10 Maj 2021

Çamëria Aushvici dhe azilkëkruesi nga Shqipëria

Shkruar nga Faton Abdullahu


Vite më parë deri sa po punoja si përkthyes në Britani të Madhe një nga jo pak ngjarje që më kanë lënë mbresa, ishte ajo që ndodhi në kufirin e Britanisë në Dover me një të ikur që vinte nga Shqipëria i cili kërkonte azil në këtë shtet.

Për shkak se autoritetet britanike kishin filluar të dyshojnë me të drejtë se shqiptarët nga Shqipëria po paraqiteshin si kosovar, që të kenë sukses me kërkesën e tyre azilkërkuese për të mbetur në këtë shtet, kishin përpiluar një pyetësor i cili do t’ua mundësoj atyre pak a shumë ta marrin vesh se a kanë të bëjnë me një qytetarë nga Shqipëria apo me një nga Jugosllavija, konkretisht nga Kosova.

Në këtë pyetësor kishte pyetje si ajo se, cila është qindarka e dinarit jugosllav, kërkohej të numrohej deri në dhjet në gjuhën serbo-kroata, të bëhej ndonjë përshëndetje në po këtë gjuhë e të tjera të kësaj natyre.

Pyetjen që inspektori britanez në kufi më kërkoj ta përkthej për një djal të ri që vinte nga Shqipëria e jugut e që po kërkonte azil ishte që ai t’i thotë pesë ose gjashtë qytetet të Kosovës.

Azilkërkuesi përmendi Prishtinën, Prizrenin dhe u ndal. Inspektori kërkoj edhe ndonjë qytet tjetër, unë përktheva, hetova që azilkërkuesi u skuq. Mos është edhe Vojvodina e provokoj inspektori, azilkëkruesi u përgjigj me -  po po edhe Vojvodina është. Me sa e di unë -  ja ktheu inspektori krejt i qetë - Vojvodina nuk është pjesë e Kosovës. Azilkëkruesi shqiparë për të shpëtuar nga situate tha: dikur ishte, por tani nuk është se ja morrën serbët.

Do të mjaftoj kjo që inspektori ta zbuloj se ai ishte nga Shqipëria, diçka që unë e kisha kuptuar që në fillim të bisedës nga theksi i tij, dhe ta kthej prej nga kishte ardhur.

Një nga të metat, ende jo kollaj të riparueshme të Shqipërisë komuniste, kishte qenë ajo që për decenje të tëra për Kosovën jo që nuk ushqehej atdhedashuria dhe ngritej vetëdija se kjo pjesë është e shkëputur me dhunë nga trungu amtar, por kjo temë qëllimisht anashkalohej dhe mbi të vehej pluhuri i harresës.

E përmenda këtë rast për të bërë një analogji, sepse me atë që shoh dhe dëgjoj tash sa kohë, më duket se sot në Kosovë kemi shumë e shumë të rinjë dhe gjithsesi jo vetëm të rinjë të cilët, kur vjen puna të flasin, mendojnë apo ndiejnë diçkë për Çamërinë nuk janë aspak më të mire se azilkërkuesi shqiptarë që nuk i dinte as edhe tre qytete të Kosovës.

Sigurisht se për këtë nuk mund ta fajsojmë vetëm Enver Hoxhën. Të gjendur vetë në zgrip të ekzistencës për kohë të gjatë, gjeografikisht larg nga Greqia, me luftërat që nuk kishin përfshirë asnjëherë edhe Çamërinë, pa çamë të ardhur në Kosovë, pa mundësinë që në aspektin kombëtar, në arësim dhe kulturë t’i përcaktonin vetë prioritetet, kosovarët nuk kishin pasur ndonjë kontakt me çështjen çame, as nuk dinin as edhe nuk ndienin diçka të veçantë as për çamët  as edhe për Çamërinë.
   

Në aspekt të vetëdijësimit lidhur me çështjen çame konkretisht krimet e grekëve kundër çamëve në Shqipëri asnjëherë nuk është bërë sa duhet.

Vetëm kohëve të fundit ka lëvizje dhe veprime kualitative dhe kjo nuk ka ndodhur falë çfardo angazhimi të Kosovës.

Do të duhej që edhe Kosova të bëjë dicka në këtë drejtim dhe për këtë gjithsesi se do të ketë edhe përfitime jo vetëm nga ato si vetëdijësim që duhet parë si një mësim për të kaluarën që sa është anashkaluar aq edhe është kamufluar, por edhe si mundësi që në raport me politikën kokëforte të Greqisë në Ballkan kundër refuzimit të pavarësisë së Kosovës dhe kundër emrit të shtetit të Maqedonisë, shqiptarët do të kishin një kartë politike më shumë në duart e tyre që mbështetet mbi të drejtat e njeriut dhe ka bazë në ligjet ndërkombëtare e cila do të përdorej efektshëm sa herë që do të ishte nevoja.

Kjo nuk është e lehtë për ta bërë, pos tjerash sepse për kohë të gjatë në këtë drejtim nuk është bërë asgjë dhe se Kosova ka prioritete jo të pakta, larg më të rëndësishme.

Nga përvoja britanike ka një shembull për shumëçka të veçantë që mbase me disa modifikime do të mund të na shërbente shumë mirë edhe neve.

Qeveria e Britanisë së Madhe disa vite më parë, konkretisht në kohën kur kryesohej nga kryeministri që kishte pasuar Tony Blairin, Gordon Brown (2007 - 2010) kishte vendosur që me qëllim që të mos harrohen krimet e nacistëve gjerman kundër hebrenjve të bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore, të ndërmerret diçka që do t’i vetëdijësonte gjeneratat e reja në Britani për këto krime të cilat sipas tyre nuk bënë të harrohen në asnjë mënyrë.

Qeveria kishte vendosur që për këtë qëllim të ndante mjete të konsiderueshme materiale dhe me këto para ishte vendosur që të zgjedhen nga shkollat e ndryshme nxënësit më të dalluar nga mosha 15 – 18 vjeç dhe atyre t’u mundësohej që përveç tjerash të bëjnë një udhëtim për në Poloni, konkretisht për ta vizituar kampin e njohur të përqënrimit në Aushvic në Krakow, ku mizorisht ishin vrarë diku rreth një milion hebrenj.

Arsyetimi ishte se ka efekte mbreslënëse shumë më të forta kur bëhet një vizitë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë krimet makabre, sesa vetëm kur lexohet për ato.

Të kësaj natyre, gjëra të tilla do të duhej të ndodhin së paku ndër shqiptarët e Ballkanit. Të rinjtë e Kosovës do të duhej që të stimulohen në forma të ndryshme e të mësojnë më shumë për krimet e pushtetit grek kundër çamëve në Çamëri e pse jo edhe për t’i vizituar ato fshatra ku dikur të tërat ishin të banuara më shqiptarë.

Në këtë aspekt  Shqipëria bënë mirë që të investoj në monumente e përmendore që shënojnë këto spastrie etnike si vende të cilat mund të vizitohen nga të gjithë ata që duan t’i përkujtojnë me dhembje këto ngjarje dhe ta kërkojnë drejtësi për pronat e çamëve nga një vend që nuk e ka kryer këtë obligim e i cili është anëtarë i BE-së.

Mbase jo vetëm kaq. Do të duhej që rregullisht dhe në mënyrë obligative të ketë vizita ta zëmë edhe nga nxënësit e Shqipërisë tek shtëpia monumentale e Jasharajve në Prekaz, tek varri i Presidentit Rugova në Prishtinë apo tek shtëpia ku është mbajtur Lidhja e Prizrenit në Prizren.

Në këtë aspekt Kosova qëndron gjithsesi më mirë sa i përket vizitave të kësaj natyre që nxënësit e shkollave tona bëjnë në Shqipëri. Nga këto projekte gjithsesi nuk duhet përjashtuar as edhe Maqedoninë as dhe pjesët tjera në Ballkan ku shqIptarë në trojet e tyre kanë qenë viktima të nacionalizmave të ndryshëm për fat të keq ende gjallë dhe shumë aktiv.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Maj 2021

- Familja Haliti nga Gjilani mban konferencë për medie lidhur me vdekjen e tre anëtarëve të saj në Shqipëri. (Rr. Hamdi Pogragja, Gjilan, ora 11:00)

- Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi mban konferencë për medie. (Salla “1 Tetori”, ora 12:00)