28 Mars 2024

Arkat fiskale: Reformë për ekonomi të tregut, apo akumulim fillestar ilegal

Shkruar nga Isa MULAJ


Qeveria e cila e ngarkon popullin me tatime që nuk kërkohen nga nevoja urgjente publike dhe politika e shëndoshë publike, nuk është mbrojtëse e lirisë, por instrument i tiranisë -- Calvin Coolidge, kryetari i 30-të i SHBA-ve. 

Një prej reformave kryesore ekonomike të Qeverisë së Kosovës që filloj zbatimin më 2010 dhe vazhdoj gjatë të tërë këtij viti por nuk u përfundua sipas planit dhe dinamikës ose edhe dështoj, ishte pajisja e subjekteve afariste me arka fiskale. Reforma në shikim të parë ishte domosdoshmëri për modernizimin e ekonomisë dhe lehtësimin e punës së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), por edhe të subjekteve që duhej t’i fusnin në përdorim këto arka si obligim ligjor. Kuptohej se zbatimi i suksesshëm i kësaj reforme do të ndikoj dukshëm në uljen e pjesëmarrjes shumë të lartë të sektorit informal dhe evazionit fiskal në ekonomi, ose së paku në përcaktimin e përafërt se çfarë përmase e afarizmit ka mbetur jashtë sektorit formal.

Meqenëse afati për pajisje me arka fiskale ka skaduar dhe ATK ka mbetur në gjysmë të rrugës ose edhe shumë më prapa se kaq në zbatimin e tyre përkundër zgjatjes së afatit, qëllimi i kësaj analize është të bëjë një vlerësim mbi mënyrën si u planifikua zbatimi i kësaj reforme, të identifikoj shkaqet dhe pasojat që sollën thuajse dështimin e saj, kush përfitoj dhe humbi, dhe të propozoj disa rekomandime sipërfaqësore se si të veprohet më tutje.

Fjalët kyçe: politikat tatimore, arkat fiskale, ATK, MEF, bizneset, FMN, USAID.

JEL: D31, H21, J31, P46

1. Politikat tatimore, domosdoshmëria e fiskalizimit, dhe qëllimet e tyre

Nëse dikush ka vdekur në gjumë, ai/ajo me siguri ka parë ëndërr se është duke u ndjekur penalisht për mos pagesën e tatimeve --- Proverb amerikan.

Duket sikur pajisja në masë me arka fiskale të subjekteve afariste filloj në kohën kur Kosovën e goditi fuqishëm kriza financiare, me çka u krijua dyshimi paraprak rreth suksesit të kësaj reforme. Megjithatë, domosdoshmëria e krijimit të një sistemi më të thjeshtë, më bashkëkohor, më të centralizuar dhe më efikas për mbledhjen e të hyrave buxhetore të shtetit, ka ekzistuar edhe më herët.

Këtë padyshim se e dinim edhe ne, por hartuesit e politikave qeveritare dhe vendim marrësit e shtetit të Kosovës, sikur edhe një pjesë jo e vogël e popullsisë, e kanë një lloj “kodi të xhelozisë në gjene” se kur vijnë propozime për reforma dhe përmirësime nga brenda Kosovës, u duket sikur akuzë ose dikush po do t’u shes mend. Kur vetëm një pjesë e atyre propozimeve vjen nga jashtë siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), atëherë atë duhet zbatuar domosdo pa menduar shumë rreth sfidave dhe rezultateve të pritura.

Kjo qasje e politikë-bërësve dhe vendim marrësve në Kosovë deri më tani me një lloj kodi instinktiv, i bënë këta të ndihen partner serioz ndaj të huajve ose servilë për t’ua mbushur mendjen atyre se janë shumë kooperativ, gjithnjë duke menduar në oportunizmin për veten e tyre. Më shumë shpenzojnë energji në këtë se në kreativitetin e tyre për të zgjidhur problemet e shtetit siç janë tatimet dhe të fitojnë respekt tek ata nga të cilët janë zgjedhur.

Ecuria dhe të “papriturat” e reformës me arka fiskale që do të shqyrtohen në nëntitujt vijues, nuk mund të kuptohet si duhet edhe po të ndërmerret një analizë detaje pa u kthyer pak prapa në një reformë shumë ngushtë të ndërlidhur me këtë për arkat fiskale. FMN në raportin e tij për Kosovën të përgatitur prej 21 – 29 prill 2008, akuzon Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) për planifikim të dobët të buxhetit dhe aftësi të pamjaftueshme për zbatim e tij. FMN-ja kishte paralajmëruar MEF-in që të mos e zbres Tatimin në Fitim nën 15%. Qeveria e përgjysmoj nga 20% në 10%, kurse e rriti Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për 6,67%.


1.1. Indetifikimi i shkaqeve

Prej fillimit të vitit 2009 kur hynë në fuqi ndryshimet në normat tatimore e deri në fund të tij, në Kosovë, sipas zyrtarëve të Ministrinë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), janë shuar mbi 1.100 biznese. Qeveria, respektivisht Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, në bazë të një hulumtim të saj për t’i identifikuar faktorët e vërtetë të shuarjes së madhe dhe të shpejt të bizneseve, dha arsyetime të ndryshme, duke filluar nga: mungesa e mjeteve financiare, ndërprerjet e energjisë elektrike, e deri te vështirësitë e qasjes në kredi.

Ajo që nuk iu tregua opinionit dhe bizneseve, është se këta shkaktarë kanë ekzistuar vazhdimisht në Kosovën e pasluftës, janë përmendur edhe në shumë hulumtime tjera, por u anashkalua, kushedi se me çfarë qëllimi, ndikimi i normave të reja tatimore, sidomos i rritjesh se TVSH-së për 6,67% (nga 15% në 16%). Sipas Buletinit Makroekonomik të MEF-it të vitit 2008, për vitin 2009 TVSH-ja si kontribuuesi kryesor i të hyrave buxhetore të shtetit, parashihej të kishte pjesëmarrje prej 44%.

Pra, numri më i madh i bizneseve në Kosovë dhe kontribuuesit kryesor në të hyrat buxhetore, janë ata që paguajnë TVSH. Meqenëse TVSH u rrit dukshëm, ky ishte faktori dhe shkaktari kryesor i falimentimit të një numri kaq të madh dhe të shpejtë të bizneseve. Shkaktarët tjerë që i përmend hulumtimi i MTI-së janë të rëndësisë së dytë, të tretë, e kështu me radhë, dhe ata kanë ekzistuar edhe më herët por nuk sollën falimentim të madh sikur ndryshimet në skemën tatimore.

Me këto ndryshime tatimore, një numri të vogël të bizneseve të mëdha iu mundësua të rriten edhe më shumë (përgjysmimi i Tatimit në Fitim), ndërsa shumicës së atyre të vogla ua vështirësoj kushtet edhe më shumë (duke e rritur TVSH-në). Si pasojë e kësaj politike tatimore të “mençur”, ATK raportoj se në vitin 2010 edhe 20 mijë biznese të tjera nuk dihet nëse kanë falimentuar apo veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në mënyrë joligjore, nga gjithsej mbi 100.000 sa janë të regjistruara. ATK po ashtu raportoj se vetëm 43.000 biznese janë tatimpaguese, ose më pak se gjysma e atyre të regjistruara.

Në rekomandimin dhe punën e politikave të tilla ekonomike të “mençura” janë duke marrë pjesë të ashtuquajturit “këshilltarë strategjik” në MEF, të paguar nga USAID (Agjencioni i SHBA-va për Zhvillim Ndërkombëtar) nëpërmjet kontraktorit BearingPoint, që po na sjellin shkatërrime strategjike. E përmendem USAID-in sepse më vonë në këtë analizë përsëri do të na dal në ndihmë USAID-i për arkat fiskale, pavarësisht papërgjegjësisë së vendorëve brenda në USAID dhe në MEF. 

Nuk është aspak çudi pse raporti i Bankës Botërore mbi Kushtet për Veprimtari Afariste (Business Conditions Index – BCI, ose Doing Business) e rendit Kosovën më keq se vitin e kaluar, nga vendi i 116-të në të 119-in (118 pas përshtatjes). Është sidomos brengosëse renditja dukshëm mbi mesataren e përgjithshme të disa komponentëve të BCI-së (nga gjithsej 9), siç është ajo e Zbatimit të Kontratave (e 155-ta), Lejet e Ndërtimit (e 173-ta), dhe Mbrojtjen e Investitorëve (po ashtu e 173-ta).

Çka është edhe më interesante, në fushatën për zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 të partisë që ishte në pushtet ose asaj që i futi ndryshimet në skemën tatimore (me pasoja), u premtua të favorizohen edhe më tutje bizneset e mëdha duke ua hequr në tërësi tatimin në fitim për 3-5 vitet në vijim (varësisht prej madhësisë). Kjo e ka alarmuar FMN-në i cili brengoset për krizën buxhetore, ose humbjen e të hyrave nga ato subjekte që kanë mjete më së shumti dhe mund ta mbushin arkën e shtetit më shumë – ndërmarrjet e mëdha. Sipas logjikës së premtimeve të partisë e cila i futi në përdorim normat shkatërruese tatimore, buxheti i shtetit do të mbushet përsëri kryesisht nga të hyrat e TVSH-së me norma të diferencuara.

Ndërkaq, sipas logjikës krejtësisht të qartë ekonomike, ky premtim për “reformën” e sistemit tatimor ka për synim ta bëjë, siç njihet nga ekonomia politike, akumulimin fillestar të kapitalit të disa personave në ndërmarrje të mëdha, dhe ta detyroj shumicën e popullsisë së varfër të bëhen edhe më të varfër dhe të hanë  “bukën thatë”.

Korporatat synohen të lirohen nga tatimi, ndërsa barra e tatimit, sidomos e TVSH-së si burimi kryesor për arkën e shtetit, përfundimisht të bie në popullsinë e varfër konsumuese derisa këta të detyrohen ta “hanë bukën thatë”. Një premtim i tillë me pasoja të qëllimshme kundër buxhetit të shtetit dhe shumicës së popullsisë, nuk do më shumë koment. Me tepër i përngjan një politike kriminale se sa politikave ekonomike.


1.2. ATK-ja si institucion i dobët

Paralajmërimin më serioz FMN ia bëri punës joefikase të ATK-së, që e shihte si institucion shumë të dobët me një sistem të vjetërsuar të teknologjisë informative për mbledhjen e të hyrave buxhetore. FMN i rekomandoj ATK-së të themeloj një sistem të mirëfilltë për regjistrimin e tatimpaguesve, dosjeve dhe pagesave, që do të thotë se bizneset duhet të pajisen me arka të reja fiskale, dhe kështu të mbahen nën kontroll më të mirë dhe më të centralizuar nga ATK-ja.


Qeveria së pari filloj me ndryshimet në skemën tatimore, përkundër rekomandimit të FMN-së se sistemin tatimor i Kosovës ishte i mirë dhe më i thjeshtë në krahasim me vendet tjera, dhe se nuk kishte nevojë të bëhen ndryshime në normat e tatimeve, pra u rekomandoj qeveritarëve të mos ndryshojnë ato për interesat e tyre grupore dhe personale, por le të mendojnë pak edhe për ata nga të cilët varen – bizneset dhe popullsinë. Qeveritarët jo vetëm që mendonin për të fituar vetë nga ndryshimet në skemën tatimore, sepse vetëm kjo nuk i kënaq si shkak i një “kodit xheloz në gjene”, por njëkohësisht donin t’i dëmtonin të tjerët. Nuk i parapëlqejnë përfitimet e përbashkëta.

Mundohen dhe bëjnë përpjekje të pasurohen shumë brenda natës me çfarëdo metode qoftë ajo e fëlliqur, mundësisht pa e harxhuar asnjë cent, dhe me kusht që dikush të humb ose të dëmtohet me qëllim. Nuk ndodh kjo vetëm me politikën kosovare. Këtë mentalitet të koduar e ka edhe një pjesë e popullsisë. Për shembull, kur një shqiptari i ka ngordhur lopa dhe po mërzitej shumë, i ofrohet një mik dhe i thotë: “Çka ki bre qe po mërzitesh; hajt se lopë u kanë!”, ndërsa ky të ia ketë kthyer: “More s’po mërzitna pse m’ka cofë mu, por po mërzitna pse nuk po i cofë kojshisë!” Ky mentalitet e karakterizon një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare. Kurdo mund ta hasni dhe provoni për çdo ditë. Bazohuni vetëm në veprimet e tyre, e jo aq shumë në atë çka thonë, dhe e vëreni menjëherë.

Ndryshimet në skemën tatimore duhet të mbahen mend si diçka e pamenduar mirë për interesin e përgjithshëm të bizneseve, dhe të bëra për qëllime të caktuara selektive. Efektet e tyre nuk mund të shikohen si të ndara nga reforma me arka fiskale të cilën FMN-ja e rekomandoj se duhet të zbatohet së pari. Më vonë në këtë analizë do ta konstatojmë se cili ishte qëllimi nën hije dhe i përbashkët i të dyjave – i ndryshimit të normave tatimore dhe pajisjen me arka fiskale.

Për shkak se Kosova ka një disiplinë të varfër fiskale, reforma me arka fiskale ka qenë më prioritet. Kontrollet jo efikasve nga policia financiare, që për shkaqe ideologjike (por edhe praktike) tani po i quajmë inspektorët tatimorë, dhe mekanizmat e dobët të veprimit dhe ekzekutimit të vendimeve, e kanë nxitur në masë të madhe evazionin fiskal dhe rritjen e sektorit informal. Centralizimi dhe modernizimi i një sistemi i mbledhjes së të hyrave buxhetore për shtetin, është rrugë e mirë për t’i zvogëluar të dyja. Këtu është arsyeshmëria kyçe e futjes së arkave fiskale dhe rekomandimi i drejtë i FMN-së.

Në kushtet normale, kur ju blini diçka në vetëshërbim ose shitore, posa të dilni jashtë, polici ose inspektori tatimor ka të drejtë t’ua konfiskoj mallin ose t’iu dënoj aty te dera nëse ju nuk e keni faturën, me dyshimin se e keni vjedhur mallin, ose arkëtari në shitore nuk e ka regjistruar. Sa prej jush e merrni faturën? Unë shumë rrallë, e për gjëra të imëta kurrë. Sepse nuk më duhet gjë. As juve si blerës nuk u duhet gjë, me përjashtim të disa shërbimeve (për shembull, mbushje telefonike dhe interneti) vetëm sa për të qenë i/e sigurt se shërbimin që paguat, do të mund ta shfrytëzoni.

Në raste tjera m artikujt e konsumit ditor, nuk u duhet gjë. Si e more, si s’e more, dhe si e regjistroj, si s’e regjistroj arkëtari transaksionin. Pse? Zinxhiri i transaksioneve dhe përgjegjësisë për juve si blerës (por edhe për disa biznese) përfundon aty. Ne, dhe thuajse secili segment i shoqërisë, sidomos gjykatat, nuk kemi qasje në mënyrën e shpenzimit faktik të buxhetit të shtetit dhe nuk jemi në pozitë ta mbajmë askënd përgjegjës në pushtet për keqpërdorimin, e në disa raste edhe vjedhjen ashiqare të buxhetit.

Në shtetet tjera ka mekanizma kur edhe për keqpërdorime më të vogla të buxhetit nga pushtetarët, pasojnë ndëshkimet. Në Kosovë, përkundër se janë dëshmuar vjedhje të buxhetit nga qeveria dhe ministrat duke i marrë paratë “qyl” si në bashqe të babës, çështja nuk është alarmuar sa dhe si duhet as në media, nga frika se po ua marrin inati (hajnat). 

Pavarësisht shprehisë së krijuar për një kohë të gjatë në (mos)disiplinën fiskale nga të dyja anët, pra ATK-ja dhe tatimpaguesit (duke i përfshirë edhe blerësit e përditshëm), futja masive e arkave fiskale gradualisht ishte dashur të sjellë përmirësim. Por, nga përvoja fillestare dhe e gjertanishme, duket se efektet kanë qenë të kundërta. Pse dhe si ndodhi kjo? 

2. Zbatimi i pajisjes me arka fiskale: ngecja dhe shkaqet

Reforma me arkat fiskale ishte e menduar mirë si teori, ndonëse ose u nënvlerësuan kushtet dhe rrethanat në të cilat po zbatohej, ose qëllimi i tyre u kuptua pak më ndryshe nga një këndvështrim tjetër prej subjekteve zbatuese. Deri në fund të këtij viti llogaritet se janë pajisur vetëm 6.500 biznese me arka fiskale, nga gjithsej mbi 100.000 sa janë të regjistruara. Nëse bazohemi në atë që u cek më lartë se 43.000 biznese janë tatimpagues, atëherë është e qartë se vetëm 15% të bizneseve që funksionojnë janë pajisur me arka fiskale. Janë edhe 8.000 pajisje fiskale të instaluara, por që nuk janë funksionalizuar.

Në përputhje me ligjin, ATK-ja lëshoj rreth 800 gjoba për bizneset pa arka fiskale dhe ato që janë të pajisura por që veprojnë në kundërshtim me ligjin, për shembull, për mos lëshimin e kuponëve. Problemi i radhës me zbatimin e këtyre gjobave të shqiptuara, është te mekanizmat joefikas për ekzekutimin e vendimeve, të cilat edhe po të fillojnë ekzekutimin, do të hasin në probleme me bizneset sepse shumica e këtyre janë në krizë.

ATK-ja edhe ashtu nuk ka kapacitete për t’i inspektuar shumicën e bizneseve, ndërsa bizneset në anën tjetër mund të jenë të prira për të mos përfillur rregullat e ATK-së duke e ditur jo-transparencën e shpenzimit te të hyrave buxhetore të shtetit. Ky është një paralajmërim se, kur ndaj dikujt apo shumëkujt në pushtet nuk merren masa, atëherë edhe ndaj bizneseve nuk mund të ketë mekanizma efikas për marrjen e masave.

Problemi dhe vështirësia me zbatimin e reformës me arka fiskale vërehej prej fillimit të vitit 2010. MEF-i paraprakisht (në fund të 2009-ës) kishte licencuar dy kompani, të cilat më vonë u dënuan me nga 100.000 euro nga Komisioni i Konkurrencës për monopol, ose sjelljen që ndikoj në krijimin e monopolit në furnizimin me arka fiskale. Monopoli diktoj çmime të larta. Dhe a ishin vërtetë të larta çmimet e arkave fiskale? Natyrisht se po, sidomos për kohën kur filloj shitja e tyre që karakterizohet me krizën financiare.

Kështu pajisja më e thjeshtë si arkë fiskale e ofruar nga kompania Gekos, e tipit DP-50 që i përngjan një kalkulatori, me kapacitet të regjistrit elektronik deri në 1.000 artikuj, kushton 260€ ose sa një kompjuter. Modelet tjera të madhësisë pak më të madhe me kapacitet prej 3.000 artikujsh janë dhe kanë çmimet si vijon: MP-55B EJ (325€), MP-55B (289€), MP-55EJ (379€). Një model më i madh se këta është DP-500 EJ me kapacitet të regjistrit deri në 5.000 artikuj që kushton 480€. Te gjitha këto çmime nuk përfshijnë TVSH-në prej 16%.

Pajisja e bizneseve me arka fiskale ka ende punë. Duhen edhe printerët fiskal për lëshimin e kuponëve, sepse po u zunë inspektorët tatimorë se nuk e lëshoni, u gjobisin. E cili është çmimi i printerëve i cili mund t’iu shtohet arkave fiskale? Është shumëfish më i shtrenjtë se i printerëve për kompjuterë dhe sillet kështu: Datecs FP-60 (449€) për 2.800 artikuj, Citizen FP-550 (680€) për 30.000 artikuj, dhe Epson TM-T260F (1.100 €) për 50.000 artikuj.

U kombinuan çmimet shumë të larta të arkave fiskale dhe printerëve fiskalë, dhe puna me sistemin e arkave fiskale ose funksionalizimin e tyre ende nuk ka përfunduar. Një terminal tatimor për t’u lidhur me ATK-në kushton 155€, “Displej” (shfaqje) për Klientelë 110€ dhe një Drajver F – Link për Printer Fiskal 125€ (është CD). Edhe te këto çmime nuk është përfshirë TVSH-ja prej 16%.

U shtua dukshëm çmimi i funksionalizimit të arkave fiskale deri në ato përmasa sa që, po të mendonin bizneset se kushtojnë kaq, ndoshta nuk do ta kishim as 1/3 e këtyre 6.500 bizneseve të pajisura me to që janë tani. Kanë bërë “mirë” që nuk i kanë menduar aq shumë këto shpenzime, dhe kjo më tepër i ka shkuar përshtati si biznes i mirë dhe i sigurt me pozitë monopoliste për kompanitë që i ofronin këto pajisje. Dhe ndoshta shpenzimi jo fundit për arkat fiskale, janë rastet se edhe kur instalohen, disa biznese nuk dinë t’i shfrytëzojnë, prandaj u duhet një trajnim dhe kjo më tutje e shton koston e pajisjes me arka fiskale dhe shfrytëzimin e tyre.

Edhe në disa raste kur arkat fiskale janë futur në funksion, ato duket se nuk ua kanë lehtësuar punën bizneseve. Kjo mund të vërtetohet me rastet kur disa biznese nuk lëshojnë fatura ose kuponë gjatë mbrëmjes dhe ditëve të fundjavës, ose në kohën jashtë orarit të punës të inspektorëve tatimor.


2.1. Pse dështoj fiskalizimi, kush humbi dhe përfitoj nga ai?

Në shumë vende në zhvillim – dhe të zhvilluara – qeveritë shumë shpesh shpenzojnë energji të madhe duke i bërë gjërat që nuk duhet t’i bëjnë. Kjo i shpërqendron ato nga gjërat që duhet t’i bëjnë. Problemi nuk qëndron se qeveria është shumë e madhe [apo e vogël], por në atë se nuk është duke e bërë punën e duhur --- Joseph E. Stiglitz, Nobelist për ekonomi.

Qeveria e cila dukej si konglomerat privat, i sheh qytetarët dhe bizneset, siç e bëri “skandal” edhe ish-ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zllatko Kramariq (sepse ne nuk po guxojmë ta themi realitetin për shtetin tonë si duhet!), “si objekte për t’i mjelur si lopën”. Ajo që ndodhi dhe po ndodh me arkat fiskale, marksistët do ta quanin këtë dukuri si akumulimi fillestar i kapitalit, edhe pse kjo po ndodh katër shekuj më vonë.

Sikur në çdo punë tjetër të qeverisë, çfarëdo projekti, rekomandimi, investimesh të huaja, nëse nuk ka ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë për qeveritarët dhe klanet e tyre, nuk ka angazhim serioz të demonstrojnë se është i leverdishëm dhe dobiprurës për Kosovën. Edhe për arkat fiskale ishte e njëjta qasje.

Përmirësimin urgjent dhe modernizimin e sistemit për mbledhjen e të hyrave buxhetore, qeveria nuk kishte arsye ta marrë seriozisht nëse nuk i sillte përfitime bizneseve të saj private. Prandaj edhe kur u piqen kushtet për përfitime të tilla, atëherë filloj zbatimi i projektit me arka fiskale ose 3 vite më vonë, meqenëse tani qeveria kishte arritur ta krijoj monopolin në furnizimin e këtyre arkave.

Pasi kompanitë e licencuara në fillim Gekos dhe Dukagjini mbanin monopolin dhe e morën “kajmakun”, MEF-i licencoj edhe dy kompani tjera (Printec, dhe R&T). Mirëpo, pasi reforma filloj keq dhe bizneset disi u bënë skeptike nga qëllimi i vërtetë i MEF-it, atëherë edhe po të licencohen edhe qindra kompani furnizuese për arka fiskale, është vështirë të kthehet besimi tek bizneset për t’i instaluar dhe shfrytëzuar ato.

Kur u pa se reforma me arkat fiskale po dështon, USAID-i  nëpërmjet KPEP-it (Programit për Ndërmarrjet Private në Kosovë), BZMF-së (Besëlidhja Zavet Micro Finance) në bashkëpunim me KIT-in (Kosova Information Technology), ofruan një mbështetje për financimin e të gjitha bizneseve me arka fiskale nëpërmjet kredive, me afat të kthimit për 12 muaj.

Oferta speciale për muajin nëntor dhe dhjetor parashihte që 10% e vlerës së arkës do të subvencionohet nga USAID-i përmes BZMF-së, për 500 aplikacionet e para të bizneseve që ofrojnë produkte vendore bujqësore. KIT-i është distributori i Gegos-it dhe Dukagjin-it për pajisje fiskale si dhe bashkëpunëtor i BZMF-së. Dy kompanitë e para për ishin dënuar nga Komisioni i Konkurrencës me nga 100.000 euro për shkak të monopolit në ofertën me arka fiskale.

Por, Komisioni i Konkurrencës nuk është në pozitë ta dënoj edhe USAID-in, BZMF-në, de KIT-in si pjesë përbërëse e monopolit, ose tash oligopolit. Oferta dhe subvencioni i USAID-it sado që është mbështetje për arkat fiskale të bizneseve kosovare, përfituesi kryesor i atij subvencioni është BZMF amerikan, ose siç thotë populli “parja shkon te parja.” Kështu derisa nga pikëpamja ekonomike jemi në gjendje të arsyetojmë domosdoshmërinë e arkave fiskale, në anën tjetër përfituesit e parë nga ky projekt duket se janë institucionet mikrofinanciare, ose më e shtrenjta për një kohë të gjatë në Kosovë – BZMF.

2.2. Politika e gabuar ekonomike

Format e zbatimit të reformës me arka fiskale nuk kishin për qëllim të krijojnë stabilitet buxhetor dhe rritje të tij. Se kush përfitoj nga kjo që u zbatua deri më tani, u bë e qartë – përfituan të gjithë ata që u përfshinë drejtpërdrejtë, ose në forma tjera u angazhuan në këtë biznes me arka fiskale, ndërsa humbi buxheti i shtetit, ekonomia, dhe bizneset. Qeveria dhe ATK nuk u brengos shumë pse vetëm një përqindje e vogël dhe e parëndësishme për sektorin formal u pajis me arka, me përjashtim se shqiptoj qindra gjoba. Kur dalin përfitimet private dhe klienteliste, atëherë nuk kishin pse të brengosen për humbjet e atyre pikërisht ndaj të cilëve reforma ishte menduar së do t’i sjellë përfitime, sidomos buxhetit të shtetit.

Pasojat nga kjo politikë e gabuar ekonomike shkaku i interesave grupore private, ishin shqetësuese dhe me efekt zinxhiror që do të mbahet mend si një ngjarje historike për Kosovën. Në mungesë buxheti të mjaftueshëm për disa projekte kapitale siç është autostrada Vermicë - Merdare, Qeveria u përpoq ta bindte Kuvendin të votoj strategjinë e privatizimit të PTK-së me çdo kusht dhe me çfarëdo çmimi, se duheshin mjete për financimin e autostradës dhe buxheti i shtetit para disa viteve i propaganduar se do të rritej dukshëm falë “politikës së mençur tatimore të këshilltarëve strategjik”, tani nuk kishte mjete. Kuvendi refuzoj dhe akuzoj për jo transparencë Qeverinë. Dhe Qeveria ia tregoj transparencën e “vërtetë” Kuvendit kur ia kontrabandoj strategjinë e privatizimit të PTK-së pa qenë në rend të ditës fare, ose pa prit – pa kujtu!


Shumica e deputetëve u frikësuan dhe menduan se mos në të njëjtën ndërtesë të Kuvendit pas 21 vitesh po u sjell dikush diçka të ngjashme për suprimimin e autonomisë (ose në këtë rast sovranitetit të Kosovës), dhe mos jashtë ndërtesës së Kuvendit janë tanket ose autoblindat dhe njësi speciale të policisë si presion për ta kaluar strategjinë e privatizimit të PTK-së. Fatmirësisht, jashtë nuk kishte as tanke e as njësi speciale të policisë, por fatkeqësisht ajo ngjarje e asaj dite u bë shkaku i prishjes së koalicionit qeverisës dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme për 12 dhjetor 2010.

Në ndërkohë u zbulua edhe strategjia e vërtetë e privatizimit të PTK-së, që ishte një komplot i organizuar nga disa qeveritarë të Kosovës, kompani dhe individë me veprimtari të dyshimta dhe fiktive serbe dhe austriake, në të cilin komplot për çudi ishte përfshirë edhe ambasadori antipatik (për shumicën e popullsisë) i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell. Me këtë u bë puna bërllok krejt!

Po cili është fajtori kryesor i të gjitha këtyre? Është politika ekonomike e gabuar, sidomos ajo e oportunizmit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare për përfitime selektive grupore e individuale në emër të shtetit, shoqërisë, dhe popullit të Kosovës. Prandaj, në nëntitullin në vijim do të sjellim shkurtimisht një paragjykim, papërgjegjësi dhe përçmim që ekziston në Kosovë ndaj seriozitetit të politikave ekonomike.  


3. Barsoletat shpotitëse të mjekëve kundër ekonomistëve në Kosovë

Një paradoks i pazakonshëm që është treguar shpesh në Kosovë, është raporti ndërmjet mjekëve dhe ekonomistëve. Sfida kryesore e secilit student që ia kishte mësyer mjekësisë, ka qenë vetëm si të regjistrohet. Në asnjë fakultet të Universitetit të Prishtinës nuk ka qenë më vështirë të regjistrohesh se në mjekësi. Po ashtu, në asnjë fakultet tjetër nuk kanë qenë ryshfetet (kur janë përdorur) më të mëdha se në mjekësi për t’u pranuar.

Një brucosh i mjekësisë kishte arsye të mburrej shumë karrshi një profesori ordinar të ekonomisë ose ekonomist të mirë. Tjetri fakultet i radhës sipas prestigjit ishte ai i elektroteknikës. Paragjykimet e një profesioni ndaj tjetrit kanë qenë aq të shprehura sa ishin shndërruar në barsoleta standarde për t’i shpotitur sidomos ekonomistët.

Ka mjaftuar t’i thuani dikujt se studioni “elektro” (kështu quhet në gjuhën popullore) si fakultet i vështirë me numra e formula. Tepricat e studentëve të “elektros” dhe mjekësisë e kishin vendin e sigurt – në ekonomik. Nga kjo praktikë është krijuar bindja paragjykuese në formë të barsoletës për ekonominë, të cilën e kanë treguar shumë studentë kështu: E kishte shkelur dikë treni, trupi i tij/saj kishte mbetur në hekurudhë, ndërsa kokën e dëmtuar ia kishin dërguar në spital. Trupi i njeriut ngrihet dhe shkon për të studiuar ekonominë. Pas diplomimit. trupit i bie ndërmend të shkoj në mjekësi dhe ta marrë kokën ku ia kishin dërguar dhe gjendej prej ditës kur i kishte ndodhur aksidentit më tren!

Në shtetet me ekonomi të zhvilluar, të studiosh “elektro” do të thotë të merresh me gjëra të rëndësishme teknike si formula, grafikone, iksa, ypsylona, që në formën e studimit të aplikuar (zbatuar) do të thotë të kontribuosh në përparimin e shkencës dhe dijes, por kurrsesi nuk është më e rëndësishme se ekonomia e aplikuar.

“Elektro” më tepër është studim i rëndësishëm sikur një lojë e vështirë cicmici. Fut ca numra, bënë manovra me ta sa të duash, dhe kompjuteri tregon disa rezultate të cilat printeri i shtyp lehtë. Në mjekësi ose kampionin e paragjykimeve në Kosovë në të kaluarën (tash jo për shkak të gjendjes në sektorin e shëndetësisë kosovare) është gjëja më e lehtë në shkencën e aplikuar. Puna e mjekut kurrë nuk mund të krahasohet me politikat dhe efektet e një ekonomisti.

Po që se gabon një mjek njëherë (apo edhe qindra herë çka nuk mund të jetë rast) atëherë ai mund ta mbys një apo qindra pacientë dhe nuk e praktikon më të njëjtin veprim.

Nëse gabon një ekonomist politikë-bërës vetëm një herë, mund ta mbys një popull të tërë ose shumicën, ta merr në qafë tërë shtetin, dhe nuk mbetet shumica e të tjerëve si me rastin e mjekut për të eksperimentuar aq shumë, sepse nuk ka efekt të dukshëm; mjafton një gabim i rëndë (me ose pa qëllim) ekonomik dhe pasojat janë shumë më të mëdha se ato të gabimeve të mjekut, që mund të përcillen edhe tek ata që ende nuk kanë lindur dhe ndaj të cilëve mjeku nuk mund të veproj, por edhe nëse vepron, mjeku i di pasojat, eksperimenti përsëri kufizohet në një apo disa pacientë, dhe nuk mund ta përfshijë shumicën e popullsisë sikur politikat ekonomike.

Dallimi tjetër ndërmjet mjekut dhe politikë-bërësit ekonomik në Kosovë është se i pari eksperimenton për t’i shëruar njerëzit, ndërsa i dyti (sidomos në reformat tatimore dhe arkat fiskale) për t’i sëmurë shumicën të cilëve as mjekët nuk mund t’u bien rreth.


Përmbyllje dhe rekomandim

Dështimi me reformën e arkave fiskale i cili thuajse është i vërtetuar në bazë të ecurisë së gjertanishme, është një goditje e madhe për stabilitetin ekonomik dhe buxhetor të Kosovës. Reforma po dështon shkaku se, disa njerëz në qeveri dhe kompani private përgjegjëse për zbatimin e saj, e shihnin atë prej fillimit si biznes privat të tyre prej së cilës ata duhet të përfitojnë së pari. Kjo u vërtetua kur qeveria krijoj monopol në furnizimin me arka fiskale, me çmime të cilat në përgjithësi ishin të larta.

Qeveria dështon në reforma ekonomike normale për Kosovën siç janë arkat fiskale, por ajo nuk ka dështuar në biznesin e saj me to. Përfituesi numër një i reformës me arkat fiskale ishin subjektet zbatuese të saj, që numërohen në gishta, ndërsa humbësit dhe pasojat është më vështirë të përllogariten.  
   
Për pacientët me çfarëdo sëmundje ka ilaçe, ose së paku diagnozë. Për politikë-bërësit e reformave ekonomike në Kosovë duket se nuk ka. Pa reformimin e njerëzve, sidomos kodit të tyre latent të oportunizmit, nuk ka suksese të reformave ekonomike në Kosovë, pavarësisht se nga cila qeveri do të zbatohet. Kjo është zgjidhja kryesore në formë të rekomandimit për vazhdimin e reformës me arkat fiskale.

Plani i veprimit të mëtejshëm nga gjendja ekzistuese ku është futur eksperimenti me arkat fiskale, është i rëndësisë dytësore dhe për të nuk është vështirë të hartohet një strategji e mirëfilltë, zbatimi i së cilës do të kishte efektin e dëshiruar vetëm nëse zbatohet reforma kryesore që sapo u përmend, duke përfshirë edhe një llogaridhënie të atyre që zbatuan këtë dështim dhe “këshilltarët strategjike” për rolin e tyre në shkatërrime strategjike.


(Autori është drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)