Shkruar nga Besnik Rama

Nëna dhe baballarë shqiptarë, motra dhe vëllezër krenarë për njëri-tjerin, të afërm, miq dhe dashamirës të kombit shqiptar, por edhe qënie humane dhe ju o ndërkombëtarë: “Hiqni perdet e “zeza” nga sytë” dhe “Zgjohuni”! Zgjohuni dhe shikoni marrjen e jetëve në mënyrë gjakatare, por edhe dhunimin e institucioneve ligjore të shtetit shqiptar.

E drejta për të jetuar, na jepet vetëm nga Ai, që ndodhet atje Lart e na vëzhgon. Veç Atij, s’ka askush tjetër të drejtë të na marri atë, kushdo qoftë me apo pa pushtet. Vdekja e katër demonstruesve është e pafalshme, për shtetin dhe për standartet e vendit tonë.

Kushdo qoftë ai që ka qëlluar me vdekje këto jetë njerëzore është gjakatar, killer, mafioz, keqdashës, katil, legen dhe bandit. Kushdo që është implikuar në vrasjen e këtyre të gjorëve, pa dyshim do mbesin në historinë e këtij kombi si vëllavrasës.

ZGJOHU o njeri, o shqiptar, o nënë, o baba, o motër, ore vëlla, ore mik, shok e fqinjë! Shikoni pa ngjyresa politike. E para është jeta, e kur ajo vihet në rrezik atëherë kemi të bëjmë me një problem në dukje edhe më të madh. Jeta e vendit nuk është e sigurtë dhe jeta e qytetarit nuk është e garantuar.

Protesta, demonstrata, lëvizja e lirë me pankarta nëpër duar, shprehja e pakënaqësisë qytetare është e drejtë ligjore, morale dhe civile. Nuk janë aspak të drejta përshkallëzimet e situatave drejt prishjes së qetësisë dhe rendit publik.

 Respektoj me përulje dhe detyrim miqësor e vëllazëror shqiptar, demonstratën e qytetarëve të vendit tim. Ato që protestuan për varfërinë, kushtet sociale, problemet jetike etj, ju jap plotësisht të drejtë. E pranoj protestën e rebeluar të shpirtit tuaj.

E pafalshme është për ato zullumqarë që shkuan pranë portave të kryeministrisë për të prishur çdo gjë. I drejtohem shtetit shqiptar dhe policisë, e cila duhet urgjentisht të bëjë ndalimin dhe preçedimin penal të këtyre individëve, duke i shpënë pas kangjellave të burgut. Menjëherë duhet arrestuar ajo masë që plagosi qytetarët dhe policinë. Menjëherë, duhet hetuar për të gjetur vdekjen e atyre tre “rrezikzive”. Menjëherë…

Gjate konferencës së djeshme, kryeministri i vendit tim deklaroi ndër të tjera si më poshtë: “Sot ju dhe mbarë miqtë e Shqipërisë kudo në botë panë fytyrën e vërtetë, shëmtinë morale të Evdin Kristaq Ramës, djalit të ish-ministrit të regjimit të shtetit të diktaturës, të masakrës së Shkodrës, ish-ministrit të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushit, projektuesit të një akti kriminal.

Këta banditë tentuan që të marrin pushtetin me dhunë, duke angazhuar bashibuzukë, banditë, kriminelë, trafikantë të paguar në bazë të skenarit të përgatitur ditë më parë nga Edvin Kristaq Rama.

Grupe banditësh, trafikantë e terroristë, jo më shumë se 200-300 vetë për orë të tëra tentuan të pushtojnë kryeministrinë e vendit, për t’i vënë asaj zjarrin dhe kështu të vendosin pushtetin e dhunës. Skenari i tyre ishte që me çdo kusht të merrnin kryeministrinë, që me çdo kusht të marrin parlamentin dhe ministritë. Në këtë përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë, përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto binë mbi liderin socialist.

Ndërsa lideri opozitar në vendin tim, në të shumtat dalje të tij ditën e djeshme deklaroi si më poshtë: “Saliu i  koalicionit të Turpit, pati paturpësinë t’u lexojë shqiptarëve si ngjarje të ditës skenarin e vjetër të grushtit të shtetit të viti 1998, kur me armë në dorë, një turmë e armatosur zjarrvënësish të yshtur prej tij, i’u turr godinave të ministrive, të Këshillit të Ministrave, të Radiotelevizionit Shqiptar.

A pa ndonjë shqiptar sot ndonjë ministri të prekur nga demonstruesit? A pa ndonjë shqiptarë sot ndonjë shenjë lidhur me ndonjë plan sulmi mbi parlamentin? A pa ndonjë shqiptarë sot ndonjë gjë tjetër në duart e protestuesve veç pankartave dhe çadrave, deri në çastin kur u shfaqën dhunshëm, rrufe në qiell të pastër, kamionët e blinduar ujëhedhës dhe bombat me gaz lotsjellës?

Askush nuk pa asgjë tjetër veç fytyrës së vërtetë të këtij regjimi të kusarisë e të matrapazllëkut, që provokoi egërsisht opozitën për ditë me radhë, që provokoi popullin demonstrues me alokime të panevojshme, disproporcionale, irracionale forcash dhe që kulmoi me ushtrimin e dhunës deri në vrasjen e tre demonstruesve e plagosjen e shumë të tjerëve.  

Saliu i koalicionit të turpit, siç është në kulturën dhe vijën në sjelljen e njohur për të gjithë shqiptarët prej 20 vjetësh, u shfaq para popullit si një gangster jo si një kryeministër, si një mafioz jo si shefi i një qeverie, si puçist jo si përfaqësuesi i një pushteti të zgjedhur, por si përfaqësues i një pushtetit të grabitur për të grabitur Shqipërinë. Ai shpifi ndyrësisht duke më akuzuar mua, duke akuzuar opozitën, si përgjegjës për krimin e tij të sotëm.

Paturpësisht ai shpifi edhe duke shkelur të vdekurit prej dorës së qeverisë së tij, kur tregoi diçka tërësisht të pandodhur në Spitalin Ushtarak, ku askush s’më tha as mua dhe as kolegëve të mi, fjalët që shqiptoi goja e ndyrë dhe e përdalë e njeriut që sot më shumë se kurrë qysh prej 6 vjetësh ju tregoi arsyet shqiptarëve pse ua vodhi votat dhe çfarë e mban lidhur pas asaj karrigeje që po e zhyt Shqipërinë në një batak dhe një llum ku po mbyten të tërë shqiptarët e pafajshëm.

Ndërsa ambasada amerikane në Tiranë, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, prania e OSBE-së në Shqipëri deklaruan mes të tjerash:

“Shprehim keqardhje të thellë që demonstrata e sotme në Tiranë nuk ishte paqësore dhe çoi në disa viktima. Dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk mund të justifikohen dhe duhen shmangur. Bëjmë thirrje urgjente për qetësi dhe përmbajtje nga të gjitha palët dhe qëndrimin e tyre larg provokimeve. Shqipëria është një vend demokratik, aspiron për anëtarësim dhe i ka institucionet e nevojshme demokratike. Për rrjedhojë, ripërsërisim thirrjen tonë për dialog konstruktiv dhe kompromis për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ekzistuese.”

Më poshtë po japim disa nga fjalët raportuese të gazetës Bota Sot: “Përplasje fizike, gurë, lëndë plasëse, polici dhe të plagosur, vazhdojnë të shoqërojnë demonstratën famëkeqe të opozitës. E ndërsa shpërthimet e lëndëve plasëse të hedhura nga protestuesit nuk mungojnë, turma e dehur nuk ndalet, por mësyn drejt Kryeministrisë.

Ndërkaq disa makina kanë përfunduar nën flakë dhe nën sulmet e protestuesve, duke u kthyer kështu në një vend që flakëron nga flakët dhe nxin nga tymi. E nuk dihet se cili do të jetë drejtimi që do të marrë kjo protestë, ndërsa, vetë organizatorët e protestës, ata që hedhin gurin dhe ngritën popullin, qëndrojnë në heshtje duke vëzhguar “fatkeqësinë” që mbollën me kujdes.”

Kështu o njerëz të Skëndërbeut, Ismail Qemalit, Nënë Terezës e shumë e shumë figurave të tjera të ndritura shqiptare, bëhuni sëbashku një herë, njëmijë herë, njëqindmijë herë, por edhe miliona e miliarda herë sa herë detyra atdhetare e kërkon një gjë të tillë.

Por të shkosh dhe të protestosh një muaj pas liberalizimit të vizave, duket e pakuptueshme. Kjo qeveri është njohur edhe nga ato ndërkombëtarë, të cilët përmend Partia Socialiste. Ju o njerëz fatkeq u përdorët dhe u mashtruat nëpër qytetet tuaja që në nisje. Ju thanë që “bëni anarki se do ju paguajmë”. Ju dhanë nga 2000-10000 lekë në duar.

E ju të mjerë, disa të dalë nga burgu me leje vetëm për ditën e djeshme, disa nën efektin e drogës dhe alkolit u derdhët para kryeministrisë, për çfarë? Për të rrëzuar dhe dhunuar shqiptarët. A nuk janë shqiptarë efektivat e policisë?!

A nuk janë shqiptarë pjesëtarët e Gardës së Republikës?! Normale, sot secili nga ju në shtëpiat tuaja është penduar që për ato lekë të fëlliqura, u katandisët në këtë mënyrë. Rama e do pushtetin dhe për pushtetin e tij ai ju server baronët e drogës dhe prostitucionit si Tom Doshi, Fidel Ylli, Ilir Xhoni, Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, Taulant Balla e shumë të tjerë.

Se fundmi, uroj që vendi im të stabilizohet dhe njerëzit të vazhdojnë jetën normale në shtëpiat e tyre, me njerëz dhe vëllezër e motra shqiptare plot e përplot.

 (Autori është Botues dhe Kryeredaktor i gazetës Nacional Albania)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)