28 Mars 2024

Çka do të thotë të jesh student?

Shkruar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

‘Student’ është fjalë që rrjedh nga gjuha latine studere, e që do të thotë ‘drejtimi i zellit tek…’. Pra, nënkupton drejtimin e zellit të dikujt për t’u marrë me lëndë të caktuara. Në përdorim më të gjerë ‘student’ përdoret për këdo që është duke studiuar. 

Studentët përgjatë historisë, përveç që kanë qenë të përfshirë në studimin e fushave të caktuara, janë karakterizuar edhe me aktivizmin studentor. Ky aktivizëm ka nënkuptuar punën e studentëve për çëshje politike, ekonomike, sociale, mjedisoree etj. Studentët ishin ata të cilën nisën ndryshimet rrënjësore në sistemet e ndryshme politike nëpër botë.

Cili është studenti në Kosovë?

Problemet me të cilat ballafaqohet studenti i Universitetit të Prishtinës e pengon atë ta përmbush qenien e tij si student. Në vend se ta ketë brengën se si të lexojë më shumë, se si të bëhet student i vyer, në mënyrë që në të ardhmen të mund t’i shërbejë vendit të vet, apo edhe me qenien e tij si student të kontribuojë për çështje të ndryshme e ndryshime në shoqëri – studenti në Kosovë duhet të humb orë të tëra për ta paraqitur një provim, për ta regjistruar një semestër, të vrapojë për ta marrë një nënshrkim, e kështu me radhë.

Pritja është njëra ndër veprimet e para të studentit kur hyn në hapësirat e Universitetit të Prishtinës. Gjatë regjistrimit studentit gjithsesi i duhet të presë disa herë në radhë për të dorëzuar dokumente, për të marrë dokumente dhe për të hyrë në provim pranues. Pas regjistrimit, pritja vazhdon. Duhet pritur në radhë për ta marrë indexin e për ta regjistruar semestrin. Studenti sot burokratikisht është shndërruar në qenie pritëse, kurse funksionalisht në qenie dëgjimore.

Kur fillon viti akademik, studenti duhet ta pres profesorin deri sa ta përfundojë kafenë e të vijë në ligjerata. Shpeshherë studenti e bën rrugën për në fakultet, kurse kthehet në shtëpi me një orë të humbur duke e pritur profesorin. Ora e humbur e atij studenti është më e vlefshme se çdo orë tjetër e profesorit të papërgjegjshëm, i cili të paktën nuk e lajmëroi atë.  Dukuri kjo, që nuk është e rrallë në Universitetin e Prishtinës (më tutje UP).

Shumë profesorë në UP botojnë libra lidhur me lëndën që ligjërojnë. Ka nga ata që nuk janë të kualifikuar për një gjë të tillë dhe nuk ekziston asnjë komision që do t’i vlerësonte nëse këta janë libra adekuatë për studentët. Profesorët i detyrojnë studentët që t’i blejnë këto libra në mënyrë që të përfitojnë nga botimi i tij. Studenti në Kosovë, kur kthehet në shtëpi pas asaj kohe të humbur duke pritur, duhet t’i kthehet librit. Librit të cilit ai i kthehet, në fakt, është kopje e librit të profesorit të vet, për shkak se ndoshta nuk botohet më, ose është tepër i shtrenjtë për studentin e Kosovës. Kurse profesori e kërkon atë material. Materiali është i gjymtë, e ndonjëherë i vjetëruar, shpeshherë një përkthim i pasaktë. Por, studenti duhet ta lexojë atë, ngase kur shkon në provim, pyetjet të cilat shtrohen në të lidhen vetëm me atë material. Profesori e burgos studentin në materialin e vet. 

Nëpër shumë  fakultete studentët nuk kanë vende të mjaftueshme për t’u ulur gjatë ligjeratave. Pra, mungon hapësira e mjaftueshme. Është numër aq i madh i studentëve, kurse profesori e mban vetëm ligjeratën një ose dy herë gjatë javës. Në ato rrethana ku ka shumë studentë, higjienta nuk është në nivel.

Në qoftë  se zhvillohet debat gjatë ligjëratave, zakonisht studenti nuk jep mendimin e tij ose nuk e kundërshton profesorin për cilëndo çështje. Për shkak se ky i fundit mund të mos ia jep më nënshkrimin në index, apo edhe t’ia ndalojë hyrjen në provim. Hakmarrja nuk është fenomen i panjohur në UP. Në përgjithësi profesorët janë përfaqësues të interesave partiake dhe mundohen t’ua imponojnë edhe studentëve një gjë të tillë, e nganjëherë ligjerata shndërrohet në propagandë politike.

Një gjë tjetër që u mungon studentëve në UP është puna praktike. Shumica e fakulteteve janë të mbyllura në libra të papërshtatshëm e në teori të thatë. Studentët kanë shumë pak mundësi hulumtimi, vrojtimi e punë praktike varësisht nga lënda që e studiojnë.

Pasi ta ketë studiuar mirë materialin e gjymtë, studenti hyn në provim dhe ndodh që merr një notë të papëlqyeshme. Pse? Studenti kërkon të takohet e të bisedojë me profesorin për gabimet e tij të mundshme në provim. Por, profesori nuk gjendet askund. Profesori është duke punuar në vendin e dytë të punës, andaj nuk ka kohë të ndajë për studentin. Në përgjithësi ekziston fenomeni ‘distancë’ në raportin profesor-student. Ndoshta, madje, i ka shpëtuar provimi pa e kontrolluar ashtu si duhet. Kontrollimi i provimeve ka mbetur çështje personale e profesorit, nuk ekziston ndonjë rregullore e cila do ta obligonte profesorin për kontrollim sa më korrekt. Nëpër fakuletete, ku numri i studentëve është i vogël, kjo ndodh rrallëherë, por shumica e fakulteteve në UP kanë një numër të madh studentësh. Dukuria e profesorëve që punojnë edhe një diku jashtë ligjërimit universitar shkel nenin 8 të statutit të Universitetit të Prishtinës.

Këto janë vetëm disa nga problemet, të cilat e preokupojnë studentin e Universitetit të Prishtinës.

Edhe pse ekziston ky kaos i përgjithshëm, zgjidhja nuk është e pamundur. Administrata mund të kompjuterizohet dhe orët e pritjes së studentit të shndërrohen në orë leximi. Zbatimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies, vlerësimit dhe punës, e lehtëson punën e profesorit dhe të studentit. Një bashkëpunim me Universitetin e Tiranës do t’ia lehtësonte studentit kërkimin për literaturë në gjuhën shqipe. Një menaxhim i drejtë i fondeve do të rezultonte me objekte më të përshtatshme për studim, furnizim të bibliotekave me libra, kuadro më të kualifikuara për ligjërim. Kompjuterizimi, pajisjet si projektori dhe zërimi, do t’i ndihmonin studentit në përgatitjen e prezantimeve dhe hulumtimeve shkencore. Marrëveshjet e UP-së me institucione të ndryshme do t’i ndihmonin studentit në zhvillimin e punës praktike. 

Por, pse nuk reagon studenti? 

Studenti është simbol i rezistencës shoqërore kundër çdo padrejtësie. Është pjesa më vitale e një shoqërie për ndryshime. Nëpër shumë vende të botës studentët kanë lëvizje e organizime të ndryshme përmes të cilave luftojnë për kushte më të mira studimi, zhvillim ekonomik e social, pastërti mjedisore, e deri te ndryshimet rrënjësore politike.   

Në Kosovë, gjatë viteve të fundit, është investuar në shndërrimin e kësaj pjese vitale shoqërore në një strukturë heterogjene, të qetë dhe të dëgjueshme. Duke ua mbjellur frikën dhe duke i bindur se sistemi është i tillë çfarë është dhe se nuk mund të ndryshohet.

Kjo kategori e rëndësishme shoqërore ngadalë gjatë këtyre 10 viteve u shndërrua në një strukturë të qetë, të dëgjushme dhe indiferente politikisht. Kjo bëhet me qëllim që kjo pjesë aktive të mos mobilizohet kundër padrejësive që po iu bëhen atyre, por edhe Kosovës në përgjithësi. Kemi një elitë politike e cila përfiton nga kjo gjendje, dhe ata nuk janë të interesuar të punojnë në përmirësimin e gjendjes në përgjithësi, si dhe të gjendjes arsimore në veçanti, por ta ruajnë këtë gjendje ashtu siç është, dhe të vazhdojnë të përfitojnë nga ajo.

Sistemi arsimor është i tillë që i ndan studentët e filozofikut nga ata të juridikut, ata të ekonomikut nga ata të gjeografisë, e kështu me radhë. Studentët kanë vetëm ligjëratën që i lidh me Universitetin. Kanë frikën nga profesorët dhe janë të shpërndarë. Nuk janë një trup i vetëm. 

Problemi është i të gjithëve e, megjithatë, sistemi i ka izoluar studentët dhe e ka shndërruar atë në problem individual, në mënyrë që ata të merren vetëm me veten e jo të bashkohen për probleme të përbashkëta e të përgjithshme shoqërore.

Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për studentët e saj. Reagimi i studentit për çdo padrejtësi që i bëhet, presioni i vazhdueshëm që ai duhet të ushtrojë, patjetër se do të rezultojë me ndryshime. Të gjitha këto probleme mund të luftohen po qe se bashkohen studentët në një trup të vetëm dhe luftojnë kundër padrejtësive që po iu bëhen atyre dhe vendit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)