28 Mars 2024

Bac, “Nuk” u kry!

Shkruar nga Redan Bushati

Tre vjet pas Pavarësisë së Kosovës, lajtmotivi që na ka lotuar të gjithë shqiptarëve anëkënd Botës ka qenë “Bac, u Kry”!

Menduam dhe disa mediokër vazhdojnë të mendojnë, por ka edhe të gjorë që nuk kuptojnë dhe verbërisht besojnë, se ajo ç’ka donte Baca i lavdishëm, Baca madhështor është përfunduar, arritur. A thue? A thue amanetin e Bacës, e kemi dërguar në vendin e vet?! A thue Baca dergjet nëndhe, por krenar për të “mbidhetë”, të cilët porosinë ia kryen?!

Së pari, isha prezent në trevjetorin e Pavarësisë së Kosovës, e në tre ditë qëndrimi kam diskutuar gjerësisht me shumë kosovarë.

Lotët e tyre vazhdonin të binin rrëke, gjurmët e tyre të lodhura, trupi i rraskapitur, mendja e tropitur dhe një shok psikologjik prezantonin karakterin e secilit prej tyre.

Disa vëllezër nga Podujeva, edhe kur diskutonin për politikën aktuale, sytë e tyre ishin të anuar. Ky anim shkonte nga veriu.

Për momentin nuk më jepte ndonjë kuptim diçka e tillë, por kur u ktheva në Shqipëri dhe po lexoja Kodin e Da Vinçit të shkrimtarit Dan Brown dhe personazhet interesante të Robert Langdonit e Sofi Nëvës, fillova edhe unë të futem në botën e dëshifrimit të kodeve.

Kodi ishte i saktë, “Zhak Sonierët” bashkëkombas donin të tregonin se “rreziku” ndodhet në Veri. Ndërsa, unë pretendoja se kjo çështje ishte mbyllur me “vulën” e ndërkombëtarëve, të cilët e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Së dyti, një nga shprehjet që më dëgjuan veshët ishte “lufta ka me plas përsëri, tashma me çu n’vend amanetin e Bacës”. Po cili është ky amanet?

Përderisa, familjarët e heroit Adem Jashari pranojnë që në shtëpinë e tyre të futet e gjithë lidershipi kosovar, kjo nuk do të thotë që amaneti është kryer? Apo, mos ndoshta zemërgjerësia e tyre lejon që në atë shtëpi të futet çdo gjak shqiptari?!...

Gjithsesi, një gjë është e sigurtë që konflikti me shkjaun është akoma i nxehtë. Incidenti që mund të kishte edhe pasoja të tjera, nuk mund të mos them që ishte edhe ai i asaj pasdite të enjte, 17 shkurti.

Makina me targa kosovare, që mbante brenda katër veta (mes tyre edhe unë) ndaloi në pikën kufitare të Përpëllacit. Tabela e vendosur nga KFOR-i tregonte qartë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkëbisedonim me njëri-tjetrin, ndërkohë që ndodheshim në tokën tonë amtare. I afrohem më shumë tabelës, duke mos bërë më tutje.

Papritmas, si kërpudhat mbas shiut mbijnë tre ushtarë serbë. E ku? Mbas një shkurreje, si ato të Selimit të Portokallisë, por kësaj rralle, jo mes kufirit shqiptaro-grek, por mes atij Kosovë-Serbi. Shprehja e tyre në drejtimin tim ishte “Provo, kaloje në ta mbajti!”.

Ndërkohë që ne u afruam makinës, ato rendin me hap të avashtë drejt nesh. E si përfundim, provokimin e tyre e përshëndetën shtëllungat e tymit të marmidës së makinës babaxhane.

Së treti, diçka substanciale për popullin kosovar është çështja delikate e simboleve të shtetit, duke filluar nga flamuri.

Kategorikisht, ato nuk e pranojnë atë shtetëror, madje një qytetar  nga Podujeva i dha 5 euro një fëmije që të përdhoshte flamurin “serb”, më falni atë shtetëror kosovar.

Në mendjen e tyre ka vetëm një flamur, për të cilin të parët e tyre kanë dhënë gjakun për të. Dhe ai është flamuri kuq e zi.

          Së katërti, duket se vula e të keqes së Kosovës është vendosur ditën kur karrigen e Presidentit të shtetit e mori Behgjet Pacolli. Më kulminantja është se vetë Presidenti i Rep. së Shqipërisë, z. Topi, nuk ngurroi të ishte telefonata e parë uruese e Behgjet Pacollit.

Kjo, jo veçse të lë një shije të hidhur, por e forcon edhe më shumë besimin e shqiptarëve që loja e shërbimeve inteligjente greko-serbe, po shtrin aq shumë tentakulat në Kosovë dhe Shqipëri, duke penguar zhvillimin ekonomiku-social, por veçanërisht ndonjë tentativë të mundshme bashkimi kombëtar.

Me vendosjen në krye të shtetit të “qoftëlargut” Behgjet Isa Pacolli, Kosova është rikthyer në vitin 1989.

Të japin përshtypje se planet shoviniste ruso-serbe janë më të fuqishme se ato amerikane. Ose mundet që kjo e fundit, të mos ketë interesa vetjake në lidhje me çështjen shqiptare.

Normalisht, SHBA është aleati numër një i shqiptarëve, por “Dell-i” i tyre i marrëzisë, dha një shuplakë të fortë vuajtëse mbarë popullit shqiptar.

Kosovarët janë ato që do të heqin më shumë. Qesharak është edhe fakti, që gruaja e parë e shtetit të Kosovës është një ruse. Një ruse për t’i gatuar çorbën Behgjetit, pasi “ai numëron paret, gruaja numëron pazaret”. Pazaret e fëlliqura në kurriz të popullit vuajtës kosovarë.

Së fundmi, gjykoj që shteti i ri i Kosovës ishte një sforcim i ndërkombëtarëve. Normalisht, pavarësimi i Kosovës është një arritje e madhe dhe unë i qëndroj kësaj. Mënyra e strukturimit të shtetit, drejtimit dhe forcimit të tij lë për të dëshiruar.

Kjo është njëkohësisht edhe arsyeja, se pse kosovarët duhet të vendosin vetë për Nderin e Bacës së tyre, sa nuk është vonë. Pra, ZGJOHUNI!

(Autori është kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)