28 Mars 2024

Arbën Xhaferi, zëri i qartë në mes të kaosit

Shkruar nga Afrim Kasolli

“Është punë shumë delikate të shkruash biografinë e një personaliteti, veçmas atë politike, ngaqë në këtë fushë, si askund tjetër zhvillohet beteja me oponentët me tërë qenien e njeriut, intelektin, moralin, dinakërinë, hipokrizinë, vizionin e tij, vendosmërinë, kapacitetin për vendimmarrje, paragjykimet, egon dhe superegon e tij.

Në veprimtarinë politike ndikojnë shumë faktorë, shpeshherë edhe irracionalë që vështirë dekodohen” (A. Xhaferi).

Kjo sentencë teorike e Arbën Xhaferit, në mënyrë emblematike shpalos sfidat mendore që na imponohen sa herë që tundohemi ta përshkruajmë, analizojmë apo vlerësojmë, biografinë e ndonjë personaliteti politik, si në rrafshin praktik ashtu edhe atë teorik.

Ndërkaq vlerësimi i jetës dhe veprimitarisë intelektuale të filozofit dhe mendimtarit të spikatur Arbën Xhaferi, është i mbarsur më shumë vramendje mendore, hamendje të mundimshme, dhe dilema teroike edhe për shumë arsye tjera të kësaj natyre komplekse dhe shpeshherë të pazbërthyeshme.

Fillimisht A. Xhaferi jetoi dhe veproi në një kohë dramatike të zhvillimeve politike të cilat e kapërthyen shoqërinë shqiptare, kohë kjo kur shqiptarëve u ishin abroguar të gjitha të drejtat nacionale, politike si individuale ashtu edhe kolektive, dhe kur po ashtu ishte përmbysur një sistem i vlerave dhe mungonte plotësisht një i ri, e si pasojë e kësaj mungese, çoroditja ideologjike dhe kaosi kulturor e kishin pushtuar shoqërinë tonë në të gjitha sferat vitale të jetës politike, sociale dhe kulturore.

Në këtë sens, refleksionet e tij politike dhe mendore, thuajse ishin shndërruar në të vetmin zë të qartë që shtegtonte përmes kësaj kaos-krize totale vlerore dhe kulturore.

Në këtë kontekst Xhaferi, me një qasje brilante mendore në saje të aparatit të tij të pasur dhe të pashoq konceptual, e pat shtruar nevojën imediate të përkufizimit të interesave nacionale në kontekstin e ri global, rivlerësimit të vlerave, si dhe instalimit të standarteve dhe kritereve të mirëfillta kulturore, shoqërore  e kombëtare, që do të ishin në pajtueshmëri të plotë me tendencat themelore qytetëruese të “botës perëndimore”. 

Natyrisht, në këto përpjekje ka pasur edhe raste kur Arbëni eshtë sfiduar iracionalisht, si nga sfera akademike ashtu edhe nga formacionet politike, por me një qetësi olimpike ai u kishte rezistuar këtyre sulmeve, duke qëndruar shpesh herë si një zë i vetmuar në mes njerëzve.

Madje mbaj mend kur gjatë viteve të studimeve, me një grup kolegësh, patëm bërë përpjekje për t’ia organizuar një ligjëratë për çështjet e identitetit në ambientet e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, por ishim penguar atëbotë për realizimin e një nisme të tillë nga strukturat e dekanatit, me lloj-lloj arsyetimesh meskine e absurde.

Keshtu në rrafshin teorik, institucionet tona akademike ka kohë që janë degraduar në nivelin teorik, diskredituar në atë politik si dhe rrënuar në aspektin etik, cfarë i bën ato të pazonja për t’u ballafaquar me “frymën e kohës” si dhe argumentet diskurisve që kishte artikuluar Arbëri, lidhur me proceset, sociale, politike dhe ekonomike nëpër të cilat po kalonte shoqëria jonë.

Për Arbër Xhaferin veprimtaria politike nuk ishte një arenë e luftës së paskrupullt për pushtet, por ajo ndërlidhej me një ofertë qytetare dhe politike.

Prandaj kjo sferë ishte e mpleksur rrënjësisht edhe me sfërën diskursive të qenies njerëzore dhe vetë politika duhej të kishte karakter teorik dhe etik, gjatë operimit të saj në shoqëri.

Vetëm në këtë mënyrë ajo do të shndërrohej në instancë që i artikulonte intersat universale të një shoqërie, dhe do kishte për qëllim themelor mbrojtjen e atyre interesave.

Në mungesë të kësaj cilësie politika tjetërsohet nga roli i saj fundamental, duke u shndërruar në një instancë e cila gjeneron konflikte dhe prodhon shkatërrimin e formacioneve shoqërore e politike.

Me këtë rast politika nuk synon më mbrojtjen e interesave të të gjithë pjesëtarëve të një shoqërie, por ka për qëllim që ta shfrytëzojë pushtetin për ta ruajtuar dominancën e një grupi, klase, partie apo etnie mbi të tjerat.

Bie fjala, kohë më parë duke e analizuar në rrafshin etik njërin nga shkaqet e krizës së gjithëmbarshme që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në ta gjitha hapësirat e tona, Arbën Xhaferi pohonte se një nga shkaqet e kësaj krize politike dhe etike padyshim që duhej kërkuar edhe tek fakti se interesat e partive politike shqiptare nuk ishin në përputhje me intersat kombëtare, interesat e grupeve drejtuese të partive nuk ishin në përputhje me ato të të gjithë partisë, ndërkaq interesat e liderit nuk përputheshin me ato të grupit drejtues.

Prandaj kjo shpërputhje e shumëfishtë është shndërruar në një burim të molepsjes sonë kombëtare dhe faktor që po përthan kapacitet tona zhvillimore.

Në antinomi me këtë tipar parcializues, Arbën Xhaferi qëndrimin e tij politik e kishte ndërtuar ekskluzivisht mbi një lexim filozofik të historisë.

Kështu, duke e analizuar tendecën themelore historike të shekujve të fundit që ka dominuar në Evropë ky mendimtar konstaton se pikërisht logjika e formimit të shtetit-komb ka qenë forca determinuese që ka përshkuar proceset themelore në këtë kontinet.

Pra kjo forcë ishte shkaku që kishte akseluar konfliktet historike, kishte shkërmoqur perandoritë (duke shkaktuar madje edhe luftra botërore) dhe në fund kishte rezultuar me krijimin e arkitekturës së re politike të civlizimit perëndimor, dhe paqtimin e forcave antagoniste qe i kishin gjeneruar këto konflikte.

Pra, për Arbër Xhaferin krijimi i shtetit-komb, si krijesë që ngërthen në vetevete parimet dhe vlerat universale politike, etike dhe juridike, shënon në një farë mënyre edhe “fundin e historisë”.

Duke u shprehur në mënyrë më metaforike shteti për Arbën Xhaferin nuk ishte instrument për realizmin e interesave të klasës, por të kombit në përgjithësi. Pra ishte kjo një kundërvënie ndaj Marksit dhe rikthim tek tezat hegeliane të historisë.

Përmbajtësisht edhe shkallmimi i ish-Jugosllavisë, si një krijesë miniperandorake dhe hegjemonike, ishte pasojë e kësaj prirjeje historike. Dhe pikërisht në këtë kontekst të thyerjeve masive politike dhe sociale, shqiptarët duhet të tregoheshin koshientë politikisht me synim që të mëtonin për realizmin e kësaj teze të historisë.

Përgjithësisht shumë nga stagnimet dhe shterpëzimet që aktulalisht e kanë kapërthyer shoqërinë shqiptare ai i përceptonte pikërisht si pasojë e “mospërfundimit të historisë” edhe për kauzën tonë kombëtare.

Ndërkaq në linjë të kësaj trashëgime ai do të shestonte edhe vizionin e tij për nacionalizmin, duke iu këndërvënë atyre tezave që e konisderonin këtë forcë “metademokratike” si anakornike.

Kështu për Arbër Xhaferin “pjesa diskursive racionale e thimosit është nacionalizmi. Ai mund te jetë arrogant brutal e çnjerëzor, por mund të jetë i drejtë, fisnik e i moralshëm, që krijon kohezion në shoqëri, i motivon njerëzit për liri, krijimtari, për ndërveprim me të tjerët, për tejkalim të vështirësive, për angazhim të vullnetshëm shoqëror, për funksionim më të gjerë të parimeve etike, e që plotëson nevojën e thellë të individit për përkatësi ndaj një grupi shoqëror.

 Ata që verbërisht janë kundër nacionalizmit dhe ofrojnë zëvendësimin e tij me përkatësi ndaj grupimeve tjera harrojne faktin se vetëm nacionalizmi krijon mekanizma të qëndrueshëm për shtetin që mbron dhe kultivon vlera me të cilat identifikohet një njeri”.

Rrjedhimisht, megjithë adhurimin për procesin e modelit të Bashkimit Evropian, Arbëri nuk joshej nga interpretimet banale ditore politike që e përkufizionin këtë strukturë si kompensim për mungesën reale të shtetit-komb edhe për shqiptarët.

Madje, me analizat e tij të stërholluara teorike ai tregonte se vetë ky Union ishte krijuar vetëm pasi fillimisht ishin krijuar shtetet kombe në Evropë, e jo si kompensim për të tejkaluar mungesën e këtyre shteteve.

Duke i qëndruar konsekuent parimit filozofik për historinë, në mënyrë shpotitëse ai do të demantonte edhe ofertën për realizimin e të drejtave të shqiptarëve brenda modeleve të shteteve multientike.

Në ligjërimet e tij, duke iu kundërvnë kësaj logjike absurde në mënyrë metaforike, shtetet multietnike në Ballkan i pati krahasuar me ato të një kopshti zologjik, ku brenda së njëjtës hapësirë ndodhet edhe luani edhe kaprolli, por të mbyllur në kafaz nga njëri-tjetri, nën përkujdesjen e kujdestarit.

Rrjedhimisht edhe këto modele që servoheshin kohët e fundit, gjoja për të paqtuar konfliktet në në këtë rajon, vetëm sa i mbanin të ngrira këto konflikte, duke i izoluar etnitë përbërëse, e që ishin të ndara nga njëra-tjetra dhe nën mbikqyrjen ndërkombëtare, vetëm sa për ta ruajtur stasus quo-në dominuese të atij shteti.

E, si rast eklatant të kësaj qasjeje Arbëri e potenconte vetë shtetin e Maqedonisë. Por, në të vërtetë, brenda këtyre shoqërive mungonte interaksioni social që do të mund të shndërrohej në masë të nevojshme për mbatjen e vetëvetishme të kohezionit shoqëror.

Gjithsesi, me anë të persiatjeve mendore Arbër Xhaferi nuk kishte lënë pa prekur edhe faktorë tjerë që mund të rrezikonin funksionimin e brendshëm të shoqërisë sonë.

Veçanërisht në këtë fazë kur mungonte stabiliteti institucional dhe nuk ishte konsoliduar sistemi i vlerave, ishte pikërisht instrumentalizmi i religjionit për efekte ditore, ai i cili mund të shndërrohej në një potencial të madh kërcnues për shoqërinë shqiptare.

Dhe ky rrezik ishte i mprehtë vecanërisht duke marrë parsysh natyrën kombformuese mbi të cilën ishte ngjizur shoqëria jonë.

Duke iu referuar kryesisht persiatjeve teorike të mendimtarit të njohur Erich Fromm, Xhaferi e kishte nuhatur këtë tendencë pikërisht tek ideologjizimi i religjionit.

Pra për dallim nga shumë konstatime metafizike, sipas mendimtarit të njohur Erich Fromm, vetë feja si fenomen psiko-social e ka burimin në kushtet thelbësore të ekzistencës njerëzore.

Ajo buron kryesisht nga dy nevoja qenësore të species njerëzore. E para, ajo i siguron individit një sistem orientimi si dhe një objekt adhurimi, dhe e dyta, ajo buron po ashtu edhe nga nevojat e brendshme të njeriut për paqe dhe siguri, si dhe nga frika dhe dashuria njerëzore.

Në këtë kontekst mund të konstatohet se religjioni na shfaqet si një fenomen qenësor i natyrës njerëzore.

Prandaj Arbën Xhaferi mbron idenë se më tepër se sa vetë feja, mund të jetë mënyra e manipulimit të vlerave të saj ajo që mund ta shndërrojë atë në kërcënim për rendin shoqëror.

Pra, sipas kësaj teorie, përkundër thelbit të një doktrine, ajo që duhet të na shqetësojë më tepër janë pikërisht qëndrimet si dhe pikëpamjet që mbajnë ndaj tyre ata që i mbrojnë ato përgjatë historisë.

Kështu, bie fjala një nga shkaqet themelore të degjenerimit si dhe zvetënimit të vlerave religjioze mund të merret pikërisht mënyra e transformimit të tyre në ideologji.

Dhe ky transformim, sipas Frommit, mund të ndodhë atëherë kur dikush e adhuron fuqinë, megjithëse predikon fenë e dashurisë, atëherë feja e tij sekrete është ajo e fuqisë, ndërsa, e ashtuquajtura fe zyrtare, për shembull kristianizmi, në këtë rast nuk është veçse një ideologji”.

E, si maja më kulmore e tërë këtij fenomeni mund të konsiderohet përdorimi i religjionit për efekte politike. Kështu, nëse “politizohet religjioni, relacioni imanent frikë-dashuri shndërrohet në urrejtje-dashuri, të imponuar nga jashtë” (A. Xhaferi).

Esencialisht është e ditur se politika si fenomen funksionon mbi prodhimin e dallimit të njohur ndërmjet mikut dhe armikut. Prandaj, sipas Arbën Xhaferit “religjioni që pranon të instrumentalizohet në politikë, këtë polarizim e manifeston si urrejtje dhe dashuri. Urrehet kryqi e afirmohet gjysëmhëna dhe anasjelltas”.

Përfundimisht, këtë vështrim esesitik mbi punën mendore të Arbër Xhaferit dua ta përmbyll me një konstim të huazuar nga romani “Muzeu i Pafajsisë” i shkrimtarit të njohur Orhan Pamuk.

Duke përshkruar tiparin qenësor të botës perëndimore ky shkrimtar konstaton se njëra nga veçoritë më mbresëlënëse të këtij civilizimi dhe dijeve që qëndrojnë në themel të tij mbetet edhe te ndërtimi i muzeve, pajisja e tyre me koleksione personale të atyre që u dedikohet muzeu, dhe shndërrimi i tyre në simbole të krenarisë dhe thellimit të njohurive për atë shoqëri.

Në këtë kontekst do të ishte e udhës që shoqëria shqiptare në shenjë mirënjohje për veprimtarinë intelektuale dhe politike të Arbën Xhaferit të përkujdesej për ndërtimin e një muzeu të tillë.

Kështu në hapësirat e këtij muzeu do të ekspozoheshin koleksionet e tij, shkrimet autoriale, dhe në këtë mënyrë ai muze do të mund të shndërrohej në një vend-simbol që me krenari shpalos para vizitoreve vizionin, dijet dhe dilemat teorike për cështjen kombëtare të Arbër Xhaferit, për t’u shndërruar mëpastaj në një trashëgimi të rëndësishme dhe të pasur të kulturës kombëtare. 






 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)